ATV

Category: Lajme

  • Lipjan, vëllai raporton motrën e tij të zhdukur

    Lipjan, vëllai raporton motrën e tij të zhdukur

    Një person ka raportuar se motra e tij është larguar nga shtëpia dhe më nuk dihet vendndodhja e saj.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti është raportuar të mërkurën në Lipjan.

    “Lipjan 30.10.2024 – 15:15. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se motra e tij femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24-të orëve të fundit ka shqiptuar dy mijë e 456 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    Po ashtu sipas raportit policor të 24-të orëve të fundit është bërë e ditur se janë shkaktuar 47 aksidente trafiku, ku prej tyre 1 me fatalitet, 17 me të lënduar dhe 29 me dëme materiale.

  • Një grua njofton policinë se dikush ia vodhi veturën në Pejë

    Një grua njofton policinë se dikush ia vodhi veturën në Pejë

    Një grua në Pejë e ka njoftuar policinë se dikush i ka vjedhur veturën.

    Policia ka nisur hetimet për rastin.

    ”Pejë 30.10.2024 – 00:30. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se i është vjedhur vetura e saj. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.

  • Aktakuzë kundër dy personave për vrasje, maltretime e plaçkitje gjatë luftës në Kosovë

    Aktakuzë kundër dy personave për vrasje, maltretime e plaçkitje gjatë luftës në Kosovë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër dy personave për vepra penale që ndërlidhen me krimet e luftës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të akuzuarit janë S.S dhe M.S..

    Sipas aktakuzës, “ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore 1998 – 1999, me dashje e në bashkëkryerje kanë kryer veprat Penale: vrasje, maltretime fizike dhe psikike, plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile.

    Me këtë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.”

  • Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi, përshkallëzim i rrezikshëm

    Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi, përshkallëzim i rrezikshëm

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.

    Duke folur në një konferencë për media në Pentagon mbrëmjen e 30 tetorit përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.

    Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe bartin pajisje ruse. Njësite të tjera nga Koreja e Veriut ndodhen tashmë në Kursk, sipas tij.

    Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.

    Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.

    “Ka një numër gjërash që mund të ndodhin”, tha Austin.

    Ai shtoi se “gjasat janë shumë të larta” që Rusia t’i përdorë trupat koreanoveriore në luftime.

    Austin përsëriti se trupat koreanoveriore duhet të presin të jenë në shënjestër e ushtrisë ukrainase, e cila përdor armë të dhuruara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, në fushëbetejë, dhe se disa prej tyre ka mundësi ta humbin jetën.

    “Nëse ata luftojnë përkrah ushtarëve rusë, atëherë ata po bashkëluftojnë, dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ata do të vriten dhe do të plagosen si pasojë e kësaj”, tha Austin.

    Shtetet e Bashkuara po e marrin situatën shumë seriozisht dhe i bëjnë thirrje Kremlinit ta ndryshojë kursin.

    Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara tha në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork më 30 tetor se bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel ligjin ndërkombëtar dhe nuk është “i drejtuar kundër vendeve të treta”.

    Vasily Nebenzya gjithashtu mohoi lajmet se trupat koreanoveriore janë të pranishme në vijën e parë të luftës.

    “Këto deklarata për ushtarët koreanoveriorë në frontin tonë nuk duhet të habisin askënd, sepse janë gënjeshtra të hapura”, tha Nebenzya, duke akuzuar Uashingtonin dhe Londrën për “dezinformim”.

    Koreja e Jugut ka paralajmëruar se Pheniani do të merrte mësime të vlefshme nga trupat e tij dhe do të shihte luftën moderne duke ndihmuar Rusinë, dhe kjo do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Seulin.

    Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha në një konferencë për shtyp me Austin se ai nuk beson se dislokimi do të shkaktojë luftë në Gadishullin Korean, por mund të rrisë kërcënimet e sigurisë pasi Koreja e Veriut me gjasë do të kërkojë teknologji ushtarake ruse në këmbim të dërgimit të trupave.

    Kjo mund të përfshijë armë bërthamore taktike dhe teknologji për raketa balistike ndërkontinentale.

    Ndërkohë, diplomati i lartë i Koresë së Veriut mbërriti në Moskë për bisedime, që sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, mund të përfshijnë diskutime për dërgimin e trupave shtesë dhe se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim./REL

  • Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike ndërkontinentale

    Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike ndërkontinentale

    Koreja e Veriut ka lëshuar ​një raketë balistike me rreze të gjatë.

    Ushtria e Koresë së Jugut “zbuloi një raketë balistike të lëshuar nga zona e Phenianit në drejtim të Detit Lindor”, tha shtabi i përgjithshëm i mbrojtjes kombëtare në Seul.

    Zyrtarët njoftojnë se ushtria ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe po ndan me autoritetet amerikane dhe japoneze informacione.

    Sipas të dhënave të publikuara, raketa arriti një lartësi prej më shumë se 7000 kilometrash dhe përshkoi një distancë prej 1000 kilometrash.

    Nisja erdhi disa orë pasi ministrat e mbrojtjes së SHBA-së dhe Koresë së Jugut kërkuan që Pheniani të tërheqë trupat që ka vendosur në Rusi, ku, sipas Uashingtonit, rreth 10,000 trupa të Koresë së Veriut janë vendosur tani dhe mund të luftojnë kundër saj.

  • Meloni: Më kërcënuan me vrasje sepse kam nënshkruar bashkëpunimin me Shqipërinë për emigrantët

    Meloni: Më kërcënuan me vrasje sepse kam nënshkruar bashkëpunimin me Shqipërinë për emigrantët

    Për herë të parë kam marrë kërcënime me vdekje sepse kam nënshkruar protokollin e bashkëpunimit me Shqipërinë për emigracionin”, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni në televizionin publik Rai.

    “Do të bëj gjithçka për të sjellë rezultate të prekshme në këtë bashkëpunim”, shtoi Meloni, duke iu referuar dy qendrave italiane për azilkërkuesit që janë ngritur në Shqipëri.

    “Disa i kanë vënë synim vetes të pengojnë luftën kundër emigracionit të parregullt”, theksoi shefja e qeverisë italiane.

    Sipas saj, vendimi i gjyqtarëve të Bolonjës për t’i kërkuar gjykatës së BE-së të vendosë mbi dekretin e qeverisë së Romës për vendet e sigurta të origjinës për emigrantët “duket më shumë si një pamflet propagandistik sesa një dokument gjyqësor”.

    Duke komentuar vendimin e dy nga tre sindikatave më të mëdha të vendit, CGIL dhe UIL, për të thirrur një grevë të përgjithshme kundër projektbuxhetit, Meloni akuzoi sindikatat për “sjellje paragjykuese”.

    Ajo shtoi në fund, se “njoftimi për grevë është bërë pak ditë para takimit të saj me qeverinë, në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025”.

  • Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza në takimin e Këshillit të Sigurimit

    Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza në takimin e Këshillit të Sigurimit

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti të mërkurën takimin e rregullt për Kosovën.

    Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa Serbia nga ministri Marko Gjuriq.

    Takimi erdhi në një kohë kur procesi i dialogut i lehtësuar nga BE, ka ngecur me mospajtime të thella mes të palëve dhe kritikave të Uashingtonit dhe Brukselit se Serbia dhe Kosova po shkelin detyrimet nga marrëveshjet, duke u bërë thirrje të vazhdueshme të heqin dorë nga veprimet e njëanshme.

    Përballja e Kosovës dhe Serbisë para Këshillit të Sigurimit u karakterizua me akuza të ndërsjella dhe interpretime plotësisht të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë.

    Gjuriq tha se situata në Kosovë gjatë dy viteve të fundit ka shënuar përkeqësim për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, të cilën ai e akuzoi për krimin e një klime të frikës dhe mungesë të stabilitetit.

    Ai akuzoi po ashtu se po refuzohet të respektohet marrëveshja e Brukselit dhe nuk po krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke thënë që veprimet e tilla të Kosovës janë një kundërshtim i drejtpërdrejt i Këshillit të Sigurimit dhe bashkësisë ndërkombëtare.

    Ndërkohë Gërvalla i hodhi poshtë akuzat e ministrit serb si “gënjeshtra të çmendura” duke u bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të mos u besojnë atyre.

    Ajo mbrojti vendimet e Qeverisë së Kosovës duke thënë që asnjë shtet tjetër nuk do të pranonte që institucionet e jashtëligjshme të një shteti tjetër të lëshonin dokumente personale, ndërkohë që akuzoi Serbinë për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

    Gërvalla tha se Serbia po vazhdon të mbrojë pjesëtarët e sulmit të armatosur në Banjskë dhe akuzoi Qeverinë e Serbisë se po luan rolin e aleates së Rusisë në rajon.

    “Problemi për njerëzit e Vuçiqit nuk është Asociacioni. Ata e kanë problem vet ekzistencën tonë. Për ta Asociacioni nuk është mjet për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është vetëm edhe një përpjekje për të shkëputur një pjesë të territorit të shtetit tonë, sikur që Putini ka bërë me Ukrainën. Ata nuk duan asgjë më pak se zhdukjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi ministrja Gërvalla.

    Përfaqësuesi amerikan, ambasadori Robert Wood, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë mundësinë e mbylljes së misionit të OKB-së në Kosovë, të cilit tha ai i ka kaluar koha.

    Ai kërkoi që këto takime të Këshillit të Sigurimit të zvogëlohen në një takim të vetëm vjetor që do të zhvillohej me dyer të mbyllura.

    Shtetet e Bashkuara gjithashtu thanë se Serbia “nuk ka bërë përparim të konsiderueshëm” në mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit serb në Banjskë vitin e kaluar, përfshirë Radoiçiqin.

    Në anën tjetër po ashtu shprehën shqetësimin “për veprimet e pa bashkërenduara” të Qeverisë së Kosovës që janë në kundërshtim me angazhimin e saj në procesin e dialogut.

  • Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite janë 27 pika

    Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite janë 27 pika

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare ku në rend janë dite 27 pika.

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vazhduar me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare dhe propozim-Vendimin për hartimin e Nismës legjislative të qytetarëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-295 për kripto-asetet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues, shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovë, zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

    Po ashtu do të bëhet emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,

    shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,

    shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Deputetët do të bëjnë edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

    Do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur, shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034y themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabaniy shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023 dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.

  • Rritja e pagave në sektorin publik – Jasharaj: Është fushatë e ulët dhe nënçmuese

    Rritja e pagave në sektorin publik – Jasharaj: Është fushatë e ulët dhe nënçmuese

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, ka komentuar rritjen e pagave të punëtorëve të sektorit publik. Ai kritikoi Qeverinë duke thënë se kjo ngritje është e ulët dhe nënçmuese.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Jasharaj ka thënë se pagat e mësimdhënësve duhet të kenë rritje 30 për qind në kuadër të koeficientit 1. Tutje, ai shtoi se ende po vazhdohet praktika që të mos ketë komunikim ndërmjet sindikatave dhe nivelit qendror.

    “Nga komunikimi i parë që kemi bërë me kryetarët e nivelit komunale dhe universiteteve shihet dhe është e arsyeshme. Jemi të zhgënjyer me deklaratën para mediave dhe kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, ne kemi bërë kërkesë tash e dy muaj drejtuar kryeministrit që të ketë një lëvizje të vlerës së koeficientit për së paku 30 % duke e argumentuar me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe duke bërë përpjeke që punëtorët e arsimit por edhe sektorët e tjerë ta kenë një mbështetje që të përballen më lehtë me çmimet që po ngrite. Ishte i befasishëm deklarimi i djeshëm ngase Kurti e Murati po vazhdojnë me atë praktikën që të mos komunikojnë fare me sindikatat por të sjellin vendime ashtu siç ju teket”, ka thënë Jasharaj.

    Kryesindikalisiti i arsimit ka theksuar se ky vendim në këtë kohë, mund të lexohet si deklarim për fushatë elektorale. Sipas tij, Qeveria ka qasje të gabuar, dhe nuk ka disponim për të bashkëpunuar me sindikatat.

    “Kemi një premtim se në janar do të ketë lëvizje brenda koeficienteve që dyshojmë që nuk është e mundur ngase që ligji për pagat e ka prodhuar Parlamenti dhe vetëm ai ka të drejtë të ndërhyjë në ligje, ndërsa Murati ka mundur të bëjë më lehtë lëvizjen e ta ngrit koeficientit por ta ngrit tani e jo në janar, sepse janari ka disa muaj dhe nuk dihet se çfarë do të ndodh, nga disa mund të lexohet si një deklarim pranë fushatës sidoqoftë, punëtorët e arsimi dhe jo vetëm janë tepër të pa kënaqur ngase me këtë lëvizje nëse e kthejmë në euro i bie diku 50 euro, ngritje që është tepër e ulët dhe është nënçmuese dhe kam frikë që kjo do të reflektojë tek anëtarësia jonë”, theksoi ai.

    “Ne e kemi shpërndarë një formularë në të gjitha institucionet arsimore dhe po presin se çfarë po na thonë anëtarësia. Sepse ata e dinë që ne jemi angazhuar shumë por kemi hasur në problem me qasjen e gabuar të Qeverisë, sidomos është tek ngritja e koeficientit por edhe tek kontrata kolektive, ku siç duhet zonja Nagavci nuk ka disponim që të ulet me ne e të bisedojmë as për çështjet tjera e as për kontratën që është tejet e rëndësishme për sektorin e arsimit por kontrata janë të rëndësishme edhe për kontratat tjera”, deklaroi ai.

    “Nëse vazhdohet kështu ne do ta analizojmë vullnetin e anëtarësisë, dhe pastaj do të shohim çfarë do të bëjmë tutje, kam frikë se anëtarësia e zhgënjyer edhe më këtë vendim, do të jetë edhe më kategorike që ne të fillojmë me veprime sindikale dhe do të angazhohemi sa ma pak të bllokohet procesi mësimor, ngase nxënësit nuk janë fajtor pse është kjo situatë e tillë”, shtoi ai.

    Tutje, ai ka ritheksuar se kjo rritje, nuk është e mjaftueshme, madje krahasoi pagën e punëtorëve të arsimit në Shqipëri me atë të Kosovës.

    Sipas Jasharaj, një mësimdhënës se Shqipëri ka pagën mbi 900 euro, ndërsa lëvizja e pagës për 55 euro në Kosovë, shkakton irritim për punëtorët, raporton EO.

    “Nuk është e mjaftueshme sepse është një lëvizje që nuk ndikon shumë, nuk i ndihmon as punëtorëve të arsimit, as policisë e të tjerëve, përballje me inflacionin përballje me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve, e aq më tepër kur edhe mësimdhënësit e tjerë kanë komunikim me shqiptarët e Shqipërisë, dihet publikisht se Qeveria e Shqipërisë, bëri një lëvizje të dukshme të pagave, paga në Shqipëri tek arsimi kanë shkuar në 900 e më shumë euro, kjo lëvizje me 50 euro më tepër i irriton sesa që do t’i gëzojnë punëtorët e arsimit e të tjerët”, përfundoi ai.

    Qeveria e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se pagat për punëtorët e sektorin publik do të rriten nga janari i vitit 2025.

    “Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithsej 110 euro bruto”, ka njoftuar Kurti në konferencë.