ATV

Category: Lajme

  • Pas disa ditësh kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në lumin Reuss në Zvicër

    Pas disa ditësh kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në lumin Reuss në Zvicër

    Pas disa ditësh kërkimesh intensive në lumin Reuss, është gjetur trupi i pajetë i 5-vjeçarit Tian Rahimi, që ishte zhdukur pas aksidentit me varkë në kantonin Aargau.

    Trupi i pajetë i fëmijës është gjetur të martën pasdite në komunën Merenschwand nga persona të tretë.

    Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar se është gjetur trupi i një fëmije të pajetë, ndërsa të gjitha shenjat tregojnë se bëhet fjalë për 5 vjeçarin.

    Zëdhënësi i Policisë Kantonale të Aargaut, Dominic Zimmerli, tha se: “Sipas të dhënave të para, duket se bëhet fjalë për djalin 5-vjeçar të zhdukur që nga e shtuna. Megjithatë, identifikimi zyrtar ende nuk është kryer.”

    Sipas raportimeve të mediave zvicerane “20 Minuten” dhe “Blick”, fëmija u zhduk të shtunën pasdite, kur një varkë gome me një familje prej katër anëtarësh u përmbys pas përplasjes me një pemë të rënë në ujë.

    Të dy prindërit dhe vajza 7-vjeçare arritën të shpëtonin dhe dolën në breg, ndërsa 5-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit Reuss.

    Operacioni i kërkimit ishte zhvilluar përgjatë gjithë segmentit të lumit Reuss në zonën e Mühlau.

    Sipas një dëshmitari, policia dhe ekipet emergjente kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe zona është rrethuar.

    Autoritetet zvicerane po vazhdojnë procedurat zyrtare të identifikimit dhe hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit.

  • Defekt me skaf në Velipojë, shpëtohet 46-vjeçari nga Kosova

    Defekt me skaf në Velipojë, shpëtohet 46-vjeçari nga Kosova

    Policia Kufitare në Velipojë ka ndërhyrë me sukses për të ndihmuar një shtetas që kishte mbetur në det të hapur dhe rrezikonte mbytjen, pas një defekti në mjetin lundrues.

    Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas marrjes së sinjalizimit për një skaf që kishte pësuar defekt në hapësirën ujore, janë organizuar menjëherë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

    “Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues që kishte pësuar defekt dhe ndodhej në vështirësi në hapësirën ujore, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan dhe zhvilluan operacionin për lokalizimin dhe dhënien e ndihmës”, thuhet në njoftim.

    Në operacion janë angazhuar mjetet lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët kanë ndihmuar në kërkim, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e saktë e mjetit.

    Pas kërkimeve, mjeti lundrues është lokalizuar në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja.

    Nga verifikimet rezultoi se skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në motor.

    “Shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme shtetasit dhe bënë të mundur shoqërimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë”, thuhet më tej në njoftim.

    Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke u bërë thirrje që në raste emergjente të kontaktojnë numrin 112.

  • Edhe Imri Ahmeti dhe dega e LDK në Lipjan ia kërkojnë dorëheqjen Abdixhikut nga kreu i partisë

    Edhe Imri Ahmeti dhe dega e LDK në Lipjan ia kërkojnë dorëheqjen Abdixhikut nga kreu i partisë

    Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, kërkon dorëheqjen e Kryetarit Lumir Abdixhiku, “si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thekson LDK në Lipjan pas analizës së bërë rezultateve zgjedhore.

    Në reagim thuhet se “rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet”.

    “Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.

    Dorëheqjen ia kërkoi Abdixhikut edhe Dega e LDK-së në Pejë.

    Reagimi i plotë:

    Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, në mbledhjen e mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për të gjitha strukturat e degës, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, falënderojmë qytetarët e Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.

    Në vazhdim të mbledhjes, Kryesia e Degës, së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit në degën tonë.

    Ndonëse vota për LDK-në në degën tonë është pothuajse e përsëritur në raport me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 6,338 vota apo 19.40% në zgjedhjet e dhjetorit në 6,455 vota apo 23.60% në zgjedhjet e qershorit 2026, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan vlerëson se ky rezultat mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh të strukturave të degës.

    Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror; prandaj, përgjegjësia për rezultatin duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak.

    Rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet.

    Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia.

    Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.

    LDK në Lipjan mbetet një degë e konsoliduar, e cila ka shënuar fitore në katër palë zgjedhje lokale radhazi, ndërsa tri herë ka fituar pa balotazh dhe pa pasur nevojë për koalicione. Kjo dëshmon mbështetjen e qëndrueshme qytetare dhe kapacitetin organizativ të degës.

    Vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformimit të brendshëm, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse në vend.

  • Zyrtarizohet përçarja mes Gazmend Muhaxherit dhe Lumir Abdixhikut – Dega e Pejës kërkon dorëheqje

    Zyrtarizohet përçarja mes Gazmend Muhaxherit dhe Lumir Abdixhikut – Dega e Pejës kërkon dorëheqje

    Dega e LDK-së në Pejë, njofton se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.

    “Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftimin e degës.

    “Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon njoftimi.

    Ky është rasti i parë kur një degë e rëndësishme e LDK’së kërkon dorëheqjen e Kryetarit Abdixhiku për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin zgjedhor në fund të muajit janar ku në krye të partisë ishte konfirmuar Lumir Abdixhiku. Pas Kuvendit ishte spekuluar se Muhaxheri dhe Abdixhiku kanë prishur raportet, por zgjedhjet e parakohshme si duket e kanë mbajtur nën tepih problemin, por komunikata e degës në Pejë tani po e nxjerr në pah atë.

    Njoftimi i plotë:

  • Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i është bashkuar reagimeve ndaj Dritan Goxhajt, i cili ka dalë në krye të artikulimit të kërkesave të protestës të së hënës. Në një reagim publik, ministri i Mbrojtjes shprehet se nuk mund të përdoret emri i UÇK-së për interesa personale apo politike.

    Ministri shpërndau postimin e Ramës dhe e shoqëroi me një koment ku vë në kontrast ata që morën pjesë në luftë me ata që, sipas tij, e mbështesin atë vetëm në fjalë.

    Më tej, Nufi ka kritikuar gjithashtu protestën, duke pretenduar se ajo nuk ka një drejtim apo objektiva të qarta.

    “Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njejtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë. Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka”, ka shkruar Nufi.

    Ministri ka shtuar se komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht.

    “Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!” shkroi Nufi.

  • Ymeri: VV nuk po lejon asnjë projekt energjetik shkaku i borxhit ndaj mafisë energjetike

    Ymeri: VV nuk po lejon asnjë projekt energjetik shkaku i borxhit ndaj mafisë energjetike

    Deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me kundërshtimin e projektit të gazit amerikan, duke thënë se përmes propagandës dhe blerjes së opinionit fillon edhe refuzimi i projekti nga pushteti aktual.

    Ajo ka shtuar se pushteti nuk ka njohuri për projektin amerikan të gazit dhe se, njëjtë si kur doli Vuk Hamoviq dhe u përmend manipulimi me tregtinë e energjisë elektrike, “piunët e pushtetit po kacavirren e çirren”.

    Tutje, ajo ka theksuar se është e drejtë e secilit të kërkojë informata të detajuara për projektin nacional të gazit amerikan, por sipas saj, arsyetimi i pushtetit nuk ka asnjë peshë.

    Ajo ka ngritur shqetësimin se Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të borxhit ndaj mafisë energjetike, nuk po lejon asnjë projekt energjetik dhe rrjedhimisht as projketin e gazit amerikan.

    “Shkaku i borxhit të Vetëvendosjes ndaj mafisë energjetike që po kthehet me tregti elektrike, nuk lejohet asnjë projekt energjetik. E kemi kuptuar marrëveshjen e 6 viteve pushtet: mafia energjetike – tregtia elektrike. Qëllimi është të mos dalim kaq naivë para ndërkombëtarëve edhe më tutje”, ka shkruar ndër të tjera Ymeri.

    Reagimi i plotë i Ymerit:

    Propaganda e pushtetit edhe blerja e opinionit nis kur refuzon një projekt për të cilin nuk ke njohuri, kjo vlen për piunat e pushtetit që po kacavirren e çirren njejtë sikur kur doli Vuk Hamovic e manipulimi me tregti elektrike. Kjo aferë korruptive shtetërore nuk ka përfundu por ende vazhdon me palë tjera të përfshira.
    Për momentin është e drejtë e secilit nga ne të kërkohen informata detajizuese për një projekt nacional si gazi amerikan edhe arsyet e juaja nuk po kanë asnjë peshë.
    Linja e interkoneksionit 400Kv, bateritë, gazifikimi i thëngjillit, Vlora, këto nuk ecin, kur nuk ja keni shtu as 1MW këtij shteti e as studime fizibiliteti nuk keni për të ardhmen.

    Më mirë thirrni një zëdhënës të Mafisë Energjetike edhe le t’na tregon shkurt:

    Shkaku i borxhit të Vetvendosjes ndaj mafisë energjetike që po kthehet me tregti elektrike, nuk lejohet asnjë projekt energjetik.

    E kemi kuptu marrëveshjen e 6 viteve pushtet, mafia energjetike – tregtia elektrike.

    Qëllimi është mos me dal kaq naiv para ndërkombëtarëve edhe më tutje.

  • Çiklistët bëjnë gara, nesër kufizohet qarkullimi në disa rrugë

    Çiklistët bëjnë gara, nesër kufizohet qarkullimi në disa rrugë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore më 24 dhe 25 qershor (të mërkurën dhe të enjten) për shkak të mbajtjes së Kampionatit të Kosovës në Çiklizëm 2026.

    Garat do të zhvillohen në aksin Ferizaj – HIB Petrol në Bibaj, përmes segmentit të autostradës “Arbër Xhaferi”, si dhe në rrugët që përfshijnë Ferizajn, Hanin e Elezit dhe Trudën.

    Sipas njoftimit, dita e parë e kampionatit, më 24 qershor, do t’i kushtohet garës individuale me kronometër (ITT). Gara nis në orën 10 nga relacioni Ferizaj – HIB Petrol, Bibaj – Babush dhe zhvillohet në segmentin e autostradës “Arbër Xhaferi”, ndërsa përfundimi është paraparë në orën 12.

    Ndërkaq, më 25 qershor do të mbahet gara rrugore e çiklizmit (Road Race). Nisja do të bëhet në orën 10 nga Ferizaj/Bibaj në drejtim të Hanit të Elezit, për t’u kthyer më pas drejt Ferizajt dhe Trudës. Gjatësia e garës do të jetë 100 kilometra, ndërsa përfundimi pritet rreth orës 13 në Trudë.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e Policisë së Kosovës, zyrtarëve të garës dhe sinjalizimin e vendosur përgjatë itinerarit.

  • “Ky zgjidhjet i pret nga qielli”, Doarsa Kica Xhelili tallet me deklaratën e Kurtit për diell

    “Ky zgjidhjet i pret nga qielli”, Doarsa Kica Xhelili tallet me deklaratën e Kurtit për diell

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin, i cili foli sot për diellin e shiun.

    Kica-Xhelili me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti pret, siç u shpreh ajo, zgjidhje nga qielli.

    “Moti e kam kuptu qe ky zgjidhjet i pret nga qielli! (Besoj per pak del ndonje zyrtar i tij e na tregon si kryeministri paska mendu qe shiu pas diellit eshte bereqet, e nese rasisht bjen, eshte arritje e qeverise)…”, deklaroi ajo.

    “Nese ankoheni shumë për diell, mundet edhe me ra shi”, deklaroi Kurti sot.

  • Zhdukja e nënës së prezantueses në ShBA: Misteri thellohet, del në dritë një shënim tronditës

    Zhdukja e nënës së prezantueses në ShBA: Misteri thellohet, del në dritë një shënim tronditës

    Një shënim për shpërblim i dërguar disa ditë pasi nëna 84-vjeçare e prezantueses amerikane Savannah Guthrie u rrëmbye nga shtëpia e saj pretendonte se ajo kishte vdekur, sipas hetuesve.

    Shënimi ishte një nga dy të adresuar familjes së Nancy Guthrie dhe të dërguara në mediat e lajmeve në ditët pas rrëmbimit të saj në janar, raporton BBC.

    I pari kërkoi miliona në bitcoin për lirimin e saj, por i dyti deklaroi se ajo kishte vdekur, sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane.

    Shënimi nga rrëmbyesit e mundshëm thuhet se deklaronte se ata nuk kishin ndërmend që ajo të vdiste dhe përfshinte një kërkim falje për familjen. Departamenti i Sherifit të Qarkut Pima refuzoi të komentonte mbi përmbajtjen e shënimeve, por tha se hetimi “mbetet aktiv dhe në vazhdim”.

    Savannah Guthrie, e përlotur, fajëson veten për rrëmbimin e nënës
    Të martën në mëngjes, gjatë paraqitjes së saj të parë në emisionin Today të NBC-së që kur u publikua lajmi për shënimin e dytë të shpërblimit, Savannah Guthrie foli për lajmin ndërsa lotët i rridhnin nga fytyra.

    Prezantuesja televizive me përvojë të gjatë iu lut përsëri njerëzve me informacione që të paraqiteshin: “Dikush di diçka,” tha ajo. “Jemi në agoni.”

    “Kjo është një histori e re sot që është në radarin tuaj, por kjo është jeta që jetojmë çdo ditë”, shtoi Guthrie.
    BBC ka kontaktuar FBI-në, e cila ka kaluar muaj me radhë duke hetuar rrëmbimin misterioz të plakës Guthrie nga shtëpia e saj pranë Tucson, Arizona.

    “Departamenti i Sherifit të Qarkut Pima vazhdon të punojë ngushtë me FBI-në, ndërsa hetuesit ndjekin pistat, shqyrtojnë informacionin dhe ndjekin faktet që lidhen me këtë rast”, tha një zëdhënës i departamentit të sherifit.
    Partneri amerikan i BBC-së, CBS, dhe media të tjera raportuan të hënën se forcat e rendit kishin kërkuar që mediat të mos publikonin detajet e shënimeve ndërsa hetonin zhdukjen e Guthrie-s.

    Nancy Guthrie u zhduk pasi të afërmit e lanë në shtëpinë e saj më 31 janar. Shqetësimi u rrit kur ajo nuk shkoi në shtëpinë e një shoqeje për të ndjekur një shërbesë kishtare virtuale të së dielës në mëngjesin tjetër.

    Një shënim fillestar për shpërblim u dërgua një ditë pasi ajo u zhduk dhe kërkoi miliona bitcoin për lirimin e saj.

    Ai dha detaje specifike rreth shtëpisë së saj, si dhe detaje rreth dhomës së saj të gjumit dhe rrethinës së shtëpisë, thanë hetuesit për CBS.

    Shënimi thuhet se i ishte drejtuar Savannah Guthrie. Ai iu dërgua disa mediave, përfshirë një stacioni televiziv lokal i cili thuhet se iu përmbajtë një kërkese të policisë për të mos zbuluar përmbajtjen e tij.

    Vetëm tani ka dalë në dritë se një shënim i dytë – i dërguar më 6 shkurt – përdorte gjuhë të ngjashme me atë të të parit, por nuk përfshinte asnjë kërkesë, duke kërkuar falje për vdekjen e saj dhe duke deklaruar se ishte i paqëllimshëm.

    Autoritetet dhe familja e Guthrie-t lëshuan vazhdimisht paralajmërime publike se viktima e moshuar ishte në gjendje të dobët shëndetësore dhe pa ilaçe kritike.

    Ndërsa kërkimi vazhdonte, autoritetet publikuan imazhe të një personi të maskuar i cili shihej në pamjet e kamerave të sigurisë jashtë shtëpisë së saj.

    Familja Guthrie kishte ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh (760,000 paund), përveç 100,000 dollarëve të premtuar nga FBI-ja, për informacion që do të çonte në kthimin e Nancy Guthrie.

    Më 24 shkurt, Savannah Guthrie tha se ata do të vazhdonin të shpresonin, edhe pse “e dinë që ajo mund të jetë e humbur, ajo mund të jetë zhdukur tashmë”.

    Në një intervistë në mars me NBC, Guthrie tha se ishin dërguar disa shënime për shpërblim dhe ajo besonte se disa prej tyre ishin të rreme. Ajo gjithashtu i tha rrjetit televiziv se familja e saj besonte se dy shënimet fillestare ishin autentike.

  • Jep dorëheqje kryeministrja e Lituanisë

    Jep dorëheqje kryeministrja e Lituanisë

    Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, dhe kabineti i saj kanë dhënë dorëheqjen pas ndryshimeve dhe mosmarrëveshjeve në koalicionin qeverisës.

    Qeveria u rrëzua pasi në koalicionin qeverisës, socialdemokratët – një parti e qendrës së majtë – ndërprenë marrëveshjen me partinë populiste Nemuno Ausra, ndërsa një nga ish-liderët e saj po përballet me akuza për antisemitizëm.

    Ish-deputeti Remigijus Zemaitaitis u dënua vitin e kaluar me 5000 euro gjobë pasi u konstatua se kishte nxitur urrejtje ndaj hebrenjve, kishte minimizuar krimet e Gjermanisë naziste dhe Holokaustin në mënyrë fyese dhe përçmuese në postime në rrjetet sociale dhe deklarata gjatë majit dhe qershorit 2023.

    Rasti aktualisht ndodhet në gjykatën e apelit, pasi prokurorët kërkojnë dënim më të rëndë, ndërsa Zemaitaitis pohon se është i pafajshëm, raportojnë mediat.

    Vendimi për dorëheqje i është dorëzuar presidentit Gitanas Nauseda, i cili pritet t’i kërkojë qeverisë në largim të vazhdojë punën si qeveri në detyrë derisa të formohet kabineti i ri.

    Sipas marrëveshjes së re të koalicionit të nënshkruar javën e kaluar, pritet që lideri i Partisë Socialdemokrate, Mindaugas Sinkevicius, të nominohet si mandatar për formimin e qeverisë.

    Pritet që të ndryshohen të paktën katër ministra, ndërsa objektivat kryesore të qeverisë do të mbeten të njëjta.

    Kandidati për kryeministër, nëse miratohet nga parlamenti, do të ketë 14 ditë kohë për të prezantuar qeverinë e re dhe për të paraqitur programin për miratim.