ATV

Category: Lajme

  • Borrell lavdëroi Kosovën për rreshtimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së

    Borrell lavdëroi Kosovën për rreshtimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Krahas nëntë shteteve të tjera që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian miratoi raportin për Kosovën, në kuadër të Pakos së Zgjerimit 2024.

    Krahas një game të gjerë vlerësimesh dhe rekomandimesh në pothuajse të gjitha fushat, dokumenti i njohur si “raporti i progresit” vëmendje të veçantë i kushton procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Në konferencën pas miratimit të raporteve, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, foli për rëndësinë që zgjerimi jo vetëm ta rrisë por edhe forcojë BE-në. Në këtë kontekst, ai lavdëroi Kosovën ndërsa kushtëzoi Serbinë.

    “Thjeshtë, ju nuk mund të mbani lidhje me Rusinë ose të provoni të bëni biznes zakonshëm dhe të prisni që vendi juaj do të jetë pjesë e BE-së. Është njëra ose tjetra. Ndër vite kemi parë se rreshtimi me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë është treguesi më i rëndësishëm që një vend kandidat ndan vlerat dhe orientimin tonë gjeo-politik. Disa nga partnerët tanë janë plotësisht të rreshtuar me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Mund të përmend: Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, e cila po rreshtohet vullnetarisht… Serbia herët a vonë duhet të rreshtohet me BE-në, përndryshe anëtarësimi minohet, por ende jemi në proces”, tha Borrell.

    Teksa në dialogun Kosovë-Serbi përmendi si suksese zgjidhen e çështjes së targave, lëvizjes së lirë dhe energjisë në veri, Borrell qartësoi se asnjëra nga dy vendet nuk mund të anëtarësohet në BE nëse s’ka normalizim të marrëdhënieve.

    “Për të dyja, Kosovën dhe Serbinë, shpejtësia e zgjerimit dhe përparimit të tyre në dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja, duhet të shkojnë dorë për dore. Nuk mund të bësh njërën pa e bërë tjetrën. Përparimi drejt BE-së dhe zgjidhja ndaj dialogut, janë të ndërvarura dhe ndërvepruese”, tha Borrell.

    Krahas përmendjes së Planit të Rritjes si përshpejtuese e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, komisionieri Oliver Varhelyi, theksoi se përveç si reagim ndaj zhvillimeve gjeo-politike, zgjerimi është interes i BE-së.

    “Nëse ka një gjë që duhet të bëhet e qartë, është ajo që Komisioni ka punuar palodhshëm që ta vendosë zgjerimin sërish në agjendë, jo vetëm ta diskutojë atë por edhe të bëj përparim në këtë. Dhe mendoj se me shtetet anëtarë kemi bërë punë. Mendoj se zgjerimi tani është në mesin e tri prioriteteve kryesore… Në fund të mandatit të ardhshëm të Komisionit mund të shohim të ndodhë zgjerimi, por edhe integrimi në terren”, tha Varhelyi.

    Të dy thanë se raportet janë të bazuara në merita dhe në thelb të vlerësimit kanë sundimin e ligjit dhe reformat.

    Në këtë kontekst, si arritje ata përmendën faktin se për dallim nga viti 2019, tani janë nëntë vende kandidate për anëtarësim, plus Kosova potencialisht kandidate.

  • “Juridiksioni në Kosovë”, BE: Serbia shkeli obligimet nga dialogu

    “Juridiksioni në Kosovë”, BE: Serbia shkeli obligimet nga dialogu

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian konstatoi se i ashtuquajturi projektligj për juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë dhe shpallja e Kosovës “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale” nga Qeveria e Serbisë, përbën shkelje të pastër të obligimeve të ndërmarra në dialogun e Brukselit.

    Pa treguar nëse do të ketë pasoja nëse procedohet tutje, blloku 27-anëtarësh vetëm i konfirmoi shkeljet nga shteti fqinj.

    “Që nga Marrëveshja e Brukselit e 2013-tës, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta lidhur me juridiksionin përkatës të tyre. Projektligji i propozuar i Qeverisë së Serbisë [për deklarimin e Kosovës si një zonë të mbrojtjes së veçantë, dhe për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve gjyqësore për ndjekjen e veprave penale në Kosovë], ashtu siç është publikuar, përbën shkelje të qartë të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe janë në kundërshtim me rizotimin ndaj dialogut së fundmi”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.

    BE-ja kërkoi që Qeveria e Serbisë ta tërheqë projektligjin e miratuar më 28 Tetor.

    “Bashkimi Evropian i kujton Serbisë që ka obligim nga të gjitha marrëveshjet e dialogut, si pjesë integrale e integrimit të saj në BE, dhe i bën thirrje Serbisë ta rishqyrtojë projektligjin”, tha Massrali.

    Ndaj vendimit në Beograd, reagoi edhe zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi, duke kërkuar ndëshkimin e Serbisë.

    “Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? Ai që në mënyrë të pabesueshme përpiqet ta paraqesë si “konstruktive” duke përmendur zotimet e saj ndaj procesit, apo ai që miraton projektligje të tilla dhe vazhdimisht shkel marrëveshjet dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? BE-ja, si ndërmjetës, duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të fortë”, tha Bislimi.

    Vendimi i Qeverisë së Serbisë vjen vetëm pak ditë pas njoftimit se kryeministri i saj, Milos Vucevic, i ka dërguar letër BE-së, në të cilën zotohet për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

  • Dështon raportimi i shefit të AKI-së, deputetët e pushtetit lëshojnë sallën

    Dështon raportimi i shefit të AKI-së, deputetët e pushtetit lëshojnë sallën

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shefi i Agjencisë Kosovare të inteligjencës, Petrit Ajeti, u thirr të mërkurën për të raportuar në Komisionin parlamentar që mbikëqyr këtë institucion.

    Por arsyet e ftesës ngjallën debat të ashpër mes anëtarëve të komisionit.

    Madje, deputetët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje e lëshuan sallën, me arsyen se kjo thirrje është e kundërligjshme.

    “Siç e kuptuam nga ajo përpjekje për ta mbajtur atë mbledhje dhe pati tendenca për të tejkaluar kompetencat e Komisionit tonë, në veçanti me cenu dhe denigru pozicionin e Agjencisë, këtë rast përmes numrit të vogël të deputetëve që nuk treguan se kush janë thirrësit”, tha deputeti i LV-së, Salih Zyba.

    “Mbledhja është dashur të thirret si mbledhje e zakonshme dhe ne do të kishim marrë pjesë në kuptimin siç e bën drejtori i AKI-së. Është thirrur qëllimisht e jashtëzakonshme për të krijuar dramë, të cilat në ditët në vazhdim do të shihni e që do të keqpërdoren”, tha deputeti i LV-së, Arbër Rexhaj.

    Por, kryetarja e komisionit, që vjen nga Partia Demokratike, Ganimete Musliu, tha se Ajeti është ftuar për të diskutuar për dy çështje, për raportimet se disa gazetarë po përcillen nga agjentët e AKI-së dhe për ndërhyrjen e Dejona Mihalit në institucionet vendimmarrëse.

    “E patë se çka ndodhi në mbledhje, u pengua që të mbahet mbledhja. Duke ndjekur me shqetësim, me mbështetjen e 1/3 së komisionit, kemi ftuar për raportim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, për raportimet se disa gazetarë po përndiqen nga zyrtarë të AKI-së dhe ndikimin e Dejona Mihalit në disa institucione të rëndësishme”, tha Musliu.

    Tutje, Musliu tha se deputetët e mazhorancës nuk lejuan as bashkëbisedim me drejtorin e AKI-së, duke i bërë presion direkt atij.

  • Një muaj paraburgim ndaj policit dhe dy tjerëve që u kapën me drogë

    Një muaj paraburgim ndaj policit dhe dy tjerëve që u kapën me drogë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të paktën për 30 ditët e ardhshme, zyrtari policor, tanimë i suspenduar, Arbër Rexhepi, i afërmi i tij, Bleart Rexhepi, dhe bashkë me Fluart Mirenën do të qëndrojnë në paraburgim.

    Kështu vendosi Gjykata Themelore e Prishtinës, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Themelore, e cila ka dyshim të bazuar, se të tre kanë kryer shitblerjen e narkotikëve në mënyrë të paautorizuar.

    Në dokumentin të cilin e posedon edhe ATV-ja, tregohet se si polici u kap me lëndë narkotike.

    “Policia kishte ndalur një veturë në të cilën ndodheshin Bleart Rexhepi së bashku me zyrtarin policor, Arbër Rexhepi. Pas kontrollit që ka bërë Policia, të dyshuarit Arbër i është gjetur 0.3 gramë kokainë dhe një telefon i tipit Samsung. Ndërsa, të pandehurit tjetër Bleart Rexhepit, Policia ia kishte gjetur 1.8 gram marijuanë dhe dy telefona”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.

    Ata dy, narkotikun dyshohet se e blenë në një dyqan, pronë e Mirenës, të cilin po ashtu e bastisën, duke gjetur sasi të tjera të narkotikëve.

    “Gjatë kontrollit në dyqanin e Mirenës, fillimisht atij i janë gjetur dhe i janë sekuestruar 520 euro, dy telefona, kurse në dyqan një kuti me 98,7 gramë marijuanë, në një qese tjetër janë gjetur 0.8 gramë substancë narkotike e njëjtë si dhe një qese me 0.6 gramë kokainë. Në mesin e gjërave të gjetura dhe të sekuestruara në dyqanin e Mirenës janë edhe tri thika – brisqe”, thuhet më tej në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.

    Menjëherë pas arrestimit, Inspektorati Policor kishte suspenduar Arbër Rexhepin, i cili ishte i angazhuar në divizionin e sigurimit.

  • Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi për Masakrën e Dubravës

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi për Masakrën e Dubravës

    Përgatiti: Nora Luta

    25 vjet pas, i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Agron Ramadani, për ditën kritike rrëfeu të mërkurën para trupit gjykues të Gjykatës së Prishtinës.

    Kjo gjykatë për përfshirje në këtë masakër po e gjykon Gavrilo Milosavlevicin.

    Ramadani, që ishte në një qeli me Ukshin Hotin, tregoi se përveç keqtrajtimeve fizike, gjatë prillit të 1999-s, përjetuan edhe dhunë psikike nga gardianët të nacionalitetit serb.

    E një muaj pas edhe ishte plagosur.

    Ramadani tha se gardiani me nofkën Gagi, e keqtrajtoi të burgosurin Shkëlzim Zllanoga, madje e kishte detyruar edhe të këndojë në gjuhën serbe.

    Të akuzuarin, ish-i burgosuri politik e përshkroi si keqtrajtues, por identifikimi i drejtpërdrejtë në sallën e gjykimit nuk iu lejua nga gjykata, pas ankesës së mbrojtjes.

    Por, dëshmitari e kishte identifikuar atë edhe në polici.

    Megjithatë, Ramadani tha se të akuzuarin e njeh shumë mirë dhe i dorëzoi gjykatës disa fotografi.

    65-vjeçari nga Istogu, Gavrilo Milosavleviç, akuzohet se individualisht dhe në bashkëkryerje me forcat serbe, mori pjesë në masakrën e Dubravës.

    PSRK-ja është duke hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë masakër, gjatë së cilës u vranë 160 persona, e mbetën të plagosur më shumë se 300.

  • Njohësit: Qeveria shkeli Ligjin per Pagat ne Sektorin Publik me rritjen e koeficientit dy here

    Njohësit: Qeveria shkeli Ligjin per Pagat ne Sektorin Publik me rritjen e koeficientit dy here

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Asnjë koeficient në këto tabela të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, nuk do të vlejë nga janari, prej kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave. Të gjithë zyrtarëve do t’u rritet koeficienti për 0.5, dhe po kaq edhe në korrik 2025, që do të thotë dy herë nga 55 euro rritje.

    Njohësit thonë se kjo formë përbën shkelje ligjore.

    “Neni 42 i Ligjit e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit, pikërisht për këtë qëllim është vendosur ky nen…”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.

    Ndërsa, Neni 9 i po këtij ligji ia lejon qeverisë përcaktimin e vlerës monetare, çdo vit, me Ligjin për Buxhetin. Aktualisht vlera e koeficientit është 110 euro.

    Që të shmanget pabarazia, Miftaraj konsideron se ka mundësi ligjore të tjera.

    “Nëse paga e presidentes është shumë e madhe, merr vendim rriti pagat vetëm për mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, sepse edhe në këtë formë nuk ka barazi, sepse koeficienti është rritur tek të gjithë njësoj..”, tha Miftaraj.

    Ndërsa, Arton Demhasaj nga ÇOHU thotë se rritja e pagave do të duhej të ishte paralel me zhvillimin ekonomik.

    Ligji për Paga në Sektorin Publik u miratua në fund të vitit 2022.

  • Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro

    Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Si rrallëherë, qeveria thirri mbledhje me vetëm një pikë në rend dite.

    Në mbledhjen e 227-të ekzekutivi miratoi projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove, më i larti deri më tani.

    “Rekordi historik i një qeverie që e çon mandatin deri në fund dhe miraton 4 buxhete. Ky i vitit 2025 buxheti shënon nivelin 3.6 miliardë euro, 8.7 për qind më i lart se buxheti i kaluar”, tha kryeministri Albin Kurti.

    Nga shuma totale, 916 milionë do të ndahen për paga në sektorin publik.

    Rritje të buxhetit do të ketë edhe për institucionet e sigurisë, e atë të shëndetësisë.

    “Mallra dhe shërbime 105 milionë për nevojat e shëndetësisë, 87 milionë të tjera për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, municion pajisje të nevojshme, policia dhe ushtria t’i kryejnë detyrat”, tha Kurti.

    100 milionë euro të tjera shtesë do të shkojnë për pensionistët, ndërkaq shuma më e madhe është ndarë për investime kapitale, plot 930 milionë euro.

    “Investime kapitale në infrastrukturë 930 milionë euro, ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave, rruga Prizren – Tetovë. Investime edhe në furnizimin me ujë për zonën e Anamoravës, Investime në pjesën veriore të vendit”, tha Kurti.

    200 milionë të tjera do të shkojnë për infrastrukturë sportive, veçanërisht për Lojërat Mesdhetare 2030.

    Tutje, kryeministri përmendi edhe rritjen e buxhetit për komuna, në total 788 milionë, apo 240 milionë më shumë sesa kur morën mandatin.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky buxhet do të jetë në mbështetje të qytetarëve dhe familjeve.

    Krejt në fund, kreu i ekzekutivit pati një mesazh për qytetarët, karshi premtimeve të partive tjera.

  • Shtyhet sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Shtyhet sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Deputetët u bënë bashkë për të mbajtur seancë këtë të mërkurë.

    Por edhe pse opozita ishte prezente, ajo nuk mori pjesë në asnjë votim.

    Andaj për kalimin e projektligjeve u kërkua më shumë vëmendje nga deputetët e pushtetit.

    “Arsyeja përse kemi ardhur në seancë është për t’i miratuar këto projektligje”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Me votat e pozitës disa projektligje u miratuan, por për disa votat e tyre nuk mjaftuan.

    Marrëveshjet ndërkombëtare u shtynë për një seancë tjetër.

    “Po e shoh që nuk ka atmosferë që të votohen dhe kërkoj nga Sekretaria e Kuvendit që pikën e 6, 7 dhe 8, të tria marrëveshjet ndërkombëtare të barten kurdo që ka mundësi Kuvendi t’i trajtojë në ndonjë seancë të ardhshme”, tha Konjufca.

    Por, për projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fetilizimin e asistuar mjekësor, si dhe atë për gjendjen civile pati kundërshtime edhe nga vetë deputetët e Vetëvendosjes.

    Ndërkohë, opozita mori fjalën në kuvend për një propozim. Megjithatë, ajo u kërkua nga mazhoranca që të mos votohet.

    Kritika nga opozita pati edhe për programin kombëtar për integrim evropian 2024-2028, por pavarësisht kësaj, programi u miratua.

    Në Kuvend nuk i morën votat e mjaftueshme Projektrezoluta për përgjimet e Mimoza Kusari Lilës me Milan Radojcic, ajo për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Kosovës, e as ajo për skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.

  • Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, 3 të vdekur dhe 1 i plagosur rëndë

    Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, 3 të vdekur dhe 1 i plagosur rëndë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Dobraç të Shkodrës.

    Tre persona janë vrarë me armë zjarri ndërsa dy të tjerë sipas informacioneve të Euronews Albania, një tjetër është në gjendje të rënduar shëndetësore.

    Sipas informacioneve, ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e njohur si “5 heronjtë e Vigut”, ka qenë një atentat që ka pasur në shënjestër anëtarë të familjes Lici.

    EuronewsAlbania raporton se ende nuk mund të flitet për identitetin e viktimave, trupat e të cilëve tashmë janë larguar nga vendngjarja, por sipas informacioneve jozyrtare, një prej tyre ka qenë anëtar i fisit Lici.

  • ​Ritet bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Spanjë

    ​Ritet bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Spanjë

    Përmbytjet katastrofike në Spanjën lindore kanë lënë të vdekur të paktën 72 persona, njoftoi transmetuesi publik spanjoll RTVE të mërkurën pasdite.

    Të paktën 70 njerëz vdiqën në rajonin e Valencias dhe dy të tjerë në Castile-La Mancha. Në Paiporta, një nga qytetet më të goditura, kryebashkiaku foli për “dhjetëra vdekje” për shkak të stuhisë.

    Autoritetet ende nuk kanë ofruar një vlerësim të numrit të të zhdukurve.

    Numri i fundit i vdekjeve vjen pas një nate torturuese me përmbytje shkatërruese, të shkaktuara nga stuhia më e keqe e shekullit, e krahasueshme vetëm me dy të tjera në vitet 1980, sipas agjencisë meteorologjike të Spanjës.

    Kryeministri Pedro Sanchez u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë vigjilentë pasi stuhitë vazhdojnë të godasin Gadishullin Iberik, duke paralajmëruar se fronti i motit është “ende duke bërë kërdi” dhe se urgjenca nuk ka përfunduar.

    Të mërkurën pasdite, qeveria e Katalonisë aktivizoi një alarm të kuq në disa pjesë të provincës së Barcelonës. Agjencia meteorologjike e Spanjës aktivizoi gjithashtu një alarm të kuq për zonat në Cadiz.

    Sanchez bëri thirrje për unitet dhe solidaritet, duke paralajmëruar banorët në rajonet e prekura, përfshirë Valencia, Andaluzia dhe Extremadura, që të shmangin udhëtimet pranë përrenjve dhe brigjeve të lumenjve dhe të ndjekin këshillat e urgjencës.

    Qeveria gjermane ofroi gjithashtu mbështetje për Madridin, ndërsa presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen shprehu ngushëllimet e saj, duke aktivizuar mbështetjen satelitore dhe duke mobilizuar burimet e Mbrojtjes Civile të BE-së nëse është e nevojshme.

    Duke folur me gazetarët në Ishujt Kanarie, Mbreti Felipe i Spanjës iu drejtua fatkeqësisë së përmbytjeve, duke shprehur shqetësimin për shkatërrimin e gjerë dhe sfidat e vazhdueshme.

    Të mërkurën pasdite, qeveria spanjolle njoftoi se do ta shpallte zonën e prekur një “zonë katastrofike”.

    Stuhia filloi të martën, duke lëshuar shi të një viti në orë, duke shkaktuar që lumenjtë të shpërthejnë shpejt brigjet e tyre dhe madje të krijojnë tornado.

    Rrugët dhe qytetet filluan të përmbyten, duke bërë që autoritetet të ndërpresin shërbimin hekurudhor rreth Valencias, të anulojnë fluturimet dhe përfundimisht t’u kërkojnë banorëve të qëndrojnë brenda natës së së martës.

    Megjithatë, në kohën kur qeveria dërgoi alarme emergjente duke u kërkuar njerëzve të qëndronin brenda ose të kërkonin terrene të larta, shumë nga dëmet tashmë ishin bërë.

    Ndërsa lumenjtë vërshonin nëpër qytete, rrugë dhe lagje, qindra njerëz u bllokuan në çatitë e shtëpive, automjeteve, qendrave tregtare ose zonave industriale; disa ishin ngjitur pas pemëve.

    Banorët e dëshpëruar iu drejtuan mediave sociale për të kërkuar shpëtim pasi linjat lokale të emergjencës u shembën për shkak të një kombinimi të ndërtesave të përmbytura dhe vëllimit të madh të thirrjeve.

    Në Valencia, shpëtimi ka vazhduar edhe pasditen e së mërkurës. Ministria e Mbrojtjes e Spanjës vendosi rreth 1000 anëtarë të forcave të armatosura për të ndihmuar në përpjekjet.

    Banorëve u kërkohet ende të shmangin çdo udhëtim në autostradë dhe shumica e shkollave në rajonin autonom mbeten të mbyllura.

    Ndërkohë, sistemi i stuhive vazhdon të lëvizë nëpër Gadishullin Iberik, me pjesën më të madhe të Spanjës verilindore dhe jugperëndimore në alarme moti për shira të dendur. /AA