ATV

Category: Lajme

  • Çfarë ndodhi në mbledhjen e LDK-së në Lipjan? Grajqevci zbulon detaje të reja

    Çfarë ndodhi në mbledhjen e LDK-së në Lipjan? Grajqevci zbulon detaje të reja

    Armend Grajqevci nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në parti, duke sqaruar se kërkesa për dorëheqjen e Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga anëtarët e kryesisë apo kryetarët e nëndegëve, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes strukturave të partisë.

    Në reagimin e tij, Grajqevci ka theksuar se Imri Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

    Sipas tij, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Degës dhe të kryetarëve të nëndegëve, Ahmeti ka ofruar edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Lipjan, por kjo është refuzuar unanimisht me insistimin e të pranishmëve.

    “Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së”, ka deklaruar Grajqevci.

    Postimi i plotë:

    “Të nderuar miq, si anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Lipjan, ndjej obligim që kjo situatë të sqarohet.

    Si parti që në themelin e saj ka demokracinë, në mbledhjen e kryesisë së degës dhe të kryetarëve të nëndegëve u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Kërkesa për dorëheqjen e z. Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga këta anëtarë apo kryetarë nëndegësh, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes kësaj strukture.

    Kryetari Imri Ahmeti, siç e dini, ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të kryetarëve të nëndegëve, ai ofroi edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës, por kjo u refuzua unanimisht me insistimin e të pranishmëve.

    Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së.

    Andaj, kjo shtëpi e vjetër e demokracisë respekton fjalën e aktivistit dhe fjalën e votuesit të saj tradicional. Respektojeni edhe ju.”

  • Përplasjet e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së: Së shpejti do të mblidhen organet e partisë

    Përplasjet e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së: Së shpejti do të mblidhen organet e partisë

    Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ilir Ferati, ka thënë se së shpejti do të thirren mbledhje të organeve të partisë.

    Në një intervistë në FRONTAL ai ka thënë se do të ketë mbledhje të Kryesisë dhe Kolegjiumit të kryetarëve të Komunave, e ku do të mund të diskutohen të gjitha shqetësimet.

    “Shumë shpejt kanë me u thirrë organet e partisë, kryesia edhe pjesa tjetër e kolegjiumit të kryetarëve të Degëve ku është vendi me i shpreh këto qëndrime, e pastaj dalim me qëndrime për mediat dhe pjesën tjetër të strukturës”, ka thënë Ferati në FRONTAL.

  • Vetaksident në rrugën Pejë-Prishtinë, lëndohet një person

    Vetaksident në rrugën Pejë-Prishtinë, lëndohet një person

    Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur pasditen e së mërkurës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:40.

    “Sot rreth orës 14:40 është raportuar një vetaksident në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë. Si pasojë e aksidentit, një person ka marrë trajtim mjekësor”, deklaroi Krasniqi.

    Ajo shtoi se njësitet e trafikut rrugor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.

    “Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e hetuar rastin deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij vetaksidenti”, tha Krasniqi.

    Shkaqet që çuan deri te aksidenti nuk janë bërë ende të ditura.

  • Drama në LDK, hipoteza e Blerim Latifit: Duket se kjo parti po i afrohet fundit të ekzistencës

    Drama në LDK, hipoteza e Blerim Latifit: Duket se kjo parti po i afrohet fundit të ekzistencës

    Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku, dy degë të këtij subjekti kanë kërkuar dorëheqjen e kryetar Lumir Abdixhiku.

    Latifi, në reagimin e tij, ka shtruar ‘’një hipotezë’’, duke thënë se, duket që, LDK’ja po ‘’afrohet fundit të ekzistencës së saj historike’’.

    ‘’Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit’’, ka shkruar mes tjerash ai.

    Postimi:

    Dua të jem i qartë që në fillim: mendimi im i mëposhtëm nuk shpreh dëshirat e mia, por vetëm një vëzhgim krejt neutral. Ose thënë me gjuhën filozofike: një hipotezë.

    Më duket se LDK-ja po i afrohet fundit të ekzistencës së saj historike.

    Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit.

    Partitë politike historike jetojnë për aq kohë sa arrijnë ta lidhin të kaluarën me të ardhmen. Ato vdesin kur kjo lidhje këputet. Kur kujtesa shndërrohet në një arkiv të nostalgjisë, por pushon së qeni burim frymëzimi e shprese, atëherë fillon procesi i tretjes historike.

    Kam përshtypjen se pikërisht këtë proces po e përjeton sot LDK-ja. Mund të gaboj, sepse historia na mëson për raste të shumta rikthimesh të papritura dhe ringjalljesh që duken të pamundura. Por, për momentin, nuk më duket se po shohim thjesht një krizë të radhës, por simptomat e një fundi të ngadaltë historik.

  • Kosova nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës përmes pullave postare

    Kosova nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës përmes pullave postare

    Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim një emision të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një nga jubileet më të rëndësishme në historinë moderne të demokracisë.

    Ky emision filatelik është realizuar në shenjë respekti dhe vlerësimi për shpalljen e pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776, një ngjarje që shënoi fillimin e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, vetëvendosjes dhe demokracisë.

    Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare që shënojnë dy shekuj e gjysmë nga kjo ngjarje historike.

    Në njoftimin e saj, Posta e Kosovës vlerëson kontributin historik të SHBA-së në promovimin e paqes, lirisë dhe zhvillimit demokratik në botë, duke theksuar gjithashtu marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Emisioni përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale prej 2.10 euro, e vendosur në një tabak të dizajnuar me katër pulla, si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë. Ky i fundit, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë, përbën një koleksion të veçantë për filatelistët dhe dashamirët e historisë postare.

    Me këtë emision përkujtimor, Posta e Kosovës nderon idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, vlera që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë dhe që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

  • Netanyahu përfundon dëshminë në gjyqin për korrupsion pas 98 seancash

    Netanyahu përfundon dëshminë në gjyqin për korrupsion pas 98 seancash

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dëshmuar për herë të fundit në gjyqin ndaj tij, duke përmbyllur marrjen në pyetje dhe kundërpyetjet në 98 seanca dëgjimore lidhur me tre çështjet e korrupsionit për të cilat po gjykohet.

    Dita e parë e dëshmisë së Netanyahut ishte më 10 dhjetor 2024, por procesi u shty vazhdimisht për shkak të problemeve shëndetësore, udhëtimeve diplomatike jashtë vendit dhe kërkesave të shumta për anulimin ose shkurtimin e seancave për shkak të çështjeve urgjente të sigurisë dhe diplomacisë që kërkonin vëmendjen e kryeministrit.

    Në përfundim të dëshmisë së tij, Netanyahu sulmoi ashpër prokurorët, raporton timesofisrael.

    “Qëllimi ishte të kontrollonin gjithçka me imtësi, të gjenin diçka; por nuk gjetën asgjë. Morën në pyetje të gjithë të afërmit dhe familjarët e mi, me metoda hetimi të pabesueshme. Shkatërruan familje. Ata nuk po kërkonin një krim, po kërkonin një person dhe nuk gjetën asgjë”, citohet të ketë thënë Netanyahu sipas Channel 13.

    Netanyahu akuzohet për tri vepra mashtrimi dhe shpërdorimi të besimit në çështjet 1000, 2000 dhe 4000, si dhe për një akuzë për marrje ryshfeti në formën e mbulimit pozitiv mediatik në çështjen 4000.

    Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë edhe për disa muaj të tjerë, ndërsa dëshmitarët e mbetur do të japin dëshmitë e tyre.

    Seancat për dëshminë e Netanyahut u zhvilluan në Gjykatën e Qarkut në Tel Aviv, pasi Gjykata e Qarkut në Jerusalem nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për kryeministrin. Tashmë procesi do të rikthehet në Jerusalem.

  • 3 milionë euro për Kartonin e Gjelbër, Gërvalla: Kjo është shprehje e respektit të shtetit ndaj diasporës

    3 milionë euro për Kartonin e Gjelbër, Gërvalla: Kjo është shprehje e respektit të shtetit ndaj diasporës

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar 3 milionë euro për mbulimin e kostos së Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët gjatë sezonit veror.

    Sipas njoftimit, nga muaji korrik e tutje, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me vetura nuk do të përballen me këtë shpenzim shtesë, pasi kostoja do të mbulohet nga shteti në kuadër të masës 4.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila synon mbështetjen e mërgatës.

    Në deklaratën e saj, Gërvalla theksoi rëndësinë historike të diasporës në shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një shtyllë të vazhdueshme të zhvillimit të vendit.

    “3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror. Qeveria miratoi 3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror. Nga korriku e tutje, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me vetura nuk do të përballen me këtë kosto shtesë, pasi ajo do mbulohet nga shteti në kuadër të zbatimit të masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, ka shkruar ministrja në detyrë.

    Gërvalla ka shtuar se mërgata jonë ka qenë pjesë e pandashme e çdo etape të shtetndërtimit të Kosovës, nga sakrifica për liri, te shpallja e pavarësisë, e deri te forcimi i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit.

    “Kjo masë është shprehje e respektit të jashtëzakonshëm të shtetit ndaj këtij roli historik dhe të vazhdueshëm tuajin. Është një mënyrë për t’ua lehtësuar rrugën drejt shtëpisë dhe për t’ua thënë qartë, Kosova ju pret gjithmonë si pjesë të pandashme të saj. Bashkatdhetarë, mirë se vini në shtëpinë tuaj. Kosova do t’ju mbajë gjithmonë ngrohtësisht në zemër”, ka shkruar Gërvalla.

  • Abdixhiku ose Haziri, LDK-ja kërkon postin e presidentit

    Abdixhiku ose Haziri, LDK-ja kërkon postin e presidentit

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

    Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

    Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

    “Në rast se ky emër është Lumiri Abdixhiku, kryetar i partisë ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë”, theksoi Haziri.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

    jo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

    “Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

    Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

    Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

    “Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

    Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

    Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

    Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

    Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

    Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

    Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

    Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

    Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

    Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.

  • Vdekja e 26 vjeçarit në një punëtori në Prizren, një muaj paraburgim për të pandehurin

    Vdekja e 26 vjeçarit në një punëtori në Prizren, një muaj paraburgim për të pandehurin

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin A.G., , e cila mund të zgjasë deri më datën 22.07.2026, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale, “Asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: “Me datë 22 qershor, rreth orës 08:15 minuta, në lagjen Arbanë, në Prizren, në objektin banesor, i pandehuri A.G., si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri si shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, nuk e vendos në mënyrë të sigurt pompën e betonit, ku gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i betonit për një moment rrëshqet pompa e betonit, ku nga rrëshqitja shkëputet një gyp nga pompa dhe e godet viktimën V.M., në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”.

    Tutje thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale nga i pandehuri, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurit dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

    “Duke pasur parasysh se faza hetimore është në procesin fillestar, duhet të dëgjohen dëshmitarët e rastit, të merret në pyetje i pandehurit, dhe të merren edhe prova tjera materiale, gjithashtu duke vlerësuar edhe peshën e rëndë të pasojave që janë shkaktuar në vendin e punës, Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit tani për tani është mase adekuate dhe e domosdoshme. Gjykata po ashtu pret zhvillim të shpejtë dhe efikas të rastit nga Prokurori i Shtetit, me qëllim të zbardhjes së rastit”, thuhet në njoftim.

  • Intervistat për Kryeprokuror të Shtetit mbahen me 1 korrik, KPK jep detaje për oraret e pesë kandidatëve

    Intervistat për Kryeprokuror të Shtetit mbahen me 1 korrik, KPK jep detaje për oraret e pesë kandidatëve

    Këshilli Prorokurorial i Kosovës ka njoftuar se intervistat për Kryeprokuror të Shtetit do të mbahen me datë një korrik.

    Në njoftim shtohet edhe se, hartimi i pyetjeve do të fillojë në ora 08:00, ndërsa intervistat do të fillojnë nga ora 11:00, në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, salla e takimeve kati VI.

    Postimi:

    Bazuar në nenin 3 (6A) të Rregullores 07/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores 07/2024 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës se Kosovës, Këshilli Prorokurorial i Kosovës njofton palët e interesuara për monitorim, se intervistat për Kryeprokuror të Shtetit do të mbahen me datë 01 korrik 2026.

    Hartimi i pyetjeve do të filloj në ora 08:00, ndërsa intervistat do të fillojnë nga ora 11:00, në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, salla e takimeve kati VI.

    Njoftohen të gjithë të interesuarit që t’u përmbahet të gjitha rregullave dhe orareve të përcaktuara nga KPK-ja dhe me mirëkuptim luten që për shkak të hapësirës së kufizuar, të konfirmojnë emrin e një përfaqësuesi/monitoruesi duke kontaktuar Zyrën pёr Komunikim Publik në adresën: [email protected] deri më datë 26 qershor 2026.

    ORARI I INTERVISTAVE -KANDIDATËT PËR KRYEPROKURORË TË SHTETIT

    E mërkurë, 01 korrik 2026

    Takimi i Panelit Vlerësues për hartimin e pyetjeve standarde (tre orë para fillimit të intervistave) 08:00

    1. z. Atdhe Dema nga ora 11:00

    PAUZA 12:00-13:00

    2. z. Naim Abazi nga ora 13:00

    3. z. Rafet Halimi nga ora 14:15

    4. z. Shqipdon Fazliu nga ora 15:30

    5. z. Zejnulla Gashi nga ora 16:45