ATV

Category: Lajme

  • Si erdhi deri tek ndryshimi i masës për mallrat serbe

    Si erdhi deri tek ndryshimi i masës për mallrat serbe

    Qeveria e Kosovës hoqi të hënën masën e ndalimit mbi mallrat e importuara nga Serbia. Vendimi erdhi pas trysnisë së diplomatëve perëndimorë që e cilësonin masën, kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.

    Vetë krryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se është ndryshuar masa e sigurisë për importin e produkteve serbe në njërën nga pikat kufitare me Serbinë.

    Në një konferencë për media, Kurti të hënën tha se masa është ndërruar nga kufizimi në kontroll të shtuar, derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosen në të gjitha pikat kufitare.

    Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

    “Në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbeldhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

    Ky vendim i Qeverisë vjen pas presionit të madh nga Gjermania, të cilët përmes të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paraqitën kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë.

    Sarrazin tha se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Sipas tij, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mirëpritur vendimin.

    Kjo Ambasadë ka ndarë një përditësim në rrjetet sociale lidhur me vizitën e Victoria Billing, Drejtoreshës së Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, e cila ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Gjatë takimit, Billing mirëpriti vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës së mallrave në pikën kufitare Merdare. Kjo lëvizje pritet të përmirësojë progresin brenda kornizës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

    “Ajo e nisi vizitën e saj me takimin me kryeministrin Albin Kurti. Ajo përshëndeti vendimin e qeverisë për të lejuar kalimin e sigurt të mallrave përmes pikës së kalimit Medare, si një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të progresit në CEFTA. Ata gjithashtu diskutuan potencialin për rritjen e mundësive për investime MB-Kosovë, çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet me komunitetet joshumicë”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

    Bllokadën Qeveria e Kosovës e kishte vendosur për mallrat serbe pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, ku po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.

    Një javë më pas, vendimi u ndryshua, duke lejuar hyrjen e kamionëve me targa serbe, por me kusht që mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.

  • Mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit në Mal të Zi

    Mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit në Mal të Zi

    Në Mal të Zi sot nis takimi vjetor i krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të procesit të Bërdo Brionit.

    Kosovën do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka udhëtuar dje në Mal të Zi.

    Takimi vjetor i liderëve do të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në BE. Në sesionin kryesor të liderëve, Presidentja Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal.

  • Sot është ditë zie në Bosnje dhe Hercegovinë

    Sot është ditë zie në Bosnje dhe Hercegovinë

    Qeveria e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, në një seancë urgjente, miratoi një Vendim me të cilin shpallet 8 tetor 2024 Ditë zie në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës për shkak të përmbytjeve katastrofike në pjesë të caktuara të vendit.

    Të paktën 21 persona humbën jetën nga përmbytjet dhe 16 konsiderohen të zhdukur.

    Dita e zisë shënohet me vendosjen e detyrueshme të flamurit të Bosnjë-Hercegovinës në gjysmështizë, gjegjësisht në shtizë, në ndërtesat e autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, institucioneve publike, institucioneve dhe subjekteve të tjera juridike në territorin e Federatës. të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Në ditën e zisë, programet kulturore dhe argëtuese nuk mund të mbahen në vende publike në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Shtëpitë mediatike në territorin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës janë të detyruara të harmonizojnë dhe përshtatin përmbajtjen e tyre programore me Ditën e Zisë, njoftoi Zyra e Qeverisë së FBeH-së për Marrëdhëniet me Publikun.

    Dita e zisë është shpallur edhe në distriktin Brcko të BeH dhe RS.

    Këshilli i Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës nuk ka pasur kuorum për punë dhe vendimmarrje në një seancë të jashtëzakonshme telefonike për të marrë vendim për shpalljen e 8 tetorit 2024 ditë zie në Bosnje-Hercegovinë, për shkak të vuajtjes tragjike të banorët e Bosnjës dhe Hercegovinës që humbën jetën nga përmbytjet katastrofike dhe rrëshqitjet e dheut.

    Pati shtatë vota për vendimin, ndërsa tre anëtarë të Këshillit të Ministrave të BeH nuk votuan.

  • ​Nis seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut

    ​Nis seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut

    Ka nisur seanca për shqyrtimin fillestar ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Krasniqi tashmë ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Seanca e kaluar për këtë rast ka dështuar pasi mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës nga Prokuroria e Shtetit.

  • Ndahet nga jeta babai i Haxhi Shalës

    Ndahet nga jeta babai i Haxhi Shalës

    Ka vdekur babai i ish-deputetit Haxhi Shala.

    Lajmin e ka bërë të ditur nipi i të ndjerit i cili zbuloi se Xheladin Shala u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm.

    “Sot, në orët e para të mëngjesit, na la gjyshi jonë i dashur, Xheladin Shala. U largove me mallin që ta shohësh edhe një herë djalin tënd, një mall që nuk munde ta shuaje dot. Zemra ime është e rënduar nga kjo dhimbje, sepse ti dëshiroje aq shumë të ishe sërish me të. E megjithatë, u prehsh në paqe, gjyshi im! Në kujtimet tona, ti do të jetosh gjithmonë, me atë dashuri të pafund që na dhe dhe forcën që gjithmonë na jepje. Mungesa jote do ndihet gjithnjë, por ne do ta mbajmë kujtimin tënd të gjallë”, ka shkruar Flakron Shala në Facebook.

  • Policia shqipton 2 132 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqipton 2 132 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24 orëve janë shqiptuar 2 mijë e 132 tiketa trafiku.

    Sipas policisë gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, 28 me të lënduar ndërsa janë regjistruar 27 aksidente trafiku me dëme materiale.

    Poashtu gjatë 24 orëve policia ka arrestuar 28 persona, 18 janë dërguar në mbajtje ndërsa 2 persona në vuajtje të dënimit.

  • ​Protesta e opozitës, një i arrestuar dhe 5 të shoqëruar, 7 të tjerë në kërkim

    ​Protesta e opozitës, një i arrestuar dhe 5 të shoqëruar, 7 të tjerë në kërkim

    Policia e Tiranës ka shoqëruar 5 persona në lidhje me protestën e mbrëmshme të opozitës si dhe një person është arrestuar.

    Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e 7 personave të tjerë të dyshuar si autorë të hedhjes së molotovit në drejtim të institucioneve dhe policëve.

    Protesta e djeshme e opozitës u shoqërua me trazira, teksa u hodh molotov në drejtim të selisë së Partisë Socialiste dhe Bashkisë.

    Policia sekuestroi rreth 15 shishe me molotov në afërsi të Bashkisë, të cilat ishin të ndara në dy çanta. Lëndët u gjetën të paplasura pasi i lanë protestuesit në momentin që efektivët hodhën gaz lotsjellës.

    Protestuesit gjithashtu dogjën pemë, kanë sulmuar biznese dhe një ambulancë. /vizionplus.tv/

  • ​Sot mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi

    ​Sot mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi

    Sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Nagip Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në dëm të KEK-ut në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

    Seanca nis në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19 gusht të këtij viti ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ai akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.

    Në padi thuhet se Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro, gjë që i mundësoi kompanisë nga Sllovenia tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

  • ​Moti sot në vendin tonë

    ​Moti sot në vendin tonë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftim.

  • ​26 vjet nga vrasja e “Sandokanit”

    ​26 vjet nga vrasja e “Sandokanit”

    Abedin Rexha ishte luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën “Sandokan”. Ai u lindi më 8 korrik 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt.

    Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, kurse studimet i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, në Skenderaj ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbo-sllavë.

    Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992, ai merr rrugën e mërgimit. Në vjeshtë 1996, kthehet në Kosovë, i ngarkuar me detyra të caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hynë e del nga Kosova shumë herë. Më 6 maj 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptare. Në rrugë e sipër, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe dhe pas një luftimi të ashpër dhe rënies heroike të Luan Haradinajt, detyrohet të tërhiqet nga kufiri.

    Dy muaj më vonë, në korrik 1997, Abedin Rexha së bashku me Adrian Krasniqin, Ilaz Kodrën, Ilir Konushevcin dhe luftëtarë të tjerë të lirisë, arrin të depërtojë në Kosovë dhe punojnë pa u lodhur në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve e UÇK-së.

    Më 25 nëntor 1997, policia serbe shkoi në Vajnik për ta arrestuar Abedin Rexhën – Sandokanin. Abedini me dy vëllezërit, Brahimin dhe Afrimin, e me luftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë bandave serbe dhe i kishte sulmuar. Në këtë sulm ishin likuiduar dy policë serbë, ndërsa gjatë kësaj përleshjeje, forcat serbe kishin plagosur Baki Krasniqin, 11-vjeç.

    Më 26 nëntor 1997, komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari kishte urdhëruar t’u zihet pritë forcave serbe te vendi i quajtur Klisyra në Rezallë të Re. Krahas Adem Jasharit dhe Abedin Rexhës ishin rreshtuar në pozicione edhe Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci e shumë luftëtarë trima.

    Plani i armikut kishte filluar të vihej në veprim. Mirëpo në orët e para të ditës, forcat serbe u gjendën të rrethuar. Gjatë tërheqjes serbët kishin goditur për vdekje mësuesin Halit Geci, në oborrin e shkollës së Llaushës. Dhe, më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, Mujë Krasniqi me shokët e tij Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn, duke qenë të armatosur shpallën publikisht fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, duke u paraqitur para masës së tubuar me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjatë vitit 1998, Lufta Çlirimtare vijoi të zgjerohej rrufeshëm, dhe Abedin Rexha nuk e përmbante dot zemërimin kundër pushtuesit, që masakronte pamëshirshëm fëmijë, gra, burra dhe pleq dhe ua digjte shtëpitë shqiptarëve.

    Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 “Arben Haliti” në Zonën Operative të Drenicës.

    Gjatë muajve gusht-shtator 1998, komandant “Sandokani” luftoi pa iu trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe pikërisht në kulmin e ofensivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat serbe, në të gjitha zonat Operative të UÇK-së, e veçanërisht në ZO të Drenicës më 8 tetor 1998, komandanti Abedin Rexha – “Sandokani”, vritet në pyjet e fshatit Kllodernicë të Skëndarajt.

    Abedin Rexha pas vetes ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë: Sokolin dhe Selveten. Heroizmi i tij është përjetësuar në shumë shkrime në shtypin tonë, në këngë e poezi, ndërsa shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e tij.