ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria kërkon dënimin e Bedri Krasniqit për kanosjen ndaj Shkumbin Mehmetit

    Prokuroria kërkon dënimin e Bedri Krasniqit për kanosjen ndaj Shkumbin Mehmetit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Bedri Krasniqi sërish u paraqit në gjykatë.

    Kësaj radhe, në seancën e fjalës përfundimtare, për rastin në të cilin akuzohet për një kanosje që daton nga prilli i 2019-ës.

    Krasniqi akuzohet se e kanosi Shkumbin Mehmetin me të cilin po transportoheshin nga burgu drejt Gjykatës së Prishtinës, me të njëjtin mjet të shërbimit korrektues.

    “Gjatë transportit, i është drejtuar Shkumbinit me fjalët “si e ke familjen? Djali t’i ka bë katër vjet. Është mirë të kujdesesh për familjen!”, tha prokurorja e Shtetit, Ardiana Veseli.

    Krasniqi pretendon se në atë takim, nuk e kanosi fare Mehmetajn.

    “Nuk ka qenë kanosje. Unë kisha dashtë të jem i bukur si Blero, por nuk jam. Vetë e kam çehren e rëndë”, tha Bedri Krasniqi, i akuzuar për kanosje.

    Megjithatë, prokurorja e shtetit kërkoi dënim për të akuzuarin.

    Por, për Krasniqin që mbi supe ka shumë vite burgim për të tjera vepra, nuk ka fare rëndësi nëse dënohet apo lirohet nga akuza.

    “Nuk do të ankohem fare. Është dënim i vogël. Nëse dënohem e dua vendimin sa më shpejt. Nëse lirohem, faleminderit”, tha Krasniqi.

    Seanca më pas u mbyll, ndërsa vendimi për të do të shpallet të hënën.

    Por, pavarësisht epilogut të këtij rasti, Krasniqi do të qëndrojë prapa grilave edhe për dhjet vitet e ardhshme, meqenëse vazhdon ta vuajë dënimin për vrasjen e dy policëve në vitin 2003.

  • Punëtorët e KEK-ut në protestë, kërkojnë rritje pagash

    Punëtorët e KEK-ut në protestë, kërkojnë rritje pagash

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Rritje të pagave, pagesë të rrezikshmërisë dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime, kërkuan dhjetëra punëtorë të KEK-ut në protestën para zyrave të kësaj Korporate në kryeqytet.

    Kryetari i Sindikatës së re në KEK, Nexhat Llumnica, i ka bërë thirrje menaxhmentit që të ndërmarrë veprime për plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën ai tha se nuk do të ndalen së protestuari deri në arritjen e qëllimeve për të drejtat e punëtorëve.

    “Kemi kërkuar ngritjen e pagave, sepse nga viti 2018 e deri më tani, inflacioni është mbi 30 për qind, kurse pagat janë ngritur vetëm me 70 euro. Kemi kërkuar ngritjen e pagave për arsye se tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar, nuk ka punëtor në vend, po flas për punëtor, jo për ata të cilët paguhen prej nesh, që paguhet më lirë se punëtori i KEK-ut”, tha Llumnica.

    Llumnica tha se paga më e lartë e punëtorëve të KEK-ut, duke mos përfshirë menaxhmentin është 983 euro, që, sipas tij, është e vogël kur krahasohet më sektorin privat.

    Protesta e sindikatë së re të KEK-ut, u mbështet edhe nga Sindikatat e tjera të punëtorëve.

    “Jam këtu për të shprehur solidaritet me ju për kërkesat e drejta, legjitime, për të cilat menaxhmenti i juaj nuk është duke i përmbushur obligimet ligjore”, tha kryetari i Federatës Sindikale të “Trepçës”, Ibrahim Januzi.

    Sipas Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, bordi i KEK-ut ka afat deri në fillim të muajit nëntor për realizimin e kërkesave të tyre, ndryshe deklarojnë se do të vazhdojnë me greva ose protesta.

  • Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa praninë e deputetëve të pushtetit, me përjashtim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në një seancë të jashtëzakonshme, opozita mbajti debat e shtroi pyetje pa përgjigje “për skandalet dhe keqmenaxhimin në KEK”.

    Me nismë të LDK-së, partitë opozitare propozuan një rezolutë, që nuk u hodh fare në votim në mungesë kuorumi.
    Krahas vazhdimit të hetimeve nga Prokuroria, sipas propozim-rezolutës 7-pikëshe, kërkohet, transparencë, emërim të bordit të ri të pavarur të ndërmarrjes dhe raportim periodik tre-mujor për masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes.

    Ndërsa, hetim i veçantë u kërkua në raport me anëtaren e LV-së, Dejona Mihali.

    “Personi i quajtur Dejona Mihali me titullin koordinatore e LV-së, ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në menaxhimin e KEK-ut, duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe duke shkaktuar një valë të punësimeve të jashtëligjshme”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Pasi tha se LV-ja është duke e menaxhuar KEK-un nga prilli i vitit 2020, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi hetime për kontratat njëburimore që arrijnë vlerën 105 milionë euro, e po ashtu për procesin e shpronësimeve.

    “Edhe 16 milionë euro shtesë për shpronësime për shkak se deputetit tonë, kolegut tonë nga LV-ja duhet me iu shpronësu prona rreth 1.6 hektarë. Abuzimet në KEK janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Krahas ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, deputeti LDK-së, Driton Selmanaj, tha se hetime duhet të ketë dhe ndaj kreut të Qeverisë, që, sipas tij, po i mbron abuzuesit e parasë publike.

    “LDK-ja është e bindur që përtej zotëri Nagip Krasniqit, duhen zgjeruar hetimet. Hetimet duhet të shkojnë përtej, duhet parë edhe niveli politik i përgjegjësisë, ministrja Rizvanolli, zonja Dejona Mihali deri tek Albin Kurti. Ne e kemi parë në komunikimet që ky person, Dejona Mihali, del të jetë personi më i fuqishëm në Kosovë pas kryeministrit”, tha Selmanaj.

    Pyetje për kryeministrin pati, kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ndërkaq akuzoi pushtetin se po ikën, pasi, siç shprehimisht tha ai, “nuk po ua mban”.

    “Duhesh me na kallëzu pak se dilshe folshe, filterat, bojlerat, bojlerat, filterat, s’të merrke vesh kush çka po thu. Hajde tregona tash çka ndodhi me këshilltarin tënd, tash ambasador, Martinin, se dilshe në fotografi, na lodhshe. A i përgjegjësi? Dhe në fund a do të jep dorëheqje, me bo me dalë komunikimet tua të drejtpërdrejta, të cilat tregojnë se ke qenë në dijeni për shumë çështje të menaxhimit të KEK-ut”, tha Tahiri.

    Kjo ishte përpjekja e katërt e opozitës për mbajtjen e një seance të Kuvendit, e cila dështon për shkak të bojkotit nga pushteti.

  • RrGK shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e punëtoreve teknike greviste

    RrGK shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e punëtoreve teknike greviste

    Rrjeti i Grave të Kosovës sërish shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e punëtoreve teknike greviste, ku dje, ditë e mërkurë, njëra prej tyre, sipas kryetarit të Federatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, është shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    RrGK thotë se sipas raportimeve, ajo ka pësuar një presion të madh psikologjik dhe po vazhdon edhe sot tretmanin.

    “Pavarësisht reagimeve tona të shumta, përfshirë edhe një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit për të trajtuar këtë çështje që për ne është shumë e rëndësishme madje edhe urgjente, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim, për më tepër, as nuk ka pasur ndonjë reagim institucional”.

    “Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdon me këmbëngulje të bëjë thirrje për një zgjidhje të MENJËHERSHME, në mënyrë që të mos ketë më situata të tilla ku punëtoret që janë në grevë që 38 ditë, të vuajnë pasoja të rënda”.

    “Ne jemi të vetëdijshme se këto punëtore janë të kontraktuara nga një kompani private, por duhet theksuar faktin se ato e ushtrojnë profesionin e tyre brenda Kuvendit të Kosovës, që është institucion shtetëror. Vetë ky institucion ka kontraktuar një kompani private, e cila duket qartë se nuk i trajton punëtoret me dinjitet dhe sipas standardeve të kërkuara. Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet më”, thuhet në njoftim.

  • Shtyu një femër dhe tentoi t’i sulmojë dy meshkuj, arrestohet i dyshuari

    Shtyu një femër dhe tentoi t’i sulmojë dy meshkuj, arrestohet i dyshuari

    Policia në Suharekë ka arrestuar një person i cili e ka shtyrë viktimën femër, e po ashtu i njëjti i ka fyer dhe ka tentuar t’i sulmojë dhe dy viktima meshkuj.

    Organet e rendit bëjnë të ditur se me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi

    Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi

    Për shkak të mungesës së zyrtarit të ATK-së, Shaqir Merovci, është shtyrë gjykimi i caktuar për këtë të enjte, në rastin ku për krim të organizuar dhe shmangie nga tatimi po akuzohen Shaqir Merovci, Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli.

    Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, njoftoi palët se dëshmitari Merovci kishte informuar gjykatën se nuk mund të paraqitej për të dëshmuar, pasi ishte suspenduar nga puna dhe kishte frikë se prezenca e tij mund të përbënte shkelje ligjore.

    Megjithatë, gjykatësi sqaroi se ky pretendim nuk qëndron dhe nuk përbën shkelje ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi Kurtaj njoftoi seanca e radhës do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Merovci dhe dëshmitarëve të tjerë.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, më 25 shkurt 2014, ngriti aktakuzë kundër të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh.M., Naman Pacolli dhe M.G., të cilët akuzohen për veprat penale “Krim i organizuar” sipas nenit 274, paragrafi 1, lidhur me paragrafët 2 dhe 3 të Kodit Penal, “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 249, paragrafët 1 dhe 2 të KPK-së, “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” sipas nenit 236, paragrafët 1 dhe 2 të KPPK-së dhe “Shpërlarje e parave” sipas nenit 32, paragrafët 2.1 dhe 2.3 të LPSHPFT-së.

    Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2007-2011, i akuzuari Lorik Jashari, si drejtues i grupit të organizuar kriminal, ndihmoi në regjistrimin e biznesit “Flaka Com” në emër të Mustafës. Ndërsa për Xh.M. u regjistrua biznesi “Loni Com”, dhe për M.G. biznesi “Yllka Com”.

    Prokuroria po pretendon se regjistrimi i këtyre bizneseve u bë me qëllim që të përfshiheshin në aktivitete kriminale, duke përpiluar fatura fiktive për shitblerje të mallrave, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për një shumë prej 198 mijë e 707 euro e 17 centë. Aty thuhet se Jashari duke pasur aftësi profesionale për kontabilitet, i ka udhëzuar të pandehurit tjerë fillimisht si të hapet biznesi e pastaj si të veprohet, duke i mësuar me aktivitet kriminal në detaje. Më pas, i akuzuari Jashari u kujdes të sigurojë partnerë afarist shitblerës fiktiv.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, Jashari ndihmoi bizneset e tjera të regjistruara për qëllime kriminale, duke përgatitur në kompjuterin e tij personal fatura fiktive për shitjen dhe blerjen e mallrave. Ai përgatiti 42 fatura fiktive në vlerë prej 368 mijë e 783 euro e 36 centë. Për këtë aktivitetet, i pandehuri Jashari thuhet se përfitoi mjete financiare në vlera të mëdha, nga të cilat ka ndërtuar objekt të lartë afaristo-banesor.

    Pastaj, thuhet se nën udhëheqjen e Jasharit janë bërë transfere të shumta të mjeteve financiare mes bizneseve të tyre, duke shkuar në formë rrethore në mënyrë që të humbin gjurmët e rrjedhjes së parave, e po ashtu janë bërë pagesa të shumta në emër të Lorik Jasharit.

    Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” nga neni 274, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal, e në raport me të pandehurin Jashari neni 274, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal lidhur me veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 249, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi” nga neni 236, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Lorik Jashari në vitin 2008, si pronar i kompanisë “Lori”, ndryshoi emrin e saj në “Lorlan” SH.P.K., por që aktivitetin nuk e ka ndërruar përmes këtyre kompanive, por përmes xhirollogarive të tij private. Prokuroria gjithashtu pretendon se ai pranoi para nga të ardhurat e bizneseve fiktive “Flaka Com”, “Loni Com”, “Cini Commerce”, si dhe nga deponimet ‘cash’ me një vlerë prej 678 mijë e 292 euro e 58 centë, si dhe të ardhurat nga shitblerja e banesave në vlerë 324 mijë e 510 euro. Kështu, thuhet se buxheti i shtetit u dëmtua për 149 mijë e 44 euro e 10 centë.

    Po ashtu, Jashari akuzohet se ka ndihmuar bizneset tjera që janë regjistruar me qëllim të aktivitetit kriminal “Yllka Com”, “Flaka Com” dhe “Loni Kom”, duke përgatitur fatura fiktive për shitblerje të mallit- për biznesin “Loni Com” në vlerë 48 mijë e 769 euro e 5 centë, “Flaka Com” 285 mijë e 345 euro e 55 centë dhe “Yllka Com” 34 mijë e 668 euro e 76 centë. Gjithsej u përgatitën 42 fatura fiktive në vlerë 368 mijë e 783 euro e 36 centë.

    Sipas aktakuzës, Lorik Jashari akuzohet për shpëlarje të parave të fituara përmes aktiviteteve të mësipërme, pasi duke e ditur se ato mjete financiare janë përfituar me aktivitet kriminal, me qëllim të fshehjes dhe maskimit të natyrës së burimit të tyre, ka filluar dhe ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh me vlerë rreth 490 mijë euro. Për këtë arsye, ai akuzohet edhe për veprën penale “Shpëlarje e parave” sipas nenit 32, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.3 të LPSHPFT-së.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kadri Mustafa nga 18 janari 2007 deri më 31 dhjetor 2011 në cilësinë e pronarit/menaxherit të “Flaka Com”, me qëllim të shmangies nga tatimi, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat e veta apo nuk i përfshin informatat lidhur me të ardhurat e tij, gjendjen ekonomike e të tjera, duke mos i deklaruar të hyrat nga aktiviteti i biznesit në librin e shitblerjes, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 4 mijë e 642 euro e 66 centë.

    Po ashtu, Mustafa akuzohet se përmes biznesit “Flaka Com” u ka lëshuar fatura fiktive të shitblerjes partnerëve afaristë në vlerë 6 milionë e 882 mijë e 435 euro e 82 centë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 68 mijë e 824 euro e 36 centë dhe në emër të kostos-shpenzimeve fiktive shumën prej 242 mijë e 81 euro e 68 centë. Në bazë të faturave fiktive, thuhet se fitoi 68 mijë e 824 euro e 36 centë.

    I pandehuri Xh.M., akuzohej se nga 20 nëntori 2007 deri më 31 dhjetor 2011 në cilësinë e pronarit/menaxherit të biznesit “Loni Com” iu shmang tatimit duke dhënë të dhëna të pavërteta për të ardhurat e veta, kështu duke mos i deklaruar të hyrat nga aktiviteti i biznesit dhe iu shmang tatimit në vlerë 41 mijë e 639 euro e 97 centë. Në total, thuhet se 524 mijë e 472 euro e 75 centë përbënin shitje nga faturat fiktive, të cilat nuk kishin hyrje.

    Kurse, i akuzuari Naman Pacolli akuzohet se për faturat fiktive të lëshuara ka realizuar të hyra të kundërligjshme, duke fituar kështu 21 mijë e 494 euro e 78 centë. Gjatë kësaj faze inkriminuese, thuhet se i akuzuari ka importuar në vlerë mbi dy milionë euro, për të cilat importe figuron të jetë borxh në ATK në vlerë prej 193 mijë e 234 euro e 62 centë. Këto aktivitete kriminale, aktakuza thotë se Pacolli i ka kryer në bashkëveprim me të pandehurin Kadri Mustafa.

    I pandehuri M.G, akuzohej se nga 19 dhjetori 2007 deri më 31 dhjetor 2021 në cilësinë e pronarit/menaxherit të biznesit “Yllka Com”, me qëllim të shmangies nga tatimi, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat e tij, duke iu shmangur tatimit në vlerë 1 mijë e 230 euro e 96 centë. Po ashtu, akuzohej se ka lëshuar fatura fiktive të shitblerjes për pronarët afaristë në vlerë 1 milion e 788 mijë e 995 euro e 6 centë, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 112 mijë e 913 euro e 44 centë, e në emër të kostos-shpenzimeve fiktive në shumë prej 98 mijë e 293 euro e 43 centë.

    Sipas aktakuzës, në bazë të faturave fiktive mbi shitblerjen, ka fituar 17 mijë e 889 euro e 95 centë. M.G., thuhet se kishte autorizuar të pandehurin Kadri Mustafa t’i ndërmarrë të gjitha veprimet administrativo-juridike, kurse i pandehuri Lorik Jashari kishte përgatitur faturat fiktive në vlerë 34 mijë e 668 euro e 76 centë.

    Më 3 mars 2014, Prokuroria Themelore e Prishtinës plotësoi aktakuzën, duke përfshirë pikat 9 dhe 10, sipas të cilave të pandehurit Naman Pacolli i është ndërprerë masa e paraburgimit.

    Pacolli akuzohet për veprat penale “Krim i organizuar” sipas nenit 274, paragrafi 1, lidhur me paragrafët 2 dhe 3, dhe “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 249, paragrafët 1 dhe 2 të KPK-së. Sipas plotësimit të aktakuzës, gjatë fazës së hetimeve nuk u vërtetua se Pacolli ishte përfshirë në veprën penale “Krim i organizuar”.

    Ndaj të akuzuarve Xh.M. dhe M.G., procedura është pushuar pasi ata kanë ndërruar jetë.

  • Prokuroria kërkon dënimin e Bedri Krasniqit për kanosjen ndaj Shkumbin Mehmetit

    Prokuroria kërkon dënimin e Bedri Krasniqit për kanosjen ndaj Shkumbin Mehmetit

    Prokurorja Ardiana Veseli gjatë fjalës përfundimtare kërkoi dënimin e të akuzuarit Bedri Krasniqi për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, ndërkaq vetë Krasniqi tha se do ta pranojë vendimin e Gjykatës sido që ajo të vendosë.

    Paraprakisht, prokurorja Veseli dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe shkurtimisht e elaboroi të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjithashtu, prokurorja tha se nga vetë i dëmtuari Mehmeti përmes deklaratës së dhënë në gjykatë, është thënë se çdo fjalë e thënë nga i akuzuari Krasniqi dikën kritike i ka tingëlluar si kërcënuese.

    Ndërkaq, Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare tha se sido që të vlerësojë gjykata, do ta pranojë atë vendim dhe se ndaj tij nuk do të ushtrojë ankesë.

    Po ashtu, Krasniqi tha se nga fytyra mund të duket i vrazhdë dhe se do të donte të ishte i bukur si këngëtari Blero.

    “E vërtetë, kam qëllu pak i ashpër dhe i vrazhdë prej fytyrës po unë nuk i kam fajet. Edhe unë kisha pas qejf me kanë i bukur si Blero ndoshta po s’jam”, tha Krasniqi.

    I akuzuari Krasniqi, në fjalën përfundimtare përmendi edhe trajnerin e futbollit Faruk Statovci, mirëpo gjykatësi i rastit, Sabit Krasniqi kërkoi që i njëjti të fokusohet në procedurën penale dhe të sqarojë se si e ndjen veten.

    “Mendoj se në këtë rast s’ka prova dhe për shkak të sulmeve mbi dy dekada që i kam prej linçimit politik që m’u ka ba, Prokuroria nuk heziton me më akuzu. Në raste të barabarta një person tjetër do ishte akuzu, po megjithatë s’kam kundër diçka Prokurorise pse më kanë akuzu. Mbi 20 vjet jam nonstop me aktakuza edhe pse jam kanë i dënuar, jam kanë nonstop me aktakuza rezerva”, tha Krasniqi.

    Më pas, Krasniqi tha se pavarësisht vendimit që do ta marrë Gjykata, ka respekt për gjykatësin dhe kërkoi që sa më shpejtë të jetë e mundur të përpilohet vendimi me shkrim

    Më pas, gjykatësi Sadikaj e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

    Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

    Me këtë, Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

  • ​Drecun flet për rekrutimin e serbëve në AKI: Po punojnë në dobi të shqiptarëve

    ​Drecun flet për rekrutimin e serbëve në AKI: Po punojnë në dobi të shqiptarëve

    Milovan Drecun, një gazetar dhe politikan serb, në një emision për mediat serbe, ka folur mbi zhvillimet në veri të Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës.

    Anëtari i Partisë Progresive Serbe, i cili ka qenë deputet në parlamentin serb qe nga viti 2012, ka thënë se “në të gjithë këtë, ajo që është duke ndodhur larg syve të publikut është prania e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës”.

    “Civile. Në ushtri është formuar një agjenci speciale dhe për mua këtu janë bashkuar shërbime të zbulimit dhe kundërzbulimit. Këtu kemi një shërbim, i cili është jashtëzakonisht aktiv në veri e i cili vepron (natyrisht në uniforma civile), por që kanë legjitimitet dhe kompetenca policore, dhe që kanë marrë pjesë në të gjitha veprimet ‘e njëanshme’ të ndërmarra nga Prishtina në veri të Kosovës, duke filluar prej arrestimeve, marrjeve në pyetje të njerëzve, krijimit të rrjetit të inteligjencës jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në “Serbinë qendrore”, dhe këtu është aktiv një grup prej 30 pjesëtarësh, të cilët janë të stacionuar në pjesën jugore të Mitrovicës, por që janë jashtëzakonisht të pranishëm”, ka thënë Drecun, i cili gjatë viteve 1990 punoi si korrespondent në transmetuesin shtetëror të njohur për politika kundër shqiptarëve – RTS.

    Drecun thotë se pjesë e AKI-së janë edhe pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët sipas tij, po rekrutohen nga shqiptarët.

    “Po shqiptarë, të cilët rekrutojnë njerëz dhe po rekrutojnë edhe serbët. Kemi serbë që arritën t’i fitojnë në anën e tyre dhe që të punojnë në dobi të tyre. Kjo është tragjike, por është e vërtetë. Pra kujtoni atë agjentin e ekspozuar të shërbimit inteligjent shqiptar dhe atë shërbimin inteligjent të Kosovës që po krijonte një rrjet këtu në Serbinë qendrore. Pra ky është vetëm një indikator se si ata veprojnë në territorin e “Serbisë qendrore” dhe në territorin e veriut të Kosovës. Pra, fatkeqësisht kemi edhe individë të nacionalitetit serb, të cilët për arsye të ndryshme janë të gatshëm të punojnë kundër interesave dhe sigurisë së popullit të vet”, ka thënë ai.

    Sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti “themeloi një strukturë të plotë shtetërore në veri të Kosovës nën udhëzimet e shërbimit inteligjent”.

    “E shihni, nuk do që ta dorëzojë pushtetin në katër komunat. Flet për atë se vetëm diku kah fundi i vitit të ardhshëm kur të mbahen zgjedhjet lokale…”, pohon Drecun, i njohur për qëndrime kundër Kosovës dhe politikave pro-kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

  • Fundjava e mbushur me derbi në Superligë

    Fundjava e mbushur me derbi në Superligë

    Xhiro e dhjetë e Superligës së Kosovës në futboll premton ndeshje spektakolare me përballje të fuqishme mes shumë pretendentëve për kreun e tabelës.

    Gjithçka nis të premten me duelin ndërmjet Feronikelit dhe Ferizajt që zhvillohet nga ora 13:0, raporton KosovaPress.

    Më tutje, të shtunën, kampioni dhe lideri aktual i tabelës, Ballkani, udhëton në Klinë për t’u ndeshur me Dukagjinin, derisa në të njëjtën ditë zhvillohet edhe derbi ndërmjet Gjilanit dhe Llapit në Gjilan.

    Të dielën Malisheva e pret Dritën, kurse Suhareka përballet me Prishtinën.

  • ​Guvernatori Ismaili takoi në Uashington shefin e FMN-së për Kosovë

    ​Guvernatori Ismaili takoi në Uashington shefin e FMN-së për Kosovë

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka takuar shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, David Amaglobeli, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, planin strategjik, funksionalizimin e strukturës së re organizative dhe reformat me qëllim të ngritjes së kapaciteteve.

    Po ashtu, i pari i BQK-së e informoi shefin e Misionit të FMN-së për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga dy programet e FMN-së Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF), si dhe nivelin e zbatimit te asistencave teknike.

    Palët diskutuan mbi bashkëpunimin dhe përgatitjet për Misionin e ri rishikues të Artikullit IV si dhe programeve aktuale që Republika e Kosovës ka të nënshkruara me FMN.

    Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) në Uashington, delegacioni i BQK-së do të ketë takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së dhe BB-së si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.