ATV

Category: Lajme

  • Trump vazhdon edhe për 1 vit gjendjen e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor

    Trump vazhdon edhe për 1 vit gjendjen e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme që lidhet me Ballkanin Perëndimor, një masë që përfshin edhe Kosovën.

    Vendimi është bërë publik përmes një dokumenti të Regjistrit Federal të ShBA-së, i cili i është përcjellë Senatit dhe mban datën 22 qershor 2026.

    Në dokument thuhet se gjendja e jashtëzakonshme vazhdon për shkak të, siç thuhet, kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit të rajonit. Sipas autoriteteve amerikane, individë dhe grupe të caktuara vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të minojnë marrëveshjet dhe institucionet e krijuara pas luftërave, si dhe të përfshihen në raste të rënda korrupsioni që dëmtojnë sundimin e ligjit.

    “Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare e shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219, në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 13304, e cila u zgjerua në fushëveprim me Urdhrin Ekzekutiv 14033 dhe në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa të tjerë shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 14140, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026”, thuhet në dokument.

    Kjo masë, e cila rinovohet çdo vit nga administrata amerikane, u mundëson autoriteteve të ShBA-së të vendosin sanksione ndaj personave dhe grupeve që konsiderohen se rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe proceset demokratike në Ballkanin Perëndimor.

  • Mbledhja e sotme, këto vendime mori qeveria në detyrë

    Mbledhja e sotme, këto vendime mori qeveria në detyrë

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka:

    -Miratuar vendimin për qiradhënie për sipërfaqen prej 99715 metër katrorë nga sipërfaqja e përgjithshme prej 1685079 metër katrorë, sipas kërkesës së Agjencisë Pyjore të Kosovës/Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vite për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, Zona Kadastrale, Seqisht, Komuna Hani i Elezit.

    -Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumë prej: 1,150,000.00 €, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nën programi Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale, nga kategoria e shpenzimeve kapitale konkretisht nga projekti kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”, në 4 (katër), projekte kapitale të reja në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Kryetarët e Komunave përkatëse.

    *Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumën prej 1,050,000.00 €, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, nën programi Administrata Qendrore, kategoria e shpenzimeve kapitale konkretisht nga projekti kapital “Programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal”, në 4 (katër) projekte kapitale në përputhje me 4 (katër) marrëveshjet për mbështetje financiare për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i MAPL-së dhe Kryetarët e Komunave përkatëse.

    -Miratuar vendimin për ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve, sipas detyrës zyrtare (Ex-Officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.

    -Miratuar vendimin për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim, të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.

    -Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    -Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumë prej 350,000.00 € (treqind e pesëdhjetë mijë euro), në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, nën programi Administrata Qendrore, nga kategoria e investimeve kapitale, konkretisht nga projekti “Programi për Zhvillim Rajonal”, në tetë (8) projekte të investimit kapital në pajtim me Marrëveshjet e Mirëkuptimit për bashkëfinancim të projekteve të nënshkruara nga Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Kryetarët e Komunave.

    -Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: Sanimi i Rrëshqitzës në rrugën: Hani i Elezit-Gorancë, Zona Kdadastrale: Rezhancë, Komuna e Hanit të Elezit.

    -Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: Rehabilitimi i rrugës Rajonale R112, segmenti: Gjonaj-Bishtazhin, Zona Kadastrale: Gjonaj, Komuna e Prizrenit.

    -Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 200,000.00 € (dyqind mijë euro), për financimin e furnizimit dhe instalimit të një gjeneratori të ri në Burgun e Sigurisë së Lartë.

    -Miratuar Kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën prej 12,513.00 € (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e trembëdhjetë euro), të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava”.

    -Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për KOMPAS – Projekti i Qasjes Gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor.

    -Emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore ”lnfrakos” Sh.A., në këtë përbërje:

    1. Getuar Zogu, kryesues;

    2. Detrina Alishani Sopi, anëtare;

    3. Fjolla Gashi, anëtare;

    4. Genc Hundozi, anëtar.

    -Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 44,004.22 € (dyzet e katër mijë e katër euro e njëzet e dy centë) për Komunën e Shtimes, për përfundimin e projektit ‘Impianti për trajtimin e ujërave të zeza, Shtime, përmes Klauzolës së Investimeve.

    -Ndarë mjete buxhetore në shumën prej 3,000,000.00 € (tre milionë euro) për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

  • Kosovari që vdiq në Lezhë dyshohet se humbi kontrollin e veturës për shkak të përgjumjes

    Kosovari që vdiq në Lezhë dyshohet se humbi kontrollin e veturës për shkak të përgjumjes

    Janë zbardhur detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lezhë, ku humbi jetën shtetasi kosovar, Kadri Behluli.

    Sipas raportimit të Top Channel, dyshohet se viktima ka humbur kontrollin e automjetit si pasojë e përgjumjes gjatë drejtimit të mjetit.

    “Familja po udhëtonte me automjet në aksin rrugor Lezhë–Milot. Burime nga policia bëjnë me dije se dyshohet që drejtuesi i automjetit humbi kontrollin si pasojë e përgjumjes dhe u përplas me një kamion. Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i automjetit, shtetas nga Kosova, humbi jetën”, raportoi gazetarja e Top Channel nga Lezha.

    Nga aksidenti mbetën të lënduar edhe djali i viktimës dhe motra e tij, të cilët po marrin trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • “Trepça” rikthen në menaxhim një lokal në qendër të Prishtinës, pronë e vlerësuar gati një milion euro

    “Trepça” rikthen në menaxhim një lokal në qendër të Prishtinës, pronë e vlerësuar gati një milion euro

    Ndërmarrja publike “Trepça” ka rikthyer në menaxhim një lokal afarist në zemër të Prishtinës, më shumë se 27 vite pas përfundimit të luftës.

    Prona ndodhet në një nga zonat më strategjike të kryeqytetit, në rrugën “Johan V. Hahn”, pranë Hotel Grand, Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe bulevardit “Xhorxh Bush”, duke e bërë atë një prej hapësirave më të kërkuara komerciale në qendër të qytetit.

    Lokali, i njohur për publikun si “Tuneli”, përfshin një sipërfaqe prej 190.75 m², me hapësirë kryesore afariste, zyra, nyje sanitare dhe hyrje, si dhe një terasë prej 47 m².

    Sipas vlerësimeve të bëra, duke u bazuar në lokacionin dhe potencialin afarist, prona kap vlerën e tregut mbi 900 mijë euro. Në këtë zonë, qiratë për metër katror variojnë nga 15 deri në 17 euro, çka e bën objektin një aset me rëndësi të veçantë ekonomike për ndërmarrjen.

    Rikthimi i këtij lokali në menaxhim nga Trepça vlerësohet si hap që rrit të hyrat e qëndrueshme dhe përmirëson performancën financiare të ndërmarrjes.

    Ky veprim, sipas njoftimit, është pjesë e përpjekjeve për identifikimin, mbrojtjen dhe funksionalizimin e pronave të Trepçës, duke synuar forcimin e bazës së saj ekonomike për të ardhmen.

    “Trepça vazhdon të rikthejë atë që i takon dhe ta shndërrojë pasurinë e saj në vlerë të prekshme ekonomike”, thuhet në fund të njoftimit.

  • Haxhiu e Kryeziu ankohen në Supreme, kërkojnë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së

    Haxhiu e Kryeziu ankohen në Supreme, kërkojnë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së

    Dy kandidatët për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, me kërkesë për rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, raporton EO.

    Pas dorëzimit të ankesës, Haxhiu ka thënë se procesi i rinumërimit të votave i urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka treguar që ka pasaktësi në numërimin që është bërë në qendrat komunale.

    “Sot kemi dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën me arsyetimin tani më të njohur, që procesi i rinumërimit i urdhëruar nga KQZ, ka treguar që ka pasaktësi në numërimin që është bërë nëpër qendrat komunale të numërimit dhe kjo marzhë e gabimit në numërimin fillestar nuk është e vogël, sepse në këtë rinumërimin e urdhëruar nga KQZ janë numëruar vetëm 5201 vota të Partisë Demokratike dhe në këtë rinumërim janë 220 vota të cilat janë shtuar ose i janë hequr kandidatëve vota preferenciale. Prandaj, për të pasur një rezultat të saktë, kërkojmë që Gjykata Supreme të miratojë kërkesën tonë dhe të urdhërojë KQZ për numërimin e votave preferenciale për kandidatë dhe deputetë të Partisë Demokratike, sepse edhe ligji e obligon që procedura e numërimit të fletëvotimeve të udhëhiqet nga saktësia dhe e jep edhe mundësinë e rinumërimit në rast se evidentohen pasaktësi në numërimin fillestar”, ka thënë ai.

    Haxhiu, ka deklaruar se po kërkojnë rinumërim të votave të Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Përtej dyshimeve tona, tani kemi një proces të urdhëruar nga KQZ, që është procesi i rinumërimit të 185 kutive, apo vendvotimeve. Ky proces i urdhëruar nga KQZ ka vërtetuar pasaktësi në numërimin fillestar dhe kjo tanimë është fakt i provuar nga vetë KQZ, prandaj edhe po kërkojmë që të ketë një rinumërim të votave të Partisë Demokratike, sepse sipas rregullativit të KQZ, votat e subjekteve politike nuk numërohen nga komisionerët e atij subjekti politik, por numërohen nga komisionerë ose numërues të subjekteve tjera politike. Tani a kanë qenë gabime të qëllimshme apo të paqëllimshme, Kushtetuta e Kosovës, neni 45 në të drejtën zgjedhore, garanton që përveç të drejtës për votim, ekziston edhe e drejta që saktësia e rezultatit duhet të jetë dhe vota e njehur, ashtu siç e ka hedhur votuesi, nuk ka të drejtë askush sipas Kushtetutës dhe ligjit të Kosovës të devijojë votën e qytetarit, qoftë edhe 2, 3, 5, 6, 500 vota rezultati zgjedhor duhet të jetë i saktë, ashtu siç e ka hedhur votuesi në kuti të votimit”, ka shtuar Haxhiu.

    Ndërsa, Qëndrim Kryeziu, ka deklaruar se do të shfrytëzojnë të drejtat e tyre deri në fund.

    “Ne kur i kemi tërhjekë dokumentet bashkë, na kanë thënë që gabimet e vogla janë minimale, kështu që tha s’keni nevojë me u anku, po ua themi shoqërisht, por nuk janë këto gabime të vogla minimale, as gabime teknike, sepse është thjeshtë numri shumë i ngushtë që të jesh deputet, si për kolegun, si për mua, me një marzhë gabimi prej 589 që ka ndodhur në sistemin e KQZ, pastaj thanë jo vetëm dy ti kemi shtu, po ne e kemi pa atë vetë prezent, na thanë që është gabim teknik i vogël, po duhet tha me vazhdu.

    Ne i kemi të drejtat tona me i shfrytëzu deri në maksimum, edhe të drejtën e fundit në rinumërim kemi me bë ankesë edhe aty dhe do të kërkojmë çdo mundësi të mundshmë që është në të drejtën tonë dhe në të drejtën e Zotit që ne ta shfrytëzojmë maksimalisht, sepse çdo votë ka rëndësi, ka vlerë dhe s’ka nevojë askush të bëhet deputet me votat tona. Kështu që ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na takojnë me ligj.

    Dyshojmë sepse unë vetë kam qenë duke përcjellur në telefon faqen zyrtare të KQZ dhe 589 më janë shtuar dhe më është thënë që është gabim teknik, ndërsa në përgjigjen e ankesës më kanë thënë vetëm 2 vota, si 2 vota si 589 vota, quhet vjedhje.

    Kështu që ai që i ka vjedhur le ta bajë barrën dhe le të mësohet të punojë një herë e përgjithmonë pa vjedhje, pa asnjë gjë”, ka thënë Kryeziu.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të hënën ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të këtij subjekti politik pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta.

  • Prangoset punëtori i spitalit në Hungari , dyshohet se hante trupat e vdekur të njerëzve

    Prangoset punëtori i spitalit në Hungari , dyshohet se hante trupat e vdekur të njerëzve

    Policia në Hungari ka arrestuar një punëtor spitali, i dyshuar se në mënyrë “obsesive” ka mbledhur dhe konsumuar pjesë të trupave të njeriut.

    Shërbimi Kombëtar i Policisë së Hungarisë njoftoi se gjatë hetimeve janë sekuestruar kafka, eshtra dhe “lëkurë e përgatitur e fytyrës së njeriut” nga një 30-vjeçar nga Budapesti, i cili ishte ndaluar javën e kaluar.

    Sipas policisë, i dyshuari dyshohet se ka siguruar pjesë trupash si përmes punës së tij në një spital në Budapest, ashtu edhe duke gërmuar varreza të braktisura në Hungari dhe Sllovaki.

    Gjatë kontrollit në pronat e tij, autoritetet kanë gjetur një sërë pjesësh trupi, përfshirë një fytyrë të ruajtur njerëzore, eshtra në një valixhe, një këmbë të plotë, një tru, një dorë, kafka dhe një zemër në një kavanoz. Policia tha se zemra është ende duke u ekzaminuar për të përcaktuar nëse i përket njeriut apo kafshës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari ka pranuar përdorimin e paligjshëm të trupave njerëzorë dhe ka deklaruar se kishte interes të veçantë për pjesët e trupit, të cilat, sipas tij, i kishte përgatitur dhe konsumuar.

    Po ashtu, ai është përshkruar si person me interes për anatominë dhe patologjinë, ndërsa dyshohet se kishte ndarë me të afërm dhe miq pasionin e tij dhe fotografi të koleksionit.

    Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar origjinën e saktë të pjesëve të trupave, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë ngritjen e akuzave të tjera ndaj tij.

  • KEDS gjobitet me 25 mijë euro për dallavere me njëhsorët

    KEDS gjobitet me 25 mijë euro për dallavere me njëhsorët

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur edhe me 25 mijë euro KEDS-in për shkak se janë hasur edhe pesë njehsorë të rrymës, me afat të skaduar të verifikimit.

    Pas ankesave të paraqitura nga konsumatorët për mospërputhje të orës te njehsorët elektrikë, më 31 mars të këtij viti është themeluar një komision nga MINT-i, ndërsa më 1 prill ka nisur verifikimi i njehsorëve. Gjoba e parë ndaj KEDS-it është shqiptuar më 14 prill në vlerë prej 6 mijë eurosh, ndërsa shuma totale nga gjithsej gjashtë gjoba të shqiptuara deri më tash qe 311 mijë euro, pa 25 mijë eurot për të cilat është njoftuar sot.

    Zyra e Rregullatorit për Energji pati paralajmëruar se konsumatorët që vërtetohet se janë dëmtuar nga devijimi i orës “do të kompensohen plotësisht”. ZRRE-ja pati njoftuar se për të përfituar kompensim, qytetarët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINT, pastaj te KEDS-i e në rast se nuk pajtohen me përgjigjen e tyre, atëherë ankesën mund ta bëjnë edhe te ZRRE-ja.

    Në fillim të qershorit, KESCO nuk pati treguar se kur do të nisë procesi i kompensimit.

  • Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

    Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

    Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn dhe dokumentet e publikuara nga Kryeministri Rama, nëse ato janë autentike dhe cili ka qenë roli i Dritan Goxhajt si anëtar i luftëtarëve të UÇK-së.

    Sipas tij, dokumenti i publikuar nga Kryeministri Rama përsa i përket firmës është origjinale dhe i përket komandant Plakut, teksa thekson se Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës.

    “Po, duke njohur firmën e komandant Plakut, se komandant Plakun e ka njohur personalisht edhe komanda, por edhe familjen e tij e njoh personalisht dhe firma është e komandant Plakut, është origjinale. E Xheladin Gashit është origjinale firma.

    Firma është origjinale, përmbajtjen e letrës e kam lexuar, e kam parë, por firma është origjinale e komandant Plakut, i cili e ka nënshkruar në atë kohë në territorin apo në tokën e Shqipërisë. Unë Dritan Goxhajn e kam njohur vonë. Unë babanë e tij e kam njohur më herët.

    Dritan Goxhaj është mirë të dalë e të deklarojë se në cilën zonë operative ka qenë në luftë, në cilën brigadë ka qenë në luftë dhe çfarë ka vepruar në territorin e Kosovës apo të Shqipërisë që ka punuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë e njoh në respekt për këtë kështu, por për Dritan Goxhajn vetëm një gjë garantoj apo mund t’ju flas 100%, Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kjo është e vërtetë.

    Tani, nuk ka dokumentacion, nuk ka certifikatë të veteranit, nuk ka letërnjoftim tek ne, nuk ka aplikacion të mundshëm dhe nuk ka kartelë të veteranit. Kjo është e vërtetë 1 milion për qind. Për këtë që flas, jap llogari unë, jap llogari para Zotit dhe para njeriut”, u shpreh ai.

  • Përparim Rama për kryetar të LDK-së? Kërçeli: Fenomen që meriton të hyjë në librat e politikës botërore

    Përparim Rama për kryetar të LDK-së? Kërçeli: Fenomen që meriton të hyjë në librat e politikës botërore

    Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVv), Ilir Kërçeli ka reaguar me tone ironike ndaj mundësisë që Përparim Rama të përfshihet në garën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Ai ka deklaruar se një situatë e tillë do të ishte “fenomen që do të hynte në librat e politikës botërore”, duke shtuar me ironi se kandidati për kryetar mund të mos jetë ende anëtar i partisë që synon ta udhëheqë.

    “Në zgjedhjet për kryetar, të gjithë anëtarët e LDK-së do të kenë të drejtë vote, përveç vetë kandidatit, sepse ende nuk është anëtar i partisë që synon ta udhëheqë”, ka thënë Kërçeli.

    Ai ka vënë në pikëpyetje arsyen pse LDK-ja do të duhej të mbështetej te figura jashtë saj, duke theksuar se partia ka mjaftueshëm kuadro të brendshëm me përvojë dhe traditë politike.

    “Por pyetja që shtrohet është: për çka i duhet LDK-së një personazh si Rama? A nuk i ka vet profesorët e saj, intelektualët e saj, politikanët veteranë dhe brezin e ri të politikanëve që për vite me radhë kanë mbajtur barrën e partisë? Nëse një parti me historinë, traditën dhe strukturën e LDK-së nuk arrin ta gjejë kryetarin brenda vetes, atëherë problemi nuk është te kandidati, por te vetë partia. Kjo vetëm sa e konfirmon atë që e kam thënë gjatë fushatës: LDK-ja nuk po drejtohet më nga anëtarët e saj, por po jepet me qira. Tashmë nuk po kërkohet as që qiramarrësi të jetë pjesë e shtëpisë; mjafton t’i pëlqejë çelësi. E në fund, mbetet vetëm një pyetje: a po zgjedh LDK-ja një kryetar për ta forcuar veten, apo po përgatitet të bëhet zyrtarisht patericë e PDK-së, tashmë edhe me letra?”, ka shkruar Kërçeli.

  • Kryemadhi përplaset me Metën në gjyq: Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më

    Kryemadhi përplaset me Metën në gjyq: Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më

    Gjyqi për çështjen CEZ-DIA është shoqëruar me përplasje mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në sallën e GJKKO-së.

    Gjatë deklarimeve të tij, ish-presidenti shqiptar mohoi çdo ndërhyrje politike apo ndikim në çështjen për të cilën akuzohet, duke thënë se veprimet e ish-bashkëshortes së tij i di vetë ajo.

    Sipas Top Channel, Meta hodhi poshtë pretendimet për mesazhe apo komunikime me persona të përmendur në dosje, duke i cilësuar akuzat si shpifje dhe një histori të sajuar.

    “Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”.

    Në anën tjetër, Monika Kryemadhi u përgjigj: “Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”.

    “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”.