ATV

Category: Lajme

  • S’kalon në Kuvend propozimi për importim të veturave më të vjetra se 10 vjet

    S’kalon në Kuvend propozimi për importim të veturave më të vjetra se 10 vjet

    Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancë.

    Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

    Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm për t’ua lehtësuar familjeve me ekonomi më të dobët blerjen e veturave, pasi sipas tij, jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.

    Megjithatë, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ftoi deputetët që ta kundërshtojnë votimin e këtij plotësim/ndryshimi të ligjit, duke e quajtur propozimin e Lushtakut si joprofesional.

    Ajo njëherësh theksoi se Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshimet profesionale në këtë ligj dhe se deputetët duhet të presin ato ndryshime.

    Në fund thirrja e deputetes Pacolli pati efekt, pasi 52 deputetë të mazhorancës votuan kundër, derisa vetëm nëntë deputetë votuan për.

  • Disa të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm rus në Kiev

    Disa të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm rus në Kiev

    Të paktën nëntë njerëz janë plagosur në Kiev nga një sulm rus me dronë mëngjesin e së mërkurës në kryeqytetin ukrainas, njoftoi administrata ushtarake e qytetit.

    Në shënjestër të sulmit ishte qarku Solomianki i kryeqytetit, thanë autoritetet.

    “Një zjarr shpërtheu në disa banesa në një ndërtesë shumëkatëshe banimi. 18 njerëz u evokuan nga ndërtesa; 9 njerëz u plagosën, përfshirë një fëmijë”, thanë autoritetet.

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 33 prej 62 dronëve që Rusia i lëshoi në drejtim të 10 rajone ukrainase, Kiev, Çerkasi, Hmelnitski, Harkiv, Zaporizhja, Donjeck, Dnipropetrovsk, Sumi, Çernihiv dhe Poltava, tha Forca Ajrore e Ukrainës.

    Një ditë më parë, bombardimet ruse vranë katër në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Miratohet shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028

    Miratohet shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028

    Kuvendi i Kosovës e ka miratuar shqyrtimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028.

    Pro këtij shqyrtimi ishin 59 deputetë, asnjë kundër ndërsa dy të tjerë abstenuan.

    Deputetët e opozitës nuk morën pjesë fare në këtë votim, teksa në foltoren e kuvendit shprehen pakënaqësitë e tyre.

  • Prokurorët nisin hetim ndaj dyshimeve për manipulim të zgjedhjeve në Gjeorgji

    Prokurorët nisin hetim ndaj dyshimeve për manipulim të zgjedhjeve në Gjeorgji

    Prokurorët gjeorgjianë e kanë thirrur presidenten e vendit, Salome Zurabishvili, për të dëshmuar, pasi e nisën një hetim ndaj dyshimeve mbi manipulime në zgjedhjet e 26 tetorit, të cilat i fitoi partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

    Presidentja Zurabishvili dhe opozita ngulin këmbë se ka pasur shkelje të mëdha në këto zgjedhje.

    Një ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu shqetësimin e tij të thellë për regresin demokratik të Gjeorgjisë dhe bëri thirrje për hetim transparent ndaj dyshimeve për vjedhje votash.

    Partia gjithnjë e më autoritare, Ëndrra Gjeorgjiane, e shpalli fitoren me pothuajse 54 për qind të votave, duke i nxitur mijëra njerëz të protestojnë kundër rezultatit zgjedhor, i cili, sipas tyre, u manipulua nga partia në pushtet përmes taktikave të stilit rus.

    Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve deklaruan se zgjedhjet u karakterizuan nga “një fushë e pabarabartë, presion dhe tension”. Ata gjithashtu njoftuan për raste të regjistruara të blerjes së votave, votimit të dyfishtë, dhunës fizike dhe kërcënimit.

    Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se hetimi ka nisur, pasi Zurabishvili deklaroi se zgjedhjet u shoqëruan me shkelje dhe refuzoi ta pranonte rezultatin e tyre.

    “Presidentja Salome Zurabishvili duhet të ketë prova për falsifikimin e mundshëm të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, në lidhje me të cilat, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj, [ajo] është thirrur për t’u marrë në pyetje më 31 tetor”, thuhet në njoftim.

    Prokurorët janë zotuar se do t’i ndërmarrin “të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe proceduriale, siç përcaktohet në apelin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe me qëllim të shqyrtimit të akuzave të shprehura nga presidentja e Gjeorgjisë, përfaqësuesit e partive politike dhe misionet vëzhguese”.

    “Si pjesë e hetimit, të gjithë personat që mund të kenë informacion mbi faktet e dyshuara penale do të merren në pyetje”, thanë ata.

    Zgjedhjet u mbajtën disa muaj pasi Ëndrra Gjeorgjiane e miratoi një ligj të diskutueshëm për “ndikimin e huaj”, të ngjashëm me ligjin rus për “agjentët e huaj,” pavarësisht bojkotit të opozitës dhe protestave masive disamujore, që herë pas here u shtypën me dhunë. Ligji për kufizimin e të drejtave të komunitetit LGBT gjithashtu u miratua muajin e kaluar.

    Zurabishvili, e cila ka qenë në konflikt me Ëndrrën Gjeorgjiane, por ka pushtet të kufizuara sipas Kushtetutës së Gjeorgjisë, i bëri thirrje Perëndimit në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 tetor që të ushtrojë trysni ndaj Tbilisit për ta mbajtur vendin në rrugën perëndimore.

    Ajo nuk pranoi ta nënshkruante ligjin për “ndikimin e huaj” dhe i kundërshtoi masat për LGBT, vendime që u rrëzuan pastaj nga Ëndrra Gjeorgjiane për shkak se ajo e ka nën kontroll Parlamentin.

    Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden gjithashtu tha se zgjedhjet “u shoqëruan me një numër të madh keqpërdorimesh të burimeve administrative si dhe frikësim dhe detyrim ndaj votuesve”, duke shtuar se qytetarët gjeorgjianë kanë të drejtë të protestojnë paqësisht kundër rezultatit të zgjedhjeve.

    Disa vende perëndimore, si Suedia dhe Kanadaja, i kanë kufizuar tashmë marrëdhëniet me Tbilisin si përgjigje ndaj shkeljeve të raportuara zgjedhore.

    Në vitet e fundit, Ëndrra Gjeorgjiane ka filluar ta largojë gradualisht vendin e Kaukazit nga Perëndimi, pavarësisht se vendi fitoi statusin e kandidatit për BE në dhjetor 2023./REL

  • Bislimi dhe emisarja franceze për Ballkanin flasin për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Bislimi dhe emisarja franceze për Ballkanin flasin për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në një takim ditën e sotme zëvendësdrejtoren për Ballkanin dhe Evropën në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Marguerite Costa de Beauregard.

    Përgjatë takimit u bisedua rreth fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe infrastrukturës. U trajtua dhe rrugëtimi në procesin e integrimit evropian të Kosovës si prioritet yni, gjersa sot presim dhe dorëzimin e raportit për vendin.

    Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të qëndrojnë në fuqi edhe pas konstatimit të përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në raportin e tij ku rekomandon heqjen e masave.

  • Kurti reagon pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë

    Kurti reagon pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjë.

    Nëpërmjet një postimi në “X”, shefi i qeverisë ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe thotë se Kosova solidarizohet me komunitetet e prekura, si dhe me reaguesit e emergjencës në përpjekjet e tyre të palodhur për të ndihmuar.

    “Mendimet tona janë me qeverinë spanjolle dhe popullin e Spanjës ndërsa përballen me përmbytjet vdekjeprurëse dhe shkatërruese. Kosova u dërgon ngushëllime familjeve të viktimave të shumta dhe solidarizohet me komunitetet e prekura, si dhe me reaguesit e emergjencës në përpjekjet e tyre të palodhura për të ndihmuar”, ka shkruar kryeministri.

    Sipas raportimeve nga mediat e huaja, deri tani thuhet se 51 persona kanë vdekur nga përmbytjet në Spanjë dhe shumë të tjerë janë zhdukur.

    ​Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet katastrofike në Valencia

  • ShBA-ja, e shqetësuar që Izraeli e ndaloi agjencinë e OKB-së për palestinezët

    ShBA-ja, e shqetësuar që Izraeli e ndaloi agjencinë e OKB-së për palestinezët

    Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” nga një legjislacion që e miratoi Parlamenti i Izraelin për ta ndaluar UNRWA-n, agjencinë kryesore të OKB-së që u sjell ndihma palestinezëve në Rripin e Gazës dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë në Izrael.

    Duke reaguar ndaj vendimin që e ndalon punën e UNRWA-s në Izrael dhe çdo kontakt mes autoriteteve izraelite dhe këtij grupi të OKB-së, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Uashingtoni i ka bërë të qarta shqetësimet e veta dhe se e kundërshton këtë legjislacion.

    “Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ky legjislacion. Ai mund ta ndalë punën e UNRWA-s në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në Jerusalemin lindor”, tha ai më 29 tetor.

    “Kjo përbën rrezik për miliona palestinezë, të cilët varen nga UNRWA-ja për shërbime thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimim fillor dhe të mesëm”, tha Miller.

    Ai theksoi se UNRWA-ja luan rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve për palestinezët.

    Ky legjislacion u aprovua nga Parlamenti i Izraelit më 28 tetor dhe do të hyjë në fuqi brenda 90 ditësh.

    Palestinezët në Rripin e Gazës janë goditur rëndë nga shpërthimi i luftës me Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

    Hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 43.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    UNRWA-ja ka paralajmëruar disa herë se Gaza është buzë krizës humanitare për shkak të luftës.

    Ligjvënësit izraelitë që e miratuan ligjin për ndalimin e UNRWA-s, thanë se disa punëtorë të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit.

    OKB-ja tha në gusht se nëntë pjesëtarë të stafit të UNRWA-s u shkarkuan për shkak se dyshohet se mund të jenë përfshirë në sulmin e 7 tetorit.

    Legjislacioni ka gjasë ta bëjë të pamundur punën e UNRWA-s në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, i cili është i uzurpuar nga Izraeli./REL

  • Maqedonci takon homologun e tij nga Katari, flasin për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës

    Maqedonci takon homologun e tij nga Katari, flasin për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Katarit, Khalid bin Mohammad Al Attiyah.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se Maqedonci e ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen nga shteti i Katarit, si dhe për angazhimin e tij personal për thellimin e marrëdhënieve nga pozicioni paraprak i ministrit për Punë të Jashtme të Katarit.

    Po ashtu, ministri e njoftoi Al Attiyahn, për situatën e sigurisë në regjionin e Evropës, e veçanërisht atë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

    Në takim diskutuan për vendosjen e urave të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes në mes të dy vendeve dhe u dakorduan për bashkëpunim në fushën e trajnimeve dhe edukimit ushtarak, si dhe mundësisë për investime të përbashkëta në fushën e prodhimit ushtarak.

    Nga ana e tij, ministri Al Attiyah ofroi 6 kuota për edukim të kadetëve tanë në akademitë ushtarake të Katarit, duke përfshirë dhe Akademinë e Forcave Ajrore të Katarit.

  • Raportimet se serveri i administratës së Podujevës është djegur, komuna del me sqarim

    Raportimet se serveri i administratës së Podujevës është djegur, komuna del me sqarim

    Gjatë ditës së sotme është raportuar për djegien e serverëve të administratës në komunën e Podujevës.

    Por, pushteti lokal atje e mohon se ka ndodhur një rast i tillë.

    Në një reagim të lëshuar thuhet se asnjëherë nuk janë cenuar të dhënat personale të qytetarëve.

    “E vërteta është se pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë mëngjesit të së enjtes të javës së kaluar, disa hardisqe kanë pësuar defekte, të cilat janë të natyrës teknike dhe janë të menaxhueshme. Pra, infrastruktura bazë është e paprekur dhe funksionon siç duhet dhe se defektet e krijuara janë të riparueshme. Ju njoftojmë gjithashtu se mbarëvajtja e punëve administrative në Komunën e Podujevës po zhvillohet normalisht”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Tutje në reagimin e komunës thuhet se edhe pas defekteve në këto hardisqe, nuk janë humbur të dhënat, pasi ato janë të ruajtura në kompjuterët e zyrtarëve, në programet aplikative siç janë intraneti, uebfaqja zyrtare, programet e financave dhe ato të dhëna janë duke u rikthyer në sistem nga zyrtarët e IT-së.

    “Por, nuk bëhet fjalë për të dhëna të qytetarëve, pasi ato ruhen në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) në nivel qendror. Kjo është një garanci që, pavarësisht ngjarjeve të papritura, Komuna është në gjendje të ofrojë shërbime të qëndrueshme dhe të besueshme për qytetarët tanë”.Lajmet e tilla se kinse është djegur serveri i Komunës, përveçqë janë të pavërteta, ato janë edhe tendencioze, dashakeqëse dhe kanë për qëllim të krijojnë panik dhe huti te qytetarët. I sigurojmë qytetarët se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe nuk duhet të shqetësohen aspak për këtë”, thuhet në njoftimin e lëshuar.

  • Vazhdon dëshminë në seancë private dëshmitari i 100-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon dëshminë në seancë private dëshmitari i 100-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 100-të, i cili mban kodin W04809 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është duke dëshmuar në seancë private dhe sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III pyetjet për atë do t’i fillojë mbrojtja e Thaçit.

    Dëshmitari i 100-të e filloi të martën dëshminë e që pyetjet ndaj tij i filloi dhe përfundoi Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.

    Gjatë ditës së djeshme, gjykatësi Smith tha se të gjithë të akuzuarit do të jenë prezent përmes video-lidhjes gjatë seancës së sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.