ATV

Category: Lajme

  • E dhimbshme: Ndahet nga jeta veterani që barti armatimin për nevojat e UÇK-së

    E dhimbshme: Ndahet nga jeta veterani që barti armatimin për nevojat e UÇK-së

    Është ndarë nga jeta veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Shaban Zymeraj nga Guri i Kuq.

    Për vdekjen e tij është shprehur i pikëlluar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

    Përmes një postimi në Facebook, Latifi tha se Ramdan Zymeraj dha kontribut të çmuar në luftën për liri, duke marrë pjesë edhe në bartjen e armatimit nga Shqipëria për nevojat e UÇK-së.

    “Në shtator të vitit 1998, u arrestua në malet e fshatit të tij, i veshur me uniformën e UÇK-së, ndërsa bashkë me të u arrestua edhe djali i tij, Blerimi. Gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës, përjetoi masakrën ku u plagos rëndë në të dyja këmbët, duke mbetur invalid i luftës. Sot u nda nga ne një luftëtar i lirisë, një njeri i ndershëm dhe një prind shembullor, i cili me mund e sakrificë rriti 8 djem dhe 3 vajza. Familjes Zymeraj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të afërmve, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Ramadan!”, ka shkruar ai.

  • Gecaj i LDK-së me një letër publike i kërkon Abdixhikut të “lëshojë rrugë”: Ju kemi dhënë mundësinë tri herë

    Gecaj i LDK-së me një letër publike i kërkon Abdixhikut të “lëshojë rrugë”: Ju kemi dhënë mundësinë tri herë

    Bajram Gecaj, një nga aktivistët e kamotshëm të LDK-së, i është drejtuar me një letër publike kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    Ai ka kërkuar nga i pari i LDK-së që të hap rrugë për një kapitull të ri në parti.

    Në letrën e tij, ai ka treguar se kur filluan përçarjet në LDK dhe cilat ishin gabimet e Abidxhikut gjatë udhëheqjes së kësaj partie.

    “Ne ju kemi mbështetur dhe ju kemi dhënë mundësinë tri herë, me përkushtim dhe pa rezerva. Tani ka ardhur koha që LDK-ja të hapet ndaj një kapitulli të ri dhe t’i japë mundësi një lidershipi tjetër për ta rikthyer partinë aty ku e meriton, në vendin e parë të skenës politike. Sepse një parti si LDK-ja nuk duhet të pajtohet kurrë me vendin e tretë”, ka shkruar ai nder të tjera në letrën e tij.

  • Ilir Deda paralajmëron se pakënaqësitë në LDK mund të shtrihen edhe në degë të tjera

    Ilir Deda paralajmëron se pakënaqësitë në LDK mund të shtrihen edhe në degë të tjera

    Analisti politik Ilir Deda ka paralajmëruar se përplasjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të zgjerohen edhe në degë të tjera, duke thënë se pakënaqësitë ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku janë grumbulluar prej kohësh.

    Në emisionin “Politiko”, Deda tha se pas degëve të Pejës dhe Lipjanit, të cilat kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, pritet të reagojë edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, ndërsa sipas tij, ka sinjale se pakënaqësi ka edhe në struktura të tjera të partisë.

    “Fundin politik Lumirit nuk ia dëshiroj, por është koha që të bëjë një hap mbrapa. Kjo që po ndodh në LDK duket si akumulim i pakënaqësive për një kohë të gjatë. Tash doli Peja me Lipjanin, por pritet të dalë edhe dega e dytë e Prishtinës. Disa miq në LDK po më thonë se ka edhe të tjera”, u shpreh Deda.

    Përplasjet në LDK janë thelluar pasi degët në Pejë dhe Lipjan kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, duke e lidhur këtë kërkesë me rezultatin zgjedhor dhe përgjegjësinë politike të udhëheqjes.

    Abdixhiku reagoi ashpër ndaj këtyre kërkesave, duke i cilësuar kritikët e brendshëm si “sabotues” dhe duke deklaruar se pret dorëheqjen e tyre nga strukturat e partisë.

  • KEDS-i me punime në rrjet, reduktime në Prizren, Ferizaj dhe Gjakovë

    KEDS-i me punime në rrjet, reduktime në Prizren, Ferizaj dhe Gjakovë

    KEDS ka njoftuar se disa vende do të mbesin pa energji elektrike sot, për shkak të punimeve në rrjet.

    Përmes një njoftimi për media, KEDS-i ka bërë me dije se cilat janë zonat që do të privohen përkohësisht nga energjia elektrike.

    Harta e punimeve është si në vijim:

    Prizren
    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10 kV Zhuri do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Dobrusht-Gorozhup J07 (kodi: 30035008) nga ora 10:00 deri në 15:30.

    Vendet: Gorozhubi, Mile, Plane dhe një pjesë e Zhurit.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive. Intervenim në eliminimin e defekteve dhe të gjeturave nga inspektimi me dron.

    2.

    Nga TS 35/10[kV] Zhuri do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J03 Zhuri (kodi: 30035003) nga ora 10:30 deri 16:00.

    Vendet: Zhuri, Zhur i Ri, Gurishtë (Zhur), Zhur Lagjja Begaj, Nasuf (Badallaj), Zhur Lagjja Gavazaj.

    Arsyeja: Ngritja e shtyllave të TM dhe bartja e përçuesve në shtyllat e reja.

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 35/10 kV Dragash do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Bresana (kodi: 30036007) prej orës 09:00 deri në orën 17:00.

    Vendet: Fshatrat: Blaq, Brodosanë, Buzez, Kuk, Kuklibeg, Zaplluxhë. Afariste: N.P.T. “Mulliri” Buzez, N.T.P. Qumshtorja Sharri Kuk, Restoran Opoja.

    Arsyeja: Punime të planifikuara në projektin investiv Zaplluxhë 3, Lot 17/2022 (energjizimi i rrjetit të ri të tensionit të mesëm si dhe zhvendosja e trafos brenda projektit).

    Ferizaj
    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10kV Kaçaniku do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Bobi (kodi: 40043002) nga ora 10:00 deri në 15:30.

    Vendet: Bobi, Ivaja, Kotlina, Laqi, Bushi, Pusteniku, Strazha.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive. Intervenim në eliminimin e defekteve dhe të gjeturave nga inspektimi me dron.

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10kV Kaçaniku do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Bobi (kodi: 40043002) nga ora 10:00 deri në 15:30.

    Vendet: Bobi, Ivaja, Kotlina, Laqi, Bushi, Pusteniku, Strazha.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive. Intervenim në eliminimin e defekteve dhe të gjeturave nga inspektimi me dron.

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga TS 110/35/10kV Lipjani do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Zona Industriale 2 (kodi: 41000025) prej orës 10:00 deri në orën 12:00.

    Vendet: Një pjesë e fshatit Konjuh dhe disa konsumatorë komercialë të fshatit Livagjë, Magj. Ferizaj-Prishtinë dhe Magj. Lipjan-Prishtinë – konsumatorë komercialë.

    Arsyeja: Punime sipas PEE (Pëlqimi Elektroenergjetik).

    Gjakovë
    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 35/10 kV Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J04 Ereniku (kodi: 80080011) prej orës 10:00 deri në ora 18:00.

    Vendet: Rr. Fehmi Agani, Lugbunari, Rr. Nënë Tereza, Qerim, Rr. Sadik Pozhegu, Rr. Wesley Clark.

    Arsyeja: Punime në rrjet

    2.

    Nga TS 35/10 kV Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J01 Cermjani (kodi: 80080012) prej orës 10:00 deri në ora 18:00.

    Vendet: fshatrat: Bardhaniq, Bare e Madhe, Bec, Bërdosana, Cermjan, Doblibarë, Gërgoc, Jabllanicë, Kodrali, Krlan, Meqe, Netiç, Rashkoc, Vraniq, Zhabel, Zhdrellë.

    Arsyeja: Punime në rrjet

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga TS 110/10(20)kV Gjakova 2 do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Bistazhini (kodi: 81000051) prej orës 09:00-10:00 dhe nga ora 14:00-16:00.

    Vendet: Fshatrat: Bistrazhin, Damjan (një pjesë), Dol, Fshaj (një pjesë), Gërqinë, Kusar, Kushavec (një pjesë), Lipovec, Marmull, Marash, Pjetërshan, Raç (një pjesë), Ramamat, Rrezinë, Smaq (një pjesë).

    Arsyeja: Këputja e urave në degëzimin e dy trafostacioneve. Kalimi i kabllove furnizuese në shtyllën kyçëse të re dhe energjizimi i linjës së re sipas projektit të aprovuar.

  • Mbledhja e qeverisë në detyrë, këto janë 14 pikat e rendit të ditës

    Mbledhja e qeverisë në detyrë, këto janë 14 pikat e rendit të ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, mbledhja do të mbahet në orën 09:00.

    Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme janë gjithsej 14 pika.

    Në këtë mbledhje, Kryeministria ka njoftuar se do të shqyrtohen një sërë propozim-vendimesh dhe projektligjesh, ndër të cilat përfshihen:

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për aprovimin e zgjatjen e qiradhënies sipas kërkesës së Agjencisë Pyjore e Kosovës/Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje për 15 vite për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, zona kadastrale Seqisht Komuna Hani i Elezit (ZKM)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për pranimin e mjeteve buxhetore në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit në nënprojektin 4 (katër) projekte kapitale të reja në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projekte të nënshkruara nga Ministri i Infrastrukturës dhe kryetarët e komunave përkatëse (MIT)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për pranimin e mjeteve buxhetore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në 4 (katër) projekte kapitale në përputhje me 4 (katër) marrëveshjet për mbështetje financiare për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i MAPL-së dhe kryetarët e komunave përkatëse (MAPL)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin e ekzekutimit të “Rregullores për pranimin e trajnimit i thirrjeve telefonike në sistemin e takimit të avokatisë, sipas detyrës zyrtare (ex-officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente (MD)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim Odes së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente (MD)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit (MD)
    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për rialokim të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në pajtim me Marrëveshjet e Mirëkuptimit për bashkëfinancim të projekteve të nënshkruara nga Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Kryetarët e Komunave (MZHR)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Sanimi i Rrëshqitjes në rrugën Hani i Elezit-Gorancë (MPH)

    Shqyrtimi i Propozim-vendimit për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Rehabilitimi i rrugës Rajonale R112, segmenti: Gjonaj-Bishtrazin (MPH)

  • Dega e dytë e LDK në Prishtinë i del kundër Abdixhikut: Iu dhanë të gjitha mundësitë, të japë dorëheqje

    Dega e dytë e LDK në Prishtinë i del kundër Abdixhikut: Iu dhanë të gjitha mundësitë, të japë dorëheqje

    Dega e II-të e LDK-së në Prishtinë po kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga kryetari i partisë, pikërisht kur një gjë e tillë u kërkua edhe nga dega e Pejës dhe e Lipjanit.

    Në reagimin e kësaj dege thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”.

    Sipas kësaj dege, “Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar”.

    Andaj, kjo degë kërkon që “LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore”.

    Reagimi i plotë:

  • Përçarja brenda LDK’së, reagojnë edhe nga VV

    Përçarja brenda LDK’së, reagojnë edhe nga VV

    Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas përplasjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku degët e kësaj partie në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si Kryetar i partisë.

    Abdixhiku në reagimin ndaj këtyre kërkesave, ndër të tjera shkroi “si nuk u ngopën kurrë”.

    Ka qenë deputeti i zgjedhur i VV’së, Ilir Kërçeli, ai që ka ironizuar me këtë deklaratë.

    “Të njëjtën pyetje e kisha edhe unë gjatë fushatës për lidershipin e LDK-së. Si nuk u ngopët kurrë? 🙂”, thuhet në postimin e Kërçelit.

  • Pushteti i Kurtit tenton t’i fusë duart edhe tek avokatët, reagon Oda e Avokatëve

    Pushteti i Kurtit tenton t’i fusë duart edhe tek avokatët, reagon Oda e Avokatëve

    Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj, siç i quan ajo, përpjekjeve të fundit të Qeveria e Republikës së Kosovës për të pezulluar dy rregullore të brendshme të saj: rregulloren për shpenzimet e regjistrimit dhe rregulloren për trajtimin e thirrjeve në sistemin e avokatëve sipas detyrës zyrtare (ex officio).

    Në reagim, OAK thekson se këto akte janë miratuar nga organet e saj kompetente në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Statutin e saj, dhe se ndërhyrja në to përbën, sipas saj, cenim të autonomisë institucionale dhe të vetëqeverisjes së profesionit të avokatit.

    “Oda e Avokatëve të Kosovës nuk është organ i pushtetit ekzekutiv, nuk është departament i Ministrisë së Drejtësisë, nuk është institucion që vepron sipas orientimeve të qeverive të radhës. Ajo është institucion i pavarur, i themeluar me ligj, me kompetenca të garantuara për vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale”, thuhet në reagim.

    Oda e Avokatëve shton se çdo tentim për pezullimin e tyre krijon një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura, duke cenuar parimet e ndarjes së pushteteve, sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit.

    Po ashtu, Oda paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur pavarësinë e saj dhe kompetencat e garantuara me ligj.

  • Në Holandë kryhet për herë të parë eutanazia e një fëmije nën 12 vjeç

    Në Holandë kryhet për herë të parë eutanazia e një fëmije nën 12 vjeç

    Në Holandë është kryer për herë të parë eutanazia e një fëmije të sëmurë rëndë nën moshën 12-vjeçare.

    Kjo është bërë e ditur përmes një letre të ministres holandeze të Shëndetësisë, Sophie Hermans, drejtuar parlamentit. Eutanazia është kryer në fund të vitit të kaluar, raporton The Telegraph.

    Prej dy vitesh në Holandë është e ligjshme eutanazia për fëmijët e pashërueshëm nga mosha 1 deri në 12 vjeç. Para kësaj, eutanazia ishte e mundur vetëm për të sapolindurit dhe personat mbi 12 vjeç.

    Sipas ligjit holandez, për kryerjen e eutanazisë duhet të konsultohen prindërit, vuajtja e fëmijës duhet të jetë e padurueshme dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.

    Ministrja Hermans në letrën e saj tha se një komitet rishikimi, i krijuar për të monitoruar nga afër ligjin e ri, ka shqyrtuar rastin e fëmijës së paidentifikuar dhe ka biseduar me mjekun e përfshirë në proces.

    Komiteti i ka përcjellë gjetjet e tij prokurorisë, e cila do të vendosë nëse mjeku ka vepruar në përputhje me ligjin. Raporti i komitetit pritet të publikohet së shpejti.

    Kur ligji hyri në fuqi dy vjet më parë në Holandë, pritej që çdo vit të kishte rreth 5 deri në 10 raste eutanazie të fëmijëve.

    Holanda në vitin 2002 u bë vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë për personat me sëmundje të pashërueshme që shkaktojnë vuajtje të padurueshme fizike ose psikike.

  • Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi dy degë të partisë ia kërkuan dorëheqjen, dega në Pejë në krye me Gazmend Muhaxherin dhe ajo në Lipjan e udhëhequr nga Imri Ahmeti. Fillimisht, Abdixhiku, thotë se do kishte qenë më korrekte që dorëheqjen t’ia kërkonin ballë për ballë, për shkak të “bashkëpunimit të gjatë”, më pas konfirmon se nuk do dorëhiqet sepse thotë se çështja është trajtuar në Kuvendin e 31 janarit.

    Dy kryetarët, Abdixhiku i quan sabotues, duke ua kërkuar dorëheqjet atyre.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Si nuk u ngopën kurrë?!

    I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.

    Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.

    Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.

    E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha oengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-se të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe me pas shuarjen e LDK-së.

    Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër.

    Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.

    Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!