ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu kërkoi hetim të pronës në Veternik, Prokuroria Speciale: Deklarim i pavërtetë, tendencioz dhe qëllimkëqija

    Haxhiu kërkoi hetim të pronës në Veternik, Prokuroria Speciale: Deklarim i pavërtetë, tendencioz dhe qëllimkëqija

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka shprehur indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale, demanton deklarimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bërë sot, duke u shprehur se “është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik”.

    Prokuroria Speciale informon opinionin publik se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, sipas prokurorisë deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz.

    “Prokuroria Speciale, deklarimet e tilla të pavërteta, fatkeqësisht nga ministrja e drejtësisë, i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të Prokurorisë Speciale dhe punës se suksesshme të udhëheqësit të saj, duke vlerësuar se këto deklarime të pasakta, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të kësaj prokurorie”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga ‘deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija’.

    “Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtroj mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata”, thuhet tutje.

  • Qeveria e miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2025

    Qeveria e miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2025

    3 miliardë e 600 milionë euro është buxheti për vitin 2025, i cili u miratua të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë prezantimit të këtij buxheti nga ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se i njëjti është 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit paraprak dhe është “buxhet më gjithëpërfshirës”.

    “Mund të them se në shumicën e ekonomive në botë njëra prej shqetësimeve është rritja e çmimeve, ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin. Tani që kemi uljen e normës së inflacionin mund të them që ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të rritjes ekonomike, e që për vitin e ardhshëm pritet që të jetë 5.6 ne terma real. Sektorët kryesor qe kanë pasur prioritete në buxhetim kanë qenë sektori i mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera. Është një buxhet gjithëpërfshirës”, tha Murati.

    Duke folur gjatë një mbledhjes së Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.

    Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.

    Për premtimet e partive opozitare, Kurti u shpreh se ato janë boshe, duke shtuar se “emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet të ngatërrohet”.

    “Ndërkohë, për shkak se tashmë zgjedhjet po afrohen, po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare sikundër vlerë e vendimeve të mira të Qeverisë. Mirëpo, për një gjë duhet të jemi të sigurt se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet ngatërruar”, ka thënë ai.

  • ‘Trepça’ pezullon 13 punëtorë nga puna, iu ngritet aktakuzë

    ‘Trepça’ pezullon 13 punëtorë nga puna, iu ngritet aktakuzë

    Ndërmarrja “Trepca” ka lëshuar disa njoftime gjatë ditës së sotme, ka pezulluar 13 punëtorë nga puna.

    Kështu kanë bërë të ditur përmes njoftimeve në Facebook, ku në postimin e tyre thuhet se arsyeja e pezullimit të 12 punëtorëve, është ngritja e aktakuzës.

    “Me datën 30.10.2024 z.B.S, z.B.I, z.SH.R, z.Z.I, z.Sh.O, z.P.B, z.B.H, z.D.H, z.F.B, z.R.B, z.B.H dhe z.Rr.L, janë larguar përkohësisht nga puna. Me vendim me nr.prot:6584 të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A., pasi është ngritur aktakuza, duke u bazuar në nenin 73 par.1, nën paragrafi 1.1 i Ligjit nr. 03/L-212 të Punës si dhe nenit 19 par.1, nën paragrafi 1.1 i Rregullores nr.prot: 2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.

  • Rama i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë

    Rama i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur i tronditur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë.

    Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

    “I tronditur thellë nga përmbytjet e rënda që prekën zonat e Valencias, Andaluzisë dhe Murcias në Spanjë, fatkeqësia më e rëndë natyrore, duke vrarë të paktën 61 njerëz. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Duke i dërguar forcë dhe solidaritet popullit dhe qeverisë së Spanjës, ne dëshirojmë që të gjitha komunitetet e prekura të shërohen shpejt dhe të jenë të gatshëm për të ndihmuar”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

    LEXONI EDHE:

    Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

  • Prokuroria në Gjilan ngre aktakuzë ndaj 3 personave për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

    Prokuroria në Gjilan ngre aktakuzë ndaj 3 personave për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve N.H., N.B. dhe A.B., që akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

    Sipas njoftimit, më 8 gusht të 2024-s në Viti, i pandehuri N.H. ishte tentuar t’i privojë nga jeta të pandehurit N.B. dhe A.B. për shkak të një mosmarrëveshjeje për blerjen e një prone.

    Ai thuhet se kishte gjuan me automatik në drejtim të tyre, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të pandehurit N.B.I pandehuri tjetër, A.B. ka pësuar lëndime të lehta trupore.

    N.H. akuzohet edhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ndërsa, i pandehuri N.B. kishte tentuar ta privojë nga jeta N.H., duke e vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarës V.H., pasi ai kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre. Ndaj tij rëndon barra e akuzës “vrasje e rëndë në tentativë” dhe posedim i paautorizuar i armës.

    I pandehuri A.B. akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur një pushkë gjuetie.

  • Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

    Osmani ngushëllon për viktimat e përmbytjeve në Spanjë: Qëndrojmë me popullin spanjoll

    Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar për viktimat nga përmbytjet në Spanjë dhe tha se Kosova qëndron me popullin spanjoll në këtë kohë.

    “Lajm tronditës nga Valencia, Andaluzia dhe Murcia. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga këto përmbytje shkatërruese. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që kanë humbur të dashurit dhe qëndrojmë me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë, duke i uruar forcë dhe qëndrueshmëri të gjitha komuniteteve që punojnë për rindërtim”, ka shkruar Osmani.

    LEXONI EDHE:

    Kurti reagon pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë

  • Rritja e pagave – Bajrami: Skemë e korrupsionit, po bëhet për blerje të votave

    Rritja e pagave – Bajrami: Skemë e korrupsionit, po bëhet për blerje të votave

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se shpërndarja e parasë publike para zgjedhjeve është skemë e korrupsionit sepse thjeshtë po bëhet për blerje të votave ose mbështetje elektorale.

    Duke komentuar rritjen e pagave ajo i tha Ekonomia Online se rritja për 55 euro është pothuajse e pavërejtshme për të gjithë shërbyesit civil për shkak të vlerës së lartë të inflacionit gjatë këtyre viteve të fundit.

    “Fillimisht çdo shpërndarje e parasë publike në kohën kur janë shpallur zgjedhjet dhe tash kur janë shumë afër edhe fillimi i kampanjës zyrtarisht, e shohim si skemë e korrupsionit publik sepse thjeshtë po bëhet për blerje të votave ose mbështetje elektorale”.

    “Ne e dimë që në vitin 2021 ka pasur inflacion 11.6 për qind inflacion, ndërkohë shporta bazë e konsumit është rritur 50 për qind dhe nuk ka ndodhur asnjë lëvizje e pagave”.

    “Rritja e pagave për 55 euro si vendim i Qeverisë që sigurisht se do të vijë përmes Ligjit të Buxhetit është pothuajse një rritje të pavërejtshme për të gjithë shërbyesit civil për shkak se kemi pasur inflacion të madh gjatë këtyre viteve të fundit”, tha Bajrami.

    Kryeministri Albin Kurti tha të martën se vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficienteve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera.

    “Me fjalë tjera, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik koeficienti i bëhet 6.6.  Ngjashëm edhe për dikë që ka koeficientin 10.5, nga janari i bëhet 11.0, kurse nga korriku i bëhet 11.5.Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”.

  • Reagon Von der Leyen për përmbytjet në Spanjë: BE tashmë ka ofruar mbështetje

    Reagon Von der Leyen për përmbytjet në Spanjë: BE tashmë ka ofruar mbështetje

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë.

    Ajo njofton se BE-ja tashmë ka ofruar mbështetje.

    “Ajo që po shohim në Spanjë është shkatërruese. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit. BE ka ofruar tashmë mbështetje. Koperniku është aktivizuar”, ka shkruar Von der Leyen në “X”.

    LEXONI EDHE:

    ​Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet katastrofike në Valencia

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë për incidetin në sheshin “Car Llazar”

    IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë për incidetin në sheshin “Car Llazar”

    Policia e Kosovës kishte bërë të ditur më 26 tetor se rreth orës 02:35, në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, ka hasur në një qytetar serb nga veriu, M.S., i cili tentonte t’i dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme të cilat ishin të rrethuara me rrjetë, e të cilat ishin pronë e një dyqani.

    Pas këtij, rasti hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kishin nisur të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me këtë incident në sheshin “Car Llazar”.

    Ndërsa, sot IPK-ja në kuadër të këtij rasti ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky propozim bëhet duke iu referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me incidentin në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024.

    “Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast”.

    “Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmerr edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

  • Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për kontrollin e mallrave që hyjnë nga Serbia

    Sveçla takon Sarrazinin, diskutojnë për kontrollin e mallrave që hyjnë nga Serbia

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar mbi masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që futën nga Serbia, në pikë kufitare të Merdarit.

    Njëherit, Sveçla ka thënë se ky vendim po zbatohet me përkushtim, me qëllim të sigurisë së vendit.

    “Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi. Biseduam po ashtu për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallërat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë. Zyrtarët tanë shtetëror po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve ‘X’ që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare. Falënderova z. Sarrazin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në postimin e Sveclës.

    Institucionet e Kosovës kanë vendosur javë më parë që të lejohet futja e mallrave serbe nëpërmjet pikës kufitare të Merdarit.