ATV

Category: Lajme

  • Nuredin Ibishi thotë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë luftës

    Nuredin Ibishi thotë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë luftës

    Dëshmitari Nuredin Ibishi deklaroi të enjten në Hagë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë periudhës së luftës.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Christoph Barthe, dëshmitari tha se më vonë e ka kuptuar se ai ka qenë shef i Inspektoratit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Unë në kohën.. nuk e kam ditur. Më vonë e kam kuptu. Shumë vonë”, tha Ibishi.

    Ai u pyet se çfarë roli ka menduar se e kishte Rexhep Selimi kur ai e ka takuar në gusht të ’98-ës.

    “S’kam pas kurrfarë njohurie përveç Jakup Krasniqit dhe normal Bislim Zyrapit që ka qenë në atë aspektin si përfaqësues të them ashtu shef Shtabi për aspekte ushtarake. Po i referohna takimit të dytë, i referohem më shumë Bislim Zyrapit e jo të gushtit”, tha Ibishi.

    Dëshmitari gjithashtu tha se edhe gjatë takimeve që i kanë realizuar, në dy raste, nuk e di nëse Selimi ishte shef i Inspektoratit.

    “Më vonë e kam kuptuar se ai mund të ketë qenë, por kjo është më vonë se ai ka qenë shef i Inspeksionit. Mirëpo, tash nuk e di se a ka vlejt ajo në kohën e takimit tonë të parë apo të dytit. Mirëpo, më vonë e kam kuptu dhe nuk mund ta bie vetën në siklet se a e di saktësisht se a ka qenë ai i emëruar si shef i Inspeksionit në ’98-ën apo ka mundur të ndodhë edhe muajë apo kohë më vonë. Nuk mund t’i referohem saktësisht. Më vonë kam mësu se ka qenë shef i Inspeksionit, por pa iu referuar kohës”, tha Ibishi.

    Dëshmitari foli për një takim të Shtabit të Përgjithshëm në zonën Operative të Llapit, duke shtuar se vetëm Jakup Krasniqin e njihte për shkak të paraqitjeve të tij mediatike si zëdhënës i UÇK-së.

    Ndërsa, për Selimin, Thaçin dhe të tjerët tha se ka menduar që janë nga Shtabi meqë para takimit ishin njoftuar se ky takim do të ndodhte me anëtarët e Shtabit.

    “Nga ata e njifsha vetëm zotin Krasniqi, për atë po them. Na kanë thënë që janë të Shtabit të Përgjithshëm, por unë kam prezumu që përveç Krasniqit edhe të tjerët mund të jenë nga Shtabi”, tha Ibishi.

    Pyetje për dëshmitarin pati edhe prokurorja Silvia D’Ascoli pas pyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.

    Ibishi tha se kontakti i vetëm me Shtabin e Përgjithshëm ishte nëpërmjet Komandantit të Zonës Operative.

  • Vriten tre palestinezë në Bregun Perëndimor

    Vriten tre palestinezë në Bregun Perëndimor

    Tre persona janë vrarë të enjten nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

    Ushtria izraelite tha të enjten se kreu një sulm ndaj “infrastrukturës terroriste” në Nur Shams.

    Zyrtarët palestinezë dhe agjencia e lajmeve WAFA thanë se një numër i madh automjetesh dhe buldozerësh izraelitë u futën në qytet dhe shkuan drejt kampit të refugjatëve Nur Shams.

    Brigadat Al Quds, krahu i armatosur i lëvizjes palestineze Xhihadi Islamik, tha se e ka shpërthyer një bombë të madhe për ta parandaluar bastisjen e ushtrisë izraelite.

    Ushtria izraelite tha se atje e eliminoi një militant të Hamasit, i cili dyshohet se ishte përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj izraelitëve.

  • Lekaj kritikon ministrin Aliun: Rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes

    Lekaj kritikon ministrin Aliun: Rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes

    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka hedhur kritika në drejtim të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për “gjendjen e rëndë në rrugët e Kosovës”.

    Lekaj ka thënë se rrugët janë bërë rrugë të vdekjes.

    “Më shqetësuese është sot se rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes dhe ta marrim rrugën për Gjilan. Nuk di se çka thotë ministri Liburn Aliu e zëvendësministri Durmishi dhe si mund të dalin e të krenohen me punën e tyre kur rrugët marrin jetëra. Nuk ka sinjalizim dhe është mjerim i Ministrisë përkatëse. Rruga Dollc-Gjakovë, që shtatë deputetë që vijnë nga Gjakova dhe është turp i kësaj Ministrie se si i ka lënë qytetarët e Gjakovës në ketë gjendje. Besoni se pas një muaji pasi e kanë bërë shtresën e parë, hajdeni dhe shkojmë ta këqyrim se në çfarë gjendje të mjerueshme e kanë lënë. Besoni se më kish ardhë turp me qenë ministër e me ndejt para deputetëve e me i lënë rrugët në atë gjendje”, tha Lekaj.

  • UNICEF: Që nga 4 tetori, në Liban vritet për çdo ditë një fëmijë

    UNICEF: Që nga 4 tetori, në Liban vritet për çdo ditë një fëmijë

    Agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, ka deklaruar se të paktën një fëmijë është vrarë dhe 10 janë plagosur çdo ditë në Liban që nga 4 tetori.

    Në deklaratë thuhet se shumë fëmijë të tjerë, megjithëse të padëmtuar fizikisht, janë thellësisht të traumatizuar nga dhuna, shkruan CNN.

    Aty gjithashtu thuhet se shumë prej tyre kanë shfaqur shenja të rënda shqetësimi emocional, duke përfshirë ankthin dhe problemet e përqendrimit.

    “Shumë fëmijë vuajnë nga problemet me gjumin, dhimbjet e kokës dhe humbja e oreksit”, ka thënë UNICEF.

  • Arrestohet Fisnik Qenaj, ishte shpallur person në kërkim

    Arrestohet Fisnik Qenaj, ishte shpallur person në kërkim

    Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale të Policisë në Gjakovë ka njoftuar arrestimin e Fisnik Qenajt.

    Ai ishte shpallur më 15 gusht nga Policia e Kosovës si person në kërkim.

    Qenaj ishte i përfshirë në një rast të “lëndimit të rëndë trupor”.

    “Duke shprehur mirënjohje të veçantë për rolin aktiv të mediave dhe gatishmërinë e qytetarëve për bashkëpunim, Drejtoria Rajonale të Policisë në Gjakovë thekson rëndësinë e vazhdueshme të këtij partneriteti për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë shoqërisë” thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Vendos KGjK-ja, gjyqtarja Mejreme Memaj, emërohet kryesuese e Panelit për Lirim me Kusht

    Vendos KGjK-ja, gjyqtarja Mejreme Memaj, emërohet kryesuese e Panelit për Lirim me Kusht

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), në takimin e 335-të e ka emëruar Kryesuese të Panelit për Lirim me Kusht, gjyqtaren, Mejreme Memaj, ndërsa anëtar rezervë/zëvendës kryesues, gjyqtarin, Agim Maliqi, të cilët janë deleguar nga Gjykata Supreme e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Mandati i anëtarëve të Panelit për Lirim me Kusht, është dy vjeçar, pa të drejtë rizgjedhje, kurse vendimi hyn në fuqi nga data 31 tetor 2024.

    KGjK-ja propozoi edhe anëtarët për Këshillin Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, për çka kryesuesi Albert Zogaj kërkoj përgjegjësi në kryerjen e detyrave.

    Edhe Vilard Bytyqi, anëtari i KGjK-së, tha se të gjithë kandidatët e propozuar, duhet ta kryejnë me dinjitet këtë punë.

    “Për këta kolegë cilido që të jetë do të vlerësoj që këta kolegë ta kuptojnë që janë përfaqësues të Akademisë së Drejtësisë dhe është e rëndësishme që ta kenë një bashkëpunim të fortë”, ka thënë Bytyqi.

    Në mbledhje u miratua edhe draft-memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, raporton EO.

    Po e ashtu u votuar edhe për themelimin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.

  • ​Shqipëria e pranon zyrtarisht raportin e progresit

    ​Shqipëria e pranon zyrtarisht raportin e progresit

    Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka njoftuar se sot e ka pranuar zyrtarisht raportin e progresit.

    Begaj tha se përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

    “Ditë e mirë për Shqipërinë! Kënaqësi të prisja sot Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili më dorëzoi zyrtarisht progres-raportin për Shqipërinë. Përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Progres-raporti na nxit të punojmë fort të gjithë së bashku për të arritur objektivin tonë”, ka shkruar Begaj në rrjetin social Facebook.

     

  • Vazhdojnë kërkimet për të zhdukur në Spanjë, pas përmbytjeve vdekjeprurëse

    Vazhdojnë kërkimet për të zhdukur në Spanjë, pas përmbytjeve vdekjeprurëse

    Autoritetet spanjolle lëshuar edhe një paralajmërim për stuhi të enjten për pjesën e rajonit të Valencia, ku një ditë më parë së paku 95 njerëz humbën jetën nga përmbytjet shkatërruese.

    Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet të enjten për një numër të papërcaktuar të njerëzve të zhdukur në fushat dhe veturat e përmbytura.

    Autoritetet nuk kanë treguar se sa njerëz janë zhdukur, por ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, tha të mërkurën vonë se numri i të vdekurve do të rritet sipas të gjitha gjasave.

    Moti i qetë u rikthye të enjten në pjesët më të goditura nga përmbytjet më të mëdha në shekullin e fundit në Spanjë përreth qytetit të Valencias, por Instituti Meteorologjik i vendit, AEMET, e lëshoi alarmin e shkallës më të lartë për provincën Castellon.

    Meteorologët thanë për tetë orë pareshtur ra shi i vlefshëm për një vit në pjesën e Valencias të martën, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse.

    “Ka stuhi shumë të fuqishme në zonë, posaçërisht në veri të Castellonit. Moti i keq vazhdon! Kini kujdes!” paralajmëroi AEMET, duke i këshilluar njerëzit të mos udhëtojnë për në këtë pjesë të vendit.

    Përmbytjet në Valencia shkatërruan infrastrukturën e rajonit, duke prishur ura, rrugë, hekurudha dhe ndërtesa, pasi lumenjtë dolën nga shtrati./REL

  • Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i voton raportet KPM-së, KQZ-së e ZRrE-së për vitin 2023

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i voton raportet KPM-së, KQZ-së e ZRrE-së për vitin 2023

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për KPM-në, KQZ-në dhe ZRrE-në për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se raportet janë të pamodifikuara për të tria institucionet.

    “Është vetëm një gjetje për Komisionin e Pavarur për Media dhe gjetja ka të bëjë me pozita të larta udhëheqëse me ushtrues detyre. Po e kryeshefit ekzekutiv në KPM funksionon për një kohë të gjatë me UD, saktësisht nga korriku i vitit 2021 dhe ju e dini se kjo nuk është e lejuar as me Ligjin për Zyrtarët Publikë”, tha Bajrami, teksa vazhdoi me gjetjet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Aty tha se janë dy gjetje.

    “Raporti i auditimit për KQZ-në ka opinion të pamodifikuar dhe ka dy gjetje. Njëra ka të bëjë me mosrespektim të procedurave për servisim të automjeteve dhe tjetra ka të bëjë me moskryerjen e inventarizimit të pasurisë brenda afateve ligjore”, tha Bajrami.

    Ndërsa raporti i auditimit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Bajrami tha se janë tri gjetje dhe opinioni është i pamodifikuar.

  • Dy të vrarë, 34 të plagosur nga sulmi ajror rus në një ndërtesë banimi në Harkiv

    Dy të vrarë, 34 të plagosur nga sulmi ajror rus në një ndërtesë banimi në Harkiv

    Bombat e telekomanduara ruse kanë goditur një ndërtesë shumëkatëshe banimi në Harkiv në orët e vona të 30 tetorit, duke e vrarë dy njerëz, përfshirë një fëmijë, dhe duke i plagosur 34 të tjerë, thanë zyrtarët.

    Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se fëmija, 11 vjeç, ishte nxjerrë nga rrënojat me lëndime të rënda në kokë, por mjekët nuk ishin në gjendje ta shpëtonin.

    Më herët, kryetari i qytetit të Harkivit, Ihor Terekhov, kishte thënë se “kemi të dhëna për një bombë të telekomanduar ajrore që ka goditur një ndërtesë të lartë. Ka viktima”.

    Më herët, Synyehubov tha se të dhënat paraprake tregojnë se ndërtesa e goditur ndodhet në distriktin Saltiv të qytetit. Ai konfirmoi se kati i katërt i ndërtesës u godit, duke shkaktuar zjarr.

    Pas shpërthimit, një pjesë e Harkivit mbeti pa rrymë, sipas raporteve në rrjetet sociale.

    Ndërkohë, gjatë ditës me 30 tetor, trupat ruse kryen një sulm masiv me raketa në rajonin e Odesës, tha Oleh Kiper, kreu i administratës ushtarake rajonale.

    “Armiku shkrepi rreth 10 raketa të llojeve të ndryshme në rajonin e Odesës”, tha ai në Telegram.

    Bombat e telekomanduara dhe raketat balistike u përdorën gjatë sulmeve, sipas kanaleve të Telegramit që monitorojnë situatën.

    Gjithashtu, pati një sulm në qytetin e Dnipros, tha Serhiy Lysak, kreu i administratës ushtarake rajonale.

    “Mbrëmje shqetësuese në Dnipro. Si pasojë e një sulmi nga armiku në qytet, një djalë 14-vjeçar u plagos”, shkroi ai në Telegram.

    Para sulmit, Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për dronë të lëshuar nga forcat ruse në rajonin e Dnipropetrovskit./REL