ATV

Category: Lajme

  • Dëshmon Fatmir Sopi, thotë se nuk kishte përçarje mes UÇK-së dhe LDK-së

    Dëshmon Fatmir Sopi, thotë se nuk kishte përçarje mes UÇK-së dhe LDK-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtari i UÇK-së, Fatmir Sopi, sërish u ul në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Speciale, por këtë herë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Sopi, i cili dëshmoi edhe në procesin ndaj Salih Mustafës, u ftua nga ZPS-ja të flasë për vijat e raportimit në Zonën Operative të Llapit.

    “Sopi ka qenë në brigadën 153, si zëvendëskomandant i Brigadës deri në momentin e demobilizimit të UÇK-së në shtator të 1999-ës. Z. Sopi jep informacione lidhur me formimin, strukturën stërvitjen dhe operacionet e brigadës 153, njësive të tjera të UÇK-së që operonin në atë zonë duke përfshirë edhe BIA-n, vijat e raportimit në Zonën Operative të Llapit dhe vendndodhjet e UÇK-së në atë rajon”, tha Cezary Mihailzcuk, prokuror.

    E Sopi gjatë ballafaqimit me pyetje nga ZPS-ja rreth identifikimit të një fotografie që ishte realizuar në Zllash, e quajti Hashim Thaçin hero të gjallë.

    Pasi tha se në zonën e Llapit, nuk kanë ekzistuar mundësitë që të organizojnë mbrojtje civile, theksoi se kanë qenë të organizuar në operacione ushtarake.

    Sopi, i cili tha se UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, theksoi se nuk ka pasur përçarje mes saj dhe LDK-së.

    Dëshmia e Sopit përfundoi këtë të hënë, ndërsa seanca vazhdoi me dëgjimin e një dëshmitari të mbrojtur.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të martën.

  • Gjimnazi Dr. Shaban Hashani, pa mësimdhënës të fizikës

    Gjimnazi Dr. Shaban Hashani, pa mësimdhënës të fizikës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Prej se ka filluar vitit i ri shkollor, 6 paralele të klasës së 11-të, në Gjimnazin “Dr. Shaban Hashani”, në Ferizaj, nuk e kanë mbajtur orën e lëndës së fizikës.

    Në vend të saj, atë ose e zëvendësuan me një orë tjetër ose orarin mësimor e përfunduan më herët.

    “Vjen profesoresha që është zëvendësim, e mban orën, por shpeshherë kemi edhe studente, është shqetësuese.

    Zakonisht, ose një profesor tjetër e ka majtë landën e vet, ose ka ndodhë ndonjë profesor pauzë që ka pasë një orë e ka mbajtë orën më herë, kaniherë ka ndodhë që kanë shku n’shpi”, tha drejtoresha e gjimnazit, Hajrije Nebihu.

    Për dy mësimdhënëset që shkuan në pushim të lehonisë, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, zëvendësim gjeti vetëm për njërën.

    “E kemi pasë konkursin e s’kemi pasë kandidat, jemi mundu që në afatin e dytë e kemi plotësu normën e kemi bë një zgjidhje të përkohshme deri të na kthehet punëtorja e cila është në pushim të lehonisë”, tha drejtori i arsimit, Afrim Llabjani.

    Llabjani thotë se përveç fizikës, Ferizaj po përballet edhe me mungesë të mësimdhënësve të matematikës e të teknologjisë.

    “Problematikën e kemi edhe në matematikë e në teknologji, fatkeqësisht ne nuk kemi pasë kandidat dhe është dashtë me përsëritë konkursin”, tha Llabjani.

    Llabjani thotë se për pozitat e hapura mund të aplikojnë edhe nga komuna të tjera, vetëm të kenë kualifikime.

  • Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës ndaj Milorad Djokovic

    Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës ndaj Milorad Djokovic

    Përgatiti: Nora Luta

    Halit Gashi u largua nga Gjykata e Prishtinës pa e përfunduar dëshminë edhe këtë të hënë.

    Gashi nga marsi ka filluar rrëfimin e tij për ngjarjen në Ozdrim të Pejës, gjatë luftës, ku për përfshirje në vrasjen e 14 civilëve Prokuroria Speciale e bën përgjegjës Millorad Gjokoviqin.

    Por, Gashi nuk i beson ankesës së Gjokoviqit, rreth disa dokumenteve, që u bënë shkas që edhe kjo seancë të ndërpritet.

    Prokuroria Speciale pretendon se mbrojtja po e përdor këtë strategji për prolongim të këtij procesi.

    Paraprakisht i akuzuari në fillim të seancës tha se nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë gjykim, pasi nuk i ka pranuar shkresat, të cilat pretendon se do t’i shërbenin të përgatitej për t’i parashtruar pyetje dëshmitarit.

    Gjuha e Gjokoviqit, i cili nuk dëgjonte sqarimin e gjykatës, nisi të ashpërsohej jo vetëm ndaj gjykatës, por edhe ndaj prokurorit.

    Gjykata, pasi tha se nga Shërbimi Korrektues konfirmuan se ia kanë dorëzuar shkresat, i shqiptoi vërejtjen e fundit Gjokoviqit për pengim të procesit gjyqësor dhe përdorim të gjuhës së papërshtatshme.

    Ndërkohë, mbrojtja nuk u pajtua me vendimin e gjykatës, së cilës i kërkoi që t’i shqiptojë vërejtje edhe Prokurorisë.

    Por, në fund gjykata vendosi që ta shtyjë seancën për këtë të premte, dhe brenda kësaj periudhe do të marrë në formë të shkruar verifikimin nëse Gjokoviq i ka pranuar të gjitha dokumentet.

  • Në E-KOSOVA përzgjidhet mjeku familjar

    Në E-KOSOVA përzgjidhet mjeku familjar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Deri në fund të vitit, qytetarët mund ta përzgjedhin mjekun familjar.

    Përzgjedhja e tij bëhet nëpërmjet platformës E-Kosova, por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

    Ndërsa, për ata që nuk e bëjnë përzgjedhjen brenda afatit të caktuar, Ministria e Shëndetësisë do t’ua përcaktojë mjekun.

    “Pas përfundimit të periudhës për përzgjedhjen e mjekut familjar, në kuadër të QKMF-ve përkatëse krijohet një komision i cili bën përzgjedhjen e mjekut familjar për qytetarët, që nuk e kanë përzgjedhur mjekun e tyre familjar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Derisa një mjek parashihet t’i ketë rreth 2500 pacientë, në Prishtinë e në Fushë-Kosovë pritet të ketë telashe sa i përket këtij procesi, për shkak numrit të lartë të banorëve.

    Megjithatë, parashihet rritja e stafit.

    “Disa banorë do të mbesin pa e bërë përzgjedhjen e mjekut familjar dhe disa të tjera që nuk janë banorë të Prishtinës, sigurisht që jemi duke bërë kampanjë duke i njoftuar qytetarët që punojnë në Prishtinë, banojnë kanë shtëpi, por që nuk janë të regjistruar në bashkësinë familjare, jemi duke i inkurajuar që të regjistrohen në bashkësinë lokale. Do të rritet numri i banorëve, me rritjen e numrit do të përfitojmë edhe punëtorë shëndetësor e infermierë më shumë”, tha Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së në Prishtinë.

    Sido që të jetë, përzgjedhja e mjekut po vlerësohet e rëndësishme, andaj apelohet te qytetarët ta bëjnë një gjë të tillë.

    Në bazë të të dhënave paraprake nga platforma E-Kosova, kur përzgjedhja e mjekut ishte vetëm si Pilot Projekt në 3 komuna dhe dy QMF-të në Prishtinë, mbi 1% e popullatës të komunave përkatëse kanë bërë përzgjedhjen e mjekut familjar.

  • Kurti e Konjufca të ndryshëm rreth planit franko-gjerman

    Kurti e Konjufca të ndryshëm rreth planit franko-gjerman

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca, kanë dallime sa i përket planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se varianti “merre ose leje” i bie heqje dorë nga shtetësia e Kosovës.

    “Unë mendoj që gjithkush që mendon që drafti që i është dorëzuar… nëse mendon ndokush që ky është një dokument përfundimtar, i cili për Kosovën është “merre ose leje”, i bie që Kosovës i është marrë një ingerencë shumë shtetërore, që e ka të garantuar edhe me procesin e dialogut edhe madje me Kushtetutë”, tha Konjufca.

    Por ndryshe deklaronte shefi i Qeverisë vitin e kaluar, teksa shpjegonte para deputetëve se plani i ishte ofruar “merre ose leje”.

    “Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Dallimet mes krerëve të shtetit në çështje madhore, sipas analistit Belgzim Kamberi, kanë qenë të shpeshta, megjithatë për këtë të fundit thotë se mund t’i ngjajë një fushate parazgjedhore, tash kah fundi i mandatit.

    Kryekuvendari Konjufca kritikoi BE-në duke thënë se ka qasje diskriminuese për Kosovën.

    Ndër të tjera, Konjufca foli edhe për asociacionin, për të cilin tha se Kosova mund të jetë vonuar, por nuk ka pasur afate kohore për këtë gjë.

    Ai, gjithashtu, kritikoi Serbinë se marrëveshja e Ohrit për ta është vetëm asociacion dhe se nuk ka vullnet që t’i zbatojë pikat e tjera.

  • Pushteti e opozita pajtohen për qëndrim në sallë, por jo edhe për votim

    Pushteti e opozita pajtohen për qëndrim në sallë, por jo edhe për votim

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pas disa seancash bojkoti, pushteti e opozita u pajtuan që në seancën e radhës të diskutojnë bashkërisht, por jo edhe të votojnë.

    Megjithatë, Kreu i kuvendit, Glauk Konjufca, beson se kanë ende shumicën parlamentare dhe se kuvendi mund të funksionojë vetëm me ta, ani pse me sarkazëm, e thumboi opozitën, konkretisht LDK-në.

    Por, ajo që tha Konjufca e befasoi goxha shumë shefin e grupit parlamentar të LDK-së.

    Ndërkaq, sa u përket nismave e projektligjeve, opozita nuk ka ndërruar mendje për votim.

    Teksa, PDK-ja dhe Aleanca thonë se nuk do të votojnë asgjë çfarë vjen nga pushteti, LDK-ja përjashton marrëveshjet ndërkombëtare.

    Praninë në sallë e konfirmuan edhe në seancën kur për miratim do të vijë buxheti për vitin e ardhshëm, por votimi i tij thonë se varet nga bashkëpunimi i partisë në pushtet me opozitën.

    Ndërkaq, sa i përket kësaj jave, u caktua që të mërkurën të ketë vazhdim të pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara, ndërkaq të enjten seancë e re.

  • Shumica e komunave të Kosovës nuk ndajnë buxhet të ndarë për mirëmbajtjen e kanalizimit atmosferik

    Shumica e komunave të Kosovës nuk ndajnë buxhet të ndarë për mirëmbajtjen e kanalizimit atmosferik

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Menaxhimi i sistemeve të kanalizimit, me legjislacionin në fuqi, iu takon komunave.

    Mirëpo, disa prej tyre, sa i përket menaxhimit të kanalizimit atmosferik, thonë se përgjegjësia kalon te KRU-të.

    Kështu të paktën thuhet në një raport të Organizatës Rilindja e Gjelbër, ku mes tjerash vihet në pah edhe mungesa e strategjisë së komunave, në lidhje me këtë çështje.

    ‘’Jo të gjitha komunat e dinë specifikisht se përgjegjësi ose kompetencë e kujt është, trajtimi i ujërave të zeza apo të ndotura është kompetencë e KRU-së, kompanive rajonale të ujërave e komunat për drenazhimin, këtë rast i referohet kanalizimit atmosferik’’, tha Dijesa Morina nga “Rilindja e Gjelbër”.

    Ndërkaq, sa i takon gjendjes së kanalizimit atmosferik, sipas vlerësimit të komunave ajo është përgjithësisht e mirë.

    Mirëpo të kundërtën e thonë ambientalistët.

    “Komuna e Skenderajt ka probleme, ngase nuk janë të ndarë ujërat e kanalizimit dhe ujërat nga të reshurat atmosferike dhe aty është problem kapaciteti i fabrikës është i limituar i kufizuar”, tha Shyqyri Dumani, ambientalist.

    “Nuk e kemi gjendjen të mirë, kemi ndryshimet klimatike që po trokasin në derë, kemi vërshimet e shpeshta dhe të paplanifikuara, duhet të punojmë në këtë drejtim për përmirësimin e gjendjes”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë e organizatës “Eko Pana”.

    Komunat dallojnë dukshëm njëra nga tjetra, për ndarje të buxhetit për këtë çështje. Buxheti komunal që ndahet për këtë qëllim varion prej 0 deri në 150 mijë euro. Ndërsa, disa komuna nuk ndajnë fare buxhet me justifikimin se mirëmbajtja është obligim i KRU-ve.

  • Familjaret e policit të ndjerë largohen nga seanca: Ky gjykim është shndërruar në cirk, s’ka interes të zbardhet e vërteta

    Familjaret e policit të ndjerë largohen nga seanca: Ky gjykim është shndërruar në cirk, s’ka interes të zbardhet e vërteta

    Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy familjare të policit të ndjerë L.H., janë larguar nga salla, duke pretenduar se ky gjykimi është shndërruar në cirk dhe nuk ka interes që të zbardhet e vërteta.

    “Ky gjykimi është shëndrru në cirk dhe ne dalim nga ky gjykim se as nuk ka interes me u zbardhë e vërteta. Është hajgare me u kundërshtu termi vrasje, kur L., ka tri vite që ka vdekë, këtë nuk e pranojmë. Jeta e një polici në Kosovë, zero vlerë”, tha familjarja e L.H.

    Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Reagimi i familjares së tani të ndjerit, në seancën e së hënës, erdhi pasi që i akuzuari Mehmeti kundërshtoi termin “për të vrarë” në pyetjen e parashtruar nga ana e mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha.

    Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua zyrtari policor Xhafer Berisha, i cili tha se pasi kishte ndodhur momenti kritik, i akuzuari Mehmeti kishte qarë gjatë gjithë kohës.

    “Gjatë gjithë kohës, Fatlumi ka qarë, bërtitë, duke thënë çka më ndodhi mua, prej kësaj dite nuk jam njeri unë”, ka deklaruar dëshmitari Berisha.

    Berisha tha se ka qenë në telefon kur e ka dëgjuar krismën nga ana e tij e djathtë dhe ka shikuar se çfarë ka ndodhur. Tha se aty e ka parë tashmë të ndjerin që kishte rënë në tokë, dhe në atë moment ka vrapuar drejt tij për t’i dhënë ndihmën e parë.

    Po ashtu, Berisha ka thënë se distanca mes tij dhe Fatlumit e L., ka qenë rreth 1 deri në 2 metra dhe se nuk i kujtohet nëse këta të dy kanë biseduar apo jo para momentit kritik.

    Kurse, i pyetur nga avokati Berisha nëse atë ditë kishte të shtëna të tjera, dëshmitari Berisha shfrytëzoi të drejtën të mos përgjigjet, pasi për atë rast është duke u zhvilluar një gjykim tjetër.

    Dëshmitari po ashtu ka deklaruar se të akuzuarit Mehmeti nuk i ka parë armë as në dorë, as diku në trup, deri në momentin e shkrepjes së armës.

    Po ashtu, Berishës iu prezantua një foto, ku shihet i akuzuari Mehmeti dhe dëshmitari në fjalë ku ia kishin drejtuar armën në kokë njëri-tjetrit, për këtë pyetje dëshmitari zgjodhi që të mos përgjigjet.

    Dëshmitari tha se asnjëherë nuk ka dëgjuar për ndonjë ngatërresë të të akuzuarit Mehmeti, as me tani të ndjerin L.H., e as me ndonjërin prej kolegëve të tjerë dhe se të gjithë kanë pasur fjalë të mira për të.

    Gjatë seancës, dëshmitarit Berisha i është prezantuar një skicë e vendit të ngjarjes nga prokurori Arben Hoti, përmes të cilës tregoi momentet e natës kritike.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

    Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

    Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

  • Mbi 43.000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gaza

    Mbi 43.000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gaza

    Më shumë se 43.000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazas, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

    Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazas në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazas, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.

    Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua shumë nga sulmi.

    Izraeli i ka sulmuar disa spitale në Gazë gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militatë të tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.

    Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe tash e tri javë.

    OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se të paktën 400.000 njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është rritur, pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë./REL

  • Qëllohet për vdekje kryebashkiaku austriak, i dyshuari ndodhet në arrati

    Qëllohet për vdekje kryebashkiaku austriak, i dyshuari ndodhet në arrati

    Kryebashkiaku i Kirchberg ob der Donau, Franz Hofer, është qëlluar për vdekje në fshatin Altenfelden në rajonin rural Muhlviertel të Austrisë, afër kufirit me Gjermaninë dhe Republikën Çeke.

    Zëdhënësja e policisë së Austrisë së Epërme, Ulrike Handelbauer, ka thënë për CNN se një burrë tjetër gjithashtu është qëlluar për vdekje pak kohë më vonë.

    Ajo po ashtu ka potencuar se një operacion policor në shkallë të gjerë me helikopterë dhe forca speciale është duke u zhvilluar, pasi që i dyshuari besohet të jetë i armatosur dhe banorëve vendas u është thënë të qëndrojnë brenda.

    “Fatkeqësisht, ne supozojmë se autori që po kërkojmë mund të jetë duke mbajtur armën”, tha Handelbauer, sipas mediave lokale. Një mosmarrëveshje mbi të drejtat e gjuetisë duket se ka shkaktuar incidentin”, kanë deklaruar nga policia.