ATV

Category: Lajme

  • Ministri Liburn Aliu po hetohet për rastin e ambalazhuesve

    Ministri Liburn Aliu po hetohet për rastin e ambalazhuesve

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu po hetohet lidhur me rastin e ambalazhuesve.

    Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë të ditur se Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve, teksa Aliu po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Ndryshe, lidhur me rastin e ambalazhuesve, më 11 tetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Naser Hafizit, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

    Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2024 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

  • ​Fadil Geci dëshmon në Hagë: Tentuan të likuidojnë familjen tonë

    ​Fadil Geci dëshmon në Hagë: Tentuan të likuidojnë familjen tonë

    Në seancë publike, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci e ka nisur të hënën dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Geci është thirrur nga prokuroria që të jap informacione lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.

    Sipas prokurorit James Pace, kjo komunikatë e etiketonte vëllait e dëshmitarit, Gani Gecin dhe se “kishte pasoja negative për familjen e tyre”.

    Gjithashtu, prokurori tha dëshmitari do të jap informacione edhe lidhur me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “strukturën e saj, anëtarësimin dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe LDK-së”.

    “Dëshmia e dëshmitarit përfshin informacione që kanë të bëjnë me autorësinë e komunikatës 59-të të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të vitit 1998 që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin, bashkëpunëtor, si dhe ndikimin negativ që ka pasur komunikatë mbi të, mbi anëtarët e familjes dhe mbi të tjerët. Dëshmitari gjithashtu jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi Tahir Zemajt si dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës përreth Qiriezit në shtator të vitit 1998, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së”, deklaroi Pace.

    Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Geci u pyet edhe për Shaban Jasharin por edhe për një intervistë të Rexhep Selimit ku flitej për luftëtarët e parë.

    Pace: A është e vërtetë që Ademi, Samiu, Jetullahu, Sejdiu ishin ndër ushtarët e parë, luftëtarët e parë?

    Geci: Po, është e vërtetë që janë disa ndër të parët, por i ka harruar Rexha [Rexhep Selimi] disa, që luftëtarë edhe para tërë këtyre edhe para Rexhës vet është Gani Geci. E ka harru gabim, ku me ditë çka u bë. E ka lënë anash. Familja Geci, vëllezërit Geci janë ndër të parët para gjithë këtyre, në tëra proceset. Edhe te Adem Jashari, edhe te lufta, edhe te paqja edhe gjithkund”, u përgjigj Geci.

    Teksa u përgjigj në pyetjet e prokurorit të specializuar, Geci tha se ka qenë përgjegjës i proceseve të mëdha.

    “Unë kam qenë një përgjegjës i shtetit të Kosovës, i Kushtetutës së Kaçanikut. Në nivel të shtetit të Kosovës, unë kam qenë ai përgjegjësi për Drenicë që tëra proceset e mëdha kanë kaluar nga unë. Jam personazh që i kam bartur përgjegjësitë për të gjitha edhe sot para jush e marrë përgjegjësinë për të gjitha ato që kam bërë. Kam dëshirë që edhe tjerët të marrin përgjegjësitë që kanë bërë”, deklaroi Geci.

    Gjatë dëshmisë së tij, Geci tha se disa nga ish-krerët e UÇK-së që janë prezentë në gjykatore, e kanë përçarë popullatën e atëhershme shqiptare.

    “Organizimi shtetëror, mbrojtja e Kushtetutës, lufta brenda sistemit tonë, çfarë e kishim ka qenë një drejtim që kemi qenë të tërë unik, të gjithë, 99 për qind të popullit të Kosovës kemi qenë në një vend. Edhe dikur momentin pas Jasharëve ka ardhur një grup prej jashtë që e përfaqësojnë disa që janë këtu, e disa kanë qenë brenda dhe na kanë përçarë popullatën në përgjithësi. Se në Kosovë kanë qenë dy grupe: Njëri për shtet, e tjetri për pushtet. Grupi që ka qenë për shtet jam unë në krye me presidentin Ibrahim Rugovën, po e mbaj përgjegjësinë për Drenicën, kurse grupi që ka qenë për pushtet janë disa këtu që po i shoh dhe do të na shpjegojnë pse, qysh, si, çka, e unë jam këtu që të ballafaqohem me ta”, u shpreh Geci.

    Dëshmitari është pyetur nëse ka pasur ndonjë rast konkret që dikush nga LPK-ja ka thënë që Qendra e Këshillit të Emergjencave të ndryshonte, meqë e njëjta ishte në shtëpinë e Gecit.

    “Pas familjes Jashari tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp, që mendoj që ata njerëz që e kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë ‘qergash’ e jo shqiptarë”, tha Geci.

    Dëshmia e Fadil Gecit filloi në seancë private por më pas u hap për publikun dhe tërë dëshmia e tij u dha pa masa mbrojtëse.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë, ku prokuroria ka vlerësuar që i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërkaq ekipet e mbrojtjes kanë vlerësuar që i duhen shtatë orë kohë për intervistim.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./kp

  • Avokati i Metës: Akuzohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë, është gati të përballet me procesin

    Avokati i Metës: Akuzohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë, është gati të përballet me procesin

    Genci Gjokutaj, avokati i Ilir Metës zbuloi për mediat detaje nga takimi me ish-presidentin e arrestuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa ka treguar se janë tre akuza ndaj klientit të tij: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

    Ai tha se ishte “një takim si çdo herë tjetër vetëm në një ambient ndryshe”, ndërsa e cilësoi “banditesk” ndalimin e Metës. Sipas Gjokutajt, kreu i Partisë së Lirisë është “rrëmbyer në rrugë”, edhe pse s’ka pasur asnjëherë “asnjë lloj problemi për ta thirrur në SPAK”.

    I pyetur nga gazetarët se çfarë qëndrimi ka mbajtur Meta pasi iu vendosën prangat me urdhër të SPAK-ut, Gjokutaj tha se “qëndrimi i tij është krejt i qartë”.

    “Është i vendosur të përballet me procesin dhe çdo gjë që është shkruar në këtë vendim. Është krejt i qartë për çfarë bëhet fjalë dhe është gati për të bërë mbrojtjen për akuzat që nuk kanë lidhje me të”, u shpreh avokati i Metës.

    Ai e ka konsideruar arrestimin e klientit të tij si një goditje politike dhe për këtë akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama.

    “Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Domethënë këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet që janë nëpër duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, deklaroi Gjokutaj.

  • ShBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”

    ShBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”

    Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se kërkojnë që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”, teksa shtyjnë përpara një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që i kërkon grupit të armatosur të tërhiqet prej jugut të Libanit.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    I dërguari amerikan, Amos Hochstein, ka zhvilluar bisedime me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri – aleat i Hezbollahut – në Bejrut, teksa tenton t’i japë fund luftës së nisur që gati një muaj, e cila ka vrarë më shumë se 1.470 njerëz në Liban.

    “Lidhja e të ardhmes së Libanit me konflikte tjera në rajon, nuk ka qenë, dhe as nuk është në interesin e njerëzve të Libanit”, ka thënë Hochstein, duke iu referuar kërkesës kryesore të Hezbollahut, që secili armëpushim në Liban të jetë i lidhur me dhënien fund të luftës në Gazë.

    Hochstein ka thënë , po ashtu, se derisa Rezoluta e OKB-së, 1701, e cila u ka dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2006, duhet të jetë bazë për një armëpushim të ri, palët nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zbatuar atë.

    Sipas Rezolutës 1701, vetëm ushtria e Libanit dhe forca paqeruajtëse e OKB-së, UNIFIL, mund të pozicionohen në zonat në jug të lumit Litani të Libanit, që gjendet afër kufirit me Izraelin.

    Pavarësisht rezolutës, Hezbollahu ka pasur prezencë në jug të Libanit dhe në tetor të vitit të kaluar ka nisur të gjuajë raketa drejt Izraelit, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin, grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera.

    Javën e kaluar, kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, se Qeveria e tij është e gatshme të forcojë prezencën e ushtrisë në jug të Libanit, nëse arrihet armëpushimi.

    Mirëpo Hezbollahu, grup që mbështet nga Irani, refuzon të çarmatoset qysh prej luftës civile të periudhës 1975-1990, dhe ka sasi të konsiderueshme të armëve në këtë shtet me ndasi të mëdha politike dhe ushtri të dobët.

    Shkëmbimet e sulmeve raketore në kufirin e Libanit kanë nisur pas nisjes së luftës së Izraelit në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.

    Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje tjera.

    Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Në shtator, Izraeli e ka zgjeruar luftën edhe në Liban, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve të Hezbollahut në zonën kufitare.

    Hezbollahu, në anën tjetër, është zotuar se do ta vazhdojë luftën, derisa të arrihet një armëpushim në Gazë.

  • Hovenier i lumtur për vizitën e O’Brien në Kosovë

    Hovenier i lumtur për vizitën e O’Brien në Kosovë

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka mirëpritur Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    Para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Hovenier postoi fotografi krah O’Brien, duke thënë se po pret me padurim që ai të angazhojë biseda me zyrtarët kosovarë për çështje kyçe bilaterale.

    “Kënaqësi të mirëpres Ndihmës Sekretarin O’Brien gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë në rolin e tij aktual. Presim me padurim që të angazhojmë biseda me zyrtarët kosovarë për çështjet kyçe bilaterale dhe të ritheksojmë përkushtimin e Amerikës ndaj popullit të Kosovës”, ka shkruar ambasadori amerikan.

    Aktualisht Hovenieri dhe O’Brien janë në qeveri ku po zhvillohet takimi me Kurtin.

  • ​Nis takimi mes Kurtit dhe diplomatit O’Brien

    ​Nis takimi mes Kurtit dhe diplomatit O’Brien

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka arritur në objektin e Qeverisë së Kosovës, ku pritet të zhvillojë takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm gjatë hyrjes se tij në ekzekutiv, derisa nuk duhet nëse i O’Brien do të ketë ndonjë deklarim pas takimit.

    O’Brien po qëndron në vizitë në Kosovë, një ditë pasi ishte në Serbi, ku u takua atje me krerët institucional.

    Nga Beogradi, diplomati amerikan dhe mesazhin për zbatim të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, derisa edhe ka nënvizuar nevojën që Qeveria e Kosovës të procedojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të propozuar nga BE-ja./KP

  • Vdiq duke tentuar të shpëtojë një djalosh dhe nënën e tij nga mbytja në oqean

    Vdiq duke tentuar të shpëtojë një djalosh dhe nënën e tij nga mbytja në oqean

    Amerikani Jamie Lambros ka vdekur më 7 tetor pasi kishte tentuar të shpëtonte një djalë dhe nënë e tij nga mbytja në ujë.

    Ai ishte qenë me 11 anëtarët e tij të familjes në Horseshoe Bay Beah të Bermudës kur kishte parë djalin në rrezik.

    Pavarësisht se nuk kishte qenë notar i mirë, Lambrosi qe hedhur menjëherë në oqean për ta shpëtuar djalin dhe nënën e këtij të fundit.

    Djali dhe nëna e tij kishin arritur eventualisht të shpëtojnë, por jo edhe Lambrosi.

  • Ilir Meta niset për në paraburgim, pasi u ndal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

    Ilir Meta niset për në paraburgim, pasi u ndal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

    Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pas arrestimit me urdhër të SPAK ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës e më pas është nisur për te Blloku i Sigurisë (qendra e paraburgimit).

    Gazeta Panorama raporton se mbërritja e tij në Policinë e Tiranës u bë në mënyrë të fshehtë dhe jashtë syrit të mediave. Po ashtu raportohet se Ilir Meta brenda ambienteve të Policisë së Tiranës është shfaqur i tensionuar dhe ka debatuar me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

    Meta u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), e cila ka kryer një hetim pasuror ndaj tij.

    Ky hetim besohet se është shkaku i arrestimit të sotëm, ndërsa ndaj tij ka edhe çështje të tjera hetimore.

    Meta kishte qëndruar për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme në qershor. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.

    Meta ka qenë president, kryeministër, ministër i Jashtëm, ndërsa kishte mbajtur edhe poste të tjera të larta shtetërore në Shqipëri.

  • Hajdari: Synojmë ta fuqizojmë sektorin privat duke rritur prezencën e produkteve në tregjet ndërkombëtare

    Hajdari: Synojmë ta fuqizojmë sektorin privat duke rritur prezencën e produkteve në tregjet ndërkombëtare

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka mbajtur konferencë për Ditën Botërore të Standardeve, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast ministrja, Rozeta Hajdari tha se standardizimi është mjet thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme. Ajo shtoi se me këtë qasje synojnë ta fuqizojnë sektorin privat duke rritur prezencën produktet nga Kosova në tregjet ndërkombëtare.

    “Kjo ditë shënohet që nga 14 tetor i vitit 1970 për të theksuar rëndësinë e standardit jetësore. Standardizimi nuk është vetëm proces teknik, por mjet thelbësor dhe luan një rol të rëndësishëm dhe përparimin në zhvillimin e qëndrueshëm. Nga standardet mjedisore deri te standardet e cilësisë kuptojmë që këto standarde ndikojnë në një të ardhme më të mirë. Për këtë vit kemi lansuar edhe aplikacionin e standardeve ndërkombëtare”.

    “Përmes strategjisë ne synojmë të transformojmë ekonominë tonë. Është një hap përfundimtarë drejtë një ekonomie të qëndrueshme, adaptimi i euro kodeve përfaqëson një tjetër aktivitet për vendin tonë. Përmirësimi i infrastrukturës kërkon standarde të larta që sigurojnë që këto standarde të respektohet. Me këtë qasje synojmë të fuqizojmë sektorin privat duke rritur produktet në tregjet ndërkombëtare. Ne presim që sektori privat dhe shoqëria të ndërtojë një ekonomi më të fortë për të ardhme të qëndrueshëm. Dhe për këtë na duhet edhe mbështetje e nivelit qendror, le të angazhohemi të provojmë standardet në një ambient më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”, ka thënë Hajdari.

    Drejtoresha e Agjencisë Kosovare e Standardizimit, Qefseri Ajeti ka theksuar se standardizimi e transformoi historinë e njerëzimit, si neovjë për një sistem të unifikuar global, qëllimi i së cilit është lehtësimi i shkëmbimit të produkteve në mbarë botën.

    “Standardizimi është një ngjarje transformuese në historinë e njerëzimit, ngjarje e cila ka origjinën nga nevoja për një sistem të unifikuar global, qëllimi i së cilit është lehtësimi i shkëmbimit të produkteve dhe shërbimeve në mbarë botën. Standardet ndërkombëtare i konformitetit këtë viti fokusohet ne rëndësinë për mbështetje të teknologjive të përgjithshme të inovacionit. Qëllimi dhe avantazhet e standardizimit janë cilësia e produkteve, standardet sigurojnë cilësi të lartë dhe konsistencë në prodhim. Kjo rrit besimin e konsumatorëve dhe reputacionin e bizneseve.

    Butrinr Batalli nga Këshilli Profesional i Standardizimit, tha se standardet shtojnë cilësinë e qëndrueshmërinë dhe kanë rëndësi të madhe në tregjet ndërkombëtare duke krijuar mundësi të inovacionit, raporton EO.

    “Rritja e vetëdijes është jetike për zbatimin dhe kuptimin e rëndësisë sepse është domosdoshme për vendin tonë. Standardet shtojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë dhe kanë rëndësi të madhe ndaj tregjet ndërkombëtare duke krijuar mundësi të inovacionit”.

    “Është ndërlidhur një prej 17 objektivave që kanë të bëjnë me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturës. Jemi duke jetuar në botën e teknologjike, andaj kohëve të fundit është bërë një unifikim në objektivave qëndrueshëm, pra promovimi i paqes mirëqenies për njerëzimin dhe planetin tonë. Dhe pikërisht standarde ndihmojnë në procesin e unifikimit duke krijuar siguri”, ka thënë Batalli.

    Valbonë Dushi nga Departamenti i Industrisë, ka potencuar se për të pasur produkte të sigurta, Kosova duhet të ketë produkte me standarde ndërkombëtare.

    “Nëse duam të kemi produkte të sigurta dhe ta zhvillojmë industrinë dhe të kemi qëndrueshme duhet të kemi produkte me standarde në bazë të rregulloreve të standardeve ndërkombëtare. Kjo me qëllim që në fund të kemi produkte të sigurta që të konsumohen nga konsumatorët tanë”.

    “Standardizim është e lidhur ngushtë në bazë të kësaj strategjie. Përmes kësaj donte eliminohet barrierat tarifore dhe jo tarifore që ndodhin. Sa i përket kornizës ligjore jemi duke punuar me listën e standardet”, ka deklaruar Dushi.

  • Lejohet dorëzimi i parashtrimeve për Mustafën nga mbrojtësit e viktimave dhe ZPS-ja

    Lejohet dorëzimi i parashtrimeve për Mustafën nga mbrojtësit e viktimave dhe ZPS-ja

    Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit të viktimave do t’u lejohet të dorëzojnë parashtrime lidhur me kërkesën e Salih Mustafës për mbrojtje të ligjshmërisë në Kushtetuesen e Speciales.

    Këtë vendim e ka marrë gjyqtari Vidar Stensland i cili do të pranojë kërkesat nga këto dy palët.

    “Vendos që Këshilli i Viktimave mund të dorëzojë paraqitje të shkruara vetëm në masën që ka të bëjë me të drejtat e viktimave për të marrë pjesë dhe që këto paraqitje, nëse ka, nuk duhet të kalojnë 10 faqe”, thuhet në vendimin e ZPS-së.

    Koha që Mustafa mund të dorëzojë kundërpërgjigje ndaj parashtrimeve të palëve është përcaktuar deri me 29 nëntor e që nuk duhet të kalojë 25 faqe.

    Në seancën e dytë të Apelit ndaj Salih Mustafës në muajin shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte prezantuar parashtrimet e veta lidhura me përcaktimin e dënimit.

    “Në qoftë se provat nuk e vërtetojnë këtë, atëherë ju gjykatës duhet ta keni parasysh përkufizimin e synimit. Sipas nesh, provat në mënyrë të prerë vërtetojnë se zotëri Mustafa të paktën në mënyrë të qëllimshme shkaktoi lëndime të rënda me dijeni se kjo mund të çonte në vdekje”.

    “Ka disa faktorë të aktgjykimi të cilat mund të nxjerrin në atë deduktim është prania e z. Mustafa në atë kompleks, kompleksi ishte i vogël, pjesëmarrja e tij e drejtpërdrejtë në keqtrajtimin e të burgosurve të tjerë përfshirë përdorimin e armëve të zjarrit, përdorimin e armëve të bejsbollit”, tha prokurori.

    Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

    Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

    Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishtë konfirmuar më 12 qershor 2020.

    Në dhjetor të 2023-së, Salih Mustafës i ishte zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës.