ATV

Category: Lajme

  • Helmohen sërish nga ushqimi 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri

    Helmohen sërish nga ushqimi 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri

    Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, vetëm pak javë pas incidentit të ngjashëm të regjistruar në këtë institucion.

    Burime të A2CNN bëjnë me dije se mbrëmjen e së mërkurës, kursantët kanë shfaqur simptoma të tilla si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.

    Disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar me serum.

    Sipas të njëjtave burime, simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, ku në menu kanë qenë salçiçe, fasule dhe kos.

    Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë ushqimore në Akademinë e Sigurisë, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar të helmimit brenda një periudhe të shkurtër kohore.

    Më 7 maj, 56 kursantë të kësaj akademie u paraqitën me simptoma të ngjashme, në një ngjarje që u hetua nga autoritetet përkatëse./A2NN

  • Çmimi i derivateve në Kosovë: Nafta bie, benzina rritet

    Çmimi i derivateve në Kosovë: Nafta bie, benzina rritet

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimoren e re për derivatet, e cila vlen për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.36 euro për litër, një cent më lirë se një ditë më parë.

    Ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.35 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është caktuar i njëjtë sikur ditën paraprake, për 0.67 euro për litër.

  • BDI të premten protesta në sheshin “Iliria” në Tetovë

    BDI të premten protesta në sheshin “Iliria” në Tetovë

    Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi, njofton se në mbledhjen e strukturave që kanë pasur sonte, kanë sjellë vendim që të premten të dalin në protestë në sheshin Iliria.

    Rexhepi në një postim në Facebook shkruan se Komuna e Tetovës është bashkautore në lidhje me anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve.

    “Sot, në mbledhjen e strukturave partiake të BDI – Dega Tetovë, në prani të liderit Ali Ahmeti, u vendos qartë: Tetova nuk do të heshtë përballë këtij akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të saj. Pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës sonë për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dëshmohet se për gati një vit Komuna katër herë nuk i është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se kjo nuk është pakujdesi, por bashkëautorësi”.

    “Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”.

    “Të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, ftojmë çdo qytetar, çdo intelektual, çdo zë të lirë dhe çdo atdhetar, pa dallim bindjeje politike, të bashkohet në Marshin Protestues. Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!”, ka shkruar Rexhepi.

  • Shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica” në veri, katër persona shoqërohen në polici

    Shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica” në veri, katër persona shoqërohen në polici

    Katër persona janë shoqëruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se kanë tentuar të shkruajnë grafite në një mural në sheshin e këtij qyteti.

    Të njëjtit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

    Sipas tij, personat janë ndaluar pasi në një mural në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit kishin shkruar disa mbishkrime si “Kosovska Mitrovica”, “Millan”, “Luka”, “Petar Pavle” dhe të tjera.

    Elshani ka bërë të ditur se për njërin prej tyre është shqiptuar gjobë për vandalizëm, pasi kishte shkruar mbishkrimin “Kosovoska Mitrovica”.

    “Kanë qenë duke u përgatitur për ta bërë një mural. I kemi sjellë në stacion të Policisë. Njërit ia kemi shqiptuar një tiketë për vandalizëm për shkak të mbishkrimit ‘Kosovoska Mitrovica’”, ka deklaruar Elshani për Telegrafin.

    Ai shtoi se çfardo vendimi i kuvendit komunal apo i kryetarit të Komunës që mund të shkaktoj dyshime tek ne se ekzekutimi i tij mund të shkaktoj prishje të rendit dhe qetësis publike atëhere ne si Polici e Kosovës e dërgojm në MAPL për interpretim para se vendimi të mund të ekzekutohet.

    Sipas tij, asnjë aktivitet i tillë nuk mund të realizohet pa miratimin e institucioneve kompetente.

  • VV pranon president konsensual, Nagavci: Nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër

    VV pranon president konsensual, Nagavci: Nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të diskutojë për një president konsensual dhe jopartiak, por ka theksuar se aktualisht nuk mund të flasë për një marrëveshje konkrete qeverisëse me ndonjë subjekt tjetër politik.

    Në Debat Plus në RTV Dukagjini, Nagavci ka bërë të ditur se LVV-ja mbetet e hapur për dakordim rreth emrit të presidentit, nëse kjo do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik dhe institucional.

    Ajo ka theksuar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim dhe mbështetje më të gjerë politike.

    “Sot është e gatshme që të bisedoj shumë seriozisht, LVV sot në këtë moment që po flasim dhe është mendim i imi dhe jemi të gatshëm dhe të interesuar që të dakordohemi për një emër konsensual jopartiak për president apo presidente të Kosovës. Sepse praktika po na dëshmon çdo ditë që se kandidatët partiak nuk janë shembulli më i mirë… për shkak edhe të rolit unifikues që duhet të ketë”, ka deklaruar ajo.

    Megjithatë, e pyetur për mundësinë e një koalicioni me ndonjë parti tjetër, Nagavci ka deklaruar se në këtë fazë nuk mund të japë garanci për një marrëveshje të tillë.

    Sipas saj, prioritet mbetet krijimi i institucioneve dhe gjetja e zgjidhjeve që sigurojnë stabilitet politik, ndërsa diskutimet me subjektet e tjera politike vazhdojnë.

    “Kjo është çështje që nuk mund t’i përgjigjemi sot. I kemi numrat e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë. Gjithsesi, unë nuk mund të them sot që do të qeverisim me një parti tjetër”, deklaroi ajo.

    Deklaratat e Nagavcit vijnë në kohën kur skena politike vazhdon të përballet me diskutime rreth formimit të institucioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje për postin e presidentit.

  • Begaj reagon për herë të parë për protestën në Tiranë: Qytetarët po i shprehin në mënyrë paqësore shqetësimet

    Begaj reagon për herë të parë për protestën në Tiranë: Qytetarët po i shprehin në mënyrë paqësore shqetësimet

    Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për protestën qytetare, duke deklaruar se po shprehin shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore.

    Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se “e drejta për t’u shprehur në pajtim me Kushtetutën është vlerë e mbrojtur”.

    “Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

    Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.

    Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit.

    Të nderuar pjesëmarrës, Ky jubile na fton të mendojmë për rëndësinë që administrata publike ka për qytetarët.
    Të kërkojmë më shumë nga vetja! Të kërkojmë më shumë dhe nga njerëzit e shërbimit publik. Të rrisim cilësinë, sepse duke rritur cilësinë të forcojmë besimin!”, tha Begaj./TCH

  • Specialja ia rrëzon Haxhi Shalës kërkesën për pushim në Shqipëri

    Specialja ia rrëzon Haxhi Shalës kërkesën për pushim në Shqipëri

    Gjykata Speciale i ka rrëzuar kërkesën e Haxhi Shalës për të udhëtuar drejt Shqipërisë për një pushim të shkurtër, duke vlerësuar se një lëvizje e tillë bie ndesh me kushtet e lirimit me kusht.

    Sipas vendimit të Kryetares Trendafilova, kërkesa për udhëtim është refuzuar me arsyetimin se bie ndesh me kushtet e dënimit dhe lirimit me kusht.

    “Ky udhëtim bie ndesh thelbësisht me dënimin e dhënë dhe lirimi me kusht nuk mund të ndryshohet, nëse nuk është për arsye bindëse ligjore apo humanitare”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

    Në të njëjtën kohë, gjykata ka miratuar kërkesën e tij për rinovimin e letërnjoftimit dhe dokumenteve të udhëtimit.

    Haxhi Shala është liruar me kusht më 2 shkurt 2026, ndërsa dënimi i tij pritet të përfundojë më 11 dhjetor 2026.

  • Nesër nisin punimet në kyçjen e Mazgitit, priten kufizime në trafik

    Nesër nisin punimet në kyçjen e Mazgitit, priten kufizime në trafik

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër, më 25 qershor 2026, duke filluar nga ora 11:00, do të nisin punimet për sanimin e dëmtimeve në pjesën e kyçjes në Mazgit.

    Sipas njoftimit, punimet do të kryhen nga një operator ekonomik i kontraktuar nga ministria dhe kanë për qëllim riparimin e dëmtimeve në këtë segment rrugor.

    Për shkak të zhvillimit të punimeve, pritet që të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të përdorin rrugë alternative gjatë kohës së punimeve, me qëllim shmangien e vonesave dhe ngarkesës në trafik.

    Po ashtu, apelohet respektimi i sinjalizimit të përkohshëm rrugor dhe udhëzimeve të personelit në terren, për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

  • Haziri del me sqarim për deklaratën e tij: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente

    Haziri del me sqarim për deklaratën e tij: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dalë me një sqarim publik lidhur me interesimin e opinionit për qëndrimet e partisë rreth zhvillimeve politike dhe procesit paszgjedhor.

    Haziri ka theksuar se qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar sa i përket nominimit për president.

    “Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”, ka deklaruar Haziri.

    Ai shtoi se në kuadër të debatit paszgjedhor ka paraqitur vetëm parime gjithëpërfshirëse dhe modalitete për bashkëpunim të mundshëm politik, me qëllim të krijimit të stabilitetit institucional.

    “Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka thënë ai.

    Haziri ka potencuar gjithashtu se kryetari i partisë mbetet adresa kryesore për proceset e ardhshme politike.

    “Kryetari Lumir Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ai.

    Në fund, Haziri ka theksuar se çdo kërkesë politike do të trajtohet brenda strukturave të partisë, duke shtuar se demokracia nënkupton liri dhe pavarësi të Republikës.

    “Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka thënë Haziri.

    Sqarimi i tij vjen pas një deklratate të dhënë në REL, ku Haziri theksoi se LDK po kërkon postin e presidentit në kuadër të negociatave politike, ku si emra të mundshëm ka përmendur kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku dhe vetën.

    “Në rast se ky emër është Lumiri Abdixhiku, kryetar i partisë ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë”, theksoi Haziri më herët.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër. Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një gruaje të dyshuar për vjedhje

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një gruaje të dyshuar për vjedhje

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Policia ka publikuar fotografinë e gruas së dyshuar dhe ka bërë apel që kushdo që posedon informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij, të kontaktojë autoritetet.

    Qytetarët mund të lajmërojnë Policinë e Kosovës përmes numrit të telefonit 192 ose përmes adresës elektronike [email protected].