ATV

Category: Lajme

  • “Jam vonë”, Kurti shmang përgjigjen për hapat pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    “Jam vonë”, Kurti shmang përgjigjen për hapat pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

    I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Kurti nuk dha përgjigje, duke u arsyetuar me agjendën e tij.

    “Me duhet të shkoj me shpejtësi, sepse jam vonë për takimet e radhës”, tha Kurti, raporton eo.

  • Trump premton ndihmë për Venezuelën, pas tërmeteve që vranë dhjetëra persona

    Trump premton ndihmë për Venezuelën, pas tërmeteve që vranë dhjetëra persona

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është zotuar të mërkurën se do të angazhojë burime amerikane për të ndihmuar Venezuelën, e goditur nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që kanë tronditur zonat pranë bregdetit verior të vendit dhe kanë shkatërruar ndërtesa në kryeqytetin Caracas, duke detyruar shpalljen e gjendjes emergjente.

    Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi: “ShBA qëndron e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë për të ndihmuar”, duke shtuar se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë qeveritare të përgatiten për të “vepruar shpejt”. Ai e përshkroi popullin e Venezuelës si “miq të rinj dhe të mëdhenj”, shkruan CNBC.

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, tha gjatë ditës se ShBA është në kontakt me autoritetet venezueliane dhe ka filluar mobilizimin e ndihmave për vendin e Amerikës së Jugut.

    Sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Jeremy Lewin, tashmë është aktivizuar një ekip për ndihmë në katastrofa dhe një task-forcë që do të koordinojë dhe dërgojë ndihma urgjente për Venezuelën, përfshirë ekipe kërkim-shpëtimi, furnizime mjekësore dhe ndihmë humanitare.

    Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS) ka lëshuar dy alarme të kuqe radhazi përmes sistemit të tij PAGER, duke vlerësuar se ekziston 41% mundësi që numri i viktimave të kalojë 10,000 dhe 17% mundësi që ai të arrijë deri në 100,000. Po ashtu, parashikohet që tërmeti shkatërrues mund t’i ulë ekonomisë së Venezuelës (GDP-së) deri në 7%.

  • Shkon në 164 numri i viktimave në Venezuelë

    Shkon në 164 numri i viktimave në Venezuelë

    Ka shkuar në 164 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet që kanë goditur Venezuelën, dhe 971 të tjerë janë plagosur, ka deklaruar presidentja e përkohshme e Venezuelës.

    Kjo vjen pasi Delcy Rodriguez kishte njoftuar disa orë më herët se të paktën 32 persona kishin vdekur dhe 700 ishin plagosur, raporton SkyNews.

    Shpëtimtarë po vijnë nga vende të tjera për të ndihmuar në kërkim, përfshirë edhe nga ShBA-ja, me sekretarin e shtetit Marco Rubio që tha se vendi po “vendos menjëherë” burime për ndihmë.

    Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ishin ndër më të fortat që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.

  • Elon Musk humb statusin e trilionerit pas rënies së aksioneve të Tesla-s dhe SpaceX-it

    Elon Musk humb statusin e trilionerit pas rënies së aksioneve të Tesla-s dhe SpaceX-it

    Elon Musk nuk gëzon më statusin e trilionerit, pasi mbyllja e tregjeve të mërkurën shënoi një rënie të vlerës së aksioneve të Tesla-s dhe SpaceX-it. Sipas të dhënave të Forbes, pasuria neto e manjatit të teknologjisë ka zbritur në 970,2 miliardë dollarë.

    Musk e kishte arritur statusin e trilionerit më 12 qershor, pas ofertës fillestare publike (IPO) të SpaceX. Kjo lëvizje në tregun e aksioneve e bëri atë personin e parë me një pasuri neto mbi 1 trilion dollarë. SpaceX mblodhi 75 miliardë dollarë nga kjo IPO, ndërsa aksionet e kompanisë u rritën me 19% brenda 24 orëve të para, nga çmimi fillestar prej 135 dollarësh. Të mërkurën, aksionet e SpaceX u tregtuan me 154,35 dollarë.

    Rënia e pasurisë së Musk-ut vjen si pasojë e një shitjeje globale të aksioneve këtë javë, e cila preku rëndë sektorin e teknologjisë. Investitorët shprehën shqetësime lidhur me mundësinë që Rezerva Federale të rrisë normat e interesit, si dhe frikën për një flluskë të mundshme në tregun e inteligjencës artificiale. Kompanitë e lidhura me këtë sektor, përfshirë Alphabet dhe prodhuesit e çipeve si Samsung, përjetuan gjithashtu rënie të vlerës.

    Pjesa më e madhe e pasurisë së Musk-ut është e lidhur me aksione dhe kapital, dhe jo me para të gatshme. Megjithatë, ai mbetet personi më i pasur në botë. Pas tij renditet bashkëthemeluesi i Google, Larry Page, me një pasuri prej rreth 284 miliardë dollarësh. Që nga janari i këtij viti, pasuria e Musk-ut është rritur për 338 miliardë dollarë.

    Pavarësisht luhatjeve aktuale, ekziston mundësia që Musk të rikthehet në statusin e trilionerit në të ardhmen, nëse aksionet e Tesla-s ose SpaceX-it shënojnë rritje. Shpejtësia e rritjes së pasurisë së tij mbetet një fenomen i pazakontë në tregjet financiare.

  • Vala e të nxehtit në Spanjë, 212 viktima gjatë katër ditëve të fundit

    Vala e të nxehtit në Spanjë, 212 viktima gjatë katër ditëve të fundit

    Të paktën 212 vdekje të regjistruara midis të dielës dhe të mërkurës mund t’i atribuohen valës së të nxehtit që ka goditur Spanjën këto ditë, sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti Shëndetësor Carlos III në Madrid.

    Këto llogaritje bazohen në një sistem të quajtur “MoMo”, Monitorimi i Vdekshmërisë. Ky sistem mbledh numrin e vdekjeve në Spanjë në baza ditore dhe llogarit ndryshimin në vdekshmëri krahasuar me atë të pritur bazuar në të dhënat historike të regjistruara.

    Në Francë, rekordi mesatar i temperaturës maksimale u thye të martën, ndërsa pjesë të Britanisë u vunë në alarm të kuq dhe në Belgjikë dy adoleshentë u mbytën, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës u mbyt nën temperaturat e larta të valës së të nxehtit.

  • Polemika për Bulevardin e Gjilanit, postimi i drejtorit komunal nxit reagime nga opozita

    Polemika për Bulevardin e Gjilanit, postimi i drejtorit komunal nxit reagime nga opozita

    Një postim i Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, lidhur me projektin e Bulevardit të Qytetit, ka nxitur reagime të menjëhershme nga përfaqësues të opozitës në Kuvendin Komunal.

    Ibrahimi publikoi fotografi nga terreni, duke deklaruar se projekti i bulevardit tashmë ka nisur të realizohet dhe se pavarësisht, siç tha ai, “sabotazheve, bllokadave dhe mosvotimit të buxhetit”, puna po vazhdon.

    “Bulevardi po bëhet realitet. Ky është vetëm fillimi i transformimit që po i ndodh qytetit tonë”, ka shkruar Ibrahimi, duke shtuar se janë publikuar edhe dokumentet e lejes së ndërtimit dhe se “faktet flasin vetë”.

    Megjithatë, pretendimet e drejtorit janë kundërshtuar nga shefi i Grupit të Asamblistëve të PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, i cili ka akuzuar komunën për manipulim të opinionit publik.

    Sipas Nevzatit, fotografitë e publikuara nuk i përkasin projektit të bulevardit, por ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të objektit të Administratës Komunale.

    “Fotografitë që publikoi janë nga vendosja e gurthemelit të objektit të Administratës Komunale, ndërsa leja që ai paraqet i përket po këtij objekti dhe jo bulevardit”, ka deklaruar Nevzati.

    Ai ka pretenduar se leja me numër 04520-1 lidhet me objektin e Administratës Komunale dhe jo me parcelën ku parashihet ndërtimi i bulevardit.

    “Paraqitja e lejes së Administratës Komunale sikur të ishte leje për bulevardin është manipulim i opinionit publik”, ka shtuar ai.

    Kritikave iu bashkua edhe asamblisti i LDK-së, Gentrit Murseli, i cili akuzoi drejtorin Ibrahimi për dezinformim të qytetarëve, raporton Telegrafi.

    “Dokumenti që ka publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit. Ai vërteton vetëm se Komuna posedon leje ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet ‘B+P+5’”, ka shkruar Murseli.

    Sipas tij, publikimi i kësaj lejeje nuk i jep përgjigje pyetjes kryesore nëse projekti i bulevardit posedon dokumentacionin e nevojshëm për realizim.

    “Nëse ekziston leja për Bulevardin e Qytetit, publikoje. Nëse jo, ndale dezinformimin e opinionit publik”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht qasje në dokumentet publike në Drejtorinë e Urbanizmit për këtë çështje.

    Debati për projektin e Bulevardit të Qytetit vjen në një kohë kur autoritetet komunale kanë nisur promovimin e projektit si një nga investimet kryesore infrastrukturore në Gjilan, ndërsa opozita vazhdon të ngrejë dilema rreth procedurave dhe dokumentacionit të nevojshëm për realizimin e tij.

  • Kostoja e luftërave të Izraelit që nga 7 tetori i afrohet 205 miliardë dollarëve

    Kostoja e luftërave të Izraelit që nga 7 tetori i afrohet 205 miliardë dollarëve

    Kostoja e luftërave të Izraelit në Gaza, Liban, Siri dhe Iran që nga 7 tetori 2023 ka arritur në gati 205 miliardë dollarë, raportuan mediat izraelite.

    Shifra u përfshi në një raport në Zman Yisrael, shërbimin në gjuhën hebraike të The Times of Israel, i cili vlerësoi efektin ekonomik të konflikteve në financat publike, humbjet e prodhimit dhe mbështetjen ushtarake amerikane, shkruan TrtWorld.

    Duke cituar të dhënat e Bankës së Izraelit, raporti tha se kostoja e luftërave për qeverinë ka tejkaluar 118 miliardë dollarë.

    Shpenzimet e mbrojtjes përbënin rreth 71.2 miliardë dollarë nga totali, ndërsa pagesat e kompensimit arritën në 9.6 miliardë dollarë, shpenzimet e ndryshme civile arritën në 16.7 miliardë dollarë, dhe kostot e interesit të lidhura me borxhin më të lartë publik arritën në 5.5 miliardë dollarë.

    Raporti e vlerësoi vlerën e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake amerikane të furnizuara Izraelit në rreth 26 miliardë dollarë.

    Barra ekonomike nuk u kufizua vetëm në shpenzimet publike, duke vlerësuar se humbja e prodhimit në ekonominë izraelite midis tetorit 2023 dhe fundit të vitit 2025 arriti në rreth 51.9 miliardë dollarë.

  • Nisin punimet për sanimin e dëmtimeve në kyçjen e Mazgitit

    Nisin punimet për sanimin e dëmtimeve në kyçjen e Mazgitit

    Kanë nisur punimet për sanimin e dëmtimeve në segmentin rrugor të kyçjes në Mazgit, ka njoftuar autoriteti përgjegjës për infrastrukturën rrugore.

    Sipas njoftimit, punimet do të zhvillohen me intensitet të lartë gjatë ditës së sotme dhe nesër, ndërsa asfaltimi i këtij segmenti është planifikuar të realizohet më 27 qershor 2026.

    “Kanë filluar punimet për sanimin e dëmtimeve në pjesën e kyçjes në Mazgit. Këto punime me një intensitet të lartë do të zhvillohen sot dhe nesër, ndërsa më 27 qershor 2026 pritet të bëhet asfaltimi i kësaj pjese të rrugës”, thuhet në njoftim.

    Gjatë periudhës së punimeve, në këtë segment priten kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor.

    Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, duke i inkurajuar që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të shmangur vonesat dhe ngarkesat në komunikacion.

    Po ashtu, është apeluar që shoferët të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e personelit në terren, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të punimeve.

    Në fund, autoritetet kanë falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin deri në përfundimin e punimeve dhe sanimin e plotë të dëmtimeve në këtë segment rrugor.

  • Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s sepse nuk është shtet anëtar

    Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s sepse nuk është shtet anëtar

    Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në samite në cilësinë e anëtares.

    Sqarimi vjen pas raportimeve në media se Kosova nuk është ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s.

    Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se edhe në rastet e mëparshme Kosova nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s.

    “Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online.

    Sipas Ministrisë edhe në të kaluarën Kosova nuk ka marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës, por se ftesat kanë qenë për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit.

    “Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, thuhet më tutje në përgjigje.

    Ministria ka sqaruar se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.

    “Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta. Prandaj, theksojmë se Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës’, thuhet në përgjigje.

    Sipas Ministrisë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

    “Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online

  • Pas Merdares, Dogana e synon vendosjen e skanerëve X-Ray në të gjitha pikat kufitare

    Pas Merdares, Dogana e synon vendosjen e skanerëve X-Ray në të gjitha pikat kufitare

    Dogana e Kosovës pritet që shumë shpejt të zgjerojë përdorimin e skanerëve mobilë X-Ray edhe në pikat e tjera kufitare të vendit, përfshirë ato me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pas vendosjes në funksion të skanerit të parë në pikën kufitare në Merdare.

    Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, pas instalimit dhe funksionalizimit të skanerit në Merdar, synim mbetet mbulimi gradual i të gjitha pikave kryesore kufitare me pajisje moderne të kontrollit të mallrave dhe automjeteve.

    Skaneri mobil X-Ray në Merdar ishte siguruar si donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit EXBS dhe është vlerësuar si një ndër pajisjet më moderne për kontrollin e ngarkesave dhe identifikimin e rreziqeve në kufi. Pas instalimit, Dogana e Kosovës ka realizuar trajnimin e stafit dhe testimin e pajisjes para vendosjes së saj në operim.

    Kjo teknologji mundëson kontrollimin e kamionëve dhe ngarkesave pa nevojën e hapjes fizike të tyre, duke reduktuar kohën e procedurave doganore dhe duke rritur kapacitetet për zbulimin e kontrabandës, armëve, drogës dhe mallrave të padeklaruara.

    Vendosja e skanerëve në kufijtë e Kosovës ka qenë temë diskutimi prej disa vitesh. Në vitin 2024, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se hapja e plotë e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave nga Serbia do të kushtëzohej me sigurimin e skanerëve modernë për kontrollin e ngarkesave. Në atë kohë, Dogana e Kosovës kishte nisur procedurat për blerjen e skanerëve mobilë, ndërsa partnerë ndërkombëtarë kishin ofruar mundësinë e donacioneve për këto pajisje.

    Po ashtu, në tetor të vitit 2024, autoritetet kishin bërë të ditur se pikat e tjera kufitare do të hapeshin dhe do të pajiseshin me skanerë sapo të sigurohej infrastruktura e nevojshme teknologjike.

    Sipas Doganës së Kosovës, me zgjerimin e rrjetit të skanerëve në pikat kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendkalimet e tjera ndërkombëtare, pritet të rritet siguria kufitare, të përshpejtohen procedurat doganore dhe të lehtësohet qarkullimi i mallrave në hyrje dhe dalje të vendit.