ATV

Category: Lajme

  • ​Prokuroria jep detaje për bastisjen në MMPH, dy të dyshuar

    ​Prokuroria jep detaje për bastisjen në MMPH, dy të dyshuar

    Prokuroria Speciale ka konfirmuar se në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po zhvillohet një aksion, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

    Në një përgjigje me shkrim të prokurorisë, thuhet se ata përveç tjerash akuzohen për shpëlarje parash.

    “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, thuhet në përgjigje.

  • ​Durmishi thotë se nuk di asgjë për bastisjet te ministria që përfaqëson

    ​Durmishi thotë se nuk di asgjë për bastisjet te ministria që përfaqëson

    Zëvendësministri i Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se bastisjet nuk po bëhen te Ministria e Infrastrukturës, derisa për bastisjet te mjedisi ka theksuar se nuk di asgjë.

    Durmishi ka thënë se krejt çka di është ajo që është raportuar në media.

    “Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka asnjë bastisje, as asgjë…Tek Ministria e Infrastrukturës jo, tek e mjedisit nuk di, kam parë lajme, por nuk di asgjë më shumë”, tha Durmishi.

  • ​Presidentja Osmani takohet me homologun e Shqipërisë, Bajram Begaj

    ​Presidentja Osmani takohet me homologun e Shqipërisë, Bajram Begaj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

    “Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike”, ka shkruar Osmani në rrejtin socialc Facebook.

  • OBSh-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Liban

    OBSh-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Liban

    Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të martën se ka rrezik për shpërthimin e sëmundjeve në Liban, për shkak të kushteve në strehimoret e mbipopulluara të njerëzve të zhvendosur dhe mbylljes së spitaleve, pasi mjekët janë duke ikur nga sulmet izraelite.

    Ushtria izraelite i ka nisur operacionet tokësore edhe në jugperëndim të Libanit të martën, duke e përshkallëzuar konfliktin njëvjeçar me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 1.000 njerëz në dy javët e fundit.

    “Ne po përballemi me një gjendje kur rreziku për shpërthimin e sëmundjeve është shumë më i lartë, si për shembull, diarreja, hepatiti A dhe një numër sëmundjesh të parandalueshme përmes vaksinimit”, tha në një konferencë për media Ian Clarke, zyrtar i OBSH-së në Liban.

    Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar tashmë se sistemi shëndetësor është i mbingarkuar dhe deri tani pesë spitale në vend janë mbyllur dhe katër të tjera funksionojnë vetëm pjesërisht, tha Clarke.

    Ai shtoi se spitalet janë mbyllur sepse mjekët ose janë larguar për shkak të luftimeve, ose u është kërkuar të evakuohen nga autoritetet libaneze.

    Në të njëjtën konferencë, një zyrtar i Programit Botëror për Ushqim (WFP) shprehu shqetësim për aftësinë e Libanit për të ushqyer veten, duke thënë se mijëra hektarë tokë bujqësore në jug të vendit janë djegur ose braktisur për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.

    “Sa i përket bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit, ka një shqetësim të jashtëzakonshëm për aftësinë e Libanit për të vazhduar të ushqejë veten”, tha Matthew Hollingworth, drejtori i WFP në Liban, duke shtuar se të korrat nuk do të ndodhin dhe prodhimet po kalben në fusha./REL

  • Zyrtarët policorë e sjellin Izedin Bytyqi në Ministrinë e Mjedisit, pasi ia bastisën shtëpinë

    Zyrtarët policorë e sjellin Izedin Bytyqi në Ministrinë e Mjedisit, pasi ia bastisën shtëpinë

    Izedin Bytyqi, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është sjell në zyrat e Ministrisë pas bastisjes që u krye në shtëpinë e tij, paraditen e së martës.

    Bytyqi, i shoqëruar nga zyrtarët policorë, është parë duke zbritur nga një veturë e Policisë së Kosovës dhe është shoqëruar brenda Ministrisë së Mjedisit, raporton Ekonomia Online.

    Ai dyshohet për përfshirje në rastin e faljes së borxheve të kompanive të ambalazhuesve të ujit.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në Ministrinë e Mjedisit janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.

    “Ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të  Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e  veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpërlarjes së  parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i  pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga  neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”.

  • Izraeli nis operacione tokësore në jugperëndim të Libanit

    Izraeli nis operacione tokësore në jugperëndim të Libanit

    Ushtria e Izraelit tha të martën se i ka nisur operacionet tokësore në jugperëndim të Libanit, duke e zgjeruar inkursionin e saj në një zonë të re, një vit pasi filluan këmbimet e zjarrit me grupin e armatosur Hezbollah.

    Tensionet rajonale, të nxitura para një viti nga sulmi në jug të Izraelit prej Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përshkallëzuar në operacione tokësore dhe ajrore të Izraelit në Liban dhe në sulme të drejtpërdrejta nga Irani kundër Izraelit.

    Irani e ka paralajmëruar Izraelin të martën të mos kryejë ndonjë sulm kundër republikës islamike, një javë pasi Teherani i hodhi një breshëri raketash drejt tij, duke e vënë Lindjen e Mesme në teh.

    Çdo sulmi ndaj infrastrukturës së Iranit do t’i përgjigjemi me hakmarrje, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, duke e paralajmëruar Izraelin të mos e sulmojë vendin e tij, raporton rel.

  • Hapja e kufirit në Merdarë për mallrat serbe, Guerot e mirëpret vendimin e Qeverisë: Qasja multilaterale sjell rezultate

    Hapja e kufirit në Merdarë për mallrat serbe, Guerot e mirëpret vendimin e Qeverisë: Qasja multilaterale sjell rezultate

    Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares.

    “E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit europian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka shkruar ai në X.

    Këtë vendim të Qeverisë dje e ka mirëpritur edhe Gjermania, e cila negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dje kishte thënë se do t’i japin mbështetje Qeverisë për të garantuar plotësimin e kërkesave rreth shqetësimeve të sigurisë.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdare, ndërsa ka potencuar se kjo ndalesë ishte vendosur për arsye sigurie dhe jo tregtare.

    Kurti ka kërkuar skanerë nga partnerët e saj në pikat kufitare me arsyen që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.

    Ai ka thënë se derisa të vijnë këta skanerë vetëm në Merdare do të lejohet hyrja e mallrave serbe ku edhe do të kryhen kontrolle të rrepta.

    “Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”.

  • Ushtria izraelite thotë se e vrau edhe një komandant të lartë të Hezbollahut

    Ushtria izraelite thotë se e vrau edhe një komandant të lartë të Hezbollahut

    Ushtria izraelite njoftoi të martën se e ka vrarë edhe një komandant të lartë të Hezbollahut, një ditë pasi e shënoi njëvjetorin e sulmit të Hamasit ndaj shtetit hebraik që vrau më shumë se 1.200 njerëz.

    Suhail Husseini, i cili ishte përgjegjës për buxhet, logjistikë dhe menaxhim të grupit të mbështetur nga Irani, u vra nga një sulm i kryer më 7 tetor, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në një komunikatë.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    “Husseini luajti rol kyç në transferimin e armëve mes Iranit dhe Hezbollahut”, thuhet në komunikatë.

    Ai ishte përgjegjës edhe për shpërndarjen e armëve të avancuara tek anëtarët e grupit dhe për “projektet më të ndeshje” të grupit, që përfshinin edhe operacionet kundër Izraelit.

    Husseini ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhidahit të Hezbollahut, organi më i lartë ushtarak i grupit, tha IDF-ja.

    Hezbollahu nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij deri tani.

    Njoftimi për vrasjen e tij vjen një ditë pasi militantët palestinezë në Gaza lëshuan një breshëri raketash drejt Izraelit më 7 tetor, ku presidenti izraelit Isaac Herzog udhëhoqi një minutë heshtje kombëtare për të shënuar fillimin e sulmit të Hamasit vitin e kaluar, i cili filloi në Kibbutz Reim në jug të vendit.

    Hamas është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.

    Në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris dënuan Hamasin në përvjetorin e sulmit, ndërsa ritheksuan përkushtimin e administratës amerikane për arritjen e marrëveshjeve për armëpushim për t’i dhënë fund luftërave në Gazë dhe në Liban.

    Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.

    Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

    Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

    Në javët e fundit, Izraeli i ka bombarduar qarqet jugore të Bejrutit dhe është duke kryer inkursion tokësor në jug dhe jugperëndim të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

    Izraeli e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe me gjasë edhe pasuesin e tij të mundshëm, Hashem Safieddine./REL/

  • Arrestohet një burrë në Gjakovë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij

    Arrestohet një burrë në Gjakovë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij

    Një burrë është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Policia bën me dije se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për arsye se i njëjti kishte shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Harris: Nuk do të flisja me Putinin pa praninë e Ukrainës

    Harris: Nuk do të flisja me Putinin pa praninë e Ukrainës

    Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, tha në një intervistë se, nëse zgjidhej presidente, ajo nuk do të takohej me Vladimir Putin për bisedime paqeje nëse nuk përfaqësohej edhe Ukraina.

    “Jo dypalësh pa Ukrainën, jo. Ukraina duhet të ketë një fjalë për të ardhmen e Ukrainës” – tha nënpresidentja amerikane për programin CBS “60 Minutes” kur u pyet nëse ajo do të takohej kokë më kokë me liderin rus për të negociuar përfundimin e luftës.

    Administrata e presidentit Joe Biden ka refuzuar më parë çdo bisedë me Putin.

    Harris përsëriti gjithashtu kritikat e saj ndaj politikave të rivalit republikan Donald Trump ndaj Ukrainës, duke i përshkruar ato si një “dorëzim” ndaj një pushtimi të nisur nga Moska në shkurt 2022.

    Trump ka kritikuar më parë ndihmën masive ushtarake dhe financiare të Uashingtonit për Ukrainën dhe këmbënguli se ai mund të arrijë shpejt një marrëveshje paqeje me Putinin.

    “Donald Trump, nëse do të ishte president, Putini do të ishte ulur në Kiev tani. Ai flet për, ‘Oh, ai mund ta përfundojë atë në ditën e parë.’ E dini çfarë është kjo? Është dorëzim” – tha ajo.

    Kievi ka frikë se një marrëveshje e tillë do të përfshinte dhënien e territorit Rusisë në Ukrainën lindore që ka kapur që nga pushtimi.

    Ndërkohë, Harris tha se do të trajtojë ofertën e Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s “nëse dhe kur të arrijë deri në atë pikë”.