ATV

Category: Lajme

  • Fshihen grafitet kundër Fadil Gecit, i cili dëshmoi në Hagë

    Fshihen grafitet kundër Fadil Gecit, i cili dëshmoi në Hagë

    Kështu u prit Fadil Geci, i cili në orët e vona të së enjtes ateroi në Prishtinë, pasi kishte dëshmuar për 3 ditë në Hagë në gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve.

    Derisa Geci ishte rrugës për në Skenderaj, dikush i “vizatoi” këto grafite kundërt tij në qendër të Prishtinës.

    Këtë rast, vëllai i tij, Ganiu e denoncoi në polici, të premten.

    Ky është i bindur se kush mund të jenë autorët, të cilëve madje u kërkoi ballafaqim.

    Sidoqoftë, pak orë pas këtij deklarimi, grafitet u fshinë.

    Fadil Geci ishte dëshmitari i 96-të në Procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Për tre ditë me radhë, nga e mërkura deri të premten, Geci insistonte se Hashim Thaçi ishte autor i “Komunikatës 59”, kundër vëllait të tij, Ganiut.

  • Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Numri i familjeve të varfra në Kosovë u ul për rreth 2 mijë familje.

    Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024, numri i familjeve që përfitojnë nga skema sociale është 18 mijë e 745, nga 20 mijë e 810 sa ishte në vitin 2023.

    Derisa ato vlerësohet se më nuk jetojnë në Kosovë, sipas ekonomistëve, kjo ulje e shifrës nuk tregon zbutje të varfërisë në vend.

    Por me skepticizëm është parë rritja e numrit të veteranëve. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2024, shifra e përgjithshme e tyre është ngritur për 482 persona më shumë.

    Ndërkaq, shqetësuese vlerësohet përqindja më e lartë e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

    Sipas të dhënave të ASK-së, numri i përfituesve të pensioneve të moshës u rrit për 4 mijë e 530.

    Ndërkaq, pensionet e Trepçës u ulën këtë vit, nga 1 mijë e 482 sa ishin në 2023, në 1 mijë e 174./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kurti uron Ditën kombëtare të Çekisë, flet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

    Kurti uron Ditën kombëtare të Çekisë, flet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë, në shënim të Ditës Kombëtare të Çekisë.

    Si folës kyç, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e madhe kremtimi i Ditës Kombëtare të Republikës Çeke, vend i cili mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës. Mirënjohje shprehu veçanërisht për mbështetjen e Çekisë në përpjekjet tona drejt rrugës së integrimit euro-atlantik, derisa Republika Çeke këtë vit shënoi dy dekada të anëtarësimit në BE dhe një çerek shekulli në NATO.

    “Republika Çeke mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i popullit të Kosovës. I vlerësoj thellësisht marrëdhëniet e forta dhe miqësore mes dy vendeve tona. Jam i kënaqur të shoh duke u forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimi ynë dypalësh dhe shumëpalësh përmes ndërveprimeve të shtuara diplomatike dhe ekonomike, si dhe shkëmbimeve midis njerëzve tanë”, u shpreh kryeministri.

    Në fjalën e tij, ai veçoi edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën i cili, pas një periudhe të gjatë, mori epilog përfundimtar dhe pozitiv gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Një zhvillim tjetër pozitiv gjatë vitit të fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, kryeministri Kurti e nënvizoi përfaqësimin diplomatik përmes ambasadorëve me të drejta të plota në të dy vendet, gjë që reflekton drejtimin pozitiv në zhvillim të raporteve bilaterale.

    Në fund, kryeministri Kurti përsëriti urimet e tij të përzemërta për prosperitet dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin dhe qeverinë e Republikës Çeke, derisa bëri thirrje për bashkëpunim të mëtutjeshëm për paqe, liri dhe solidaritet.

  • Maqedonci në Turqi, thotë se prodhuesit turq do të jenë ndër adresat shtetërore për blerje të armatimit

    Maqedonci në Turqi, thotë se prodhuesit turq do të jenë ndër adresat shtetërore për blerje të armatimit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Kosova.

    Sipas njoftimit të Ministrisë këto komente, Maqedonci i ka bërë gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ku thuhet se ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, si dhe me prodhues të sistemeve ushtarake, me disa prej të cilëve thuhet se janë prokuruar sisteme të armatimit dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

    “Kosova dhe Turqia janë aleatë dhe partnerë strategjikë, për mbrojtje e siguri dhe për qëndrueshmëri e paqe”, thuhet në njoftim.

  • Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditësh

    Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditësh

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të premten se Rusia e ka ndër mend të dërgojë trupa nga Koreja e Veriut në vijën e parë të luftës nga 27 tetori.

    Një ditë më herët, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha se njësitet e para koreanoveriore, të stërvitura në Rusi, janë dërguar tashmë në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.

    Forcat ukrainase e nisën një inkursion të madh në gusht në Kursk dhe kanë kapur territor atje.

    Kievi thotë se ky territor po përdoret si zonë e sigurisë kundër sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

    Zelensky tha të premten se “ushtarët e parë nga Koreja e Veriut pritet të dërgohen nga Rusia në zonat e luftës së shpejti, më 27-28 tetor”. Ai e cilësoi këtë si “përshkallëzim të pastër nga Rusia”.

    “Bota mund ta shohë qartazi qëllimin e vërtetë të Rusisë, që është vazhdimi i luftës”, tha ai.

    “Për këtë arsye, një reagim i fuqishëm nga liderët globalë është thelbësor”, shtoi ai.

    Shtetet e Bashkuara thanë më 23 tetor se 3.00 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.

    I pyetur nëse ka trupa koreanoveriorë në Rusi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, as nuk e pranoi, e as nuk e mohoi, raporton REL.

    I pyetur për fotografitë satelitore të trupave gjatë një konference pas një samiti në Kazan të Rusisë, Putini tha se “fotografitë janë gjë serioze, nëse ka fotografi, atëherë ato pasqyrojnë diçka”.

  • Grupi kurd merr përgjegjësinë për sulmin në Turqi

    Grupi kurd merr përgjegjësinë për sulmin në Turqi

    Një grup militant kurd e ka marrë përgjegjësinë të premten për një sulm ndaj selisë së një kompanie të rëndësishme të mbrojtjes në Ankara, ku u vranë së paku pesë njerëz.

    Në një komunikatë, krahu ushtarak i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, tha se sulmi i 23 tetorit ndaj kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, u krye nga dy anëtarë të saj, si përgjigje ndaj “masakrave” të Turqisë dhe veprimeve të tjera të saj në rajonet kurde.

    Një burrë dhe një grua iu sulën selisë së TUSAS-it në periferi të Ankarasë, duke hedhur mjete shpërthyese dhe duke shtënë me armë. Katër punonjës të TUSAS u vranë atje. Sulmuesit kishin mbërritur në vendin e ngjarjes me një taksi, pasi e kishin vrarë shoferin e tij.

    Gjatë të shtënave me forcat e sigurisë u vranë edhe dy sulmuesit, ndërsa u plagosën më shumë se 20 njerëz të tjerë.

    Turqia e fajësoi PKK-së për këtë sulm dhe menjëherë filloi t’i bombardojë objektet dhe lokacionet që dyshohet se përdoren nga grupi militant në veri të Irakut, apo nga bashkëpunëtorët e tij në veri të Sirisë.

    PKK-ja cilësohet grup terrorist nga Turqia dhe nga aleatët e vet perëndimorë./REL/

  • Von der Leyen arrin në Serbi, pritet nga Vuçiqi

    Von der Leyen arrin në Serbi, pritet nga Vuçiqi

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka arritur në Serbi.

    Ajo është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Mirë se erdhe në Serbi e dashura Ursula von der Leyen. Është nder i madh të të pres përsëri në vendin tonë. Kemi diskutime të rëndësishme përpara nesh për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së, përparimin në rrugën tonë evropiane dhe mundësitë që vendi ynë dëshiron t’i shfrytëzojë kur bëhet fjalë për momentin e ri në procesin e zgjerimit”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram.

    Para Serbisë, Von der Leyen ishte në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

    Ajo pritet ta vizitojë nesër Prishtinën dhe do të zhvillojë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

  • Grafitet kundër Fadil Gecit, Gani Geci reagon ashpër – shpërthen kopsat e këmishës në shesh: Hajdeni, këtu jam

    Grafitet kundër Fadil Gecit, Gani Geci reagon ashpër – shpërthen kopsat e këmishës në shesh: Hajdeni, këtu jam

    Gani Geci ka reaguar ashpër pas grafiteve denigruese që janë shfaqur në Prishtinë kundër vëllait të tij, Fadil Geci, pas dëshmisë që dha për tre ditë rreth para Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Në një deklaratë para gazetarëve, Geci ka shpërthyer edhe kopsat e këmishës e është drejtuar atyre që kanë bërë këto grafite duke thënë “Ku janë, kqyre ku janë, a po e shihni këtë gjyks. Ku janë ata hajna, hajdi këtu. Gani Geci o këtu përditë”.

    Rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës.

    “Sapo lajmërova rastin në Polici. Ky rast është nxitje e urrejtjes, nxitje për vrasje sipas Kodit Penal. Po besoj që Policia kishin pas nis hetimet ex-ficio, po meqë vëllau jem s’është këtu e lajmërova unë rastin”, ka deklaruar Geci.

    Ai tha se vëllai i tij “ka dëshmu të vërtetën para Gjykatës Speciale të Republikës së Kosovës të formuar nga Hashim Thaçi”.

    Ai ngriti dyshime edhe për ata që mund t’i kenë shkruar këto grafite.

    “Këto grafite denigruese unë mendoj se janë të iniciuara nga një organizatë “Liria ka emër”, e në pastë liria emrin “Hashime”, vallahi unë këto Hashimet kom qejf me i punu”, tha Geci.

    I pyetur nëse do të shkojë edhe ai të dëshmojë, Geci tha se do të shkojë nëse ftohet dhe se do t’i mbulojë shpenzimet vetë.

    “Vallahi a besoni që biletën kom me pagu vetë, e hotelin vetë vec mos t’më thirrshin. Unë pa letër s’muj shkoj”, ka thënë ai.

  • Orban pretendon se Qeveria polake është instaluar nga BE-ja

    Orban pretendon se Qeveria polake është instaluar nga BE-ja

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka sugjeruar se Qeveria e Polonisë dhe kryeministri, Donald Tusk, janë instaluar nga Bashkimi Evropian si pjesë e një komploti për të larguar udhëheqjen paraprake populiste të krahut të djathtë në Poloni.

    Orbani nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim lidhur me Qeverinë polake, e cila u zgjodh më 2023 pas zgjedhjeve ku morën pjesë 74 për qind e votuesve.

    Komentet vijnë dy ditë pasi Orban, nacionalist i cili ka qasje kundërshtuese ndaj BE-së, gjatë një fjalimi u tha mbështetësve të tij se blloku evropian po synon që ta rrëzojë Qeverinë e tij dhe të instalojë një regjim kukull në Hungari.

    Duke folur për radion shtetërore hungareze më 25 tetor, Orban kritikoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqësin e grupit më të madh politik në BE, Partinë Popullore Evropiane, Manfred Weber, duke pretenduar se këta dy zyrtarë po synojnë ta zëvendësojnë Qeverinë e tij, ashtu siç, sipas tij, kishin vepruar në Poloni më 2023, kur koalicioni i udhëhequr nga Tusku mposhti partinë Ligj dhe Drejtësi – që paraprakisht kishte qenë në pushtet – në zgjedhjet parlamentare.

    “Ky nuk është as konspiracion sekret kundër Hungarisë, por është një plan i paraqitur hapur”, tha Orban, duke pretenduar se ka një komplot kundër tij, pa ofruar asnjë dëshmi për këtë pretendim. “E njëjta gjë ndodhi në Poloni. Polakët po ashtu ndërmorën një politikë të pavarur sa i përket migracionit, gjinisë dhe ekonomisë”.

    Von der Leyen dhe Weber, tha ai, “bënë më të mirën e tyre dhe hapur njoftuan se Qeveria konservatore polake duhet të shkojë dhe të zëvendësohet me një të re. Kështu, miku ynë Tusk u bë kryeministër në Poloni. I njëjti skenar tani po ndodh në rastin e Hungarisë”.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski, në një përgjigje për Associated Press tha:

    “Zgjedhjet e lira parlamentare u mbajtën në Poloni më 15 tetor 2023. Qeveria aktuale në Poloni, sikurse edhe qeveritë paraprake, nuk është instaluar, por është zgjedhur dhe është shprehje e vullnetit të votuesve polakë”.

    Orbani shpesh është përplasur me BE-në, teksa Brukseli ka bllokuar ndihmë financiare në vlerë prej miliarda eurosh për shkak të akuzave se ka shkelur standardet demokratike dhe të sundimit të ligjit. Qeveria paraprake polake nacionaliste-konservatore po ashtu për vite të tëra kishte pasur mosmarrëveshje me BE-në sa i përket nivelit të demokracisë.

    Orban gjithnjë e më shumë ka një qasje më agresive ndaj bllokut evropian, ku Hungaria u bë anëtare më 2004. Udhëheqësi hungarez ka mbledhur partitë euroskeptike në mbarë bllokun dhe ka krijuar një forcë politike të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian. Ai po ashtu e ka afruar Hungarinë më afër shteteve autokratike, sikurse janë Rusia dhe Kina.

    Qeveria e Tuskut po kërkon që të rivendosë institucionet demokratike, që thotë se ishin shpërbërë gjatë ekzekutivit paraprak. Por, ekzekutivi i tij mban ende disa politika konservatore, sikurse është qëndrimi i ashpër ndaj imigrimit të paligjshëm./rel

  • Uji i Badocit ende me vlera të larta të manganit, qytetarët kërkojnë zgjidhje

    Uji i Badocit ende me vlera të larta të manganit, qytetarët kërkojnë zgjidhje

    Vlerat e larta të manganit vazhdojnë të jenë ende prezente në ujin e Liqenit të Badocit, duke e bërë këtë ujë të papërdorshëm për pije tash e disa javë. Derisa uji i Liqenit të Badocit mund të përdoret për larje të enëve dhe rrobave.

    Përkundër që uji po vazhdon të shpërndahet me autobote nëpër lagje të Prishtinës, qytetarët janë shprehur se duhet të rregulluar kualiteti i ujit për pije dhe që furnizimi të jetë i rregullt. Në të kundërtën nëse gjendja do të zgjas, qytetarët kanë paralajmëruar edhe protesta.

    Doktoresha nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, (IKSHPK) Burbuqe Nushi thotë se çdo ditë vlerat e manganit vazhdojnë të ngrihen.

    Nushi ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reshje shiu, atëherë kjo gjendje me ujin e pijshëm pritet të vazhdojë edhe përgjatë dy javëve të ardhshme.

    “Çdo tejkalim i dozës, mund të ketë efekt toksik. Rekomandohet që qytetarët ende të mos e pinë ujin… Rekomandohet që kryesisht fëmijëve prej 0 deri në 5 vjeç, personat e moshuar dhe ata me sëmundje dhe që kanë diagnoza të mos e konsumojnë këtë ujë, përndryshe krejt veprimtaria tjetër mund të përfundojë me këtë ujë, dhe larja e enëve…Zierja e ushqimit po, por jo përgatitje të ushqimit për foshnja… Sot sillet rreth 0.500 mg/L…. Nëse i referohemi parashikimeve meteorologjike, nuk ka shi edhe 10 ditë, atëherë pritet që kjo gjendje të zgjasë edhe dy javë”, ka thënë Nushi.

    Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka treguar për masat që ka ndërmarrë kjo kompani për të tejkaluar gjendjen me ujë të pijshëm, pas paraqitjes së vlerave të larta të Manganit në Liqenin e Badocit.

    “Është ende në sasi të lartë, ka herë pas here edhe ulje të vlerave, mirëpo ende nuk janë për ujë të pijshëm. Paralelisht ne jemi duke e bërë edhe shpëlarjen e gypave magjistralë dhe sekondarë, duke bartur ujë përmes autoboteve në të gjitha zonat që furnizohen nga Badoci. Qëllimi ynë është që ta zvogëlojmë sasinë e manganit në liqenin e Badocit edhe nëse vazhdon të jetë një sasi shumë e lartë e manganit jashtë vlerave të lejuara, nuk është mirë ta shpërndajmë”, ka thënë Mjeku.

    Qytetarët po furnizohen me ujë nga autobotet për ta përdorur vetëm në kuzhinë, ndërsa për ta konsumuar e blejnë atë nëpër markete.

    Ilir Fetahaj nga lagjja “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, thotë se nëse gjendja e vështirësuar me furnizim të ujit të pijes do të vazhdojë, atëherë qytetarët duhet të dalin në protesta.

    “Nuk kam asnjë mendim të mirë. Duhet të bëjnë diçka për ta rregulluar edhe kualitetin dhe furnizimi të jetë i rregullt…Faktikisht, e blejmë ujin e pijshëm, këtë ujë që e marrim, e marrim vetëm për kuzhinë…Të vetëdijesohemi dhe të dalim për të protestuar”, tha ai.

    Qytetari tjetër Ibrahim Asllani thotë se zakonisht kur ndodhen në situata të tilla ata janë të detyruar që të blejnë ujin për pije.

    “Nuk është e lodhshme kur është e nevojshme, absolut duhet patjetër, pa ujë nuk ka jetë. Sigurisht përfundon, duhet të pajtohemi edhe nëse zgjat…Kur nuk vjen cisterna ne duhet të blejmë, patjetër është e nevojshme”, tha Asllani.

    Furnizimi me ujë nga autobotet bëhet në lagjet “Badoci i ri”, “Graçanica”, “Hajvalia”, “Veterniku”, “Lagjja e Spitalit”, “Rruga B”, “Bregu i Diellit” dhe “Muharrem Fejza”.

    Mangani është një mineral që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore nëse sasia e tij në ujë është më e madhe se 0.05 miligram për një litër, pasi kjo mund t’i shtojë ujit ngjyrë, erë dhe shije ndryshe.

    Disa prej efekteve potenciale të përdorimit të ujit me përmbajtje të lartë të manganit janë problemet në sistemin e tretjes, ndikim në sistemin nervor, dëmtim të shëndetit të fëmijëve dhe probleme me zemër.