ATV

Category: Lajme

  • Fëmijët e të burgosurve, humbësit më të mëdhenj të burgut danez në Kosovë

    Fëmijët e të burgosurve, humbësit më të mëdhenj të burgut danez në Kosovë

    Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, ka udhëtuar në Kosovë për të parë rindërtimin e burgut që qeveria daneze ka marrë me qira.

    300 të dëbuar nga Danimarka do ta vuajnë dënimin në një burg në Kosovë me oficerë të burgjeve të Kosovës në vend të burgjeve daneze.

    Organizata SAVN – e cila është zëdhënëse dhe këshilltare dhe mbështet të afërmit e të burgosurve në burgjet daneze – paralajmëron se fëmijët e të burgosurve në veçanti do të paguajnë çmimin kur babai ose nëna e tyre të futen në burg në Kosovë.

    “Marrëveshja e burgut synon të eliminojë kokëçarjen politike të mbipopullimit dhe mungesës së personelit në burgjet daneze, por i vë të afërmit e të burgosurve në një situatë të vështirë dhe të paarsyeshme. Është një grup i cenueshëm fëmijësh që rrezikojnë të paguajnë çmimin nëse prindërit duhet të vuajnë dënimin në Kosovë”, thotë Elisabeth Toft Rasmussen, shefe e sekretariatit në SAVN për Arbejderen, raporton media daneze “arbejderen”.

    “Ekziston një rrezik i madh dhe real që Danimarka të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj për të respektuar fjalët e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve që fëmijët duhet të kenë gjithmonë mundësinë të jenë në kontakt me nënën dhe babanë e tyre, edhe kur janë të burgosur. Si do të munden fëmijët të vizitojnë prindërit e tyre çdo javë në një burg mbi 2000 kilometra larg Danimarkës?”, pyet ajo.

    Rasmussen thotë se është e qartë se vizitat e rregullta në burgjet e Kosovës do të jenë një barrë e pakapërcyeshme financiare dhe mendore për familjet e të burgosurve “që ne si shoqëri nuk mund ta vendosim mbi supet e familjeve që tashmë janë nën presion të madh”.

    Shoqata e Avokatëve të Emigracionit në Danimarkë, e cila është një rrjet për avokatët e të dënuarve me deportim, ka frikë për të drejtat e të dënuarve me deportim kur lihen prapa grilave në Kosovë, larg Danimarkës.

    “Në marrëveshjen me Kosovën thuhet se Avokati i Popullit Parlamentar dhe autoritetet përkatëse kanë të drejtë të mbikëqyrin dhe vizitojnë burgun. Por, si të sigurohemi që të burgosurit të trajtohen si qenie njerëzore? Si të sigurohemi që standardet që i njohim në burgjet në Danimarkë zbatohen në burgjet në Kosovë?”, thotë kryetarja e shoqatës, Jytte Lindgard.

    Siç raporton media daneze “arbejderen”, të shqetësuar thellësisht me marrëveshjen për burgjet janë Komiteti i OKB-së kundër Torturës, Amnesty International dhe DIGNITY – Danish Institute Against Torture.

    Të tre organizatat kanë frikë se të drejtat e njeriut të të burgosurve do të shkelen dhe pyesin se si të afërmit do të mund ta vizitojnë të burgosurin një herë në javë, gjë që të burgosurit kanë të drejtë sipas ligjit danez.

    Burgu ndodhet në Gjilan, më shumë se 2100 kilometra nga kufiri danez, shkruan “arbejderen”.

  • Fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje – Mundësitë më të mira për barazi gjinore

    Fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje – Mundësitë më të mira për barazi gjinore

    Organizata “EcoKosWomen” ka organizuar një ngjarje vetëdijesuese për rolin e grave në shoqëri, duke nxitur ndryshime pozitive që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave, dhe njëkohësisht avancojnë barazinë gjinore në Kosovë, raporton EO.

    Shpresa Gosalci nga Organizata “EcoKosWomen”, thënë se temat kyçe që po promovojnë përmes kësaj iniciative janë fuqizimi i grave ne bujqësi dhe roli i tyre në vendimmarrje.

    “Ky aktivitet, që zhvillohet në kuadër të projektit EREA, i cili zbatohet nga Caritasi Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim synon të promovojë një shoqëri me të drejtë dhe githëpërfshirëse, duke sfiduar stereotipat dhe duke forcuar qëndrimet pozitive ndaj diversitetit. Përmes mesazheve dhe aktiviteteve që përçojmë në këtë fushatë, dëshirojmë të theksojmë rolin a pazëvendësueshëm që luajnë gratë në zhvillimin e shoqërisë sonë. Duke përkrahur fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore, ne jo vetëm që po krijojmë mundësi për gratë të shprehin potencialin e tyre, por po ndërtojmë një të ardhme me të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”.

    “Gratë, kudo që janë, meritojnë mundësi të barabarta. Mesazhet që shpalosim përmes siluetave tona në këtë event në Prishtinë por dhe në komuna te tjera te Kosovës janë një thirrje për veprim. Mesazhet si ‘Një grua e fuqishme mbështet një grua tjetër’ dhe ‘Barazia dhe githëpërfshirja, çelës i suksesit’ nuk janë thjeshtë fjalë ato janë parime për të cilat ne duhet të angazhohemi çdo ditë”, ka thënë Gosalci.

    Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë Venera Çerkini ka thënë se gratë në Kosovë kanë pasur përparim dhe avancim në të drejtat e tyre.

    “Si grua duke marrë parasysh që vet kam hasur në vështirësi dhe pengesa, është e rëndësishme që te avancohemi. Gratë në Kosovë kanë pasur përparim në avancimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e gruas që arriti të kalojë vetë barrierat. E di sa e rëndësishme për neve që të jemi në një rrugë të mirë, ne jemi shumë të përkushtuar në fushën e bujqësisë 5 mijë gra kanë përfituar nga ministria jonë. Tregon një përparim të gruas që kem një kontribut të çmuar në fushën e bujqësisë. Mbështetja e grave është për një të ardhme të që qëndrueshme”, ka thënë Çerkini.

    Gerhard Schaumberger, Drejtor i Caritasit Zviceran në Kosovë, ka potencuar se kjo fushatë krijon mundësinë e gjithëpërfshirjes dhe fuqizimin e grave.

    “E dimë që Kosova ka emigrim dhe të njëjtën kohë kemi edhe një zhvillim ekonomik. Është vetëm mundësi gjithëpërfshirëse fuqia e grave punëtore, kjo fushatë është duke funksionuar dhe kam marrë vesh që këto sllogane bazohen në tregime të vërteta. Gjithashtu kam marrë vesh që kjo fushatë do të jete edhe me komunat jo shumicë”, u shpreh ai.

    Valdete Sahiti pronare e agrobiznesit “LoEL” ka theksuar se fuqizimi i grave është çelësi për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe të drejtë.

    “Fuqizimi i grave është çelësi për të krijuar një shoqëri më të barabartë dhe të drejtë. Përmes kësaj mbështetjeje, unë pata mundësinë të ndjek ëndrrat e mia, të ndërtoj një biznes të qëndrueshëm dhe të sfidoj stereotipat gjinorë që shpesh i kufizon gratë në botën e biznesit. ‘LoEL’ tani është jo vetëm një burim stabiliteti ekonomik për mua dhe familjen time, por edhe një model që u ofron mundësi dhe shpresë grave te tjera. Duke krijuar vende punë për gratë ne zonën time, unë po ndihmoj në përmirësimin e kushteve të tyre sociale dhe ekonomike”, deklaroi Sahiti.

  • Kurti takohet me homologun e tij nga Vanuatu, Charlot Salwai

    Kurti takohet me homologun e tij nga Vanuatu, Charlot Salwai

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua dje në New York me Kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai.

    Palët u takuan në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim, dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike.

    Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen. Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë.

    Duke shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për më shumë shkëmbime mes dy vendeve tona, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin e Vanuatu Charlot Salwai për takimin dhe bisedën.

  • ​Kosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024

    ​Kosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024

    Kosova ka shënuar rritje të numrit të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Në Ditën Botërore të Turizmit, u tha se vendi tashmë është bërë një destinacion turistik për të huajt.

    Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, tha se rritja e turizmit ka qenë për 24.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit dhe se pret që i njëjti trend të jetë edhe në pjesën e mbetur të vitit 2024.

    “Kosova tashmë nuk është vetëm një rrugë kalimi për vizitorët, por është destinacion turistik. Për fat të mirë gjashtë mujori i parë i vitit 2024 ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Sa i përket numrit të turistëve ndërkombëtarë kemi rritje mbi 24.6 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën. Lajm i mirë është se kemi edhe rritje të netëve qëndrimeve. Vizitorët kemi arritur t’i ndalim dhe të qëndrojnë më gjatë në Kosovë. Kjo fal festivaleve edhe aktiviteteve të cilat po zhvillohen dhe atraksioneve turistike që po shtohen”, tha ai.

    Rritjen e numrit të turistëve e mirëpriti zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, e cila tha se Kosova ka dyert e hapura për vizitorët e huaj.

    Ajo tha se Kosova ka një pozicion ideal për t’u bërë një qendër e turistëve që dëshirojnë të eksplorojnë.

    “Kosova në bazë të pozitës së saj gjeografike ndodhet në zemër të Ballkanit. Kjo na vendos në një pozicion ideal për t’u bërë një qendër te turistët që dëshirojnë të eksplorojnë në këtë vend të Evropës. Vendi ynë ka burime natyrore, unike, male, lumenj, liqene si dhe një histori dhe kulturë të pasur”, theksoi ajo.

    Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti ofron një pasuri të madhe kulturore dhe bukuri natyrore për turistët.

    “Prishtina si një kryeqytet që ofron një pasuri të madhe kulturore dhe historike është e interesuar që të jetë pjesë e këtyre proceseve. Përveç që ka një traditë mikpritëse, atmosferë të gjallërishme ka edhe shumëçka tjetër për t’i ofruar vizitorëve dhe turistëve që na vizitojnë në kryeqytet. Po ashtu për bukuritë natyrore që i kemi jo vetëm në zonat urbane përmes festivaleve por edhe të natyrës së mrekullueshme të gollakut. Kemi një numër të madh të monumenteve historike, po ashtu e kemi edhe makiaton më të mirën në botë, po na pranojnë edhe italianët”, tha Rama./KosovaPress/

  • Netanyahu thotë se Izraeli do t’i vazhdojë bisedimet për armëpushim në Liban

    Netanyahu thotë se Izraeli do t’i vazhdojë bisedimet për armëpushim në Liban

    Izraeli do të vazhdojë t’i diskutojë propozimet për armëpushim në Liban në ditët në vijim, tha të premten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut do ta bëjë edhe më të vështirë kthimin e civilëve në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit.

    Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

    Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i hodhi poshtë të enjtet thirrjet e ndërkombëtarëve për armëpushim me Hezbollahun, duke thënë se bombardimet do të vazhdojnë.

    Një sulm izraelit të premten i vrau nëntë anëtarë të një familjeje, përfshirë katër fëmijë, në qytezën kufitar të Libanit, Sheba, tha për Reuters Mohammad Saab, kryetar i qytezës.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

    Mbi 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e dita e hënë si pasojë e bombardimeve izraelite, thotë Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

    Hezbollahu tha të premten se hodhi raketa në drejtim të Izraelit, në qytetin Haifa, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit, si dhe në qytetin Tiberias, duke thënë se këto sulme ishin përgjigje ndaj sulmeve ajrore izraelite në fshatra, qytete dhe civilë.

    Megjithëse kundërajrorët izraelitë i kanë rrëzuar shumicën e raketave të Hezbollahut, duke e kufizuar dëmin e tyre, sulmet e grupit militant e kanë prishur jetën normale përgjatë shumicës së kufirit verior të Izrael.

    Konflikti mes Izraelit dhe grupit të armatosur rëndë Hezbollah është më i ashpri mes tyre në 18 vjetët e fundit, dhe ka ngjallur frikën se mund të shpërthejë një luftë e gjerë rajonale.

    Shtetet e Bashkuara dhe Franca propozuan të mërkurën një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor përgjatë kufirit Izrael-Liban, dhe thanë se bisedimet janë duke vazhduar.

    Netanyahu tha të premten se ekipet izraelite mbajtën takime për të biseduar për propozimet e SHBA-së për armëpushim të enjten dhe se do t’i vazhdonin ato edhe në ditët në vijim, duke shtuar se i vlerëson përpjekjet e SHBA-së.

    “Ekipet tona u takuan [më 26 shtator] për të diskutuar iniciativën e SHBA-së dhe se si mund të cojmë përpara qëllimin e përbashkët për kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre. Ne do t’i vazhdojmë ato diskutime në ditët në vijim”, tha ai në një deklaratë.

    Të enjten, pasi Netanyahu u nis për në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zyra e tij lëshoi një deklaratë duke thënë se kryeministri kishte urdhëruar trupat izraelite të vazhdonin luftimin me forcë të plotë në Liban.

    Deklarata e tij nuk i referohej komenteve të ministrit të Jashtëm Katz, i cili të enjten hodhi poshtë propozimet për armëpushim, apo politikanëve të tjerë izraelitë që i kanë bërë jehonë atij qëndrimi, duke thënë vetëm se kishte pasur “shumë keqraportime rreth iniciativës së SHBA-së për armëpushim”./REL/

  • Kërkohet aktivitet më i madh fizik në shkollat e Kosovës

    Kërkohet aktivitet më i madh fizik në shkollat e Kosovës

    Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport kanë organizuar “Forumin e Sportit”, i cili mbahet në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen për “Javën Evropiane të Sportit”.

    Në këtë forum u diskutua për nevojën e përfshirjes së të rinjve në sa më shumë aktivitete sportive, por edhe për nevojë e barazisë gjinore në sport.

    Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Sportit, Musa Selimi në panelin diskutues tha se në Kosovë ka nevojë për rritje të numrit të orëve të Edukatës Fizike në shkolla fillore.

    “Ne si fakultet kemi marrë masa dhe kemi kërkuar nga akterë të rëndësishme të shoqërisë civile, nga Komisioni Parlamentar për Arsim, kemi kërkuar takim urgjent që ta diskutojmë bashkërisht sepse përveç fakultetit dhe universitetit, barrë të madhe kam edhe Ministria e Arsimit. Kemi kërkuar që të rritet urgjentisht fondi i orëve sepse situatën e kemi kritike, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, mungesa e orëve të Edukatës Fizike, mungesa e infrastrukturës, të gjitha këto janë komponentë që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve tanë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e jep që çdo ditë, çdo fëmijë të ketë 60 minuta minimumi aktivitet fizik”, ka thënë Selimi.

    Kordinatori i “Javës Evropiane për Sport”, Ibër Halaj në panelin diskutues tha se për implementimin e një programi të tillë nevojitet koordinim më i madh ndërmjet organizatave sportive si dhe drejtorive sportive nëpër komunat e Kosovës.

    “Çdo program lidhet edhe me buxhetim dhe në këtë pjesë akoma nuk kemi arritur që të kemi një plan strategjik i cili është në aspektin kombëtar. Andaj edhe plani strategjik mund të jetë në korniza të trasha por duhet bërë një plan strategjik ‘Grassrods’ i cili është sektorial por që koordinohet me pjesën e organizatave që lidhen me komunat përkatëse dhe drejtoritë për sport që janë nëpër komuna për t’i zhvilluar programet e veçanta”, theksoi Alaj.

    Gjithashtu në panel u diskutua edhe për barazinë gjinore në organizatat sportive ku u kërkua përfshirje më e madhe e grave në pozitat administrative në federatat sportive të Kosovës. Afërdita Fazlija nga Ministria e Sportit theksoi se është e nevojshme që sporti i femrave të bëhet edhe profesion dhe jo vetëm pasion.

    “Sporti i femrave duhet të bëhet profesion, jo vetëm pasion, e që sporti i femrave të bëhet profesion, të paktën për këtë kohë, kam evidentuar se ndoshta pjesa e anës shkencore, konkretisht Fakulteti i Edukatës Fizike dhe disa institucione që në momente të caktuara ne iu drejtohemi si OJQ ose si programe të thjeshta siç është rasti i programi ‘BeActive” të iu them të drejtën…më tepër ky program jep produkte konkrete në fushën e sportit kur u jepet mundësia që të jene pjesëmarrës fëmijët, prindërit, arsimtarët”, tha Fazlija.

  • Prokuroria sekuestron dhe kërkon shitjen e dy kamionëve që kundërligjshëm transportonin zhavorr

    Prokuroria sekuestron dhe kërkon shitjen e dy kamionëve që kundërligjshëm transportonin zhavorr

    Prokuroria Themelore në Prizren në dy raste të ndara ka sekuestruar dy kamionë, si mjete të kryerjes së veprës penale, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Prokuroria Themelore në Prizren në koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektorët e KPMM-së dhe Inspektorët Komunal, në fshatin Landovicë – Komuna e Prizrenit, në dy raste të ndara ka ndaluar vozitësit e dy kamionëve, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas njoftimit, aktivitetet ilegale të nxjerrjes së zhavorrit në këtë fazë hetimore dyshohet se janë zhvilluar përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

    “Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara është lëshuar urdhri ndalues i përkohshëm dhe gjithashtu brenda afatit ligjor, për mjetet e kryerjes së veprës penale më datë 27.09.2024 është paraqitur kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar, me masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar – shitjen e pasurive të specifikuar/kamionëve për çmim të tregut. Prokuroria Themelore në Prizren, e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese”, thuhet në njoftim.

  • ​Blinken: SHBA njofton 5.55 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    ​Blinken: SHBA njofton 5.55 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken konfirmoi planet e qeverisë amerikane për të ndarë 5.55 miliardë dollarë për ndihmën ushtarake për Ukrainën në javët dhe muajt e ardhshëm.

    Kështu thuhet në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, raporton Ukrinform.

    “Sot, si pjesë e rritjes së ndihmës që Presidenti Biden drejtoi përpara takimit të tij me Presidentin Zelensky, Departamenti njoftoi Kongresin për qëllimin për të drejtuar tërheqjen e deri në 5.55 miliardë dollarë në artikujt dhe shërbimet e mbrojtjes nga stoqet e DoD (Departamentit të Mbrojtjes) për ndihmë ushtarake për Ukrainën nën Autoritetin e Tërheqjes Presidenciale”, thuhet në deklaratë.

    Sipas Blinken, kjo i referohet fondeve të alokuara sipas Aktit të Ndarjeve Suplementare të Sigurisë së Ukrainës, 2024, i cili do të përfundojë më 30 shtator 2024.

    “Ne po marrim këtë hap për të siguruar që ky Autoritet të mos skadojë dhe Shtetet e Bashkuara të mund të përdorin plotësisht fondet e përvetësuara nga Kongresi. Duke bërë këtë, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të ofrojnë një rritje të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për Ukrainën nga Aksionet e DoD nën tërheqjet e planifikuara në javët dhe muajt në vazhdim, këto tërheqje janë bërë të mundura nga mbështetja e fortë dypartiake nga Kongresi”, shpjegoi Blinken.

    Faqja e internetit e Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur ushtrinë ukrainase me pajisjet që u nevojiten për të forcuar pozicionin e tyre në fushën e betejës, për të mbrojtur territorin dhe njerëzit e tyre nga agresioni brutal i Kremlinit dhe për të triumfuar në këtë luftë për të siguruar një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

    Siç raportoi më herët Ukrinform, të enjten, presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi ndarjen e ndihmës në shkallë të gjerë të mbrojtjes për Ukrainën me vlerë 7.9 miliardë dollarë./ Ukrinform

  • ​Serbët protestojnë kundër shkatërrimit të monumenteve fetare në Zubin Potok

    ​Serbët protestojnë kundër shkatërrimit të monumenteve fetare në Zubin Potok

    Qindra serbë nga rajoni i Zubin Potokut dhe më gjerë, kanë protestuar sot në Zubin Potok në shenjë pakënaqësie, siç thanë ata, me shkatërrimin e monumenteve dhe ikonave fetare që kanë ndodhur kohën e fundit nëpër fshatrat e komunës së Zubin Potokut.

    Ata protestën e filluan para stacionit policor në Zubin Potok, për të vazhduar pastaj në kishën e këtij qyteti ku ndezën qirinj.

    Protesta e cila bllokoi vetëm një korsi të magjistrales Zubim Potok – Bërnjak, ka zgjatur rreth dyzet minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa, është vëzhguar nga afër prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin në numër më të madh se rëndom. /kp

  • ​“Kongresi Klinik, ngjarja më e madhe shëndetesore në Kosovë”

    ​“Kongresi Klinik, ngjarja më e madhe shëndetesore në Kosovë”

    Kongresi i Katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës po cilësohet si ngjarja më e madhe mjekësore që ndodh në Kosovë pasi sjellë përvojat mjekësore të autoriteteve më të njohura botërore të fushës së kirurgjisë.

    Kështu është shprehur kryesuesi i Këshillit Shkencor në Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, Luan Jaha.

    Jaha në një intervistë për KosovaPress theksoi se Kongresi Klinik është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave më të mira në kirurgji.

    Specialisti i Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, Luan Jaha theksoi se falë këtij organizimi mund të krijohen edhe bashkëpunime në mes Kosovës dhe shtetëve të ndryshme botërore.

    “Kongresi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është ngjarja më e madhe në mjekësinë e Kosovës dhe jo vetëm në mjekësinë e Kosovës e cila ka bërë bashkë mjekët vendor nga diaspora, regjioni e pothuasje nga të gjitha kontinentet. I kemi sjellë bashkë në Kosovë që të prezantojmë përvojat e tyre, t’i diskutojnë këto përvoja me njëri-tjetrin, të fillojnë projekte të përbashkëta të cilat janë shumë të domosdoshme për vendet si dhe të shoqërohen dhe nga këto shoqërime të fillojnë bashkëpunimet”, tha ai.

    Kryesuesi i Këshillit Shkencor në Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, Luan Jaha deklaroise se ka pas interesim shumë të madh nga profesionistët shëndetësor për të prezantuar punimet e tyre shkencore.

    Ai garantoi cilësi të lartë të punimeve shkencore që do të prezantohen gjatë këtyre ditëve në kuadër të Kongresit Klinik.

    “Interesimi është shumë i lartë, ne kemi pas një numër jashtëzakonisht të lartë të punimeve të prezentuara për t’u paraqitur këtu në Kongres. Secili punim që prezentohet këtu ka kaluar në një recenzion shumë rigoroz i cili ka qenë i dyfisht dhe anonim dhe kemi garantuar kualitetin e këtij punimi”, tha Jaha.

    Në Kongresin e Katërt Klinik, specialisti i kirurgjisë vaskulare, Luan Jaha tha se po marrin pjesë si ligjërues kirurgë me karrierë të shquar në këtë fushë të mjekësisë.

    “Ne kemi 50 autoritete në kirurgji që vijnë prej vendeve të Amerikës Veriore e Latine, Katarit, Turqisë, Greqia e Spanja edhe Kroacinë që vijnë dhe prezantojnë përvojat e tyre. Midis ligjëruesve kemi edhe kandidat për Nobel është me të vërtetë një mbledhje e madhe e autoriteteve në mjekësi që garanton që edhe cilësia e punimeve ka me qenë shumë e lartë”, deklaroi ai.

    Në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës po marrin pjesë mbi 500 profesionistë shëndetësor.

    Risi në këtë Kongres janë edhe simpoziumet që po mbahen me tema të ndryshme që kanë të bëjnë me trajtimin e plagëve, kancerit të gjirit, kirurgjisë plastike, trauma etj./kp