ATV

Category: Lajme

  • Dhunimi në një vilë në Novobërdë, Prokuroria autorizon hetime që policia ta identifikojë të dyshuarin

    Dhunimi në një vilë në Novobërdë, Prokuroria autorizon hetime që policia ta identifikojë të dyshuarin

    Më 19 tetor, në një vilë në Novobërdë është dhunuar një grua. Lajmin e bëri të ditur dje Policia përmes raportit 24 orësh.

    Aty thuhej se viktima është dërguar në strehimore.

    “DHUNIM- Novobërdë / 19.10.2024 – 22:00. Dyshohet se rasti ka ndodhur në një vilë. Me vendim të prokurorit viktima është dërguar në strehimore dhe rasti është duke u hetuar.”

    Në një përgjigje për Gazetën Express Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë se kanë autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore që të identifikohen të dyshuarit.

    Prokuroria shton se me urdhër të prokurorit e dëmtuara është dërguar në ekzaminim gjinekologjik.

    Rasti po hetohet.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore, në mënyrë që të identifikohet/en kryesësi/it e kësaj vepre penale. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si ‘’Dhunim’’ dhe me urdhër të prokurorit e dëmtuara është dërguar në ekzaminim gjinekologjik. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Gjilan për Express.

    Sinjali raporton se viktima është një 19 vjeçare e cila kishte shkuar me shokë e shoqe në vilën ku ndodhi rasti.

    Gjatë periudhës sa ata kanë qëndruar në vilë, njëri prej tyre po dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, pa dëshirën e saj.

    Bazuar në dëshminë e vajzës dhe rrëfimit që e ka dhënë, ajo dhe miqtë e saj kishin shkuar të dehur atje, pasi fillimisht kanë qëndruar në një lokal në Gjilan.

    Sipas Sinjalit pasi ndodhi rasti, i dyshuari e ka dërguar viktimën në Gjilan dhe e ka lënë diku në një rrugë.

  • Muharremi publikon grafikonin: Kosova me GDP më të ulët për kokë banori në krahasim me rajonin

    Muharremi publikon grafikonin: Kosova me GDP më të ulët për kokë banori në krahasim me rajonin

    Në të hyra vjetore për kokë banori qytetari i Kosovës është 99% më poshtë një qytetar i Malit të Zi.

    Kështu i nxori krahasimet në shifra njohësi i çështjeve të ekonomisë, Shenoll Muharremi.

    Pas prezentimit të shifrave, Muharremi shtroi këtë pyetje: “Nëse jemi kaq të mirë me qeverisje dhe kaq të mencur e efikas, pse jemi kaq të varfër kur krahasohemi me tjerët?”.

    Postimi i plotë:

    Si po jetonë qytetarët kosovarë krahasuar me rajonin?

    Më së miri e kupton gjendjen se ku je kur krahasohesh me fqinjët tu në rajon. Nga raportet e Bankës Botërore shifet që në rajon, BPV për kokë banori është mesatarisht $8,967. Kaq është vlera mesatare e ekonomisë për një qytetar. E kosovarët duket që e kanë gjendjen më të papërshatshme në rajon. Në Kosova GDP per capita (PBV për kokë) është vetëm $6,142. Kjo i bie 46% nën mesataren e rajonit (Ballkanit Perendimor) dhe 99.5% më e ulët sesa vlera më e lartë e rajonit që ka Mali i Zi.

    Në parim, ky nuk do të ishte dicka e re, për shkak se gjendja duket e ngjashme me vite kështu. Kosova ka bazë të ulët të ekonomisë dhe ende asnjëherë nuk ka investuar seriozisht në fuqizim të sektorit privat dhe bizneseve. Potenciali i saj ekonomik është ende i patestuar. Biznese i janë marrë taksat dhe nuk i është kthyer ajo që i bënë më të fortë më konkurres.

    Por ky grafikon tregon dhe është një paqyrë e asaj cfarë thotë raporti i Bankës Botërore. Mund të jetë një krahasim edhe për narrativin e KM dhe qeverisë kur thonë ‘kemi pasur rritje 30%’ ‘kemi punësime’ ‘kemi bërë rekode’… Këtu ndodhta do të duhej të bëhej një pyetje thelbësore: “nëse jemi kaq të mirë me qeverisje dhe kaq të mencur e efikas, pse jemi kaq të varfër kur krahasohemi me tjerët?’.. dhe nuk po krahasohemi me europianë, por me vende e rajonit këtu afër.

  • Gjashtë miliardë eurot e Planit të Rritjes, së paku gjysma do të përdoren për infrastrukturë dhe lidhje

    Gjashtë miliardë eurot e Planit të Rritjes, së paku gjysma do të përdoren për infrastrukturë dhe lidhje

    “Të paktën gjysma e fondeve të përgjithshme do të mbështesin investimet në infrastrukturë dhe lidhjen, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare”, thekson Komisioni Evropian për EWB (European Western Balkans), duke shpjeguar mekanizmat e shpenzimit të parave nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Fondet e para nga ky instrument financiar pritet të dalin së shpejti, pasi Komisioni Evropian të miratojë zyrtarisht Agjendat e Reformave të paraqitura nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Kosova. Nga ana tjetër, është e pasigurt nëse Bosnja dhe Hercegovina do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë sepse ky vend është vonuar me miratimin e Agjendës së Reformave.

    BE-ja synon të ndajë shtatë për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Agjendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë gjashtë miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme.

    Nga shuma totale, dy miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, katër miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme. Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë, dhe Mali i Zi 383.5 milionë.

    Duke folur për procedurat e lirimit të fondeve nga Plani i Rritjes, Komisioni Evropian shprehet për EWB-në se “do të kushtëzohet me zbatimin e suksesshëm të Agjendave të Reformave, që mbulojnë si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian”.

    “Fondet në kuadër të lehtësive duhet të lirohen sipas një plani fiks gjashtëmujor, bazuar në kërkesën për lirimin e fondeve të paraqitur nga partnerët dhe pas verifikimit nga Komisioni për përmbushjen e kënaqshme të të dyja kushteve të përgjithshme lidhur me makro- asistencë financiare, menaxhim të shëndoshë të financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje të buxhetit dhe kushteve përkatëse të pagesës, dhe me parakushtet që përfituesit të respektojnë parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, thotë KE.

    Komisioni Evropian shton se, në Agjendat e Reformave, “reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi”.

    “Marrëveshjet e lehtësive dhe huasë do të përfshijnë detyrime për përfituesit për të ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, zbuluar dhe korrigjuar mashtrimin, korrupsionin, konfliktet e interesave dhe parregullsitë që prekin interesat financiare të Unionit, për të shmangur financimin e dyfishtë dhe për të ndërmarrë veprime ligjore për të rikuperuar fondet që janë përvetësuar, mbledhja e të dhënave adekuate për përfituesit e fondeve në kuadër të Instrumentit dhe të drejtat që duhet t’i jepen Komisionit, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) aty ku është e aplikueshme”, sqaron KE.

    Së fundi, Komisioni Evropian thekson se KE-ja “mund të zvogëlojë ose rikuperojë shuma nëse preken interesat financiare të Bashkimit ose nëse përfituesit kanë shkelur seriozisht një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e lidhura në kuadër të lehtësimit”.

  • O’Brien dhe Kurti takohen në ora 15:00

    O’Brien dhe Kurti takohen në ora 15:00

    Është konfirmuar takimi mes ndihmës sekretari i shtetit amerikan për Evropë dhe Azi, James O’Brien, dhe kryeministrit Kurti.

    ZKM ka njoftuar se takimi do të mbahet në ora 15:00 në ndërtesën e Qeverisë.

    Njoftimi i plotë:

    Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 21.10.2024

    1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

    VENDI: Ndërtesa e Qeverisë

    KOHA: 15:00

    Mediat mund të marrin pamje në oborrin e Qeverisë. Ato duhet të jenë aty më së voni në ora 14:45.

  • Ministri i Jashtëm turk konfirmon vdekjen e Fetullah Gulen

    Ministri i Jashtëm turk konfirmon vdekjen e Fetullah Gulen

    Inteligjenca turke ka konfirmuar vdekjen e kreut të grupit terrorist FETO, Fetullah Gulen, tha të hënën ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

    “Burimet tona të inteligjencës konfirmojnë vdekjen e liderit të organizatës FETO,” tha Fidan në përgjigje të pyetjes së Anadolu në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha në Ankara, raportojnë mediat turke.

    Gulen kishte jetuar në shtetin amerikan të Pensilvanisë. Udhëheqësit turq kishin kërkuar prej kohësh ekstradimin e tij, por zyrtarët gjyqësorë amerikanë nuk e miratuan atë.

    Ai orkestroi grusht-shtetin e dështuar të 15 korrikut 2016 në Turqi, ku 252 njerëz u vranë dhe 2 mijë 734 u plagosën.

  • Arrestimi i Ilir Metës, Sali Berisha: Urdhër për ta eliminuar politikisht, ndoshta edhe fizikisht

    Arrestimi i Ilir Metës, Sali Berisha: Urdhër për ta eliminuar politikisht, ndoshta edhe fizikisht

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha reagoi në lidhje me arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, ish-presidentit Ilir Meta.

    Berisha e quajti këtë persekutim, ndërsa ngriti dyshime se është urdhëruar edhe eliminimi fizik i tij.

    “Është politik, nuk kanë publikuar asnjë dokument por kanë zbatuar urdhrat e Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik dhe ndoshta fizik të Ilir Metës”, tha Sali Berisha.

  • Arrestohet Ilir Meta

    Arrestohet Ilir Meta

    Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

    Meta është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.

    Çifti Meta-Kryemadhi gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.

  • AGK-ja themelon Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës

    AGK-ja themelon Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka themeluar Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se themelimi i këtij rrjeti është bërë vikendin që shkoi.

    “Koleget prezente propozuan e votuan Bordin Këshillëdhënës të këtij Rrjeti, i cili ka në përbërje tri super gra të dëshmuara në gazetari si: Leonida Molliqaj – redaktore në QIKA, Gentiana Begolli Pustina – udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK, si dhe gazetaren nga Klan Kosova, Qëndresa Tërshani. Masha Mileusniq e ndau përvojën e saj si mentore e themelueseve të këtij rrjeti ku foli më gjërësisht për rëndësinë dhe praktikat më të mira të funksionimit të rrjeteve të grave gazetare”, thuhet në komunikatë.

    Misioni i këtij Rrjeti është krijimi i një ambienti gjithëpërfshirës për gratë që punojnë në medie, parandalimin e përdorimit të gjuhës seksiste dhe mizogjene në diskurs publik, si dhe krijimi i një hapësire të sigurt për adresimin e problemeve që hasin në vendin e punës apo gjatë punës në terren.

    “Rrjeti është i hapur për anëtarësim të secilës grua që punon në sektorin medial, dhe i inkurajojmë të gjithë koleget që të anëtarësohen në këtë Rrjet, në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë në përmirësimin e pozitës së gruas në vendet e punës, por edhe në diskursin publik. I falënderojmë përzemërsisht për kontributin e dhënë kolegeve prezente në këtë takim të parë të këtij Rrjeti, si dhe mbështetjen e padiskutueshme të dhënë nga British Council Kosovo, NDI Kosovo, OSCE Mission in Kosovo dhe European Union in Kosovo”, thuhet më tej në njoftim.

  • Panairi bujqësor dhe energjisë së ripërtëritshme – Peci prezanton projektin 20.2 milionë Euro

    Panairi bujqësor dhe energjisë së ripërtëritshme – Peci prezanton projektin 20.2 milionë Euro

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me GIZ-in dhe Ministrinë e Bujqësisë, kanë hapur Panairin Bujqësor dhe të Energjisë së Ripërtëritshme, “AgriRenew 2024″, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast ministri Faton Peci, tha se vetëm në dy vitet e fundit kanë instaluar 4 276.4 KW me panele foto-voltaike për 951 fermerë. Ai ka shtuar se projekti i cili po lansohte në bashkëpunim me Qeverinë gjermane dhe GIZ, kap vlerën prej 20.2 milionë euro.

    Peci shtoi se me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agro-turizmit dhe eko-turizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale.

    “Gjatë gjithë mandatit tim si ministër, kemi dhënë prioritet investimeve përmes projekteve të granteve, duke integruar energjinë e ripërtëritshme si një kriter të detyrueshëm në secilën masë. Vetëm në dy vitet e fundit, kemi instaluar 4 276.4 KW me panele foto-voltaike për 951 fermerë. Vlera totale e investimit arrijnë vlerën prej rreth 50 milionë euro. Sot kam kënaqësinë të prezantoj një projekt madhor dhe transformues, i realizuar në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ, me një investim prej 20.2 milionë euro”.

    “Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend, e cila për herë të parë në historinë e Ministrisë së Bujqësisë ka mundësuar një bashkëpunim të tillë strategjik dhe të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit. Vlen të theksohet se deri tani si Ministri kemi investuar 300 milionë euro për të përkrahur financiarisht fermerët Kosovarë. Me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agro-turizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale”.

    “Përparësi e këtij projekti është promovimi i ushqimeve bio me vlera të larta ushqyese, të cilat janë një element kryesor në agro-turizëm. Në botën e sotme, ku ushqimet industriale dhe të shpejta dominojnë tregun, agro-turizmi ofron një alternativë të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke sjellë përpara produktet tona bio, të cilat jo vetëm që janë të freskëta dhe të shëndetshme, por edhe promovojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumatorit dhe prodhuesit”, ka thënë ai.

    Kryetari i OKE-ut, Lulzim Rafuna, tha se ky Panairi ka bashkuar fushat e bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, dy sektorë që sipas tij, janë jetik për ekonominë e Kosovës, por gjithashtu përbëjnë shtyllat kryesore për të ardhmen e qëndrueshme.

    “Këtë vit, kemi bashkuar fushat e bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, dy sektorë që jo vetëm janë jetik për ekonominë e Kosovës, por gjithashtu përbëjnë shtyllat kryesore për të ardhmen tonë të qëndrueshme. Bujqësia ka qenë gjithmonë pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, duke siguruar jetesën për shumë njerëz dhe duke garantuar sigurinë ushqimore për popullatën tonë”.

    “Potenciali i bujqësisë për t’u zhvilluar më tej dhe për të kontribuar më shumë në BPV është ende i madh, veçanërisht nëse integrohen teknologji të reja. Energjia e ripërtërishme në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme si një alternativë ndaj burimeve tradicionale si qymyri, me fokus në energjinë diellore, të erës dhe bioenergjinë Energjia e ripërtërishme nuk është më vetëm një burim plotësues; ajo po bëhet e rëndësishme për zhvillimin tonë ekonomik dhe për qëndrueshmërinë mjedisore”.

    “Ndërveprimi midis sektorëve të ndryshëm, veçanërisht bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës. Këto dy sektorë mund të bashkëpunojnë për të krijuar modele të qëndrueshme që rrisin prodhimin bujqësor duke ulur ndikimin mjedisor”, ka thënë ai.

    Ambasadori gjerman John Rohde, ka thënë se qëllimi kryesor i Gjermanisë është që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshme të Kosovës dhe anëtarësimit saj në BE, raporton EO.

    “Si Panair tre ditësh është mundësi e mirë të sjellë së bashku shumë biznese, inovatorët e përfaqësues të bujqësisë dhe energjisë së ripërtritshme. Shpresoj që do të kemi takime shumë takime produktive gjatë këtyre ditëve”.

    “Sot qëllimi kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshme të Kosovës dhe anëtarësimit në BE. Dy qeveritë tona kanë fokusuar bashkëpunimin në tri fusha, e para është zhvillimi i qëndrueshme ekonomik, e dyta është klima dhe energjia dhe e treta është procesi i reformës administrative”, ka thënë ai.

  • Rutte në takimin me Ministrat e Mbrojtjes të G7, diskutoi për rritje të mbështetjes për Ukrainën

    Rutte në takimin me Ministrat e Mbrojtjes të G7, diskutoi për rritje të mbështetjes për Ukrainën

    Të shtunën (19 tetor) Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua me Ministrat e Mbrojtjes të G7-ës në Napoli, për të diskutuar se si të rritet më tej mbështetja për Ukrainën, të rritet prodhimi industrial i mbrojtjes dhe më shumë.

    Ishte takimi i parë i G7 për Rutte në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm dhe hera e parë që G7 thirri një takim të dedikuar në formatin e Ministrave të Mbrojtjes, thuhet në njoftimin e NATO-s, transmeton Klankosova.tv.

    Sekretari i Përgjithshëm theksoi vlerën e bashkëpunimit midis G7 dhe NATO-s, duke pasur parasysh natyrën komplekse të sfidave për sigurinë e përbashkët.

    Për Ukrainën, ai nënvizoi se si sigurimi që Ukraina të ketë atë që i duhet për të mbizotëruar është kritike për sigurinë dhe stabilitetin edhe përtej rajonit.

    Ndërsa ministrat diskutuan prodhimin industrial të mbrojtjes, Rutte vuri në dukje rëndësinë e të punuarit së bashku – në të gjithë Aleancën dhe më gjerë – për të rritur dhe përshpejtuar jo vetëm prodhimin, por se këto përpjekje janë të përafruara më mirë duke punuar me standardet e NATO-s.

    Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu se si NATO po bën më shumë për të ndërtuar partneritetet e saj, jo vetëm në Indo-Paqësorin, por edhe në lagjen jugore të NATO-s – një fushë tjetër në të cilën u fokusuan diskutimet e G7.

    Takimi në Napoli vjen pas takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel këtë javë, ku aleatët ranë dakord për një sërë iniciativash në lidhje me përmirësimin e parandalimit dhe mbrojtjes, sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për Ukrainën dhe duke bërë më shumë me partnerët në Indo- Paqësor si dhe BE.