ATV

Category: Lajme

  • Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.

    Kryetari i saj, Hysni Gucati, e ka cilësuar si të papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës që në emër të UÇK-së në Tiranë, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.

    “OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”, ka thënë ai.

    OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.

    Kreu i veteranëve ka thënë se UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike.

  • Turqia arreston mbi 200 persona para samitit të NATO-s

    Turqia arreston mbi 200 persona para samitit të NATO-s

    Forcat turke kanë arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me organizatën e vetëshpallur terroriste ISIS dhe grupe të tjera që Ankaraja i konsideron organizata terroriste, njoftuan të martën prokurorët turq.

    Operacioni vjen në prag të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, ku pritet të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, raporton DW.

    Sipas Prokurorisë së Ankarasë, janë lëshuar 241 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ndaluar 209 persona. Operacionet policore për kapjen e të dyshuarve të tjerë po vazhdojnë.

    Autoritetet bëjnë të ditur se 56 nga të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të ISIS-it, ndërsa 35 të tjerë lidhen me organizatën komuniste Fronti/Partia Revolucionare për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe ka marrë përgjegjësinë për disa sulme në të kaluarën.

    Mediat turke raportojnë gjithashtu për një operacion të veçantë të koordinuar nga prokurorët në Stamboll kundër DHKP-C-së, ku janë arrestuar 24 persona në tetë provinca të ndryshme të vendit.

    Turqia ka intensifikuar masat e sigurisë para samitit të NATO-s. Autoritetet kanë paralajmëruar ndalimin e të gjitha protestave dhe tubimeve publike duke filluar nga 28 qershori deri në përfundim të samitit.

    Po ashtu, transmeton klankosova.tv, do të kufizohet qarkullimi në rrugët që çojnë drejt aeroporteve, ndërsa zonat përreth vendit ku do të mbahet samiti dhe hotelet ku do të qëndrojnë delegacionet ndërkombëtare do të jenë nën masa të rrepta sigurie.

    Vetëm muajin e kaluar, autoritetet turke zhvilluan një tjetër operacion në shkallë kombëtare kundër personave të dyshuar për lidhje me ISIS-in, duke arrestuar 324 persona në mbarë vendin.

    Qeveria e presidentit Erdogan vazhdon të zhvillojë operacione të shpeshta kundër grupeve që i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa përgatitjet për Samitin e NATO-s po hyjnë në fazën përfundimtare.

  • Nis procesi i votimit për dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore

    Nis procesi i votimit për dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore

    Pas paraqitjes së vizioneve të kandidatëve për dy pozita për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjykatave themelore, ka nisur procesi i votimt.

    Ndryshe, para fillimit të procesit të votimit, u bë e ditur se numri i gjyqtarëve me të drejtë vote në sallë është 354.

    Ndërkaq, në fillim të procedurës së votimit, prezent ishin 290 gjyqtarë, ndërkohë që në sallë hynë edhe disa të tjerë- të cilët do të votojnë në fund të procesit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në garë janë katër kandidatë: Agron Maxhuni, Diora Bajrami, Ilir Bytyqi dhe Valentina Sopjani.

  • Shi i rrëmbyeshëm në Klinë, rrugët mbulohen nga uji

    Shi i rrëmbyeshëm në Klinë, rrugët mbulohen nga uji

    Pas disa ditësh me temperatura të larta dhe mot përvëlues që ka përfshirë pjesën më të madhe të Kosovës, komuna e Klinës është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë sjellë një freskim të ndjeshëm të motit.

    Pamjet Meteo Ballkan nga vendi i ngjarjes tregojnë reshje intensive që kanë përfshirë qytetin brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar grumbullime të ujit në rrugë dhe duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

    Derisa në shumë komuna të vendit temperaturat e larta dhe vapa vazhdojnë të jenë të pranishme, në Klinë reshjet e shiut kanë ndikuar në uljen e temperaturave dhe freskimin e ajrit, duke sjellë lehtësim për qytetarët pas ditëve me mot të nxehtë.

    Shiu i rrëmbyeshëm u shoqërua edhe me erë dhe intensitet të lartë të reshjeve, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për dëme të shkaktuara nga moti.

    Reshjet e së martës në Klinë kanë sjellë një ndryshim të përkohshëm të kushteve atmosferike, duke ndërprerë valën e të nxehtit që po mbizotëron në pjesën më të madhe të vendit.

  • Hoti kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë për gazin amerikan: Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu

    Hoti kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë për gazin amerikan: Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu

    Deputeti i zgjedhur nga lista e LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë një postim në lidhje për çështjen e gazit amerikan.

    Hoti po kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë që po e refuzon këtë projekt.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë dhe miq,

    Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike.

    Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve.

  • Dita Olimpike, Osmani lavdëron sportistët: Flamuri i Kosovës të valojë krenar në skenat e botës

    Dita Olimpike, Osmani lavdëron sportistët: Flamuri i Kosovës të valojë krenar në skenat e botës

    Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se Dita Olimpike përbën një mundësi të veçantë për të nderuar sportistët dhe punëtorët sportivë që me talentin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre kanë nderuar Kosovën dhe kanë lartësuar flamurin e saj në arenën ndërkombëtare.

    Osmani, me rastin e kësaj dite, ka vlerësuar kontributin historik të sportistëve kosovarë, duke kujtuar rrugëtimin që nga pionierët e sportit deri te kampionët olimpikë të ditëve të sotme.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo theksoi se historia sportive e Kosovës është e shënuar nga emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke filluar nga boksieri Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 1984, e deri te Majlinda Kelmendi, e cila shkroi historinë si kampione e parë olimpike për Kosovën në Rio 2016.

    Osmani përmend gjithashtu sukseset e Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, të cilat kanë vazhduar të pasurojnë krenarinë olimpike të vendit me medaljet e tyre në Lojërat Olimpike.

    “Përmes këtyre kampionëve, bota njohu jo vetëm talentin sportiv të Kosovës, por edhe historinë e një populli që me këmbëngulje, dinjitet dhe vullnet të pathyeshëm ka arritur të tejkalojë çdo sfidë. Ata dëshmuan se madhështia nuk matet me përmasat e një vendi, por me zemrën, punën dhe vlerat e njerëzve të tij”, theksoi Osmani.

    Ish-presidentja vlerësoi gjithashtu rolin e Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, trajnerëve dhe të gjithë punëtorëve sportivë që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe ruajtjen e frymës olimpike.

    “Urojmë që flamuri i Kosovës të vazhdojë të valojë krenar në skenat më të mëdha sportive të botës”.

  • Meloni: Përplasjet e mia me Trumpin nuk duhet të ndikojnë raportet Itali-SHBA

    Meloni: Përplasjet e mia me Trumpin nuk duhet të ndikojnë raportet Itali-SHBA

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se tensionet e fundit në raportet e saj me presidentin amerikan Donald Trump nuk duhet të ndikojnë marrëdhëniet ndërmjet Romës dhe Uashingtonit.

    Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ajo ua bëri këtë të qartë ministrave gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar.

    “Shkëmbimi i akuzave mes liderëve nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet e qeverisë me Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë ajo, transmeton AA, përcjellë KosovaPress.

    Brenda qeverisë italiane janë shfaqur shqetësime për pasojat e mundshme ekonomike dhe tregtare të përplasjes Meloni-Trump, përfshirë rrezikun e vendosjes së tarifave ndaj eksporteve italiane.

    Tensionet u nisën pasi presidenti amerikan kritikoi Italinë për refuzimin e përdorimit të objekteve të saj ushtarake në mbështetje të operacioneve amerikane kundër Iranit ndërsa u rritën kur ai bëri një deklaratë të bujshme, gjatë samitit të G7 javën e kaluar në Francë, se Meloni i kishte kërkuar ta bëjnë një fotografi së bashku. Kjo e fundit mohoi pretendimet e amerikanit.

    Ambasadori i SHBA-së në Itali, Tillman J. Fertitta, u përpoq të ulte tensionet, duke thënë se “mund të ketë momente mospajtimi mes dy liderëve”, por theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten “një partneritet i vërtetë bashkëpunimi”.

    Zyrtarët italianë po përgatiten gjithashtu për një takim të planifikuar mes Melonit dhe Trumpit në margjinat e samitit të NATO-s që do të mbahet muajin e ardhshëm në Ankara.

    Ndërkohë, sipas ANSA-s, Trump ka ripërsëritur kritikat ndaj disa aleatëve të NATO-s për qëndrimin e tyre lidhur me operacionet e fundit ushtarake amerikane kundër Iranit dhe ka ngritur sërish mundësinë e rishikimit të rolit të Uashingtonit në aleancë.

    “Nuk jam i zhgënjyer vetëm me Italinë, por me të gjithë liderët e NATO-s. Nuk e di nëse duhet të tërhiqem nga Aleanca Atlantike”, raportohet të ketë deklaruar Trump për mediumin italian Tgcom24, përcjell KosovaPress.

  • Qindra miliarda të shpenzuara për armë, pse po armatoset Greqia?

    Qindra miliarda të shpenzuara për armë, pse po armatoset Greqia?

    Gjatë tri dekadave të fundit, Greqia ka investuar shuma gjigante në sektorin e mbrojtjes, duke shpenzuar rreth 170-200 miliardë euro për forcat e saj të armatosura.

    Megjithatë, pavarësisht këtyre investimeve, zyrtarët grekë vazhdojnë të argumentojnë se vendi ka nevojë për më shumë burime për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

    Kjo ka ngritur pyetjen nëse problemi lidhet me nivelin e shpenzimeve apo me modelin strategjik që Athina ka ndjekur për dekada.

    Një pjesë e madhe e politikës së mbrojtjes së Greqisë është ndërtuar mbi perceptimin e Turqisë si sfida kryesore e sigurisë. Mosmarrëveshjet për kufijtë detarë, hapësirën ajrore, Qipron dhe Mesdheun Lindor kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake.

    Në vitin 2025, Greqia shpenzoi rreth 8.4 miliardë dollarë për mbrojtjen, ose afërsisht 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u renditur ndër vendet e NATO-s me nivelin më të lartë të shpenzimeve në raport me ekonominë e saj.

    Megjithatë, kritikët argumentojnë se problemi nuk qëndron vetëm te shuma e parave të shpenzuara, por te mënyra se si ato janë përdorur. Për dekada me radhë, Athina ka investuar kryesisht në blerjen e sistemeve të gatshme nga jashtë.

    Avionët luftarakë Rafale, fregatat Belharra, raketat Exocet, programet e modernizimit të F-16 dhe sisteme të tjera të avancuara janë siguruar kryesisht nga Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

    Këto blerje kanë rritur kapacitetet ushtarake të vendit, por kanë krijuar një varësi të vazhdueshme nga furnizuesit e huaj për teknologjinë, mirëmbajtjen dhe modernizimin.

    Ndërsa lufta moderne po orientohen gjithnjë e më shumë drejt dronëve, inteligjencës artificiale dhe sistemeve kibernetike, kjo varësi mund të bëhet edhe më e kushtueshme në të ardhmen.

    Debati bëhet më i rëndësishëm kur shihet në kontekstin ekonomik. Gjatë krizës financiare që goditi Greqinë pas vitit 2008, ekonomia u tkurr me më shumë se 25 për qind, papunësia arriti nivele rekord dhe qindra mijëra të rinj të arsimuar u larguan nga vendi.

    Pavarësisht këtyre vështirësive, shpenzimet për mbrojtjen mbetën kryesisht të mbrojtura nga shkurtimet. Edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur ekonomia greke pësoi një tkurrje të ndjeshme, buxheti ushtarak u rrit ndjeshëm.

    Kjo ka bërë që shumë analistë të flasin për “koston e humbur të mundësive”, duke argumentuar se një pjesë e këtyre fondeve mund të ishte investuar në industri, teknologji, kërkim shkencor, arsim dhe infrastrukturë.

    Sipas kësaj qasjeje, nëse edhe një pjesë e miliardave të shpenzuara për importin e armëve do të ishte orientuar drejt zhvillimit të industrisë vendase, Greqia mund të kishte ndërtuar një bazë më të fortë teknologjike dhe prodhuese.

    Investimet në programe kombëtare të dronëve, prodhim të avancuar, energji të rinovueshme dhe partneritete mes universiteteve dhe industrisë do të kishin krijuar vende pune me vlerë të lartë dhe do të ndihmonin në frenimin e emigrimit të trurit.

    Shpesh përmendet edhe shembulli i Turqisë. Në fillim të viteve 2000, industria turke e mbrojtjes mbulonte vetëm një pjesë të vogël të nevojave të vendit. Sot, pjesa më e madhe e sistemeve ushtarake prodhohen brenda vendit, ndërsa sektori është shndërruar në një motor të rëndësishëm të eksporteve, inovacionit dhe punësimit.

    Për shumë vëzhgues, kjo tregon se investimet në mbrojtje mund të shërbejnë jo vetëm për sigurinë, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik. Në këtë sfond, Athina ka njoftuar një program të ri modernizimi 12-vjeçar me vlerë 25-28 miliardë euro.

    Ndryshe nga projektet e mëparshme, plani i ri i kushton më shumë vëmendje forcimit të industrisë vendase të mbrojtjes. Kjo tregon se edhe vetë autoritetet greke po pranojnë se siguria afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm te importi i armëve.

    Ndërkohë, ndryshimet në mjedisin ndërkombëtar e bëjnë këtë debat edhe më të rëndësishëm. Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i fokusuar te lufta në Ukrainë dhe siguria kundër Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë vëmendjen strategjike te Kina dhe rajoni Indo-Paqësor.

    Në këto rrethana, mbështetja te aleatët mund të bëhet më e kushtueshme dhe më pak e sigurt se në të kaluarën. Në fund, pyetja kryesore mbetet e hapur: çfarë synon Greqia me qindra miliardat e shpenzuara për armë? Nëse objektivi është vetëm blerja e sistemeve të reja ushtarake, atëherë varësia nga jashtë do të vazhdojë.

    Por nëse këto investime shndërrohen në një strategji për zhvillimin e teknologjisë, industrisë dhe kapitalit njerëzor, atëherë ato mund të kontribuojnë jo vetëm në sigurinë kombëtare, por edhe në prosperitetin afatgjatë të vendit.

  • Bekim Haxhiu do t’i drejtohet Supremes: Ka bazë për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së

    Bekim Haxhiu do t’i drejtohet Supremes: Ka bazë për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së

    Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se do ta dërgojë rastin e tij në Gjykatën Supreme, duke kërkuar rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së.

    Haxhiu deklaroi se avokati i tij është duke përgatitur ankesën, e cila pritet të dorëzohet brenda afatit ligjor.

    “Afati për dorëzimin e ankesës është deri nesër në ora 12:30, por besoj që avokati im do ta paraqesë atë në Gjykatën Supreme që nesër në mëngjes”, tha ai.

    Sipas Haxhiut, ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së, ndërsa shprehu bindjen se Supremja do të vendosë në favor të kërkesës së tij.

    “Besoj që Gjykata Supreme do të nxjerrë vendim në favorin tim, sepse ka bazë për t’u rinumëruar votat e kandidatëve të PDK-së”, u shpreh Haxhiu.

    Një ditë më parë, ai kishte ngritur dyshime për procesin e rinumërimit të votave të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke pretenduar se mostrat për rinumërim nuk janë përzgjedhur në mënyrë të rastësishme dhe se në 185 vendvotime janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve.

    Haxhiu kishte theksuar se qëllimi i ankesës është garantimi i një rezultati të saktë zgjedhor dhe respektimi i votës së qytetarëve.

  • Zyrtari i OKB-së takoi Kurtin e Konjufcën: Fokusi te procesi i dialogut Kosovë-Serbi

    Zyrtari i OKB-së takoi Kurtin e Konjufcën: Fokusi te procesi i dialogut Kosovë-Serbi

    Gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë brenda tre viteve, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due, zhvilluan të hënën takime konstruktive me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

    Sipas njoftimit të UNMIK-ut, gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit.

    Po ashtu u konfirmua mbështetja e zyrtarit të lartë të OKB-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit. Lacroix riafirmoi mbështetjen për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në njoftim.

    Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së gjithashtu u takua me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.