ATV

Category: Lajme

  • Gjykata Speciale: Aktualisht s’ka vendim të ri për shtyrje të aktgjykimit

    Gjykata Speciale: Aktualisht s’ka vendim të ri për shtyrje të aktgjykimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës muaj më parë kanë njoftuar se Trupi Gjykues e ka zgjatur afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026, ndërsa kanë lënë të hapur mundësinë e një shtyrjeje tjetër vetëm nëse kjo konsiderohet “absolutisht e nevojshme”.

    Në një përgjigje për lajmi.net, lidhur me afatin e nxjerrjes së vendimit, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik.

    “Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.

    Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.

    Gjykata ka theksuar se vendimi për një afat shtesë mbetet në diskrecionin e Trupit Gjykues, i cili vlerëson nëse rrethanat e rastit e bëjnë të domosdoshme një masë të tillë.

    “Nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

    Aktualisht, nuk ka asnjë vendim të ri për shtyrje përtej datës 20 korrik 2026. Kjo do të thotë se, bazuar në informacionet e deritanishme, aktgjykimi pritet të shpallet brenda afatit të përcaktuar, përveç nëse Trupi Gjykues vendos ndryshe në ditët ose javët në vijim.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas aktakuzës dyshohet se janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë pasur përgjegjësi në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, përmes së cilës janë kryer ndalime arbitrare, keqtrajtime, tortura, zhdukje me forcë dhe vrasje të personave që konsideroheshin kundërshtarë politikë, bashkëpunëtorë ose persona të dyshuar për mosmbështetje të UÇK-së.

    Të katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Mbrojtja ka argumentuar gjatë gjithë procesit se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, ndërsa ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për përgjegjësi penale individuale të të akuzuarve.

    Procesi gjyqësor nisi në prill 2023 dhe konsiderohet një nga rastet më të mëdha që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria, Mbrojtja dhe përfaqësuesit e viktimave, Trupi Gjykues është në fazën e përgatitjes së aktgjykimit, që pritet të shpallet gjatë këtij muaji.

  • Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e një veture në Prizren, automjeti i kthehet pronarit

    Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e një veture në Prizren, automjeti i kthehet pronarit

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhjen e një veture në Prizren, pas hetimeve që kanë çuar në identifikimin e tij.

    Sipas policisë, rasti i vjedhjes së veturës ishte raportuar më 17 qershor 2026. Pas veprimeve hetimore të zhvilluara nga ekipet policore, më 24 qershor është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa vetura e vjedhur i është kthyer pronarit të saj.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Talibanët e zbatojnë bartjen e “hixhabit të duhur” duke i arrestuar dhe rrahur gratë

    Talibanët e zbatojnë bartjen e “hixhabit të duhur” duke i arrestuar dhe rrahur gratë

    Frika e ka kapluar qytetin e tretë më të madh të Afganistanit së fundi, sepse Qeveria talibane po e zbaton me dhunë një kod më të rreptë veshjeje për gratë.

    Anëtarët e policisë famëkeqe të talibanëve, e ashtuquajtura policia e moralit, kanë arrestuar dhe madje kanë rrahur publikisht gra në qytetin perëndimor të Heratit, duke i akuzuar ato për shkeljen e një urdhri të ri të lëshuar në fillim të qershorit.

    Ky urdhër ua ndalon grave të shfaqen në publik pa atë që grupi islamist i linjës së ashpër e përshkruan si“hixhab i duhur”. Gratë që nuk e përfillin këtë urdhër, përfshirë ato që e shfaqin fytyrën ose mbajnë makijazh, do të përballen me masa ndëshkuese, thuhet në direktivë.

    “Gratë në Herat tashmë mbanin hixhab”, tha një grua në qytet për RadionAzadi të Radios Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar shamisë islame që mbulon kokën dhe qafën.

    Gruaja, e cila kërkoi të mbetet anonime nga frika e hakmarrjes, shtoi: “Por, tani talibanët kërkojnë që gratë të mbajnë edhe maskë për fytyrën dhe ta mbulojnë fytyrën plotësisht”.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, forcat e sigurisë së talibanëve arrestuan të paktën 30 gra gjatë javës së parë të urdhrit.

    Kufizimet çuan në protesta të rralla publike në Herat më 9 qershor, të cilat u shpërndanë me dhunë nga forcat talibane. Të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën gjatë demonstratës, sipas OKB-së.

    Goditje në kokë me kondakun e pushkës

    Zbatimi i dhunshëm i kodit të veshjes nga talibanët ka rritur frikën dhe pasigurinë mes grave në Herat.

    Disa kanë aq shumë frikë saqë nuk guxojnë as të dalin nga shtëpitë, ndërsa ato që dalin përballen me zemërimin e grupit ekstremist.

    Anëtarët e policisë së moralit të talibanëve ndalojnë dhe kontrollojnë rregullisht gratë në rrugë, tregje dhe në hyrjet e ndërtesave publike, thanë disa gra për REL-it.

    “Edhe ato që janë të mbuluara siç duhet ndalohen nganjëherë dhe merren në pyetje”, tha një grua nga Herati për Radion Azadi të REL-it.

    Një grua tjetër në qytet tha se talibanët përdorin klerikë nëpër xhami për t’i përhapur mesazhet e tyre.

    “Në një urdhër thuhej se janë vendosur oficere gra për t’i ndaluar ato që nuk binden”, tha ajo. “Dhe, paralajmërohej se nëse anëtarët e familjes ose të tjerë përpiqen të ndërhyjnë, edhe ata do të arrestohen”.

    Grupi i ka zbatuar këto kërcënime.

    Në zonën JadaeAbresham të Heratit, policia e moralit e talibanëve ndaloi së fundmi një grua në rrugë. Kur të afërmit e saj u përpoqën të ndërhynin, edhe ata u ndaluan, tha një dëshmitar për Radion Azadi.

    Në Kvaja Kalla, një zonë tjetër e qytetit, talibanët u përpoqën t’i ndalonin dy vajza të reja edhe pse ato mbanin hixhab, tha një dëshmitar.

    “Kur njëra prej grave kundërshtoi, oficerët e goditën në kokë me kondakun e një pushke, duke i shkaktuar gjakderdhje. Ajo u dërgua në një spital aty pranë, por policia e moralit e ndoqi brenda dhe urdhëroi mjekët të mos e trajtonin”, tha dëshmitari për REL-in.

    “Më pas, oficerët e morën me vete derisa ajo ende po gjakosej”, tregoi ai.

    Banorët thonë se Herati, një qytet me rreth 1 milion banorë pranë kufirit me Iranin, është bërë i heshtur sepse gjithnjë e më shumë gra qëndrojnë brenda nëpër shtëpitë e veta.

    “Këto janë ditë tepër të vështira për gratë dhe vajzat në Herat”, tha një grua tjetër. “Qyteti ka rënë në heshtje. Vajzat e reja kanë shumë frikë të dalin nga shtëpitë e tyre”.

    Një version ekstrem i islamit

    Gratë kanë bartur barrën më të madhe të përpjekjeve të talibanëve për ta zbatuar me forcë versionin e tyre ekstrem të Islamit në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

    Grupi pothuajse i ka fshirë gratë nga jeta publike dhe ka vendosur kufizime të rënda mbi pamjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe studiuar.

    Si talibanët censurojnë jetën e afganëve?

    Në vitin 2024, talibanët miratuan një ligj mbi moralin që kërkon që gratë të mbulojnë plotësisht fytyrën dhe trupin kur ndodhen në publik. Megjithatë, zbatimi i ligjeve të grupit ka qenë i çrregullt dhe i pabarabartë në të gjithë vendin me rreth 40 milionë banorë, duke e lënë shpesh në dorën drejtuesve lokalë talibanë të vendosin.

    Shumë gra afgane mbajnë hixhab. Përveç kësaj, disa gra mbajnë maskë për fytyrën për të fshehur hundën dhe gojën.

    Gra të tjera veshin burka ose abaja islame dhe nikab, që mbulojnë flokët, trupin dhe pjesën më të madhe të fytyrës. Kjo e fundit është e zakonshme në vendet arabe të Gjirit Persik.

    Gratë afgane, veçanërisht ato në zonat urbane, e konsiderojnë burkën dhe nikabin si elemente të huaja për kulturën afgane.

    Para rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, shumë gra mbanin shamia të lirshme që mbulonin vetëm flokët e tyre. /REL

  • KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e Termocentralit Kosova B

    KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e Termocentralit Kosova B

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar dhënien e kontratës për realizimin e punëve që kanë të bëjnë me demontimin, furnizimin, montimin, lëshimin në punë dhe komisionimin e sistemit të monitorimit të vibrimeve, zgjatjeve diferenciale, zhvendosjeve aksiale dhe zhvendosjes absolute në Bllokun B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B.

    Sipas njoftimit zyrtar, vlera e përgjithshme e kontratës është 265,712.40 euro, ndërsa në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë.

    Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Bionics Sh.P.K. dhe TURBOCOM d.o.o., me adresë në Prishtinë.

    Data e dhënies së kontratës është 17 qershor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 24 qershor 2026.

    Sipas dokumentit, kontrata nuk parashihet të nënkontraktohet.

    Projekti synon avancimin e sistemit të monitorimit dhe kontrollit të pajisjeve në njësitë prodhuese të Termocentralit Kosova B, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit operacional të tyre.

    Njoftimi është publikuar nga KEK në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

  • Pesë persona përfshihen në një rrahje në aeroportin “Adem Jashari”, dërgohen në mbajtje

    Pesë persona përfshihen në një rrahje në aeroportin “Adem Jashari”, dërgohen në mbajtje

    Pesë persona pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete në aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:30.

    “ANP ‘Adem Jashari’ 24.06.2026-20:30. Raportohet se pas një mosmarrëveshje pesë të dyshuar meshkuj kosovare janë rrahur në mes veti. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Bie nga një lartësi në Fushë në Kosovë, ndërron jetë një person

    Bie nga një lartësi në Fushë në Kosovë, ndërron jetë një person

    Një person ka ndërruar pasi në rrethana të panjohura ka rënë nga një lartësi.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 15:32, në Fushë Kosovë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Fushë Kosovë 24.06.2026 – 15:32. Raportohet se në rrethana të pa njohura nga një lartesi ka rene viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Mosmarrëveshja në çift në Ferizaj: Burri e bën gruan për spital

    Mosmarrëveshja në çift në Ferizaj: Burri e bën gruan për spital

    Një 41-vjeçar është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim trupor”.

    Sipas të dhënave të policisë, i dyshuari, pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar bashkëshorten e tij, e cila është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.

    I njëjti, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48-orë, ndërsa po vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje.

    “Viktima është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor, ndërsa më vonë është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim trupor”, ndërsa i dyshuari, 41 vjeç është ndaluar për 48 orë, për hetime të mëtutjeshme nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje”, thuhet në njoftim.

  • Tragjedia në Kavajë ku vëllai vrau vëllanë: Dyshohet se gjithçka nisi për rrugë

    Tragjedia në Kavajë ku vëllai vrau vëllanë: Dyshohet se gjithçka nisi për rrugë

    Pas krimit të rëndë në një familje në Kavajë, ku një person vrau vëllanë e tij, tashmë janë zbardhur detaje të reja.

    Bazuar në raportimet e mediave shqiptare, autori i dyshuar është Muhamet Rreshka, 76 vjeç, i cili ka therur për vdekje vëllanë Eqrem Rreshka, 74 vjeç.

    Sipas raportimeve të Euronews.al, 74-vjeçari kishte shkuar në arë për të marrë dengje bari me zetor (traktor). Pasi kishte ngarkuar bazën ushqimore për blegtorinë, ai ishte nisur për t’u kthyer, por gjatë rrugës është përballur me vëllanë e tij më të madh.

    Sipas burimeve të Euronews.al, mes dy vëllezërve ka nisur një debat pasi 76-vjeçari i kishte kërkuar vëllait të mos kalonte në atë segment rruge. Raportohet se gjatë përplasjes, 74-vjeçari e ka shtyrë të vëllanë me zetor, çka ka përshkallëzuar konfliktin.

    Pas debatit verbal, 76-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllanë e tij disa tri ose katër herë. I plagosuri u transportua menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

    Siç raportohet në media, autori i dyshuar ka shfaqur pendesë pas ngjarjes. Mësohet gjithashtu se 76-vjeçari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit Agonas.

    Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

  • Çfarë dihet deri tani për tërmetin më të madh në Venezuelë në më shumë se një shekull

    Çfarë dihet deri tani për tërmetin më të madh në Venezuelë në më shumë se një shekull

    Venezuela u godit të mërkurën në mbrëmje nga dy tërmete njëri pas tjetrit – i dyti prej tyre, me magnitudë 7.5, është tërmeti më i madh që ka goditur vendin në më shumë se një shekull.

    Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 700 janë lënduar, ndërsa presidentja në detyrë Delcy Rodriguez tha se numri i viktimave pritet të rritet.

    Shkalla e plotë e dëmeve po bëhet e qartë ngadalë, ndërsa po publikohen video të ndërtesave të shembura, njerëzve që po shpëtohen nga rrënojat dhe të mbijetuarve që përshkruajnë arratisjet e tyre të tmerrshme.

    CNN shkruan se çfarë dihet deri tash:

    Dy tërmete: Tërmetet ndodhën brenda një minute nga njëri-tjetri në bregdetin verior të Venezuelës. I pari kishte magnitudë 7.2. Ishte ditë feste zyrtare, ndaj shumë njerëz ndodheshin në shtëpi. Tërmeti u ndje në të gjithë vendin, si dhe në pjesë të tjera të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë. Sipas Qendrave Amerikane të Paralajmërimit për Cunami, nuk ka më rrezik për cunami.

    Dëmet: Sipas Rodriguez, ndërtesa janë raportuar të shembura në mbarë vendin, nga kryeqyteti Karakas deri te qyteti bregdetar Catia La Mar. Deri tani, shteti bregdetar La Guaira ka qenë zona më e goditur, sipas presidentit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës.

    Venezuelasit e tmerruar: Video të lokalizuara gjeografikisht dhe të verifikuara nga CNN tregojnë banorë që evakuphej me shpejtësi nga shtëpitë e tyre, vrapojnë në rrugë dhe mblidhen me familjet dhe kafshët e tyre shtëpiake. Një video e shpërndarë nga një ish-ligjvënës në aeroportin ndërkombëtar pranë Karakasit tregonte njerëz duke vrapuar, ndërsa disa zona brenda aeroportit ishin të mbuluara me rrënoja dhe pluhur.

    Bilanci i viktimave: Ekspertët i thanë CNN-it se disa faktorë mund të çojnë në një numër të lartë viktimash dhe dëme të mëdha – afërsia e tërmetit me zonat e banuara dhe prania e shumë ndërtesave të vjetra në Venezuelë.

    Përgjigjja: Rodriguez shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe krijimin e një force të posaçme për kërkim-shpëtim. Mësimi në shkolla është pezulluar në të gjithë vendin për një javë, ndërsa shërbimet hekurudhore dhe aktivitetet jo thelbësore janë anuluar përkohësisht. Aeroporti ndërkombëtar i Karakasit mbetet përkohësisht i mbyllur. Qindra persona, përfshirë forcat venezueliane të sigurisë, ndodhen tashmë në terren duke iu përgjigjur krizës.

    Reagimi ndërkombëtar: Presidenti amerikan Donald Trump tha se Washingtoni “është i gatshëm, i vendosur dhe në gjendje të ndihmojë”, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se SHBA po “dërgon menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare në Venezuelë”. Edhe disa vende të tjera, përfshirë Kolumbinë, Meksikën, Perunë, Argjentinën, Turqinë dhe Panamanë, kanë shprehur ngushëllime dhe kanë ofruar ndihmë.

  • Konflikti në Lipjan: 15 të arrestuar – 11 kërkojnë ndihmë mjekësore

    Konflikti në Lipjan: 15 të arrestuar – 11 kërkojnë ndihmë mjekësore

    Një përleshje mes disa personave në Lipjan, ka rezultuar me 11 të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

    Sipas të dhënave të policisë, 15 persona janë arrestuar, ku dhjetë nga ta janë dërguar në mbajtje.

    “Janë arrestuar 15 persona pasi që dyshohet se, të njëjtit pas një mosmarrëveshje rreth një prone janë rrahur mes vete. Lëndime trupore kanë pësuar 11 persona të cilët kane pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit 10 nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.