ATV

Category: Lajme

  • Qeveria nesër mban mbledhje, në rend dite buxheti për vitin 2025

    Qeveria nesër mban mbledhje, në rend dite buxheti për vitin 2025

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nesër do të mbajë mbledhje Qeveria e Kosovës.

    Në një konferencë për media, ai ka shtuar se në këtë mbledhje do të jetë në rend dite edhe miratimi i buxhetit për vitin 2025.

    Kurti sot pohoi se shifra e buxhetit për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.

  • Ministri Murati jep detaje – Këto janë pagat e reja të mësimdhënësve, mjekëve e policëve

    Ministri Murati jep detaje – Këto janë pagat e reja të mësimdhënësve, mjekëve e policëve

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka dhënë detaje për rritjen e pagave të sektorit publik.

    Ai ka thënë se kësaj here nuk do të rritet koeficienti, por njësia e tij.

    Sipas tij, të gjithë punëtorët e sektorit publik do të marrin paga më të larta prej 50 euro nga janari dhe 110 nga korriku.

    Tutje, ministri nga janari 2025, shtohet 0.5 njësi koeficienti, ndërsa nga korriku 2025, shtohet edhe 0.5 njësi koeficienti (total 1 njësi).

    Ai ka dhënë edhe disa shembuj se sa do të jenë pagat e mësimdhënësve, mjekëve e policëve.

    “Nga 616 euro sa i merr një mësimdhënës aktualisht, nga janari ai do t’i marr 725 euro. Një infermier nga 605 euro do t’i marrë 715 euro. Rritje të pagës ka edhe për zyrtarët policor ku nga 550 euro përfiton pagë 660 euro”, ka thënë Murati.

    LEXONI EDHE:

    Qeveria Kurti rrit pagat e sektorit publik – 55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku

  • (VIDEO) Aksident trafiku në Fushë-Kosovë, përfshihen disa vetura

    (VIDEO) Aksident trafiku në Fushë-Kosovë, përfshihen disa vetura

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh në Fushë-Kosovë, ku të përfshira kanë qenë katër automjete.

    ATV-ja ka siguruar pamje nga ky aksident ku shihen disa vetura të dëmtuara rëndë derisa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë përkatëse të Policisë, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

    Aktualisht nuk dihen nëse ka të lënduar.

    Lajmi në përditësim…

  • Qeveria Kurti rrit pagat e sektorit publik – 55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku

    Qeveria Kurti rrit pagat e sektorit publik – 55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media.

    Kurti fillimisht ka paraqitur të arriturat e Qeverisë së tij, ku përmendi mbështetjen e prodhuesve dhe mbështetjen për familjet që sipas tij, ka ndikuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe shtimin e vendeve të reja të punës.

    Ai ka thënë se pagat janë rritur çdo vit, ashtu siç e parasheh edhe ligji, ndërsa kësaj here nuk do të rritet koeficienti, por njësia e tij.

    “Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar maksimumin e lejuar për rritjen e pagave. Nuk po e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Nga janari i vitit të ardhshëm, koeficienti do të rritet për 0.5 njësi dhe nga korriku për 0.5 njësi tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6 i bëhet 6.1 në janar, ndërsa në korrik i bëhet 6.6. Të gjithë të punësuarit do t’u rriten pagat 55 euro nga janari, 110 në korrik”.

    Ai më tej shtoi se ekonomisë së Kosovës çdo vjet shtohet nga 1 miliard euro “sivjet po e kalojmë 10 miliardshin e vitin tjetër do ta shtojmë 11 miliardshin”.

    “Për vitin 2025 për shpenzim shënon nivelin 2.3 miliardë euro. Kjo nuk është bërë duke rritur tatimet për qytetarët madje kemi liruar edhe tatimet. Rritjen e të hyrave tatimore e kemi bër duke e luftuar kontrabandën”, tha Kurti.

    “Për këto ktër vite, BPB është rritur sivjet dhe do ta kalojë 10 miliardë dhe pritet të shkojë 11 miliardë euro. Sivjet po e kalojmë 10 miliardë e vitin e ardhshëm do ta kalojmë 11 miliardhshin. Kemi shtim të vendeve të punës dhe aktualisht kemi 75 mijë vende të reja të punës”, shtoi Kurti.

    “Me hyrjen në fuqi, vitin e ardhshëm do ta shtojmë buxhetin për paga. Rritja e koeficientit do të rritet vitin e ardhshëm. Rritjen për secilin vit duhet të jetë në lonjë me rritjen ekonomikë dhe fatmirlsisht në qeverisjen tonë kemi treguar se dimë të qeverisim me zotnillëk”.

  • Apeli e lë në paraburgim Naser Hafizin

    Apeli e lë në paraburgim Naser Hafizin

    Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi, avokatit Shpetim Mehmeti, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hafizit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të 11 tetorit 2024 ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Naser Hafizit nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndaj këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar avokati Mehmeti për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike. Kishte propozuar që Apeli ta ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që të pandehurit t’i ndërprehet masa e paraburgimit ose t’i caktohet një masë më e butë.

    Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të Hafizit, ndërsa të vërtetohet aktvendimi i ankimuar.

    Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të 18 tetorit 2024, ka gjetur se ankesa e mbrojtjes është e pabazuar.

    Shkalla e dytë ka konstatuar se vendimi i Themelores është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Edhe Apeli vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se Hafizi në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e caktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe Udhëzimin Administrativ për strukturën e pagesave ujore, duke anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror, i cili ishte formuar me qëllim të llogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARLP-së.

    Aty thuhet se sipas raportit të grupit ministror, shuma e borxhit ishte 19,297,447.67 euro, kurse Hafizi pa bazë ligjore inicioi nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.

    Apeli thekson se shkalla e parë dyshimin e bazuar e mbështet në prova të mjaftueshme të cilat tregojnë qartë veprimet inkriminuese të të pandehurit.

    “Gjykata dyshimin e bazuar e vërtetoi edhe nga deklarata e dëshmitares M. D., në pozitën e ushtrueses së detyrës së Drejtorit të ARPL-së, ka qenë kundër kësaj procedure, duke konsideruar se kjo mënyrë e inkasimit të borxheve është e kundërligjshme. Vazhdimisht e njëjta ka kundërshtuar këtë proces e për këtë arsye disa herë i është inicuar procedurë disiplinore për shkak të qendrimit dhe mospajtimeve të saj lidhur me mënyrën e inkasimit të borxheve nga ana e të pandehurve”, thuhet në vendim.

    Gjithashtu, Apeli ka vlerësuar se Themelorja drejt ka gjetur se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale të lartcekura, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit.

    “…dhe atë duke marrë për bazë pasi i pandehuri mundë do t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, marrë parasysh peshën e veprës penale, lënia në liri e të pandehurit, mund të përdoret si mundësi reale që ai të ndikojnë në dëshmitarët kyç të këtij rasti penal, ku shumica e tyre janë zyrtarë të MMMPHI-së, ngase nga dëshmitë e siguruara nga ata provohet fakti se kanë qenë kundër procesit në mënyrën si ka rrjedhur procedura e inkasimit të borxheve, por që fjala e tyre, pavarësisht se vlerësohet se ka qenë e drejtë, nuk është marrë parasysh”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Se vendimi i Themelores ishte i drejtë, Apeli vlerëson edhe duke marrë parasysh se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë, sepse atakohet në mënyrë të drejtpërdrejtë buxheti publik dhe e mira publike, i cili dyshohet se është dëmtuar në masë të madhe. Kështu që, thuhet se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të kryejë sërish vepra penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

    Të pabazuar, Apeli e gjen pretendimin se duhet t’i caktohet masë më e butë Hafizit, pasi paraburgimi në këtë fazë vlerësohet masë e drejtë dhe që mundëson zhvillimin e hetimeve në mënyrë të papenguar.

    Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

    Në vendimin e Themelores për caktimin e paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

    Aty thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

    Tutje, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

    Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024. Detajet nga Dosja për Hafizin mund t’i gjeni: KËTU.

    Naser Hafizi, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte arrestuar më 10 tetor 2024 nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

    Prokuroria Speciale, gjatë aksionit 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

    Kurse, një ditë më parë përmes një komunikate nga PSRK, është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë. /BetimipërDrejtësi

  • Vrasja me thikë në Prishtinë, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

    Vrasja me thikë në Prishtinë, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurit G.M., i cili dyshohet për vrasje të rëndë.

    Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe të dyshuarit iu caktua masa e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, i njëjti mund të shmanget nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

    G.M., dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Tensionet në veri dhe mundësia e përshkallëzimit – Këshilli i Sigurimit të OKB-së nesër diskuton për Kosovën

    Tensionet në veri dhe mundësia e përshkallëzimit – Këshilli i Sigurimit të OKB-së nesër diskuton për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSOKB), nesër do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

    Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut, pritet të fillojë në ora 16:00.

    Sipas raportit të Guterres i publikuar ditë më parë nga mediat serbe, atmosfera në Kosovë është ende e tensionuar dhe ekziston rreziku i përshkallëzimi i tensioneve.

    “Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, ka thënë Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.

    Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

    Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020 mbahen çdo vit dy seanca, në prill dhe tetor.

    Seanca e fundit në të cilën është diskutuar raporti gjashtëmujor i OKB-së ishte mbajtur më 22 prill, në të cilën Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

    Në seancën e OKB-së më 22 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një pjesë të fjalimit të saj ua kishte dedikuar grave që janë të mbijetuara nga masakrat e kryera nga forcat jugosllave në Kosovë.

    Të pranishme në këtë seancë me Osmanin kanë qenë, Elhame Muçolli, një grua që ka familjarë të zhdukur në luftë, Fahrije Hoti, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, dhe Shyhrete Tahiri.

    Ajo e ka përsëritur nevojën për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

    Në anën tjetër, Vuçiç është ankuar pse ato gra kishin marrë pjesë në takim, duke thënë se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

    Osmani, në anën tjetër, kishte thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

  • Suspendohet polici që u kap në flagrancë duke blerë drogë

    Suspendohet polici që u kap në flagrancë duke blerë drogë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është suspenduar zyrtari policor i cili është kapur në flagrancë duke blerë substanca narkotike.

    IPK njofton se polici në fjalë ishte jashtë detyrës zyrtare në momentin që është kapur duke blerë drogë. Zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me  dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

    “Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar mbrëmë nga Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotikë për një rast ku dyshohej se ishte përfshirë edhe një zyrtar policor. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore.

    Hetimet për këtë rast kishin filluar më herët nga hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotikë të Policisë së Kosovës. Në këtë rast janë arrestuar tre të dyshuar përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare).Zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me  dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Si pjesë e procedurave administrative i njëjti edhe është suspenduar me rekomandim të IPK-së.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”.

    Policia e Kosovës njoftoi se në këtë rast janë arrestuar edhe dy persona të jetë.

    Aksion i Antidrogës në Prishtinë, Policia arreston tre persona – sekuestrohen substanca narkotike, thika e para të gatshme

  • Haradinaj shpalos planin e ri që synon anëtarësimin e plotë në NATO, përfshinë tri aspekte të kryesore

    Haradinaj shpalos planin e ri që synon anëtarësimin e plotë në NATO, përfshinë tri aspekte të kryesore

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpalosur planin e ri që përfshinë tri aspekte kryesore që Kosova synon anëtarësimin e plotë në NATO.

    Haradinaj tha se Aleanca hyn në zgjedhje me vizionin e kësaj kthese të madhe në siguri dhe ekonomi. Ky vizion synon të sigurojë, paga dhe pensione të dinjitetshme për qytetarët, kushte më të mira jetese, zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha sferat, etj,.

    Postimi i plotë:

    Anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO

    Plani dhjetëvjeçar i dakorduar me Amerikën dhe NATO-n është themeli për veprimin e ardhshëm – anëtarësimin e drejtpërdrejtë. Partneriteti për Paqe tashmë është realizuar përmes këtij plani. Tani, Kosova synon anëtarësimin e plotë në NATO përmes një plani të ri që përfshin tri aspekte kryesore:

    1. Politik:

    – Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike;

    – Përmbushja e obligimeve në dialog;

    – Konsolidimi i demokracisë në Kosovë;

    – Përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjë.

    2. Ushtarak:

    – Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës;

    – Zhvillimi i industrisë mbrojtëse vendore;

    – Prodhimi i municioneve, predhave dhe pajisjeve të tjera ushtarake;

    – Përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile;

    – Rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s.

    3. Ekonomik:

    – Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.

    Anëtarësimi në NATO do të sjellë përfitime të shumta:

    – Do të jetë kthesa më e madhe e sigurisë për Kosovën;

    – Do të garantojë zhvillim ekonomik duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit;

    – Do të inkurajojë investitorët vendas dhe të huaj;

    – Do ta shndërrojë Kosovën në një adresë të rëndësishme ekonomike.

    Kjo kthesë e madhe ekonomike do të sigurojë:

    – Qëndrimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve në Kosovë;

    – Përmirësimin e sistemit shëndetësor, duke ofruar shërbime cilësore për të gjithë;

    – Ngritjen e cilësisë së arsimit në nivelin e vendeve të NATO-s;

    – Përshtatjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.

    Aleanca hyn në zgjedhje me vizionin e kësaj kthese të madhe në siguri dhe ekonomi. Ky vizion synon të sigurojë:

    – Paga dhe pensione të dinjitetshme për qytetarët;

    – Kushte më të mira jetese;

    – Zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha sferat.

    Udhëheqja nacionale kërkon vizion të gjerë. Anëtarësimi në NATO është përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, duke përfshirë qëndrimin e popullatës, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe sigurimin e pagave të dinjitetshme.

  • Vdes nëna e Xhavit Halitit

    Vdes nëna e Xhavit Halitit

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka njoftuar se ka ndërruar jetë nëna e tij, Mihane Haliti.

    Në një postimnë Facebook, Haliti tregon se varrimi i të ndjerës do të bëhet në varrezat e fshatit Novosellë të Pejës, nga ora 15:00.

    “Nënë, do na mungosh pafund. Gjithmonë do jesh në zemrat tona”, ka shkruar mes tjerash deputeti i PDK-së.