ATV

Category: Lajme

  • Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për temat e takimeve.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, kishte thënë se mbajtja e një takimi të përbashkët do të varej nga vullneti i palëve.

    Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.

    Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur ishte zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.

    Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel/

  • Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

    “Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, konfirmoi Gashi.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

  • Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim rezoluta e partive opozitare parlamentare për “ta përmirësuar” gjendjen në KEK.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rezoluta do të hidhet në votim kur do të ketë kuorum të mjaftueshëm.

    Me këtë përfundoi edhe seanca e jashtëzakonshme që u thirr nga LDK-ja për të diskutuar gjendjen në KEK.

    Në seancë sërish munguan deputetët e pushtetit.

     

  • ​Rritet numri i përfituesve nga skemat e pensioneve

    ​Rritet numri i përfituesve nga skemat e pensioneve

    Në muajin shtator 2024, krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar, kishte rritje të numrit të përfituesve nga skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me 14 për qind, skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara po ashtu me 13,7 për qind, skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike 8 për qind, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 5,9 për qind, përcjell KP.

    Po ashtu sipas publikimit të fundit të Agjencisës së Statistikave të Kosovës, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ka shënuar rritje me 4,7 për qind, skema e pensioneve bazike të moshës 3,1 për qind, skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 2 për qind, skema për veteranët e luftës 1,3 për qind dhe skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 0,2 për qind.

    Ndërkaq, në muajin shtator 2024, nga Pensionet e Trepçës kanë përfituar 1 mijw e 174 persona, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishin 1 mijë e 482 përfitues, vërehet një rënie prej 20,8 për qind.

    Kujtojmë, se Qeveria e Kosoves ka marrë vendim që prej muajt tetor të ketë rritje të pensioneve për disa kategori.

  • Qeveria e shoqëria civile të bëhen bashkë, për promovimin e bashkëpunimit ndëretnik e ndërtimin e paqes

    Qeveria e shoqëria civile të bëhen bashkë, për promovimin e bashkëpunimit ndëretnik e ndërtimin e paqes

    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) si pjesë e një projekt i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), ka organizuar panel diskutimi, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se kjo ngjarje synon të eksplorojnë se si Qeveria dhe shoqëria civile mund të bashkëpunojnë në mënyrë më efektive për të promovuar bashkëpunimin ndëretnik dhe ndërtimin e paqes në Kosovë.

    Paneli ka adresuar boshllëqet dhe mundësitë aktuale për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, duke kërkuar llogari dhe veprim nga institucionet publike.

    Drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli ka deklarua se dialogu i mirëfilltë ndëretnik nuk mund të përfshihet vetëm me shoqërinë civile, por me të gjithë akterët institucional.

    “Kjo është një nga temat e sigurisë, por ndërlidhet me fuqizim të bashkëpunimit ndëretnik të komuniteteve. Dialogu i mirëfilltë ndëretnik nuk mund të përfshihet vetëm me shoqërinë civile, por dhe me përfshirje e të gjithë akterëve. Shpeshherë dinamikat nacionale kanë penguar që këto zhvillime të mos jenë në qendër të vëmendjes. Me një angazhim të të gjithë akterëve dhe me një seriozitet më të madh të Qeverisë që do të mund të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë njerëzore në tavolinën e diskutimi”.

    Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Elizabeth Gowing, tha se në këto tre vjet Kosova ka pasur përfshirje të komuniteteve jo shumicë në të gjithë sferat e jetës.

    “Ka qenë mundësi e madhe për të parë por edhe çfarë janë rezultatet dhe çfarë është e nevojshme. Prej shoqërisë civile mendoj që duhet të shihet përtej projekteve, nuk është një projekt specifik për një projekt. E kisha cilësuar punësimi që ka qenë kërkuese në Kosovë, e sidomos e komuniteteve jo-shumicë”.

    “Kur ulesh në një tavolinë ditë për ditë për të bashkëpunuar e ke një qëllim të përbashkët. Mund të flas për disa iniciativa që kanë pasur suksese siç janë projekti për praktikë me pagesë për studentët. 16% e pjesëmarrësve janë prej komuniteteve jo shumicë, 12% janë serb. Njëjtë kemi bërë edhe në punësimin e institucioneve. Gjithashtu në sektorin publik kemi pasur 172 serb për policë. Ka interes prej komuniteteve”, ka thënë Gowing.

    Zëvendëskryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti ka theksuar suksesi arrihet vetëm kur lihen anash bindjet politike dhe bëhen bashkë të gjitha komunitet për të diskutuar dhe bashkëpunuar.

    “Njëri prej sukseseve ka qenë jetësimi i linjës së autobusit Prishtinë Graçanicë-Kishnicë. Që i bie ndërlidhje e komuniteteve, përveç që i ka shërbyer për jetën ditore, por ka shërbyer brenda janë takuar kanë biseduar”.

    “Një sfidë që është bërë sukses është se ata të rinjtë kanë harruar edhe përkatësinë e tyre etnike, është e rëndësishme që në të ardhmen të bëhen mekanizma që të takohen të rinjtë dhe të gjitha shtresat e komuniteteve në secilin komunë. Kur takohemi me kryetaren i takohem këta të rijnë të komuniteteve, kryetarja ua thotë në fillim takimit shpresoj që do të kaloni mirë siç kalojmë ne dhe më vjen mirë që i kanë lënë bindjen politike anash”.

    Drejtor ekzekutiv i organizatës, CASA, Miodrag Marinkoviq, ka potencuar se qëllimi është që të ketë bashkëpunim me të gjitha komunitete dhe të punohet në zhvillimin ekonomik dhe siguri, raporton EO.

    “Qëllimi ynë është ta promovojmë këtë aksion ta sigurojmë një jetë të pakicave dhe në këtë proces ne punojmë në disa fusha në zhvillimin ekonomik dhe siguri. Punojmë në këtë fushë në shumë nivele dhe me disa aktivitet të përfaqësojmë disa projekte të lirshme. Ne e kemi të rijnë dhe janë pak të frikësuar kanë jetuar në një sistem ku nuk janë lejuar mendimet”.

    “Atyre njerëzve t’iu ndihmohet dhe kjo është një aktivitet shumë i gjatë dhe organizata jonë është e fokusuar dhe po punojmë bashkë dhe mund të arrihet në disa rezultate. Serbët në jug dhe në veri ata nuk njohin infrastrukturë ligjorë të lidhen në disa organizata. Qëllimi ynë që qytetarëve tonë t’i mundësohet të rriten dhe të marrin disa qëndrime. Ne iu ndihmojmë atyre të arrijnë disa kushte dhe në mënyrë efikase të paraqesin problemet e veta”, ka thënë Marinkoviq.

  • Ibishi për viktimën e supozuar Stankoviq: Sulmoi pozicionet tona, prandaj u arrestua

    Ibishi për viktimën e supozuar Stankoviq: Sulmoi pozicionet tona, prandaj u arrestua

    Dëshmitari Nuredin Ibishi ka folur për arrestimin e një viktime pjesëmarrëse në këtë proces, e që quhet Milevan Stankoviq, për të cilin tha se i kishte sulmuar pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Potok.

    Madje në një rast, Ibishi e pyeti mbrojtësin e viktimave Simon Laws se kur një person i armatosur hyn në perimetrin e sigurisë çfarë duhet të bëhet me atë apo duhet ‘ta ledhatojnë’, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Fillimisht, Laws tha se Stankoviqi ka qenë roje pylli kur është ndaluar më 2 gusht 1998 dhe se Nuredin Ibishi ishte i pranishëm kur e kanë dërguar në ndalim, gjë e cila u pohua nga dëshmitari.

    Por, dëshmitari e quajti “gënjeshtër të pastër”, kur mbrojtës i viktimave tha se Ibishi dhe Stankoviqi ishin takuar në shtëpinë e vëllait të dëshmitarit pasi ata kishin marrëdhënie pune.

    “E kam taku të arrestuar dhe ai i ka sulmu pozicionet tona. Ai i ka sulmu pozicionet dhe nuk është njëjtë sikur në një situatë hipotetike; Ky objekt e ka perimetrin e sigurisë dhe nëse dikush hyn i armatosur në këtë perimetër, ai do të arrestohet, plus i armatosur si s’duhet të bëhet. Ka qenë me uniformë. Në situatë stresi të ushtarëve, a mund ta dinë a është uniformë e ushtrisë, policisë, paramilitarëve. Ai ka qenë me uniformë dhe ka qenë me armë në dorë. Çka tjetër duhet, duhet ta ledhatoj? Ai e ka pas një fat shumë që ka shpëtu”, tha Ibishi, kur iu kërkua që të shpjegojë situatën.

    Ibishi tha se Stankoviqi ishte arrestuar në mënyrë flagrante.

    “Ai nuk është sjellë, por personi ka sulmu pozicionet tona në Potok edhe i armatosur. Ai është arrestu në mënyrë flagrante dhe ka pas fatin që ka qenë një përmbajtje në reciprocitetin e përdorjes së armës”, tha Ibishi.

    Tutje, Laws tha se nuk kishte asgjë tjetër parasysh kur tha se ‘e sollën aty’. Tha se e kishte për faktin që ky person ishte arrestuar diku dhe ishte sjellë dhe se dëshmitari kishte qëlluar në atë vend.

    “Ai ka sulmu pozicionet tona. Duhet të kuptohemi e për ata po përpiqem të jem i kjartë. S’kemi shku ta arrestojmë atë, por ai na ka sulmu neve”, tha Ibishi.

    I pyetur se a qëndron fakti se ai nuk ishte i pranishëm kur Stankoviq u arrestua, por bazohet në atë që ushtarët kanë thënë që e kanë hasur në pyll dhe që e kishin arrestuar.

    “Jo. Ju po shtoni që kanë hasur, por unë e kam raportin prej eprorit të njësitit që ai i ka sulmu pozicionet edhe i arrestuar është sjellë. Ai është sjellë në Bajgorë kur unë në atë kohë kam qenë në stërvitje me një gjeneratë kadetësh edhe jam taku drejtpërdrejt me sjelljen e tij në kazermë në Bajgorë”, tha Ibishi.

    Ibishi tha se nuk e mban mend dëshminë e Stankoviqit në Hagë, por që ndoshta e ka ndjekur pjesërisht.

    “Ju lutem, ju e keni përcjellë gënjeshtrën e tij se vëllai im është marrë me prerjen e drurit. Çka e bazoni atë genjeshtër të tij? Ai trillon. Nuk është vetëm për ta thënë. Të lutem, nëse ke prova thuje e jo vetëm pse e ka thënë Stankoviqi. Vëllai im asnjëherë nuk është marrë me çështje të transportit apo të tregtimit me drunjtë apo diçka të tjetër, absolutisht nuk kam pas asnjë njohuri lidhur me të (Stankoviqin). Du me thanë se a ki ndonjë bazë apo vetëm në bazë të deklaratave të Stankoviqit?”, tha Ibishi.

    Por, në pyetjen e Ibishit nuk u përgjigj Laws, por vazhdoi me leximin e deklaratës së Stankoviqit, ku kishte thënë se kur ka arritur në atë pikë, iu afruan katër burra të armatosur, ia mbuluan sytë dhe ia lidhën duart pas shpine.

    Nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit kur u pyet se a e ka parë këtë pjesë të dëshmisë së Stankoviqit. /BetimipërDrejtësi

  • ​”Duam ngritjen e pagave”, punëtorët e KEK-ut protestojnë në Prishtinë

    ​”Duam ngritjen e pagave”, punëtorët e KEK-ut protestojnë në Prishtinë

    “Duam ngritjen e pagave, dhe ne e duam jetën”, “Marre me rrejt”, këto ishin kërkesat e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në protestën për rritjen e pagave, pagesën e rrezikshmërisë, dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.

    Kryetari i Sindikatës së re në KEK, Nexhat Llumnica ka bërë thirrje menaxhmentit që të ndërmarrë veprime për plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën ai tha se nuk do të ndalen së protestuari dhe me grevë, deri në arritjen e qëllimeve për të drejtat e punëtorëve.

    “Kemi kërkuar ngritjen e pagave, sepse nga viti 2018 e deri më tani inflacioni është mbi 30 për qind, kurse pagat janë ngritur vetëm me 70 euro. Kemi kërkuar ngritjen e pagave për arsyeje se tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar, nuk ka punëtor në vend, po flas për punëtor, jo për ata të cilët pauhen prej nesh, që paguhet më lirë se punëtori i KEK-ut. Ne jemi kompania më e fuqishme në Kosovë, por me pagat më të ulëta. Ne i kemi inxhinierët me 819 pagën e në sektorin privat janë 1 mijë e 500 euro e më shumë. Paga më e lartë në KEK, pa e fut stafin menaxhues, ata të cilët kanë paga të majme, është 983 euro. Prandaj, ne kohëve të fundit kemi pas edhe punësime të reja, për këtë i themi faleminderit menaxhmentit, mirëpo nuk është mirë vetëm t’i sjellni e ata të lirojnë vendin e punës për shkak pagave, dinjitetit e standardit. Kërkesa tjetër ka qenë pagesa e rrezikshmërisë, ne në KEK i përcëllim për atë dynja 30 persona në vit mesatarisht. Ky menaxhment nuk është duke respektuar rrezikshmërinë”, ka thënë Llumnica.

    Përvec kësaj, ai tha se me këtë veprime të bordit dhe menaxhmentit, ‘KEK do të falimentojë”.

    “Një ditë mund të kemi miliardat, por nëse nuk e kemi resursin njerëzor, këto kuadro që janë sot, KEK do të falimentoj…Ky menaxhimet po e dinë shumë mirë që po i hup lëndët, dhe serish po i shtinë punëtorët të ankohen, kjo është një keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhe konsumon veprën penale…Jemi duke jetuar me një vend ku premtohet shumë, e nuk bëhet asgjë…Nga këtu i bëjmë thirrje menaxhmentit të KEK-ut, bordit, të respektojë të drejtën tonë për ngritjen e pagave, për rrezikshmëri, për pagesën e fundjavës ashtu siç e ka dhënë Gjykata. Mos të na shtynë të marrim masa të tjera, sepse ne nuk jemi të interesuar të dëmtojmë KEK-un. Po e mbrojmë edhe fondin e KEK-ut, sepse dikush ka dëshirë të keqpërdorë këtë fond…12:15 Nuk do të ndalemi deri të realizojmë këto qëllime minimale e ligjore, do të vazhdojmë me protesë e grevë deri në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka shtuar Llumnica.

    I pranishëm në këtë protestë ishte edhe kryetari i Federatës Sindikale të Trepçës, Ibrahim Januzi, i cili është shprehur se është koha të merren masa dhe të zbatohen ligjet ndaj punëtorëve.

    “Jam këtu për të shprehur solidaritet me ju për kërkesat e drejta, legjitime, për të cilat menaxhmenti i juaj nuk është duke i përmbushur obligimet ligjore. Andaj, edhe ne si sindikatë e minatorëve shprehim solidaritet të plotë me ju për kërkesat legjitime, dhe i bëjmë thirrje menaxhmentit tuaj t’i marrë për bazë kërkesat e juaja… Është koha të merren masa dhe të zbatohen ligjet…Plotësimi i kërkesave dhe zbatimi i ligjit do t’i kontribuonte edhe ndaljes së ikjes së të rinjve nga vendi”, ka thënë Januzi.

    Në anën tjetër, Selatin Sadiku nga sindikata po ashtu, ka bërë thirrje menaxhmentit të KEK-ut, Bordit dhe Qeverisë t’i realizojë kërkesat e tyre, në të kundërtën ka thënë se kryesia e sindikatës do të marrë një vendim.

    “Jam i privilegjuar që jam në mesin e punëtorëve që ‘i’a zdritin fytyrën Kosovës’. Kërkesat tona janë legjitime…Këta nuk janë të interesuar të rrisin pagën për asetin më të rëndësishëm, korporatën për punëtorë, ju vjen marre këtyre të arsyetojnë pagën për rritje në qeveri për neve, se vet janë të marruar…Në këtë rast ua bëjmë me dije edhe menaxhmentit të KEK-ut, edhe bordit dhe Qeverisë, realizoni kërkesat tona, përndryshe kryesia e sindikatës do të marrë një vendim, dhe mendoj se kjo është hera fundit që punëtorët tonë vinë në Prishtinë, kanë me ardhur këta njerëz atje në minierë” , tha ai. /KP

  • ​Shala: Pushteti po bën presion ndaj KEK-ut që skandalet të mos dalin në publik

    ​Shala: Pushteti po bën presion ndaj KEK-ut që skandalet të mos dalin në publik

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se puna e vetme e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por edhe të gjithë kabinetit qeveritar është që skandalet në KEK të mos dalin në publik.

    Shala në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për “skandalet” në KEK, tha se situata në KEK është në rëndë dhe se punohet me shkelje të vazhdueshme ligjore.

    “Ligjërisht dhe moralisht duhet të ishte kabineti qeveritar këtu dhe të bashkëbisedonim me ta. Më së paku do të duhej të ishte ministrja e Ekonomisë që mbulon këtë sektor. Tani është më se e qartë se ikja nga përgjegjësia e ministres dhe vartësve të saj dhe komplet kabinetit qeveritar. Kabineti qeveritar dhe ministrja punën e vetme që po bëjnë në KEK është orvatja që me asnjë çmim dhe asnjë informacion që aferat korruptive të mos dalin në publik dhe të mos i kenë mediat. Ditët e fundit është shtuar presioni ndaj menaxhmentit të KEK-ut dhe punëtorëve në secilin nivel që rrjedhjet e informacionit për skandalet që ato të mos dalin në opinion”, tha ai. /kp

  • ​Tahiri i AAK-së: Pushteti po ikë nga seancat e jashtëzakonshme

    ​Tahiri i AAK-së: Pushteti po ikë nga seancat e jashtëzakonshme

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar shumicën parlamentare në Kuvend dhe qeverinë për papërgjegjshmëri para deputetëve dhe qytetarëve.

    Ai tha se ikja nga seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita tregon për pozicionin e dobët që është partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    “Tema dhe skandale që së paku meritojnë një përgjigje prej atyre që kanë fituar 50 për qind dhe na patën lodh krejt dhe drejt, e patën lodh një popull sa të mirë, të pastër dhe akademikë janë. E sot, thatë këtu, thatë këtu. S’janë as kolegët deputetë të shumicës dhe asnjë njeri i Qeverisë së Kosovës që me dhënë një fjalë me argumentu apo kundërshtuar një temë që është skandal publik që meriton përgjigje”, tha ai.

    Sipas tij, përgjimet e dala në publik tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale në ndërmarrje publike, siç është KEK-u.

    “Përgjimet që kanë dal në publik tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale, të strukturave që s’kanë asnjë pozicion në shtetin e Kosovës. Të strukturave që po shihen se janë para-politike dhe ndikojnë në një institucion që është Korporata më e madhe Energjetike në vend dhe punëdhënësi me qarkullimin më të madh shtetëror”, përfundoi ai./KP/

  • Kurti e viziton DOKUTECh, mbi 900 të ftuar diskutojnë për inovacionet teknologjike

    Kurti e viziton DOKUTECh, mbi 900 të ftuar diskutojnë për inovacionet teknologjike

    Kryeministri Albin Kurti të enjten ka marrë pjesë në ditën e dytë në edicionin i 11-të të DOKU.TECh ku mbi 900 të ftuar diskutojnw për inovacionet teknologjike, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i Qeverisë pa nga afër punimet në DOKUTECh pjesë e iniciativës më të madhe OctoberTech Kosova, një projekt vizionar i udhëhequr nga Qeveria e Kosovës për të ofruar një hapësirë ​​ku lojtarët kryesorë në teknologjinë dixhitale mund të bashkohen për të promovuar inovacionin, për të shkëmbyer njohuri dhe për të ndërtuar bashkëpunime që e çojnë industrinë përpara.

    Adelina Qarri-Hoxha, zyrtare e lartë e projekteve ne Ipko Foundation, njëherësh menaxhuese e projektit, ka thënë se ky është viti i njëmbëdhjetë që po organizohet DOKU.TECh, kësaj here në kuadër të nismës “October Tech Kosova”.

    Ajo ka theksuar se po punojnë më së shumti me të rinj sepse njohja dhe praktika e teknologjisë është shumë e rëndësishme për moshat e reja dhe zhvillimin e vendit.

    DOKUTECh është pjesë e nismës OctoberTech Kosova, e cila gjithashtu përmban ngjarje të tjera kryesore si KosICT dhe GrowthTank.