ATV

Category: Lajme

  • I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë

    I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë

    I dërguari amerikan Amos Hochstein ishte të hënën në Bejrut për bisedime që synojnë arritjen e një zgjidhjeje për konfliktin përgjatë kufirit Izrael-Liban, pjesë e një përpjekjeje diplomatike që riktheu në rajon edhe Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, me qëllim arritjen një armëpushimi në Rripin e Gazës.

    Zoti Hochstein u tha gazetarëve se kishte patur një takim “dobishëm” me kryetarin e parlamentit të Libanit Nabih Berri dhe se gjatë qëndrimit në Liban ai do të bisedonte me anëtarët e qeverisë, ushtrinë dhe këdo tjetër që është i gatshëm të punojë që vendi të rikthehet në rrugën e “sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies ekonomike”.

    Ai vuri theksin tek Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në fund të luftës së fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut në 2006 dhe përfshin thirrjen që Hezbollahu të tërheqë luftëtarët e tij në veri të lumit Litani të Libanit dhe që Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Libani.

    I dërguari amerikan Hochstein tha se askush nuk bëri ndonjë përpjekje për ta zbatuar Rezolutën, duke shtuar se vetëm angazhimi i palëve për zbazimin e saj, nuk mjafton. Ai përsëriti se synimi është që të ndërtohet besimi tek të dyja palët se Rezoluta do të zbatohet dhe të garantohet që konflikti të mos përsëritet brenda një muaji apo një viti.

    “Qytetarët e Libanit, si të gjithë në rajon, duan të shkojnë në shtëpi, të ndërtojnë një të ardhme paqësore, të sigurt dhe të begatë për veten dhe familjet e tyre”, tha zoti Hochstein.

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis të hënën për një vizitë një javore në Lindjen e Mesme në përpjekje për të rigjallëruar procesin e negociatave për arritjen e armëpushimit në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi në një kohë kur Izraeli po planifikon një sulm hakmarrës ndaj Iranit.

    Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, Sekretari Blinken do të diskutojë gjatë vizitës së tij planet për periudhën pas konfliktit dhe të theksojë nevojën “për gjetjen e një zgjidhjeje që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lirë nga tirania e Hamasit”, siç tha ai.

    Ndërkohë, ushtria izraelite kërkoi falje të hënën për vrasjen e tre ushtarëve libanezë në një sulm në Libanin jugor.

    Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi i së dielës goditi një automjet të ushtrisë libaneze dhe se Izraeli nuk vepron kundër ushtrisë libaneze.

    Ushtria libaneze nuk ka luajtur rol në konfliktin, i cili është përshkallëzuar gjatë muajit të kaluar, pasi Izraeli zgjeroi sulmet ajrore dhe trupat izraelite ndërhynë në jug të Libanit. /VOA

  • Hoxha për mënyrën e arrestimit të Metës: Policia u detyrua të përdorte forcën

    Hoxha për mënyrën e arrestimit të Metës: Policia u detyrua të përdorte forcën

    Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Ervin Hoxha, ka reaguar në lidhje me komentet dhe deklaratat e analistëve për arrestimin e ish-presidentit Ilit Meta.

    Në një postim të gjatë në Facebook, Hoxha shpreh keqardhjen për etiketimet fyese ndaj policisë, që sipas tij kryen detyrën.

    “Kam ndjekur me vëmendje dhe respekt opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ilir Meta nga Policia e Shtetit. Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë. Janë përdorur etiketime të rënda ndaj policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes. Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare. Nuk dua të bëj asnjë polemikë me zotërinjtë dhe zonjat e angazhuara, në ekranet e këtij diskutimi. Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes”, shkroi Hoxha në Facebook.

  • Publikohet analiza për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së për 12 komuna

    Publikohet analiza për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së për 12 komuna

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot mban konferencën në të cilën do të publikohet analiza gjithëpërfshirëse mbi përsëritjen dhe nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve të dalura nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për 12 komuna të Kosovës.

    Analiza e hartuar së bashku me Aleancën Qytetare të Transparencës AQT përfshinë komunat: Ferizaj, Graçanicë, Gjakovë, Kaçanik, Kamenicë, Lipjan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Rahovec, Skenderaj.

    Analiza gjithpërfshirëse ofron një pasqyrë të performancës së komunave bazuar në opinionet e përgjithshme të ZKA-së, llojin e gjetjeve dhe nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve. Po ashtu, në këtë analizë janë bërë edhe krahasimet në mes të viteve 2022 dhe 2023, si dhe synohet të paraqiten shkaqet dhe rrethanat që po shpiejnë në përsëritjen e gjetjeve të auditorit për komuinat nga viti në vit.

    Panelistë në këtë diskutim do të jenë: Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës, Mirlinda Tishukaj Sadiku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës dhe Hajdar Beqa, anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës.

  • Moti sot në Kosovë: Mëngjesi me mjegull, gjatë ditës me diell

    Moti sot në Kosovë: Mëngjesi me mjegull, gjatë ditës me diell

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti sot në vendin tonë do të jetë me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius.

    Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit.

  • Vazhdon të mos përdoret mbikalimi te shkolla e mjekësisë në Prishtinë

    Vazhdon të mos përdoret mbikalimi te shkolla e mjekësisë në Prishtinë

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Mbikalimi afër shkollës “Ali Sokoli”, në kryeqytet, u ndërtua për këmbësorët, por ata rrallë herë e përdorin atë.

    Arsyet, sipas këmbësorëve, janë papastërtia dhe kundërmimi i tepërt.

    “Duhet me pas kujdes mos me gjujtë bërllog, edhe qytetarët duhet me kanë të vetëdijesum bre, po nuk di, më duket na nuk kemi nivel të kulturës, tash, nuk e di ku është arsyeja, pse e bëjnë këtë”, thotë një qytetar.

    “Bërllogu vetë mblidhet qashtu, vetë bllokadë është kjo, katastrofë, shumë keq, Komuna vetë po ban biznes jo tendera, jo çtendera, jo i ki ba mirë jo i ke ba keq, veç me marrë pare prej tenderave”, thotë një tjetër qytetar.

    Edhe në Komunën e Prishtinës e pranojnë se ky mbikalim nuk e ka pastërtinë në nivelin e duhur, por bëjnë të ditur se shpejt do të intervenojnë në këtë drejtim.

    “Do e shohim si mundësi që brenda një kohe të shkurtër të intervenojmë për ta rregulluar, duke e pastruar e pastaj do të shohim mundësinë që këto mbikalime të kthehen në ambiente atraktive”, tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.

    Lushaku po ashtu thotë se në planet e së ardhmes, pjesa poshtë mbikalimit planifikohet të mbyllet dhe të ketë një plan më konkret për shfrytëzimin e tij nga qytetarët.

  • A dihet se kur do të finalizohet ngrohtorja qendrore e Obiliqit?

    A dihet se kur do të finalizohet ngrohtorja qendrore e Obiliqit?

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Sipas nenit 8 të ligjit për Obiliqin, që u miratua në dhjetor të vitit 2016, parashihet mundësi qasjeje në shfrytëzimin e avullit të termocentraleve për ngrohje qendrore, për këtë komunë. 4 vjet më vonë, në vitin 2020, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, u vë gurëthemeli i objektit të ngrohtores, në kuadër të realizimit të projektit të ko-gjenerimit për Obiliqin.

    Mirëpo, derisa po punohej në objekt, kompania e kontraktuar nga komuna, gjithashtu, në vitin 2022, kishte filluar shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.

    Ky proces, si fazë e dytë e projektit, është duke vazhduar.

    “Jemi në fazën e dytë që është shtrirja e gypave të kogjenerimit, kontratë trevjeçare, në vlerë mbi 11 milionë euro, deri tash janë kryer punime afër 8 milionë, kontrata punon në vitin 2025”, tha drejtori i Infrastrukturës në Obiliq, Fatmir Berbatovci.

    Pas kësaj, vijojnë dy faza të tjera pasuese.

    “Faza 3, lidhja e objekteve publike dhe private me rrjetin kryesor të kogjenerimit, dhe faza e 4 lidhja e nënstacionit me Kosovën B për pranimin e energjisë termike. Sa të përfundojnë këto faza, nxemje do të jetë e qasshme për qytetarët”, tha Berbatovci.

    Berbatovci thotë se deri tash kanë punuar me mjete vetanake. Për hapat tutje, po kërkon ndihmë nga niveli qendror. Deri të marrin përgjigje, nuk dha datë se kur pritet të përfundojë në tërësi projekti.

    Mirëpo, kurdo që të përfundojë, pritet të ketë benefitete në disa aspekte.

    “Termocentralet “KOSOVA A” dhe “KOSOVA B” na bëjnë të jemi zonë e ndotur, përmes ngrohjes termike do të ketë më pak ndotje, qytetarët e Obiliqit do të paguajnë sa më pak, do të ketë më pak lirim të gazrave”, tha Berbatovci.

    Kostoja e përgjithshme e këtij projekti sillet rreth 33 milionë euro.

  • Raporti i “Corrwatch”, ZRRE-ja transparentë në përcaktimin e tarifave të energjisë

    Raporti i “Corrwatch”, ZRRE-ja transparentë në përcaktimin e tarifave të energjisë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Gjatë 3 viteve të fundit, në procesin e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, vlerësohet se ka pasur rritje të transparencës nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

    Ndonëse, kishte rritje më të madhe të çmimeve për energji elektrike në vitin 2023, sipas raportit të “CorrWatch”, sa i takon përcaktimit të çmimeve, i veçantë ka qenë interesimi jo i madh për komente nga ana e qytetarëve.

    “Në këtë vit përkundër që është rritur tarifa për 15% nuk kemi pasë interesim të madh prej qytetarëve për të dhënë komentet, por sa i përket transparencës ZRRE e ka zbatuar atë planin e saj sikur në shqyrtimet tarifore në të kaluarën”, tha Naim Bujupi nga INDEP.

    Por, problematike për vendosjen e tarifave në vitin 2021 nga ky raport del të jenë vonesat për vendosjen e tarifave në mungesë të anëtarëve të Bordit të ZRRE-zë.

    “Në vitin 2021 ne kemi vërejtur që Rregullatori ka bërë publike të gjitha dokumentet relevante është shumë e rëndësishme gjatë procesit tarifor që të bëhen publike aplikacionet e palëve që aplikojnë për tarifa. Në këtë kontekst Rregullatori i ka bërë publike aplikacionet e të licencuarve dhe gjithashtu ka hapur edhe afatet për diskutim publik dhe komente dhe kjo është shumë e rëndësishme për të përcaktuar transparencën”, tha Bujupi.

    Përkundër përmirësimeve në aspektin e transparencës, INDEP-i i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të ofrojë më shumë informacione për konsumatorët sa i takon kostos shtesë në rritjen e tarifave.

    Disa nga rekomandimet e dala nga ky hulumtim kanë të bëjnë me raportim më të rregullt dhe më të detajuar nga ndërmarrjet energjetike, konsultime më gjithëpërfshirëse, e përfshirje aktive të konsumatorëve në çdo fazë të procesit.

  • Kurti: Niveli i papunësisë të gratë ka rënë

    Kurti: Niveli i papunësisë të gratë ka rënë

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Duke u thirrur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej vitit 2021 deri në fund të 2023-tës, Kryeministri Albin Kurti thotë se përqindja e papunësisë është ulur.

    Theks i vë nivelit të papunësisë te gratë, që, sipas tij, nga 29,7% ka rënë në 10,7%.

    “Burrat nga 24.02% në 07.09%, ndërkaq gratë nga 29.7% në 17.02%, kemi dhënë mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave, ndërkaq nga afër 14 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç, që janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, 51% janë vajza, kemi mbështetur mbi 2 mijë e 600 të punësuar përmes programit Qeveria për familjen, prej tyre 55% gra, kemi ndarë shtesa për afro 60 mijë nëna lehona, e në saj të kësaj shtese dhe asaj për fëmijë rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre”, tha Kurti.

    Në kuadër të prezantimit të raportit final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, kryeministri foli edhe për regjistrimin e pronave në emër të dy bashkëshortëve.

    “Përmes kësaj mase, Qeveria subvencionon 70% të pagës së të punësuarve për 6 muaj me radhë. Kemi parë rritje të ndjeshme në numrin e pronave të regjistruara, në emër të dy bashkëshorteve, një hap kyç të barazisë ekonomike, ndërsa rritja e kapaciteteve për buxhetimin e përgjithshëm gjinor është një hap thelbësor drejt qasjes të barabartë në fonde publike”, tha Kurti.

    Megjithatë, sipas raportit të Bankës Botërore ‘’Gratë, Biznesi dhe Ligji’’, të vitit 2023, Kosova renditet e 37-ta, sa i përket infrastrukturës ligjore që mundëson barazinë gjinore.

    Raporti bazohej në matjen e tetë komponentëve që janë: lëvizshmëria, vendi i punës, pagat, martesat, prindërimi, sipërmarrja, asetet si dhe pensionet.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Fadil Geci

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Fadil Geci

    Përgatiti: Nora Luta

    Më shumë se dy orë Fadil Geci, ish-pjesëtar i UÇK-së, u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Specializuar në gjykimin që po zhvillohet në Hagë, ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Geci që ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike, tha se pas rastit të familjes Jashari, populli u përça në dy grupe.

    E kur prokurori insistoi të dijë se si quhej ky grup, 63-vjeçari pati një përgjigje.

    Gecit, disa herë iu tërhoq vërejtja që të japë përgjigje konkrete në pyetjet e ZPS-së, e cila ndër të tjera e pyeti se kush ishin personat që thanë se Qendra e Këshillit të Emergjencave nuk duhej të ishte në Llaushë.

    Por, Geci foli për komunikatën 59 ende pa iu parashtruar asnjë pyetje lidhur me të, për të cilën tha se ishte e rrejshme.

    E kur më vonë u pyet rreth saj, ish-pjesëtari i UÇK-së tha se familja e tij ende i vuan pasojat.

    “A keni dëgjuar për opinionin e Rexhep Selimit se Abedin Rexha u vra nga vëllai juaj Gani Geci. Ai etiketohet më 1999 si tradhtar”, tha James Pace, prokuror.

    Sipas Gecit, ai që shkaktoi dëm me këtë komunikatë ishte Hashim Thaçi, për të cilin kishte folur edhe Rexhep Selimi në një debat televiziv, pjesë të të cilit u shfaqën dhe u pranuan si provë në këtë proces.

    Ai është pyetur edhe rreth një interviste të Sylejman Selimit, i cili kishte përmendur ushtarët e parë, por Geci e ngatërroi me Rexhep Selimin, për të cilin tha se qëllimisht e harroi Gani Gecin.

    Dëshmia e Fadil Gecit është planifikuar të zgjasë dy ditë dhe do të jetë publike.

  • “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

    “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Përfshirje në arsim e në punësim u kërkua edhe këtë të hënë, nga shoqata Handikos, në kuadër të takimit për analizën e Përputhshmërisë së Kuadrit Ligjor të Kosovës me Konventën e Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara.

    Në këtë takim u tha se në disa institucione publike, ligji që një në 50 punëtorë të jetë me nevoja të veçanta po respektohet, por jo edhe në ato private.

    “Në disa institucione publike, ka pasur raste kur konkursi u hap i veçantë për personat me aftësi të kufizuara, ndërkaq në ato private një gjë e tillë nuk u bë ende”, tha Fisnik Galani, ekspert.

    Megjithatë, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna, tha se janë duke bërë përpjekje në përmirësimin e situatës.

    “Sfida kemi ende shumë për të bërë, megjithatë MFTP-ja është e përkushtuar që të ketë qasje të barabartë për të gjithë”, tha zv.ministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna.

    Që nuk është bërë sa duhet e thanë edhe deputetet pjesëmarrëse. Por, sipas tyre, po punohet që të krijohen mundësi të reja për aftësim personal e profesional.

    “Nuk është bërë sa duhet për këtë kategori të shoqërisë, sidomos kjo legjislaturë…” , tha Albulena Bytyqi, deputete e AAK-së.

    “Të nxisim punësimin e personave, ata prijnë në punën dhe ne duhet japim mundësi për aftësim profesional, por edhe në kurrikulat që ka Ministria e Arsimit”, tha Fatmire Kollqaku, deputete e LV-së .

    Në projektin në kuadër të të cilit u mbajt aktiviteti, të përfshira ishin edhe shoqata nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.