ATV

Category: Lajme

  • Ikballe Huduti person non-grata në Shqipëri, ministri Lamallari: Kërcënon sigurinë kombëtare, kemi të dhëna për personat që përbëjnë rrezik

    Ikballe Huduti person non-grata në Shqipëri, ministri Lamallari: Kërcënon sigurinë kombëtare, kemi të dhëna për personat që përbëjnë rrezik

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari tha sot se vendimi për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare për Ikballe Huduti Berisha, është marrë duke u bazuar nga informacionet e shërbimeve të inteligjencës.

    Në një intervistë në ABC News.al, Lamallari u shpreh se Ikballe Huduti Berisha kërcënon sigurinë kombëtare.

    Lamallari shtoi se Policia e Shtetit administron të dhëna për personat të tjerë që përbëjnë rrezik për vendin, raporton ABC News.

    “ Është bazuar nga informacionet e inteligjencës. Vendimmarrja është bazuar nga informacionet e inteligjencës, është e duhur, në dobi të vendit tonë. Edhe çdo informacion që ata kanë disponuar, që me kalimin e kohës konkludohet në faktin që veprimtaria e personit përbën kërcënim, çon në vendimmarrje të tillë. Ka edhe një urdhër dëbimi. Nëse gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, dëbohet nga vendi. Kam reaguar në momente të caktuara, nuk ndaj informacione që ligjërisht duhet t’i mbaj të kufizuara.

    Një protestë që nisi qytetare, u bë përshesh për agjenda të huaja. Ka agjenda të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE. Shqipëria nuk është vendi ku qytetarët nuk kishin frikë të protestonin. Policia e Shtetit, ka edhe detyrimin për të administruar çdo informacion për çdo person që përbën kërcënimin për sigurinë kombëtare. Sigurisht, kjo është detyra jonë. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme nga shërbimet informative dhe ato të zbatimit të ligjit, për të marrë masa parandaluese”, theksoi ai.

    Ndryshe, Ikballe Huduti në vitin 2020 ishte arrestuar nga autoritetet në Kosovë pasi kishte dalë me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.

    Ajo ishte akuzuar për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

    Ndërkaq, në dhjetor të 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kishte shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarës Ikballe Huduti për shkak të veprës penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

    Ikballe Huduti me vendimin unanim të trupit gjykues në këtë çështje penale ishte liruar nga akuza, për shkak se nga gjykata nuk ishin gjetur prova se e njëjta ka kryer veprën penale Shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën vepër ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

  • FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

    Sipas të dhënave të publikuara, 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione si më të besueshmet në Republikën e Kosovës.

    Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Në kumtesë, Policia theksoi se besimi i qytetarëve përbën themelin e punës policore dhe një tregues të rëndësishëm të partneritetit ndërmjet institucionit dhe komunitetit. Sipas saj, ky vlerësim shërben si motiv shtesë për të vazhduar punën në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve.

    Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.

    Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë vlerësuar se forcimi i zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit duhet të mbeten në fokus të institucioneve.

    Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë publike. Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, transparencën institucionale dhe bashkëpunimin me qytetarët, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, duke premtuar se do të vazhdojë të punojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

  • Kusari: Narrativa anti-media e VV-së po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe dhunë ndaj gazetarëve

    Kusari: Narrativa anti-media e VV-së po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe dhunë ndaj gazetarëve

    Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas rasteve të fundit të sulmeve ndaj gazetarëve, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka kontribuar në degradimin e diskursit publik dhe nxitjen e sulmeve ndaj gazetarëve dhe kritikëve.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kusari tha se narrativa anti-media e krijuar nga partia në pushtet po shndërrohet në kërcënime, intimidim dhe madje dhunë fizike ndaj gazetarëve.

    “Kjo narrativë anti-media e dizajnuar nga VV-ja, për t’i sulmu brutalisht ata që flasin dhe e kritikojnë ashpër, është shqetësuese sepse shpesh përkthehet në sulme denigruese online, kërcënime, intimidim, presion e më pas edhe në dhunë fizike”, ka shkruar Kusari.

    Ajo tha se dy rastet e fundit ilustrojnë pasojat e kësaj qasjeje ndaj mediave dhe gazetarëve.

    “Dy rastet e fundit e ilustrojnë këtë. Meme Smajli ka raportuar për një çështje me interes publik, pra se si prindi i deputetit Valon Ramadani ka privatizu tokë dhe ka kërku llogari nga kompania e familjes së tij për procesin e privatizimit. Si përgjigje ka marrë akuza, paralajmërime për padi dhe mesazhe private me përmbajtje të tmerrshme, përfshirë sharje eksplicite”, ka thënë ajo.

    Duke iu referuar rastit të raportuar nga televizioni Dukagjini në Gjilan, Kusari tha se gazetarët janë përballur edhe me sulm fizik gjatë ushtrimit të detyrës.

    “Dukagjini sot ka raportuar për punimet në sheshin e Gjilanit, me qëllim informimin e publikut rreth ndërtimeve, dhe si përgjigje ka marrë sulm fizik nga kompania përkatëse. Hala asnjë fjalë nga kryetari i Komunës së Gjilanit”, ka shkruar Kusari.

    Sipas saj, në një ambient ku sulmet ndaj kritikëve normalizohen nga pushteti, raste të tilla nuk janë të papritura.

    “Normalisht, në një vend ku shteti udhëhiqet nga një parti si VV-ja, e cila ka kontribuar më së shumti në degradimin e diskursit publik dhe në nxitjen, orkestrimin, mbështetjen e madje edhe arsyetimin e sulmeve online ndaj kritikëve, nuk mund të pritet diçka tjetër përveç sulmeve të tilla”, ka përfunduar Kusari.

  • Policia e Tiranës procedon 11 persona pas tubimeve të 22–23 qershorit në Tiranë

    Policia e Tiranës procedon 11 persona pas tubimeve të 22–23 qershorit në Tiranë

    Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 shtetas, në lidhje me tubimet e zhvilluara në kryeqytet më 22 dhe 23 qershor 2026, të dyshuar për përfshirje në veprime që kanë penguar rendin dhe qetësinë publike.

    Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar në gjendje të lirë akuzohen për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ata janë: D. G., 50 vjeç; I. D., 55 vjeç; E. E., 32 vjeç; E. B., 29 vjeç; V. D., 30 vjeç; E. Z., 26 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.

    Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”, në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.

    Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë qarkullimi, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /euronews.al/

  • Ambasadori britanik: Tregtia me Kosovën është shumë e ulët, investitorët largohen kur mungon zbatimi i zotimeve

    Ambasadori britanik: Tregtia me Kosovën është shumë e ulët, investitorët largohen kur mungon zbatimi i zotimeve

    Ambasada britanike në Kosovë ka lansuar UK-Kosovo Tech Hub, një platformë e re e vendosur në Tech Park Prishtina, me synimin për të lidhur sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK) të Kosovës me partnerë dhe mundësi biznesi në Mbretërinë e Bashkuar.

    Në ceremoninë e lansimit, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves tha se niveli i tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve mbetet shumë i ulët dhe nuk pasqyron potencialin e bashkëpunimit ekonomik, raporton Ekonomia Online

    Ai theksoi se disa kompani britanike kanë shqyrtuar investimet në Kosovë, por janë tërhequr për shkak të mungesës së qartësisë, përgjigjeve të ngadalta institucionale dhe moszbatimit të zotimeve.

    “Ne jemi krenarë për marrëdhënien që kemi pasur gjatë kaq shumë viteve, por e dimë se ajo nuk mund të qëndrojë në vend. Marrëdhëniet tona duhet të rriten dhe të ndryshojnë në përgjigje të asaj që po ndodh në botë. Nuk duhet shumë për të kuptuar se jetojmë në një botë ku duhet të garojmë edhe më shumë për talentin dhe investimet, si dhe të mbështetemi në besim. Për vëmendje. Dhe, në të vërtetë, për besim. Ju e dini se besimi në biznes ka shumë rëndësi dhe kjo është arsyeja pse mendoj se kjo qendër do të ketë kaq shumë rëndësi”, tha Hargreaves.

    Duke folur për potencialin e Kosovës, ai vlerësoi fuqinë punëtore të re dhe sektorin në zhvillim të teknologjisë.

    “Dhe mendoj se për Kosovën, për marrëdhënien tonë, kjo tregon përmasat dhe potencialin e këtij partneriteti. Sepse vetë Kosova ka gjithashtu diçka jashtëzakonisht të fuqishme. Krahasuar, mendoj se mund ta them me siguri, me pjesën tjetër të rajonit, ju keni një fuqi punëtore të re, të aftë dhe shumëgjuhëshe, si dhe një brez të tërë, shumë prej të cilëve janë të përfaqësuar këtu sot, që përshtatet shpejt, mëson shpejt dhe do të ndërtojë një ekonomi të re. Një sektor teknologjik që tashmë punon përtej kufijve dhe me klientë në gjithë Evropën dhe më gjerë. Pra, nuk ka asnjë dyshim për këtë potencial. Pyetja është nëse mund të gjejmë mjetet, energjinë dhe lidhjet për ta shndërruar këtë potencial në partneritete reale, vende pune, eksporte dhe inovacion të përbashkët”, tha ai.

    Ambasadori britanik tha se shkëmbimet tregtare dhe investimet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar mbeten nën nivelin e pritshëm.

    “Kjo më çon te një pikë pak më sfiduese, që lidhet me tregtinë dhe investimet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës në përgjithësi. Mendoj se tregtia dhe investimet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar janë shumë, shumë të ulëta. Dhe kjo është një problem. Nuk pasqyron thellësinë e marrëdhënies sonë, nuk pasqyron besimin që kemi dhe nuk pasqyron potencialin real që ekziston në teknologji, shërbime digjitale, energji, arsim dhe inovacion. Dhe nuk është sepse njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të interesuar. E di gjithashtu se nuk është sepse njerëzit në Kosovë nuk janë të interesuar për Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

    Sipas tij, investitorët seriozë kërkojnë institucione funksionale dhe siguri për zbatimin e zotimeve.

    “E di se shumë kompani britanike e kanë shqyrtuar seriozisht Kosovën. Disa prej tyre kanë gjetur një mjedis të gatshëm për investime dhe ndërtim marrëdhëniesh. Por e di gjithashtu se bizneset kanë nevojë për rregulla të qarta, përgjigje në kohë, institucione që janë të përgjegjshme, mbështetëse dhe që ofrojnë siguri se zotimet do të përmbushen. Dhe kur nuk e marrin këtë, kur nuk e marrin këtë, ata vendosin të shkojnë diku tjetër”, tha ai.

    Ai shtoi se ka pasur kompani britanike që kanë hequr dorë nga investimet në Kosovë për shkak të pengesave administrative.

    “Unë e di se ka pasur kompani britanike që kanë ardhur në Kosovë, e kanë shqyrtuar Kosovën dhe kanë vendosur se nuk ishte vendi i duhur për to. Sepse rruga ishte e paqartë, përgjigjet ishin të ngadalta dhe mungonte zbatimi i zotimeve. Dhe kjo ka një kosto. Sepse mendoj se investitorët seriozë dhe bizneset serioze kanë nevojë për mjedise ku besimi dhe realizimi i premtimeve janë në qendër të gjithçkaje. Dhe mendoj se ky është një mesazh që duhet ta kemi parasysh në pozicionin tonë në tregun më të gjerë dhe është një mesazh që ia vlen të dëgjohet”, tha ai.

    Sipas Hargreaves, UK-Kosovo Tech Hub synon të krijojë kushtet që potenciali i Kosovës të shndërrohet në investime dhe partneritete konkrete.

    “Sepse nuk është vetëm potenciali ai që tërheq investimet ndërkombëtare. Janë qartësia, shpejtësia, besimi, marrëdhëniet dhe lidhjet. Dhe pikërisht këtë po bëjmë këtu sot. Pra, ne nuk duam vetëm të flasim për potencialin. Duam të krijojmë një hapësirë që krijon kushtet për ta bërë atë realitet. Kjo është arsyeja pse e krijuam këtë Qendër të jashtëzakonshme Teknologjike Kosovë–Mbretëri e Bashkuar (UK Kosovo Tech Hub), për të cilën jam jashtëzakonisht krenar”, tha ai.

    Në këtë ngjarje foli edhe drejtori ekzekutiv i ProCredit Bank në Kosovë, Visar Paqarada, i cili tha se qendra e re do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet talenteve, investimeve dhe inovacionit në të dy vendet.

    “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë lidhje të forta dhe kjo qendër krijon një urë të hapur që lidh talentin, dijen, investimet dhe inovacionin ndërmjet dy vendeve tona. Ajo do t’i ndihmojë sipërmarrësit të kenë qasje në rrjete të reja, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe t’i sjellin idetë e tyre në tregjet ndërkombëtare”, tha Paqarada.

    Ai theksoi se Kosova nuk ka mungesë talentesh, por ka nevojë për më shumë mbështetje dhe qasje në financim.

    “Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, një sektor të gjallë të teknologjisë informative dhe një ekosistem në rritje të start-up-eve. Sfida para nesh nuk është mungesa e talentit – unë mund të shoh shumë talent vetëm në këtë sallë. Por sfida është të sigurohemi që ky talent të ketë mbështetjen e duhur, mentorimin e nevojshëm dhe, pse jo, qasje në financim për të lulëzuar. Shpresojmë që kjo qendër të bëhet një vend ku lindin ide ambicioze, krijohen partneritete dhe fillojnë historitë e ardhshme të suksesit”, tha Paqarada.

  • 60 kursantë të helmuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, reagon kompania e ushqimit

    60 kursantë të helmuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, reagon kompania e ushqimit

    Shoqëria “SORI-AL” e cila kryen shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë, ku dje janë helmuar nga ushqimi 60 kursantë, ka reaguar përmes një deklarate për mediat.

    Shoqëria thekson se hetimi në lidhje me rastin duhet të përfshijë jo vetëm shpërndarjen e ushqimit, por mënyrën dhe kushtet në të cilat ruhet dhe konsumohet.

    “SORI-AL”, thekson se në kuadër të monitorimit “ janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar”.

    “Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet”, thuhet në deklaratë.

    Duke iu referuar Akademisë së Sigurisë, shoqëria “SORI-AL” vë në dukje se gjatë ofrimit të shërbimit dhe konsumimit të ushqimit mungojnë kushtet higjeno-sanitare para konsumimit të vakteve.

    “Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësi, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet”.

    “Për këtë arsye, vlerësojmë se edhe këta faktorë duhet të jenë pjesë e hetimit dhe analizës objektive të institucioneve kompetente. Shoqëria “SORI-AL” mbetet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente dhe kërkon që edhe kjo ngjarje të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar padrejtësisht reputacionin e një kompanie që prej më shumë se dy dekadash operon në këtë sektor. Shoqëria “SORI-AL” mbetet në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera, me iniciativën e saj dhe në mënyrë të pavarur, pranë një laboratori tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit”, vijon deklarata./A2CNN

  • Aktakuzë ndaj të dyshuarit për përgatitje të vrasjes së rëndë në Prishtinë

    Aktakuzë ndaj të dyshuarit për përgatitje të vrasjes së rëndë në Prishtinë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj E.H., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përgatitja e veprës penale Vrasje e Rëndë”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri dyshohet se kishte planifikuar privimin nga jeta të personit me inicialet M.D., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet tyre.

    Në aktakuzë thuhet se E.H. kishte ndërmarrë veprime konkrete për realizimin e planit, duke përfshirë marrëveshje për shpërblim financiar, koordinim lidhur me mënyrën, kohën dhe vendin e kryerjes së veprës, si dhe sigurimin e armës që dyshohet se do të përdorej për kryerjen e saj.

    Prokurori i rastit ka kërkuar që, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe administrimit të provave, gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ndaj tij të shqiptohen sanksionet e parapara me legjislacionin në fuqi.

  • Çitaku për gazin amerikan: Është çështje e sigurisë kombëtare, VV ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt për pavarësi energjetike

    Çitaku për gazin amerikan: Është çështje e sigurisë kombëtare, VV ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt për pavarësi energjetike

    Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me çështjen e gazit amerikan, duke thënë se ky debat s’është për një tubacion, porse, ‘’për sigurinë kombëtare’’ të vendit.

    Çitaku, ka shtuar edhe se, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore, dhe se, kur flitet për gazin, flitet për siguri, ekonomi, diplomaci, partneritet strategjik dhe të ardhmen e Kosovës.

    ‘’ Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme’’, ka shkruar ajo mes tjerash.

    Postimi:

    Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës.

    Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë.

    Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë.

    Në botën e sotme, e cila po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë.

    Ato zhvillohen me energji, me zinxhirë furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga krizat.

    Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës.

    Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme.

    Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike.

    Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta dhe gjithnjë e më të papërballueshme.

    Ndërkohë, të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre.

    Vetëm Kosova ka mbetur jashtë.

    Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur vazhdimisht.

    Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete.

    Koha e izolimit duhet të marrë fund.

    Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre.

  • Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit

    Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit

    Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në vitin 2021 në Gllogjan të Deçanit.

    Të akuzuar për këtë rast janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj.

    “Pas administrimit të gjithë kësaj prove, pas rrëzimit të çdo alibie dhe pas ballafaqimit të të akuzuarve me vërtetën shkencore, nuk ka mbetur asnjë dyshim. Prokuroria kërkon që të pandehurit Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj të shpallen fajtorë dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj. Kjo nuk është vetëm kërkesë e Prokurorisë; kjo është kërkesa e vetme për të rivendosur besimin te ligji dhe për t’u dhënë sadopak paqe shpirtrave të viktimave”, u tha nga ana e prokurorisë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

  • Shqipëria e shpall ‘non-grata’ Igballe Hudutin

    Shqipëria e shpall ‘non-grata’ Igballe Hudutin

    Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerrë urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për Ikballe Huduti (Berisha).

    Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e Hudutit vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

    Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

    Ikballe Berisha Huduti ka lindur dhe shkolluar në qytetin e Prizrenit. Ka mbaruar Medresenë dhe më pas ka studiuar letërsi. Për publikun në Kosovë njihet si mbështetëse e islamit shiit që kryesisht është i shtrirë në Iran e Irak. /abcnews.al