ATV

Category: Lajme

  • Vritet një polic në Bosnjë e Hercegovinë, alarmohet shteti

    Vritet një polic në Bosnjë e Hercegovinë, alarmohet shteti

    Në Bosanska Krupa, në perëndim të Bosnjë e Hercegovinës, një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur, pasi një stacion policor u sulmua në orët e vona të së enjtes, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ministra për Punë të Brendshme e kantonit Una-Sana.

    Zyrtarët policorë u sulmuan nga një i mitur, i cili është arrestuar.

    “Ky është akt kriminal i terrorizmit”, tha Adnan Beganoviq, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme më 25 tetor. Ai tha se hetimi i kryer nga Zyra e Prokurorit e kantonit ka përfunduar. Ai nuk dha detaje të tjera.

    Sipas tij, polici i dytë që u plagos, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.

    Zyrtarët policorë ende gjenden në vendngjarje, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas ligjeve në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe të entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, një akt terrorist përkufizohet si një veprim që mund të dëmtojë seriozisht shtetin. Veprime të tilla përfshijnë sulm ndaj jetës së një zyrtari, apo “sulm ndaj integritetit fizik të një personi”.

    Sipas informacioneve nga sindikata e policëve në kantonin Una-Sana, polici i vrarë ishte Ozren Maran, ndërkaq Avdo Hasanoviq, është zyrtari policor që u plagos.

    Kjo sindikatë dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që të rritet siguria ndaj zyrtarëve policorë si dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht, në përputhje me ligjin.

    “Sulmi ndaj zyrtarëve policorë është sulm ndaj shtetit”, tha kjo sindikatë.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Federatës të Bosnjë e Hercegovinës i tha Radios Evropa e Lirë se është rritur niveli i sigurisë në këtë territor dhe në mbarë Bosnjën.

    “Nuk dua të jap më shumë informacione sepse do të dëmtoj hetimet. Në disa lokacione po kryhen bastisje, po punohet në terren dhe ne nuk duhet të zbulojmë se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Ramo Isak.

    Sulme terroriste ndaj policisë në Bosnjë e Hercegovinë kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

    Në qershor të vitit 2010, një stacion policor në Bugojno u sulmua. Gjatë këtij sulmi ishte vrarë një polic, një police ishte plagosur rëndë dhe pesë zyrtarë të tjerë policorë kishin pësuar lëndime të lehta.

    Edhe një sulm tjetër ndaj policisë kishte ndodhur në lindje të Bosnjës, përkatësisht në Zvornik, në prill të vitit 2015, kur një 24-vjeçar kishte vrarë një polic dhe kishte plagosur dy të tjerë. Më pas, sulmuesi ishte vrarë./REL

  • Arrestohet në Kosovë i dyshuari për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi, rasti dyshohet se ndodhi në Gjermani

    Arrestohet në Kosovë i dyshuari për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi, rasti dyshohet se ndodhi në Gjermani

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.

    Ai dyshohet se veprën e ka kryer në Gjermani dhe autoritetet gjermane kanë njoftuar ato kosovare për rastin.

    “Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Raportohet se 27 civilë janë vrarë si pasojë e sulmeve turke në Siri

    Raportohet se 27 civilë janë vrarë si pasojë e sulmeve turke në Siri

    Një grup monitorues i luftës në Siri tha më 25 tetor se sulmet me dronë të Turqisë kanë vrarë 27 civilë në Siri në 24 orët e fundit.

    Turqia ka nisur sulmet në Siri dhe Irak kundër militantëve kurdë, pas një sulmi vdekjeprurës në një kompani të mbrojtjes në Ankara më herët gjatë javës.

    Forcat turke “në mënyrë dramatike kanë përshkallëzuar sulmet e tyre ajrore dhe tokësore në veri dhe lindje të Sirisë”, që nga dita e enjte, tha Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.

    Grupi monitorues shtoi se ka dokumentuar 45 sulme me dronë dhe katër nga avionët luftarakë që kanë goditur infrastrukturë, përfshirë edhe stacione të ujit, energjisë dhe gazit.

    Turqia nisi sulmet ajrore të mërkurën ndaj militantëve kurdë në Irak dhe Siri, duke i fajësuar ata për sulmin në Ankara që ka të vrarë pesë persona.

    Edhe 22 persona u plagosën gjatë këtij sulmi, që Qeveria turke tha se ka “shumë të ngjarë” të jetë kryer nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, organizatë e ndaluar në Turqi.

    Disa orë pas sulmit pranë kryeqytetit turk, “një operacion ajror u krye ndaj caqeve terroriste në veri të Irakut dhe Siri”, tha Ministria turke e Mbrojtjes, raporton REL.

    “Në total, 32 caqe që i përkisnin terroristëve janë shkatërruar me sukses”.

    Forcat Demokratike Siriane thanë përmes një deklarate më 24 tetor se sulmet ajrore turke kanë vrarë 12 civilë në verilindje të Sirisë dhe plagosën 25 të tjerë.

    “Përveç në zonat e banuara, avionët luftarakë të Turqisë dhe dronët kanë shënjestruar furrat e bukës, stacione të energjisë, ndërtesa të naftës dhe pika të kontrollit të Forcave të Brendshme [kurde] të Sigurisë”, thanë këto forca, duke thënë se po ashtu Turqia ka kryer granatime./REL

  • Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar, me mundësi përshkallëzimi.

    Në raportin e tij të rregullt, i cili do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 30 tetor, ai ka deklaruar se veprimet e “njëanshme”, si mbyllja e institucioneve të financuara nga Beogradi, kufizimi i qarkullimit të mallrave dhe shpallja e hapjes së urës mbi Ibër, rrisin tensionet.

    “Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, tha Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.

    Ai paralajmëroi se këto lëvizje “ngrenë tensionet dhe zvogëlojnë besimin midis komuniteteve dhe minojnë komunitetet dhe institucionet”.

    “Është e një rëndësie thelbësore që lëvizjet e liderëve politikë të jenë në përputhje me nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha Guterres.

    Guterres tha gjithashtu se “incidenti serioz i sigurisë në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar është një tregues i nevojës që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë dhe se sqarimi i incidenteve të tilla është i një rëndësie kyçe për rivendosjen e besimit”.

  • Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë arritur përsëri pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

    Duke folur pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.

    Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

    Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

    Bislimi shtoi se pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ia ka dërguar një letër Komisionit Evropian, në të cilën thekson se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.

    Por, ai theksoi Serbia duhet së pari ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes, për t’u cilësuar si e sinqertë përpjekja e Vuçeviqit.

    Bislimi tha se si kusht, e përsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në shtator 2023.

    Në lidhje me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse nënshkruhet Marrëveshja.

    “Nuk mund të insistohet kur, për këtë punë, së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave. Mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja”, tha ai.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.

    Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Disa orë pas takimit, Lajçak tha se “diskutuam për një numër çështjesh me rëndësi që burojnë nga marrëveshjet e kaluara dhe u pajtuam për hapat e ardhshëm”, pa shpjeguar më shumë.

  • Autostrada e Gjilanit ende larg përfundimit pavarësisht premtimeve

    Autostrada e Gjilanit ende larg përfundimit pavarësisht premtimeve

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Fillimisht, vetë kryeministri Albin Kurti tha se Autostrada e Gjilanit do të përfundojë në vitin 2023 – gjë që nuk ndodhi.

    Pastaj, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fillim të 2024-tës duke folur për ATV-në, premtoi se segmenti nga Banulla në Bresalc do të përfundojë brenda këtij viti.

    Por, 8 muaj pas këtij premtimi, vartësi i kryeministrit Albin Kurti, përkatësisht shefi i zëvendësministrit Durmishi, nuk dha asnjë afat as të përafërt, se kur do të përfundojë autostrada e filluar në vitin 2018.

    Terreni më i vështirë konsiderohet të jetë në këtë pjesë, andaj akoma po punohet në gërmimin e bjeshkëve. Megjithatë, në disa pjesë ka lëvizje pozitive.

    Derisa autostrada është larg përfundimit, qytetarët që frekuentojnë rrugën Prishtinë – Gjilan, përballen edhe me një sfidë tjetër.

    Ura në afërsi të Badovcit ka dy vjet që është jashtë funksionit, megjithëse kohëve të fundit punimet për ndërtimin e urës së re kanë avancuar.

    Javë më parë, pikërisht në këtë vend vdiqën tre persona, pasi vetura me të cilën po udhëtonin ra në liqen.

  • Avokati i Popullit ka vërejtje rreth procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës

    Avokati i Popullit ka vërejtje rreth procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës

    Përgatiti: Nora Luta

    Nuk është vetëm afati i kufizuar për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale, që është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi nga Avokati i Popullit.

    Ky institucion ka pranuar ankesa dhe ka gjetur vërejtje në procesin e realizimit të intervistimit të viktimave dhe qasjes së Komisionit ndaj tyre.

    Sipas raportit të publikuar nga Avokati i Popullit, të mbijetuarat kanë ngritur shqetësime për cenim të privatësisë dhe zbulim të identitetit.

    “Përkatësisht për mundësinë e takimit të të mbijetuarave/mbijetuarve me njëra/njëri tjetrën/in, gjatë pritjes për intervistim. Janë ngritur shqetësime se palët po ballafaqohen me njëra-tjetrën, fakt ky që sipas ankesave, po cenon privatësinë dhe zbulimin e identitetit. Shqetësime janë ngritur edhe rreth mënyrës se qasjes dhe parashtrimit të pyetjeve në procesin e intervistimit dhe përshtatshmërisë së pyetjeve të parashtruara nga Komisioni drejtuar të mbijetuarave/ve”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

    Raporti ka identifikuar edhe mangësi në qasjen fizike në objektin e Komisionit, dhe zbrazëtirat ligjore në rregullore që përcakton kohën e verifikimit të një të mbijetuare.

    Gjithashtu, Avokati i Popullit ka dhënë vërejtje duke konstatuar se viktimat, ndonëse parashihet me rregullore, nuk janë pajisur me kartela që do t’u mundësonin shërbime shëndetësore falas.

    “Avokati i Popullit gjatë trajtimit të çështjes ka evidentuar se objekti ku gjenden zyrat e Komisionit dhe ku edhe intervistimi i palëve realizohet, nuk ofron qasje fizike dhe infrastrukturore të përshtatshme në objekt për personat me aftësi te kufizuar, apo për personat e shtyrë në moshë, të cilët mund të jenë palë në procedurën e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Kjo cenon parimin e trajtimit të barabartë dhe pa diskriminim”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

    Nga Komisioni nuk kanë pranuar të komentojnë raportin, i cili i është dërguar me rekomandime edhe kryeministrit, e disa ministrave të kabinetit qeveritar, dhe Këshillit Gjyqësor.

    Sipas të dhënave të këtij komisioni, në gjashtë vjetët e fundit, rreth 2 mijë persona kanë aplikuar, prej tyre 1600 iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

    Ndërkohë, Avokati i Popullit ka theksuar se viktimat duhet të kenë mundësi që të aplikojnë kurdo që krijohen rrethanat për ta, e jo të ketë afat të kufizuar, që aktualisht është vetëm deri në vitin 2025.

  • Marshi tradicional kundër kancerit të gjirit, zbulim i hershëm shpëton jetë

    Marshi tradicional kundër kancerit të gjirit, zbulim i hershëm shpëton jetë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Të enjten u mbajt manifestimi tradicional “Ecja simbolike”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit dhe mbështetjen ndaj grave që përballen me sëmundjen e kancerit të gjirit.

    Në marshin, të cilit i prinë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti u bë thirrje që gratë të bëjnë kontrolle më të shpeshta për ta evituar sa më shumë këtë sëmundje.

    “Zbulimi i hershëm shpëton jetë, mos prisni, kontrollohuni dhe merrni masa. Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme në këtë përballje. Secila nga to, momentet më të zorshme në jetë i ka kthyer në motiv për jetën dhe frymëzim për çdokë tjetër që përballet sot. Këto histori janë një dëshmi e aftësi për të duruar dhe kapërcyer sfidat e jetës”, tha Osmani.

    Ndërkaq, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, kërkoi më shumë punë në sektorin shëndetësor për trajtimin e kancerit të gjirit.

    “Një numër i madh i grave që mbijetojnë ndër vite dhe gra të tjera, kanë fat në fatkeqësinë e sëmundjes, sepse diagnostikohen e trajtohen në shërbimet tona publike nga personel profesional e humanist, pranë familjeve pa shpenzime e telashe të mëdha dhe ka ende shumë vend për më shumë përmirësim të kushteve, staf, barna e aparaturë e për shërbime më të shtuara shtesë”, tha Latifi.

    Vlerësohet se në Kosovë brenda 1 viti zbulohen deri në rreth 450 raste të reja me kancer të gjirit.

  • Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë, njohësit, diplomacia kosovare në regres

    Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë, njohësit, diplomacia kosovare në regres

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Sllovakinë vlerësohet të kenë rënë në pikën më të ulët, sidomos tani kur ky shtet, i cili nuk e njeh Kosovën vendosi ta mbyllë zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

    Ky vendim nga njohës të diplomacisë thuhet se duhet të merret me shqetësim nga autoritetet vendore, pasi thonë se diplomacia kosovare është në regres. Ata druajnë se rrugën e Sllovakisë fare lehtë mund ta ndjekin edhe shtetet e tjera mos-njohëse të Kosovës.

    Arsyet e përmendura nga Ministra e Jashtme Sllovake në njoftimin për mbylljen e zyrës ndërlidhëse u referoheshin shkaqeve financiare, andaj Syla përmend raste kur vendet e tjera suportojnë financiarisht vende të tjera vetëm që misionet diplomatike të qëndrojnë.

    Kësisoj vlerësohet se puna e diplomacisë kosovare në lobim për njohje të reja është e mangët.

    Njohja e fundit që Kosova ka marrë ishte nga Izraeli, në vitin 2021.

  • Më 1 nëntor Kuvendi i Prishtinës do të diskutojë sërish për buxhetin e vitit të ardhshëm për kryeqyt

    Më 1 nëntor Kuvendi i Prishtinës do të diskutojë sërish për buxhetin e vitit të ardhshëm për kryeqyt

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Të premten e ardhshme, asamblistët e kryeqytetit do ta kenë edhe një mundësi për të votuar buxhetin për vitin 2025. Seanca tashmë është caktuar për 1 nëntor e në rend dite janë 13 pika, përfshirë buxhetin.

    Por, votë nga PDK-ja dhe Vetëvendosja nuk do të ketë, ngase ndryshimet e kërkuara nuk u bënë.

    “Drafti është i njëjti, me shkeljet e njëjta, nuk ka pasë reflektim për me bë përmirësimin e tij”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.

    “Hë për hë, jemi në pozitën e njëjtë, nuk ka asnjë arsye logjike që të kemi qëndrim tjetër për pikën e buxhetit”, tha Feim Osmani, asamblist i LV-së .

    Megjithatë, nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, thotë se ka kohë për ndryshime.

    “Ka ndryshime, i kemi marrë disa vërejtje, por ka kohë, e i bëjmë thirrje, jemi të hapur me i marrë vërejtjet për me votu buxhetin”, tha Zogaj.

    Që në fillim të muajit, Zogaj kishte deklaruar për ATV-në se komunikimi me opozitën kishte filluar me qëllim votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Megjithatë, dakordim në parim nuk ka.

    “Nuk ka marrëveshje të plotë para seancës, por po vazhdojmë komunikimin”, tha Zogaj.

    Në anën tjetër, opozita thotë se kurrë nuk u ftua për diskutime.

    Dy herë radhazi, Kuvendi i Prishtinës nuk arriti të votojë buxhetin për vitin e ardhshëm, i cili pritet të jetë 128 milionë euro, respektivisht 4 milionë euro më i lartë se i vitit paraprak.