ATV

Category: Lajme

  • Kurti po pret që Bislimi ta njoftojë se çka bisedoi në Bruksel, sërish i përmend kërkesat karshi Serbisë

    Kurti po pret që Bislimi ta njoftojë se çka bisedoi në Bruksel, sërish i përmend kërkesat karshi Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për media tha se po pret që të njoftohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi, se çka është diskutuar në Bruksel, raporton EO.

    Kreu i Qeverisë, ka ripërsëritu edhe një herë kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike dorëzimin e Milan Rajdojiçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe tërheqjen e letrës të ish-kryeministres Bërnabiq.

    “Duhet të presim se çka do të na njoftoj prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator”.

    “Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin e Milan Rajdojiçiq dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës të ish-kryeministres Bërnabiq kur para BE e 27 shteteve anëtare në Bruksel në mes dhjetorin e të viti të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës”.

    “Kjo është e pa pranueshme që integriteti territorial të mos respektohet”, ka thënë ai.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen më 24 tetor në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

    Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Më pas, ai nisi takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.

    Lidhur me këtë takim në nivel kryenegociatorësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se temë do të jetë Marrëveshja e Ohrit.

  • Të paktën 17 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

    Të paktën 17 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

    Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle, ku po strehohen personat e zhvendosur në Gazën qendrore, la të vrarë të paktën 17 persona, shumica gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë më 24 tetor.

    Edhe 42 persona u plagosën gjatë sulmit në kampin e refugjatëve në Nuseriat, sipas spitalit Avda, që ka pranuar të plagosurit.

    Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në mesin e të vrarëve ishin shtatë fëmijë – më i vogli 11 muajsh – si dhe tri gra.

    Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë sulm.

    Muajve të fundit, Izraeli ka sulmuar disa shkolla, të shndërruara në strehimore, duke thënë se shënjestron luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që fshihen në mesin e civilëve. Nga këto sulme shpesh vriten gra dhe fëmijë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë pengë afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk tregon se sa nga viktimat ishin luftëtarë, por thotë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, pa ofruar dëshmi për këtë pretendim.

    Si pasojë e luftës, afër 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë zhvendosur disa herë. Qindra mijëra persona janë të strehuar në kampe me tenda./REL/

  • Abazi: Deputetët e LV-së s’po guxojnë të vijnë në Kuvend, kjo është çmenduri

    Abazi: Deputetët e LV-së s’po guxojnë të vijnë në Kuvend, kjo është çmenduri

    Deputeti i pavarur, Haki Abazi tha se ka tendencë për ngulfatej të demokracisë, ndërsa komentoi mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Ai tha se “ideja për ta zhbërë demokracinë është pikërisht kjo mendësia kur deputetët nuk guxojnë me ardhë me u ulë në vendet e tyre”, raporton Ekonomia Online.

    Abazi i falënderoi deputetet Doarsa Kica e Drita Millaku, të cilat nga grupi parlamentar i LVV-së kaluan në LDK.

    “Unë po dua t’i falënderojë publikisht Drita Millakun, Doarsa Kicën e deputetëve tjerë të cilët e kanë kuptu dhe nuk iu kanë nënshtruar diktatit dhe idesë që nuk guxon me debatu në demokraci për çështje të interesit publik. Ky është paradoks. Kjo është çmenduri”, tha ai.

  • Kurti pas takimit me Barduanin: Qeveria, e gatshme për bashkëpunim me KFOR-in

    Kurti pas takimit me Barduanin: Qeveria, e gatshme për bashkëpunim me KFOR-in

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduanin.

    Kurti i uroi mirëseardhje Barduanit, teksa shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të afërt mes qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it.

    “Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës. Kryeministri falënderoi KFOR-in për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Barduani është oficeri i 14-të italian që merr komandën dhe do të jetë komandanti i 29-të i KFOR-it. Ai e mori komandën më 11 tetor të këtij viti.

    Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

  • Arben Gashi kërkon hetime të thelluara për ndërhyrjet e Dejona Mihalit në KEK

    Arben Gashi kërkon hetime të thelluara për ndërhyrjet e Dejona Mihalit në KEK

    Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës foli i pari në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet lidhur me “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

    Ai përmendi “skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK”, “shitblerjen e energjisë elektrike” që tha se “ka ngritur shqetësime të mëdha”.

    “Raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme që kanë dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës”, tha Gashi.

    Gashi përmendi koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvenosje, Dejona Mihali, për të cilën kërkoi “hetim të plotë”, për rolin e saj dhe ndikimin në KEK.

    “Një çështje tjetër që duhet të diskutohet dhe për të cilën Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë qëndrimin e vet është përfshirja e personit të quajtur Dejona Mihali dhe ndërhyrjet e paligjshme në KEK, përfshirë punësimet e paligjshme”, tha ai.

    Gashi propozoi një rezolutë që përfshin kërkesën që “organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik”.

    “Kuvendi nga Qeveria që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike gjatë periudhës 2001-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin financiar në financat publike”, tha ai.

    Gashi tha se Mihali “ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në menaxhimin e KEK-ut duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe duke shkaktuar një valë punësimesh të jashtëligjshme për të cilat ka kallëzim penal nga Lidhja Demokratike e Kosovës”.

  • NATO për Reuters: Jemi shumë të vendosur kundër hapjes së njëanshme të Urës së Ibrit

    NATO për Reuters: Jemi shumë të vendosur kundër hapjes së njëanshme të Urës së Ibrit

    Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër u bë temë diskutimi para disa muajsh, për çka qeveria kërkonte hapjen e saj të menjëhershme.

    Për hapjen e saj, institucionet e vendit ndërmorën edhe një veprim për të testuar qëndrueshmërinë e saj për kalim të automjeteve. Raporti më pas konstatoi se ura është e sigurt.

    Por, këtë insistim të qeverisë nuk e përkrahën partnerët perëndimorë të Kosovës.

    ShBA, BE por edhe shtetet tjera veç e veç e konsideruan si të rrezikshme hapjen e saj në këtë kohë, veprim i cili thanë se mund të rrezikojë trupat e KFOR-it.

    Në Kosovë madje qëndroi edhe shefi i CIA-s, Willim Burns.

    Burime të agjencisë së lajmeve “Reuters” thanë se edhe ky i kishte kërkuar Kurtit kujdes me këtë çështje.

    Po ashtu, edhe nga NATO i kanë thënë kësaj agjencie lajmesh se janë kundër hapjes së njëanshme të urës.

    “Jemi shumë të vendosur kundër një veprimi të njëanshëm për të hapur urën”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Reuters. “Nuk duam të nxisim ndonjë lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”.

    Kurti ndërkaq ka thënë se rihapja e urës do të bashkojë një komunitet të ndarë. Në një intervistë me Reuters ai tha se Beogradi dëshironte ta mbante urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

    “Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti për “Reuters”.

  • Ukraina rrëzon dhjetëra dronë të Rusisë

    Ukraina rrëzon dhjetëra dronë të Rusisë

    Mbrojtja ukrainase ka rrëzuar 40 nga 50 dronët që lëshoi Rusia ndaj 11 rajoneve ukrainase mëngjesin e 24 tetorit.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se shtatë dronë rusë u rrëzuan për shkak se paktën telashe me sistemin e tyre të navigimit.

    Drontë u rrëzuan në rajonet e Odesës, Mikolajivit, Dnipropetrovskit, Vinitsjas, Zhitomirit, Kmelnitskit, Çerkasit, Kirovoradit, Kievit, Poltavës dhe Çernihivit, teksa forcat ajrore shtuan se një dron mbeti në hapësirën ajrore ukrainase, ndërkaq dy të tjerë u larguan në drejtim të Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Ushtria ukrainase, ndërkaq, njoftoi se Rusia ka gjuajtur dy raketa precize dhe dy raketa lundruese, duke pretenduar se raketat nuk goditën në caqe.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe që atëherë sulmon rajonet ukrainase me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë dhe raketa./REL

  • Franca me ndihmë për Libanin në vlerë prej 100 milionë eurosh

    Franca me ndihmë për Libanin në vlerë prej 100 milionë eurosh

    Franca do t’i japë Libanit një paketë të ndihmës në vlerë prej 100 milionë eurosh, bëri të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një konference ndërkombëtare në Paris më 24 tetor.

    Macron tha se “është e nevojshme që ndihma masive e menjëhershme për popullin libanez, si për qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga lufta, por edhe për komunitetet që po i strehojnë”.

    Lufta mes Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike libaneze – dhe Izraelit ka detyruar 1 milion persona të zhvendosen në Liban.

    Si pasojë e luftimeve, më shumë se 2.500 persona janë vrarë dhe është thelluar kriza ekonomike në Liban.

    Organizatorët francezë të konferencës ndërkombëtare kanë thënë se shpresojnë që pjesëmarrësit të zotohen për ndihmë humanitare që do të arrijë shifrën prej 426 milionë dollarësh, që sipas Kombeve të Bashkuara, i duhen urgjentisht Libanit.

    Parisi po ashtu ka thënë se dëshiron të ndihmojë në rivendosjen e sovranitetit në Liban dhe forcimit të institucioneve të këtij shteti.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.

    Tensionet u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji, me Izraelin që kryen sulme ajrore në mbarë Libanin dhe ka nisur një operacion tokësor në jug të këtij shteti, ku ka prani të Hezbollahut.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./REL/

  • Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

    Në komunikatën e KFOR-it për këtë takim thuhet se Barduani i ka thënë Kurtit se mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja si platformë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

    “Komandanti i KFOR-it nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Ai përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke shtuar se kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, tha KFOR.

    KFOR-i thotë se Barduani në takim me Kurtin vuri në dukje gjithashtu “angazhimin e tij të palëkundur” për të promovuar unitetin me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”.

    “Kjo është ajo që do të mbështesë të gjitha përpjekjet e mia dhe të gjitha aktivitetet e përditshme të KFOR-it, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it “UNITAS OMNIA VINCIT”, tha ai.

    KFOR-i përsëriti se vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), “respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

  • “Diskriminuese”, ilaçi i imunoterapisë nuk jepet falas për të gjithë

    “Diskriminuese”, ilaçi i imunoterapisë nuk jepet falas për të gjithë

    Disa pacientë të prekur me lloje të ndryshme të kancerit detyrohen ta sigurojnë vet ilaçin e imunoterapisë Keytruda – Pembrolizumab. Ky medikament, i cili është pjesë e listës së barnave esenciale, në Kosovë jepet falas vetëm për pacientët e prekur me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

    Kjo ishte përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) me përditësimin e listës së barnave esenciale, në vitin 2023.

    Këtë vendim, ministria e arsyeton duke thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Pembrolizumabin e ka vlerësuar me efikasitet vetëm për një lloj kanceri.

    Por, nga kjo ministri gjithashtu, thonë se edhe mundësitë buxhetore e kufizojnë dhënien falas – për çdo lloj të kancerit – të këtij medikamenti.

    “Mundësitë buxhetore janë të tilla që nuk mund t’i aprovojmë këta barna të shtrenjta për çdo lloj të kancerit. Përzgjedhja e produkteve bëhet duke u bazuar [dhe jo vetëm] në gamën e efikasitetit të këtyre barnave [do të thotë jo vetëm a është efikas bari por edhe sa është magnituda e efikasitetit] te kanceri i caktuar dhe kosto-efikasitetin në kushtet e Kosovës. Sipas listës model të OBSH-së, e përgatitur nga ekspertët më eminentë të fushës, pembrolizumab është i aprovuar vetëm për një lloj të kancerit, ku edhe e ka treguar efikasitetin më të lartë. Fatkeqësisht, e njëjta gamë e efikasitetit nuk vërehet edhe te disa [lloje të] kancer të tjerë. Kjo është arsyeja pse në listën model të OBSH-së janë refuzuar edhe aplikacionet për imunoterapitë dhe target terapinë tjetër përveç pembrolizumabit [siç është rasti me atezolizumab, cemiplimab, palbociklib]”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë që ky ilaç, i cili mban kosto të lartë të blerjes, në një periudhë afatshkurtër t’u ofrohet edhe pacientëve të prekur me lloje të tjera të kancerit.

    “Komiteti Kyç për përpilimin e LBE [Listës Esenciale të Barnave] është përgatitur që në çdo revidim të radhës, në rast se plotësohen kushtet, të bëjë intervenime me barna të rinj. Komiteti Kyç ka pasur përkrahjen e plotë të ministrit të MSH-së dhe SHSKUK-së në këtë drejtim, dhe jemi të bindur që në një periudhë afatshkurtër do të kemi lajme të mira në këtë drejtim”, thuhet po ashtu në përgjigjen e MSH-së dhënë KosovaPress-it.

    Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi pranon se nga revidimi i fundit i bërë për listën e barnave esenciale është vendosur që Pembrolizumab të jepet vetëm për pacientët që janë të diagnostikuar me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

    “Me revidimin e para një vit e gjysmë, indikacionet për imunoterapi të përcaktuara për dhënien e këtyre ilaçeve për pacientë, është marr vendim dhe është futur në listë esenciale të merren për rastet që kanë kancer të mushkërive me disa karakteristika të veçanta për tumoret me qeliza të mëdha dhe të cilët kanë testim për PDL1 dhe tumoret e lëkurës, konkretisht për melanoma dhe tumor të veshkave si linjë e dytë e trajtimit nëse i plotëson konditat”, theksoi ai.

    Kurtishi thotë se pacientët e tjerë të prekur nga lloje të tjera të kancerit të cilëve u përshkruhet ky ilaç nga specialistët onkologjikë, duhet ta sigurojnë këtë bari.

    “Jo vetëm atë [Pembrolizumab], por kanë edhe disa barna që pacientët i sigurojnë vetë të cilët nuk janë në listë esenciale qoftë për kancer të mëlçisë, kancer të gjirit, të mushkërive disa forma tabletare apo forma të veçanta që kanë impakt në shëndetin e tyre dhe shpresojmë t’i kemi në listë esenciale dhe pacientët t’i marrin tek ne”, theksoi ai.

    Ky dallim po konsiderohet diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

    Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për KosovaPress se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë marrin trajtime sipas nevojave të tyre.

    “Absolutisht është diskriminuese dhe e papranueshme që imunoterapia apo terapi të tjera të ndahen për kategori të caktuara dhe të mos ndahen për të gjitha kategoritë. Për neve është e papranueshme dhe në njëjtën kohë diskriminuese që pacientët të përjashtohen nga tretmanet të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për gjendjen e tyre shëndetësore. Për neve si monitorues të të drejtave të njeriut është e domosdoshme dhe patjetër e rëndësisë të parë që të gjithë personat, pavarësisht sëmundjeve, të marrin tretmanin në raport me gjendjen dhe diagnozën që ata kanë. Për neve nuk është me rëndësi a është e përcaktuar në listën esenciale qoftë një bari ose një trajtim. Për neve është absolutisht me rëndësi që të gjithë ata të trajtohen në bazë të specifikave që ata kanë“, thotë Demolli.

    Edhe anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu i konsideron diskriminuese këto dallime.

    “Terapia është për të përmirësuar shëndetin dhe nuk duhet të ketë diskriminim nëse mjekët onkologë parashohin që pacientit duhet t’i jepet imunoterapia, atëherë këtë nuk mund t’ia ndaloj Ministria e Shëndetësisë, është në kundërshtim me të drejtat e pacientit, gjithmonë beteja bëhet për të shpëtuar jetën, mirëpo edhe për të përmirësuar shëndetin e pacientëve këtë rast ky kufizim të cilin e ka bërë Ministria e Shëndetësisë është në kundërshtim me ligjin e shëndetësisë dhe të drejtat e pacientëve”, thotë Haxhiu.

    Në Kosovë, aplikimi i imunoterapisë kundër kancerit ka nisur në vitin 2021. Bëhet fjalë për një trajtim të sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.

    Sipas Klinikës së Onkologjisë vetëm këtë vit në Kosovë janë identifikuar mbi 1 mijë raste të reja me kancer./KP