ATV

Category: Lajme

  • Sopi thotë se s’ka pasur përçarje politike në mes UÇK-së dhe LDK-së

    Sopi thotë se s’ka pasur përçarje politike në mes UÇK-së dhe LDK-së

    Dëshmitari Fatmir Sopi tha se në zonën ku ka vepruar ai, nuk ka pasur përçarje politike përpos misionit për luftën çlirimtare.

    Këtë deklarim, Sopi e bëri kur u pyet nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra se a ka pas ndonjë politikë UÇK-ja që ata që ishin në LDK, konsideroheshin kolaboracionistë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në zonën ku kam vepruar unë, nuk ka pas asnjë përçarje politike dhe nuk ka pas asnjë politikë përpos luftës çlirimtare dhe nuk ka pas asnjë mosmarrëveshje politike në mes të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë e kanë pas për parti dhe për politikë luftën e drejtë çlirimtare dhe çlirimin e vendin tonë”, tha dëshmitari.

    Sopi tha se është e vërtetë që një pjesë e madhe e anëtarëve të UÇK-së ishin anëtarë të LDK-së në zonën ku ai vepronte.

    Pyetje shtesë pati sërish prokurori e po ashtu edhe trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

    Në pyetjet e gjyqtarit, dëshmitari tha se ende është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës për degën e Prishtinës.

    Me kaq përfundoi dëshmia e këtij dëshmitari. Seanca kaloi në pushim për 30 minuta për t’u përgatitur për dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 99-të.

  • OKB: Bota larg cakut për luftim të ndryshimeve klimatike

    OKB: Bota larg cakut për luftim të ndryshimeve klimatike

    Përpjekjet globale për t’i luftuar ndryshimet klimatike nuk janë në ritmin e duhur, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

    OKB-ja i ka bërë këto deklarata pasi të dhënat e reja tregojnë se gazrat nga ngrohja janë duke u akumuluar në natyrë më shpejt sesa kurrë më parë në historinë e njerëzimit.

    Planet aktuale kombëtare për t’i kufizuar emetimet e karbonit vështirë se mund të ulin nivelin e ndotjes deri më 2030, është thënë në analizën e OKB-së, duke lënë pezull përpjekjet për të mbajtur temperaturën e Tokës nën 1.5 gradë Celsius.

    Këto të dhëna janë publikuar teksa në një raport ndaras është thënë se gazrat serrë janë rritur mbi 11 për qind në dy dekadat e fundit, dhe që koncentrimet atmosferike janë rritur në nivel rekord më 2023, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Hulumtuesit janë të shqetësuar se pyjet janë duke humbur aftësinë për të thithur karbonin, çka edhe mund të ketë kontribuuar në nivele rekorde të gazit në atmosferë.

    Një agjenci e OKB-së, e angazhuar për të adresuar këtë çështje, ka analizuar planet shtetërore për të kufizuar karbonin në rreth 200 shtete.

    Ekspertët bëjnë thirrje që temperatura globale të mos rritet mbi 1.5 gradë Celsius, meqë, sipas tyre, mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme për njerëzimin.

    Organizata Botërore e Meteorologjisë ka thënë se hera e fundit kur Toka ka pasur koncentrime të tilla të karbonit në atmosferë ka qenë 3-5 milionë vjet më parë, kur temperatura mesatare e planetit ka qenë 2-3 gradë më e ngrohtë sesa tani, dhe nivelet e ujit ka qenë 10-20 metra më të larta.

    Sipas kësaj organizate, niveli i gazrave serrë ka prekur shifra rekorde më 2023, dhe shkaktare kanë qenë zjarret pyjore në Kanada dhe kushtet klimatike të diktuara nga fenomeni El Nino./REL

  • Serwer thotë se dialogu do të përparonte nëse Vuçiq nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë

    Serwer thotë se dialogu do të përparonte nëse Vuçiq nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, është deklaruar sërish për dialogun Kosovë – Serbi.

    Ai ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kishte zgjidhje nëse presidenti serb nuk do ta trajtonte Kosovën si territor të Serbisë, por si shtet fqinj.

    “Serbia mund të shpallë se respekton autoritetet e Kosovës dhe territorin e Kosovës, ta trajtojë atë në mënyrë fqinjësore. Më pas ajo mund të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska dhe trazirat kundër trupave të KFOR-it. Një gjë e tillë do të ndryshonte në mënyrë dramatike dialogun, edhe pa njohje zyrtare diplomatike”, ka potencuar Serwer për Danas.

    Sipas tij, në vend të kësaj Beogradi bëri krejt të kundërtën.

    “Ai vazhdon të vërë në dyshim autoritetin qeverisës dhe territorin e Kosovës në çdo rast”.

    Serwer thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bën ndërhyrje të ashpra edhe në Mal të Zi e Bosnje e Hercegovinë.

    “Ndërhyrja në Mal të Zi është e dukshme. Ndërhyrja në Bosnje dhe Hercegovinë është disi më pak e dukshme, por kjo ndodh sepse Milorad Dodik më së shumti bën atë që dëshiron Vuçiq. Ai aspiron një botë serbe, që do të thotë se Beogradi de facto kontrollon popullsinë serbe në vendet fqinje. Ai po bën shumë progres në këtë drejtim”, ka thënë mes tjerash ai.

  • Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi

    Shefi i NATO-s konfirmon prezencën e trupave koreano-veriore në Rusi

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca ushtarake e ka konfirmuar se trupa të Koresë së Veriut janë në Kursk të Rusisë, rajon në kufi me Ukrainën.

    Duke folur nga Brukseli, më 28 tetor, Rutte e ka konsideruar këtë hap si “përshkallëzim të madh” në luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Sipas tij, ky veprim sinjalizon “dëshpërimin” e presidentit rus, Vladimir Putin, pas humbjes së më shumë se 600.000 ushtarëve në luftë, raporton REL.

    “Thellimi i bashkëpunimit ushtarak në mes të Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe atë të Indo-Paqësorit”, ka thënë ai.

  • ​Sonte jepet Topi i Artë

    ​Sonte jepet Topi i Artë

    Fituesit e Topit të Artë 2024 do të shpallet sonte, në “Theatre du Chatelet” në Paris. Pa dyshen Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në listën e ngushtë me 30 lojtarë, Jude Bellingham, Rodri dhe Vincius Jr. janë ndër favoritët për të marrë Topin e Artë.

    Në kategorinë e femrave shpresat për fitore janë tek Aitana Bonmati, Caroline Graham Hansen, Mallory Sëanson, Salma Paralluelo dhe Ada Hegerberg.

    Ceremonia e Topi i Artë 2024 do të mbahet në Theatre du Chatelet në Paris të hënën, më 28 tetor. Ajo fillon në orën 20:45, përcjellë KP.

  • Gashi thotë se do t’i përkrahin marrëveshjet ndërkombëtare: Kryeministri përgjegjëse për situatën në vend

    Gashi thotë se do t’i përkrahin marrëveshjet ndërkombëtare: Kryeministri përgjegjëse për situatën në vend

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai është shprehur se LDK-ja e konfirmon se qëndron pranë vendimit të saj që marrëveshjet ndërkombëtare i përkrahë, raporton Ekonomia Online.

    “Në mbledhjen e radhës së Kryesisë u diskutua që të kemi dy seanca plenare, por mbetet të shihet Lëvizja Vetëvendosje a i ka votat e nevojshme. Sa i përket situatës në vend përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin e Kosovës. Ka katër seanca të jashtëzakonshme që VV-ja nuk ka marrë pjesë, mbetet të shihet të mërkurën dhe të enjten a mund të gjejnë Lëvizja Vetëvendosje a mund të gjejnë ndonjë deputet për të miratuar ligjin”.

    “Pse Vetëvendosje prej 58 deputetë ka rënë në 50 qenka faji i LDK-së. Kurse LDK-ja ka përkrahur dhe ka qenë konstruktive. Nëse këto janë fajet ne jemi të gatshëm t’i mbajmë sepse kemi shikuar interesin e qytetarëve. A është diçka në kohë kjo Qeveri, qëndrimi ynë ka qenë konstruktiv edhe për Asociacionin, ne e kemi këshilluar me zgjidh çështjen sepse bindja jonë është për të mbrojtur interesin e shtetit”, ka thënë Gashi.

  • Tahiri i reagon Konjufcës për Asociacionin: Jeni joseriozë, jemi në prag të zgjedhjeve ky është fat

    Tahiri i reagon Konjufcës për Asociacionin: Jeni joseriozë, jemi në prag të zgjedhjeve ky është fat

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se vendi me qeverisjen e Vetëvendosjes, është në gjendje të mjerueshme, por është fat se Kosova gjendet në prag të zgjedhjeve.

    Lidhur me qëndrimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për çështjen e Asociacionit, ai tha se janë vetëm deklarata elektorale, sepse nuk shihet interesi i qytetarëve.

    ”Këta janë joseriozë. Kjo është situatë e mjerueshme. Veç një fat e kemi, se jemi në prag të zgjedhjeve. Këto janë qëndrime tash në prag të zgjedhjeve, elektorale të tyre. Dhe nuk i sjellin asnjë benefit as Lëvizjes Vetëvendosje por as Qeverisë së Kosovës. Kjo është Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë asnjë përcaktim fatkeqësisht. Nuk shihet interesi i qytetarëve”.

  • Tahiri: Qeveria e ka kthyer Kosovën prapa, dështimet po i mbulon me temën e Asociacionit e veriut

    Tahiri: Qeveria e ka kthyer Kosovën prapa, dështimet po i mbulon me temën e Asociacionit e veriut

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa, duke u shprehur se gjatë këtij mandati s’e ka kryer asnjë punë, raporton Ekonomia Online.

    Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka thënë se dështimet, Qeveria po i mbulon me temën e Asociacionit, veriut dhe të urës.

    “Kjo qeveri dhe kjo shumicë le që e ka kthyer Kosovën prapa, por i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të brendshëm, po ashtu edhe dëmtimin e vetë të subjektivitetit ndërkombëtar…Po flasim për standard të dyfishtë, e paparë të mashtrimit që kurdo që duhet të diskutohen çështjet e mirëqenies, kthehemi te ura, te Asociacioni e te veriu, pasi s’kanë çka të flasin tjetër send”, ka theksuar Tahiri.

    Sipas Tahirit, kryeministri Albin Kurti po i ikën ballafaqimit në Kuvend “pasi s’ka asnjë arritje”.

  • ​Prishtina-Amsterdam, një lidhje e re fluturimi për qytetarët e Kosovës

    ​Prishtina-Amsterdam, një lidhje e re fluturimi për qytetarët e Kosovës

    Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë dy herë në javë direkt në Amsterdam, pasi që sot në Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është përuruar fluturimi i parë.

    Levent Kaylaj, drejtori i operimeve në Aeroportin Ndërkombëtare të Prishtinës, u shpreh i lumtur që po hapin porta të reja fluturimit.

    Ai tha se kjo linjë është e rëndësishme që të rriten dhe ruhet marrëdhëniet Kosovë-Holandë.

    “Ky është fluturimi ynë i parë direkt nga Prishtina në Amsterdam. Jemi shumë të lumtur që hapim porta të reja dhe po planifikojmë të rritemi më shumë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne që marrëdhëniet mes Holandës dhe Kosovës të rriten dhe të ruhen të gjitha marrëdhëniet e mira. Jemi shumë të lumtur që hapim fluturimin direkt. Do të jenë dy fluturime në javë, të hënën dhe të enjten, fluturimi sezonal, do të vazhdojë njësoj. Shpresojmë që të gjithë qytetarët tanë kosovarë dhe qytetarët holandezë të përfitojnë nga ky fluturim”, theksoi drejtori i operimeve në aeroportin ndërkombëtarë “Adem Jashari”.

    Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven fillimin e udhëtimeve direkte Prishtinë-Amsterdam i konsideroi moment të madh dhe të mirë për marrëdhënie dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

    “Jam shumë e lumtur që tashmë sot kemi një fluturim direkt ndërmjet Prishtinës dhe Schipholit, ndërmjet Kosovës dhe Holandës. Është një arritje kaq e mirë që të gjithë prapaskenës e kanë bërë këtë të ndodhë. Ne po festojmë sot me menaxherin e aeroportit, ministria është këtu, dhe stafi im është këtu, dhe kështu në ekuipazhin… është gjithashtu këtu për të festuar. Ky është me të vërtetë një moment i madh, i mirë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Holandës dhe shpresoj që pasagjerët të udhëtojnë shpesh për të vizituar dy vendet tona të bukura dhe shpresoj që edhe tregtia dhe investimet të rriten përmes kësaj mundësie të re të një fluturimi direkt”, tha ambasadorja holandeze në Kosovë.

    Mundësia e fluturimeve nga Kosova drejt Amsterdamit dhe anasjelltas është mirëpritur edhe nga udhëtarët.

    Nihal Shehu-Shurdhani e cila po udhëtonte nga Prishtina për në Amsterdam, u shpreh e gëzuar që udhëtimet ë saj me këtë linjë janë bërë më të lehta.

    “Shumë më lehtë shumë jemi gëzuar që është hap kjo lidhje e re dhe na lehtëson se na mundëson që mos të shkojmë më larg në Gjermani apo diku tjetër është një zgjidhje shumë e mirë, edhe koha e përshtatshme për të udhëtuar”, tha ajo.

    Edhe Naim Sahatçiu e sheh hap pozitiv hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Amsterdam.

    Ai thotë se kjo linjë e shkurton edhe udhëtimin e udhëtarve.

    “Është shumë lehtë dhe shumë mirë për ne si pasagjerë sepse tani udhëtojnë direkt për Amsterdam, përndryshe udhëtonim nga Gjermania apo shtetet tjera tash e kemi direkt shumë më lehtë dhe shumë më mirë”, u shpreh ai.

    Në ceremoninë e përurimit të fluturimit të parë Amsterdam-Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtëm dhe Diasporës të Kosovës. /kp

  • Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë pranë Ukrainës gjatë procesit të ndryshimit të administratës në SHBA, thotë ambasadori britanik

    Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë pranë Ukrainës gjatë procesit të ndryshimit të administratës në SHBA, thotë ambasadori britanik

    Ambasadori britanik në Ukrainë, Martin Harris përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme në Shtetet e Bashkuara dhe çdo ndryshimi të mundshëm në administratën amerikane.

    Ai e tha këtë në një intervistë për RBC-Ukrainë, siç transmeton Ukrinform.

    “Ne mbështesim Ukrainën deri në fitore dhe pas fitores. E di që pozicioni i administratës së re amerikane do të jetë i rëndësishëm dhe ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës gjatë gjithë procesit të ndryshimit të administratës në Uashington. Mendoj se nuk ka vend më afër SHBA-së se Mbretëria e Bashkuar. Dhe me siguri, nuk ka asnjë vend më afër Ukrainës se Mbretëria e Bashkuar”, vuri në dukje ambasadori.

    Harris theksoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të bashkëpunojë me çdo administratë në Uashington për të mbështetur Ukrainën në rrugën e saj drejt fitores dhe arritjes së një paqeje të drejtë.

    Siç raportohet nga Ukrinform, kandidatët presidencialë të SHBA-së, republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris kanë tani të njëjtën mbështetje në shtatë shtete që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

    Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor 2024.