ATV

Category: Lajme

  • Osmani uron Erdoganin për Ditën e Republikës: Të vendosur për forcimin e partneritetit

    Osmani uron Erdoganin për Ditën e Republikës: Të vendosur për forcimin e partneritetit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar homologun turk Rexhep Taip Erdogan dhe gjithë popullin Turqisë, me rastin e Ditës së Republikës.

    Në një postim në X, Osmani ka thënë se populli i Kosovës është falënderuar për mbështetjen e palëkundur të Turqisë.

    Osmani ka thënë se Kosova është e vendosur të forcojë partneritetin me Turqinë.

    “I nderuar President Erdogan, në këtë ditë kuptimplote kur kombi turk feston Ditën e Republikës, shpresoj që fryma e unitetit dhe solidaritetit të mbizotërojë në të gjithë vendin tuaj. Populli i Kosovës falënderon sinqerisht Turqinë për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë e qëndrueshme ndër vite. Ne jemi të vendosur të forcojmë më tej partneritetin tonë dhe presim të shfrytëzojmë me entuziazëm të madh mundësitë që ofron bashkëpunimi ynë”, ka shkruar Osmani.

  • Aksion i Antidrogës në Prishtinë, Policia arreston tre persona – sekuestrohen substanca narkotike, thika e para të gatshme

    Aksion i Antidrogës në Prishtinë, Policia arreston tre persona – sekuestrohen substanca narkotike, thika e para të gatshme

    Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar me emrin “Freeshopi” ditën e djeshme, me ç’rast tre persona kanë rënë në pranga, njëri nga ta zyrtar policor.

    Sipas njoftimit, tek personat e dyshuar gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë rreth 370 gram, një peshore, tri thika dhe para të gatshme (4870) euro.

    Lidhur me përfshirjen e zyrtarit policor në këtë rast menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për procedura të mëtejme.

    Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore.

    “Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Lajçak thotë se është optimist për përparimin në disa tema të dialogut

    Lajçak thotë se është optimist për përparimin në disa tema të dialogut

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se ndihet optimist për pak përparim të arritur në disa çështje me rëndësi gjatë një takimi të kryenegociatorëve javën e kaluar në Bruksel.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk arritën pajtueshmëri gjatë për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje gjatë takimit të tyre trepalësh me Lajçakun të enjten në Bruksel, por u pajtuan në disa çështje të tjera, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Lajçak tha të martën në Facebook se, derisa nuk u arrit ndonjë rezultat për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së viti 2023, “jam optimist për pak përparim të arritur në disa çështje të rëndësishme, për të cilat do të vazhdojmë punën në javët në vijim”.

    Pas takimeve të së enjtes, Bislimi njoftoi se palët ishin pajtuar për disa çështje, përfshirë themelimin e një grupi punues, i cili do t’i harmonizojë rreth 20 certifikata veterinere, të cilat përdoren për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kosova e ka akuzuar Serbinë në të kaluarën se i ka penguar mallrat dhe bizneset kosovare që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, pasi Beogradi nuk njeh certifikatën fitosanitare të lëshuar nga Republika e Kosovës.

    Ai tha gjithashtu se Lajçak i njoftoi gjatë takimit se Serbia është zotuar se deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit, që ka qenë marrëveshje e energjisë e vitit 2022.

    Takimi i së enjtes ishte i pari trepalësh pas më shumë se tre muajve mes Bislimit dhe Petkoviqit, por ata përsëri dështuan të arrijnë pajtueshmëri për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Duke folur pas takimit, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori serb Petkoviq tha se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj./REL/

  • Dhunohet një e mitur në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    Dhunohet një e mitur në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar në Podujevë pasi dyshohet se ka dhunuar një të mitur.

    ”Podujevë 27.10.2024-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër kosovare – e mitur”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, në njoftim thuhet se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima në ekzaminim mjekësor.

  • Katër të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

    Katër të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

    Bombardimet ruse kanë vrarë katër njerëz mëngjesin e së martës në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, njoftoi kryetari i qytetit Ihor Terekhov, në një mesazh në rrjetin social Telegram.

    Sulmi në qarkun Osnoviansk të qytetit shkaktoi edhe dëme në infrastrukturën civile dhe në shtëpitë e banimit, sipas tij.

    Ky ishte sulmi i dytë në këtë qytet brenda gjashtë orëve.

    Nëntë njerëz u plagosën në sulmin e parë, i cili u krye ndaj qendrës së qytetit, ku u dëmtua një ndërtesë historike, tha Terekhov.

    Në një sulm tjetër, dronët rusë goditën Kievin mëngjesin e së martës, duke i plagosur së paku gjashtë civilë, përfshirë një rëndë, tha Vitali Klitschko, kryetari i kryeqytetit ukrainas.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Sot mblidhen pesë komisione parlamentare

    Sot mblidhen pesë komisione parlamentare

    Në Kuvendin e Kosovës sot pritet të mbahen mbledhjet e pesë komisioneve parlamentare.

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, sot në ora 10:00, mbanë mbledhjen e radhës, në rend dit është ehe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

    Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, sot po ashtu në ora 10:00 mbanë mbledhjen e radhës, në rend dit është edhe shqyrtimi i Raportit me amendamente për për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror si dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

    Mbledhje sot në ora 10:30 ka edhe Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në rend dite është edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2022 dhe 2023;

    Ndërsa Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti fillon mbledhjen në ora 11:00.

    Mbledhje po ashtu në ora 11:00 ka edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

     

  • Pak ditë para zgjedhjeve, digjen kutitë e votimit në disa shtete të ShBA-së

    Pak ditë para zgjedhjeve, digjen kutitë e votimit në disa shtete të ShBA-së

    Një seri sulmesh ndaj kutive të votimit në disa shtete po rrit trysninë ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, të cilët shpresojnë të mbikëqyrin një proces zgjedhor të sigurt dhe paqësor, si në votimet e hershme që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, ashtu edhe kur miliona amerikanë t’u drejtohen qendrave të votimit, javën e ardhshme.

    Shteti veriperëndimor i Uashingtonit i konfirmoi Zërit të Amerikës të hënën se policia lokale dhe FBI-ja po hetojnë të dhënat lidhur mbi dyshimet se një “pajisje ndezëse” ishte vendosur në një kuti të mbledhjes së votave, në Vankuver, të Uashingtonit, herët të hënën.

    Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar, por se disa nga fletët e votimit ishin dëmtuar. Në videot të transmetuara nga mediat lokale dukeshin zjarrfikësit në vendngjarje, ndërsa disa nga fletët e votimit digjeshin në tokë.

    Më herët, zyrtarët në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, njoftuan se në një nga kutitë e mbledhjes së votave ishte vendosur një pajisje ndezëse. Falë një mekanizmi kundra zjarrit, u bë e mundur që të shmangej dëmtimi masiv i të fletëve të votimit. Vetëm tre prej tyre u dëmtuan.

    “Sulmi ndaj kutive të votimit është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe është krejtësisht e papranueshme”, tha Sekretarja e shtetit të Oregonit, LaVonne Griffin-Valade në një deklaratë.

    Sekretari i shtetit të Uashingtonit dënoi gjithashtu rastet.

    “Dënoj me forcë çdo akt terrori që synon të prishë zgjedhjet e ligjshme dhe të ndershme në shtetin e Uashingtonit”, tha Steve Hobbs. “Nuk do të tolerojmë kërcënime apo akte dhune që synojnë të minojnë procesin demokratik”.

    Sulmet ndaj kutive të votimit në Uashington dhe Oregon pasojnë sulmin e javës së kaluar në një kuti postare me fletë votimi në Feniks të Arizonës, në jugperëndim të vendit. Zyrtarët atje arrestuan një të dyshuar për vënien e zjarrit që çoi në dëmtimin e rreth 20 fletësh votimi.

    Sulmet ndaj kutive postare dhe kutive të mbedhjes së votave ndodhin në një kohë që zyrtarët amerikanë të sigurisë po lëshojnë paalajmërime për dhunën e mundshme të lidhur me zgjedhjet nga ekstremistë me bazë në SHBA.

    “Ne presim që ekstemistët e dhunshëm do të paraqesin kërcënimin më të madh fizik për zyrtarët e qeverisë, votuesit dhe personelin dhe infrastrukturën e lidhur me zgjedhjet”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një vlerësim të lëshuar në fund të shtatorit./VOA

  • Ngjarja në Elbasan, policia jep detaje: 24-vjeçari po i vendoste eksploziv një mjeti, por i shpërtheu në duar

    Ngjarja në Elbasan, policia jep detaje: 24-vjeçari po i vendoste eksploziv një mjeti, por i shpërtheu në duar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku një 24-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra pas shpërthimit të lëndës plasëse, që dyshohet tritol.

    Policia bën me dije se i riu ka tentuar që lëndën plasëse ta vendosë në një makinë, por i ka shpërthyer në duar.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, ku dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit R. Ç., lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.

    Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.

  • Shpërthim tritoli në Elbasan, raportohet për një viktimë

    Shpërthim tritoli në Elbasan, raportohet për një viktimë

    Një person ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit, si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi.

    Paraprakisht, raportohet se lënda shpërthyese ishte vendosur në makinën e viktimës, i cili mori dëmtime të mëdha.

    Identiteti i viktimës nuk dihet ende, teksa forca të shumta policie kanë rrethuar zonën.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Dëshmitari i fundit të hënën, ishte ai me kodin W0295, i 99-ti më radhë. Ky dëshmitar është duke dëshmuar me masa mbrojtëse dhe në seancë private për publikun, e që pyetjet i kanë filluar përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Dje ka përfunduar dëshminë, Ish-pjesëtari i UÇK-së, Fatmir Sopi, i cili tha se në zonën ku ka vepruar ai, nuk ka pasur përçarje politike përpos misionit për luftën çlirimtare. Këtë deklarim, ai e bëri kur u pyet nga avokatja Krasniqit, se a ka pas ndonjë politikë UÇK-ja që ata që ishin në LDK, konsideroheshin kolaboracionistë. “Në zonën ku kam vepruar unë, nuk ka pas asnjë përçarje politike”, tha ia.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore, raporton RTK.

    Të kujtojmë se në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten u bë e ditur se është marrë vendim që më 14 nëntor 2024 të fillojë gjykimi në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

    Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.