ATV

Category: Lajme

  • Aksioni i Policisë në MMPHI

    Aksioni i Policisë në MMPHI

    Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion bastisjeje në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Siç mëson ATV-ja, bastisjet lidhen me një rast që është hetuar më parë nga Prokuroria Speciale nën dyshimin, për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Bastisja po kryhet në Autoritetin e Rajonal të Pellgjeve Ujore, që është në kuadër të Ministrisë. Dyshimet janë për keqpërdorime milionëshe.

    Sipas burimeve të televizionit ‘Nën llupën’ e hetuesisë janë zyrtarë lartë të kësaj ministrie, respektivisht drejtori i këtij autoriteti.

    ATV-ja do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja.

  • Sot mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

    Sot mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

    Sot në Mal të Zi mbahet takimi vjetor i krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brionit.

    Nga Kosova merr pjesë presidentja, Vjosa Osmani, e cila dje e ka takuar presidentin kroat Zoran Milanoviq.

    Gjatë takimit me Milanoviqin, Osmani është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurt dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike.

    Ndryshe Samiti i Procesit Bërdo Brioni këtë vit mbahet në Mal të Zi, ku të pranishmit do të diskutojnë mbi zgjerimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Procesi Bërdo Brioni është një mbledhje shumëpalëshe e përvitshme e krerëve të shteteve në Ballkanin Perëndimor.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, e shiti veturën që e kishte marrë me qira

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, e shiti veturën që e kishte marrë me qira

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një burri në Prishtinë, nën dyshimin se e ka shitur një veturë të cilën e kishte marrë me qira.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

    “Rr. Bill Klinton, Prishtinë 14.09.2024. Më 07.10.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte shitur veturën të cilën e kishte marrë me qira. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Vdes babai i Haxhi Shalës, komandant Topit që ndodhet në Hagë

    Vdes babai i Haxhi Shalës, komandant Topit që ndodhet në Hagë

    Babai i Haxhi Shalës, komandant Topit, Xheladin Shala, u nda nga jeta sot, raporton Gazeta Sinjali.

    Lajmin e ka bërë të ditur nipi i të ndjerit, i cili tha se gjyshi i tij u largua me mallin për djalin e tij që ndodhet në paraburgim në Hagë.

    “Sot, në orët e para të mëngjesit, na la gjyshi jonë i dashur, Xheladin Shala.

    U largove me mallin që ta shohësh edhe një herë djalin tënd, një mall që nuk munde ta shuaje dot. Zemra ime është e rënduar nga kjo dhimbje, sepse ti dëshiroje aq shumë të ishe sërish me të. E megjithatë, u prehsh në paqe, gjyshi im! Në kujtimet tona, ti do të jetosh gjithmonë, me atë dashuri të pafund që na dhe dhe forcën që gjithmonë na jepje.

    Mungesa jote do ndihet gjithnjë, por ne do ta mbajmë kujtimin tënd të gjallë.”

  • Bullgaria e gatshme për të ofruar ndihmë për Bosnjën dhe Hercegovinën

    Bullgaria e gatshme për të ofruar ndihmë për Bosnjën dhe Hercegovinën

    Pas përmbytjeve shkatërruese në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat morën jetën e dhjetëra qytetarëve dhe shkaktuan dëme materiale, qeveria bullgare po shqyrton mundësinë e ofrimit të ndihmës së menjëhershme humanitare, njoftoi Ministria e Jashtme këtu të dielën, duke shpjeguar se komunikimi ka vazhdon që nga e premtja, 4 tetor, në orët e para pas fatkeqësisë.

    Në koordinim me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Sarajevë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Mbrojtjes po sqarojnë nevojat specifike humanitare të vendit të prekur ballkanik. Ministri i Jashtëm në detyrë Ivan Kondov kërkoi një informacion të tillë nga homologu i tij boshnjak.

    Shtabi i Mbrojtjes është në kontakt me Ushtrinë e Bosnjë-Hercegovinës për pajisjet dhe mjetet e nevojshme inxhinierike që duhen siguruar.

    Një stuhi e madhe shiu përfshiu Bosnje dhe Hercegovinën gjatë natës midis të enjtes dhe të premtes, duke vrarë dhjetëra dhe duke përmbytur qytete dhe fshatra në pjesët qendrore dhe jugore të vendit. Shërbimet e shpëtimit në pjesën jugore të vendit raportuan gjithashtu disa persona të zhdukur dhe u bënë thirrje vullnetarëve dhe ushtrisë për të ndihmuar, pasi rrugët u mbyllën dhe shtëpitë mbetën pa energji elektrike./BTA-KosovaPress

  • ​Osmani takon presidentin kroat: Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë

    ​Osmani takon presidentin kroat: Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

    “Takim gjithnjë përmbajtësor me Presidentin kroat Zoran Milanoviq. Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në Facebook.

  • ​BE financon restaurimin e 14 shtëpive në Janjevë

    ​BE financon restaurimin e 14 shtëpive në Janjevë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav kanë vizituar disa prej 14 shtëpive të vjetra që janë duke u restauruar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e ringjalljes ekonomike në Janjevë”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

    Krahas kësaj vizite kreu i ekzekutivit kosovar, bashkë me shefin e Zyrës se BE-së në Kosovë, Avio Orav morën pjesë edhe në hapjen e Panairit të Janjevës, “Mirëserdhët në Janjevë”, ku zejtarë të kësaj ane prezantuan ushqime e veshje të ndryshme e vegla pune.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se si qeveri përmes tri ministrive po investojnë në Janjevë.

    Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se përmes restaurimit të shtëpive në Janjevë, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike.

    Kurti nënvizoi se projekti për restaurimin e shtëpive nuk është vetëm ndërhyrje fizike e infrastrukturore, por është tregues i angazhimit për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe për kthimin e saj në mirëqenie për popullin dhe zhvillim ekonomik për vendin.

    “Nëpërmjet investimeve të realizuara shtëpive të vjetra shumë shekullore të kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike. Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi. Këto projekte nuk janë vetëm ndërhyrje fizike e infrastrukturore janë tregues i angazhimit dhe përkushtimit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe për kthimin e saj në mirëqenie për popullin dhe zhvillim ekonomik për vendin. Pas përfundimit të plotë të punimeve qendra historike e Janjevës do të shndërrohet në një destinacion joshës”, tha ai.

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se panairi i sotëm në Janjevë është prova e mirë se traditat e kroatëve ende mund të ringjallen dhe madje të ofrojnë vende pune.

    Orav shpreson që Janjeva të bëhet destinacion turistik dhe mundësi për rikthim të qytetarëve.

    “Është e pasur me kulturë, dhe mbetjet e trashëgimisë natyrore të qytetit të vjetër të Janjevës janë të shënuara nën mbrojtjen e përkohshme të trashëgimisë kulturore, Janjeva ishte e njohur për artizanët, tregtarët dhe themeluesit e saj, dhe ky është fshati që ende pret një komunitet të vogël të kroatëve të Kosovës. Pra, duke pasur parasysh të gjitha këto, kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës financuan këtë projekt. Dhe panairi i sotëm këtu është prova e mirë se traditat e kroatëve ende mund të ringjallen dhe madje të ofrojnë vende pune. Pra, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës do të përfundojë sot, por shpresoj shumë që ne mund të vazhdojmë dhe që Janjeva të bëhet destinacion i shumë turistëve, e pse jo edhe disa nga ata që janë larguar të kthehen”, tha ai.

    Përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros u shpreh se përmes projektit që u është besuar nga BE janë hedhur themelet për një të ardhme më të ndritshme për Janjevën dhe Kosovën.

    Queiros theksoi se UNDP mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fuqizimin e komuniteteve në Kosovë.

    “Do të doja të theksoja se kjo nuk ka të bëjë vetëm me realizimin fizik, ka të bëjë me punën me komunitetin, ka të bëjë me përpjekjet kolektive për t’i lejuar ata të fitojnë aftësi të reja dhe të zhbllokojnë mundësi më të gjera për të ardhmen e tyre, për zhvillimin e tyre socio-ekonomik. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu si një festë e pasurisë kulturore dhe unitetit dhe duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit vendas që të shfaqin punën e tyre të jashtëzakonshme dhe pikat e forta që lidhen brenda komunitetit. Një fjalë për ta, ata kanë punuar shumë për të qenë sot këtu, nuk është një proces i lehtë, dhe të gjithë artizanët, të gjithë prodhuesit, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces, ne mendojmë se kemi ardhur si me magji këtu dhe gjithçka është gati, por ka muaj të tërë pune dhe nuk ka mbaruar akoma; 12 muaj….Ne me të vërtetë presim mbështetjen tuaj të vazhdueshme në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që sapo ka filluar. Mendoj se së bashku kemi hedhur themelet për një të ardhme më të ndritshme për Janjevën dhe Kosovën, dhe ne si UNDP mbetemi thellësisht të përkushtuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, fuqizimin e komuniteteve dhe zhvillimin e turizmit kulturor në mbarë Kosovën”, tha ai.

    Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq u shpreh se Qeveria e Kosovës po përpiqet t’i bëjë kroatët të qëndrojnë në Kosovë.

    Sipas saj, mbijetesa e komunitetit kroat në Kosovës është e rëndësishme jo vetëm për kroatët, por edhe për Kosovën.

    “Falënderoj Qeverinë e Kosovës që o bënë përpjekje që me të vërtet edhe kroatët, si një komunitet i vogël, të qëndrojnë këtu, sigurisht natyrisht me Qeverinë kroate, sepse vetëm bashkë, sepse shoh se këtu ka nacionalitete të ndryshme, të feve të ndryshme, por të gjithë jetojnë së bashku dhe të gjithë jetojnë mirë, dhe vetëm kështu së bashku mund të përparojmë. Më duhet të pranoj se isha shumë skeptike kur thanë se do të fillonte rinovimi i disa shtëpive, sepse duhet shumë kohë për të parë rezultatin, por tani kur e shihni vërtet rezultatin që shtëpitë janë aty, se janë të rinovuara, tani ata po na thërrasin të gjithë neve që t’i rindërtojmë këto në mes për të zgjeruar atë numër të shtëpive të rinovuara, dhe sigurisht t’i kthejmë banorët këtu për të punuar dhe për të parë të ardhmen, për të parë të ardhmen përsëri këtu në Janjevë”, tha ajo./KP

  • KPK themelon Panelin Hetimor ndaj një prokurori

    KPK themelon Panelin Hetimor ndaj një prokurori

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka themeluar Panelin Hetimor për hetimin disiplinor të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe ka miratuar Raportin e Panelit Hetimor për shkeljet disiplinore të dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, vendimi i KPK-së do të publikohet në përputhje me ligjin në fuqi.

    Këto vendime janë marrë sot në takimin e 254-të me radhë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesi Ardian Hajdaraj.

  • Kryeministri i Serbisë e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe: E ulë tensionin

    Kryeministri i Serbisë e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe: E ulë tensionin

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për futjen e produkteve nga Serbia në pikëkalimin kryesor kufitar në Merdar.

    Vuçeviq tha se kështu, Qeveria e Kosovës e ka ulur tensionin që ekziston prej kohësh, ndërsa përmendi furnizimet me ushqime dhe ilaçe për serbët.

    Ai, siç raporton RTS, tha se do të dëshironte që vendimi të mos ishte vetëm për pikëkalimin kufitar në Merdar, por në të gjitha anët.

    “Është një përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila theksoi fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për marrëveshje, nuk mendojmë se kompromiset janë gjë e keqe, veçanërisht nëse do të krijojnë kushte më të mira për jetën e serbëve në Kosovë”, u tha Vuçeviq gazetarëve në Shkup, ku po qëndron në një vizitë zyrtare.

    Ai foli për takimin rajonal për Procesin e Berlinit, ndërsa paralajmëroi se me kancelarin gjerman, Olaf Scholz do të flitet edhe për CEFTA-n.

  • MINT lanson skemën e granteve për inovacion në vlerë prej 1.9 milionë euro

    MINT lanson skemën e granteve për inovacion në vlerë prej 1.9 milionë euro

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka lansuar skemën e granteve për inovacion, që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve start-up dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) me koncepte inovative, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja Rozeta Hajdari, tha se shuma totale e këtij programi është 1.9 milionë euro dhe ndahet në dy llote.

    “Skema totale e granteve për inovacion është 1.9 milion euro dhe ndahen në dy llote. Lloti i parë ka të bëjë me mbështetje deri në 40 mijë euro, ndërsa lloti i dytë deri në 15 mijë euro. Me këtë synojmë hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e eksportit”, tha Hajdari.