ATV

Category: Lajme

  • Ilir Deda propozon Blerim Shalën për president: Ka bashkëpunuar me të gjithë

    Ilir Deda propozon Blerim Shalën për president: Ka bashkëpunuar me të gjithë

    Analisti politik Ilir Deda ka propozuar gazetarin dhe publicistin Blerim Shala si një figurë të përshtatshme për postin e presidentit të Kosovës.

    Deda tha se Shala do të ishte një zgjedhje e mirë për kreun e shtetit, duke vlerësuar përvojën dhe bashkëpunimin e tij me spektrin politik.

    “Për President kishte me qenë shumë figurë e mirë Blerim Shala, i cili ka bashkëpunuar me të gjithë”, deklaroi Deda në Kanal 10.

  • Vetura aksidentohet me trenin në Drenas, dy persona përfundojnë në QKUK

    Vetura aksidentohet me trenin në Drenas, dy persona përfundojnë në QKUK

    Një veturë është aksidentuat me trenin në Drenas, me ç’rast është lënduar drejtuesi i veturës dhe pasagjeri.

    Dy të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

    “Ka ndodhur një aksident në mes një veture dhe trenit, me drejtues meshkuj kosovarë. Përveç dëmeve të shkaktuara, lëndime trupore kanë pësuar dy persona (drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri) të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Dy mjete të pashpërthyera gjenden brenda një dite në Gjakovë, intervenon FSK-ja

    Dy mjete të pashpërthyera gjenden brenda një dite në Gjakovë, intervenon FSK-ja

    Dy mjete të dyshuara të pashpërthyera janë gjetur gjatë së enjtes në dy lokacione të ndryshme në komunën e Gjakovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar rreth orës 17:20 në fshatin Koshare, ku policia gjatë patrullimit në një zonë pyjore ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia për deminim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit.

    Rasti i dytë u raportua rreth orës 18:35, një qytetar ka raportuar se gjatë shëtitjes në një fushë në rrugën “Bujar Koka” në Gjakovë kishte hasur në një tjetër mjet të dyshuar të pashpërthyer.

    Edhe në këtë rast, njësia për deminim e FSK-së ka dalë në vendin e ngjarjes duke eliminuar rrezikun.

    “Fsh. Koshare, Gjakovë/ 25.06.2026 – 17:20. Policia gjatë patrullimit në pyll kanë hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”. “Rr. Bujar Koka, Gjakovë / 25.06.2026 – 18:35. Një mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë duke shëtitur në fushë ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”.

  • Vendoset mjet shpërthyes dhe letër kërcënuese në derën e një shtëpie në Pejë

    Vendoset mjet shpërthyes dhe letër kërcënuese në derën e një shtëpie në Pejë

    Një rast i rëndë është raportuar mbrëmjen e së enjtes në Pejë, ku persona të panjohur dyshohet se kanë vendosur një mjet shpërthyes dhe një letër me përmbajtje kërcënuese në derën e një objekti banimi.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 23:43.

    Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësia për deminim e Policisë së Kosovës ka bërë largimin e mjetit shpërthyes.

    “Pejë / 25.06.2026 – 23:43. Raportohet se është vendosur një mjetë shpërthyes dhe një letër me përmbajtje kërcënuese në derën e një objekti banimi. Është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, ndërsa njësia për deminim e PK-së ka bërë largimin e mjetit eksplodues. Rasti është duke u hetuar”.

  • Mbi 35 mijë përdorues të drogave në Kosovë, mosha e fillimit zbret në 16 vjeç

    Mbi 35 mijë përdorues të drogave në Kosovë, mosha e fillimit zbret në 16 vjeç

    Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, KOMF dhe Labyrinth kërkojnë adresim urgjent të situatës dhe veprim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i substancave narkotike.

    Në reagim thuhet se Kosova po përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë.

    “Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar shifrën prej 35 000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër. Bazuar në bazën e të dhënave të Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit”, thuhet në reagim.

    Më tej bëhet e ditur se marihuana vazhdon të jetë substanca më e përdorur në Kosovë.

    Përderisa deri në vitin 2018 ka pasur një ulje të përdorimit të heroinës tek popullata e përgjithshme, gjatë viteve të fundit vërehet një rritje e lehtë e përdorueseve të heroinës në veçanti te komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, ndërsa ka një rritje të shpejtë dhe shumë të madhe të përdorimit të kokainës tek popullata e përgjithshme.

    “Arsyet pse fëmijët fillojnë të përdorin droga janë të shumta, përfshirë disponueshmërinë e drogave në treg, traumën e fëmijërisë së hershme, mungesën e informacionit mbi rreziqet e përdorimit të drogave, presionin shoqëror dhe kureshtjen për të provuar gjëra të reja, etj. Përdorimi i drogave sjell pasoja të dëmshme për fëmijën, familjen, duke përfshirë: dëmtimin e shëndetit fizik dhe psikologjik, problemet sociale, kriminalitetin, shpenzimet financiare të mëdha, etj.

    Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të strukturuara dhe të qëndrueshme parandaluese dhe rehabilituese të cilat janë më se të nevojshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Kosova nuk ofron mjaftueshëm shërbime të qasshme për identifikimin e fëmijëve dhe të rinjve që janë viktima të abuzimit me narkotikë. Ka mungesë të shërbimeve dhe ekipeve mobile në komunitet që do të mundësonin testimin dhe identifikimin e rasteve të mundshme të fëmijëve që përdorin substancat narkotike”, thuhet tutje në reagim.

    KOMF dhe Labyrinth theksojnë se profesionistët po ndeshen me sfida të mëdha në trajtimin e fëmijëve që janë viktima të abuzimit me droga.

    Ata nuk disponojnë burimet e nevojshme, duke përfshirë ekipe multidisiplinare, reparte të posaçme për fëmijë, për zbatimin e planeve dhe programeve të specializuara për rehabilitim. Profesionistët nuk kanë burimet e nevojshme për të mbështetur prindërit ose kujdestarët në trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve të tyre që janë viktima të abuzimit me droga”.

    Sipas këtyre organizatave, për ta adresuar këtë situatë alarmante, është thelbësore që të ndërmerren masa urgjente për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e përdorimit të drogave.

    Gjithashtu, kërkohet zhvillimi i programeve të strukturuara për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga substancat narkotike në Kosovë dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara për trajtimin e fëmijëve dhe të rinjve përdorues të drogave.

    “Vëmendja duhet të përqendrohet në të rinj dhe adoleshentë për të shmangur fillimin e tyre të hershëm me përdorimin e drogave. Poashtu, është e rëndësishme të zhvillohen programe për fuqizimin e prindërve të fëmijëve përdorues të drogave për të rritur kapacitetet e tyre për kujdesin ndaj fëmijëve përdorues të drogave”, thuhet tutje.

  • Pesë rastë të dhunës në familje brenda 24-të orëve në Kosovë

    Pesë rastë të dhunës në familje brenda 24-të orëve në Kosovë

    Pesë raste të dhunës janë raportuar në vendin tonë gjatë periudhës 24-të orësh.

    Sipas raportit policor rastet janë raportuar në Graçanicë, Prishtinë, Viti, Pejë e Mitrovicë.

    Rastet e raportuara:

    Graçanicë / 25.06.2026 – 13:05. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje , tre meshkuj kosovarë janë përleshur mes vete. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt.

    Prishtinë / 25.06.2026 – 17:35. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    Viti / 25.06.2026 – 14:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas në mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë/ 25.06.2026 – 09:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj, ndërsa sot ka pranuar një telefonat kërcënuese nga i njëjti. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

    Mitrovicë / 25.06.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Temperatura të larta gjatë fundjavës në Kosovë, rajoni i Dukagjinit më i prekuri

    Temperatura të larta gjatë fundjavës në Kosovë, rajoni i Dukagjinit më i prekuri

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell.

    IHK njofton se temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 27 deri në 33 gradë.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.

    IHKMK të enjten ka bërë të ditur se gjatë pesë ditëve të ardhshme do të ketë rritje graduale të temperaturave.

    Instituti u ka bërë apel qytetarëve për kujdes nga ekspozimi i zgjatur në diell dhe të qëndrojnë të hidratuar.

    “Sipas parashikimeve të IHMK-së, nga data 25–29 qershor 2026, temperaturat do të jenë në rritje graduale në të gjithë territorin e Kosovës. Rajoni i Dukagjinit pritet të regjistrojë valë të nxehti të nivelit 2, ndërsa pjesa tjetër e vendit kryesisht nivelin 1.

    Sipas IHK të shtunën rajoni i Dukagjinit, Peja, Gjakova, Prizreni kalon në valën mesatare të të nxehtit, (Niveli 2), me temperatura 35–39°C.

    Edhe të dielën, më 28 qershor Dukagjini mbetet rajoni më i prekur me temperatura deri në 39°C, ndërsa pjesa tjetër e vendit pritet të ketë 30–34°C.

    IHK ka kërkuar kujdes nga ekspozimi i zgjatur në diell, të qëndrojmë të hidratuar dhe t’i ndjekim rekomandimet e IKSHPK-së.

    Rekomandimet

    Pini sa më shumë ujë dhe qëndroni të hidratuar.

    Shmangni ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 17:00.

    Vishni rroba të lehta, përdorni kapelë dhe syze dielli.

    Kujdes i veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Kategoritë e valës së nxehtit

    Niveli 0: Nën 30°C.

    Niveli 1: 30–34°C (valë e lehtë).

    Niveli 2: 35–39°C (valë mesatare).

    Niveli 3: Mbi 40°C (valë e fortë).

  • Ardian Gjini thërret konferencë për media

    Ardian Gjini thërret konferencë për media

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, do të mbajë sot një konferencë për media në selinë qendrore të subjektit politik.

    Sipas njoftimit të Aleancës, konferenca është planifikuar të nisë në orën 12:30

    Në njoftimin për media nuk janë bërë të ditura temat që do të trajtohen apo arsyet e organizimit të kësaj konference.

  • Kërkesa e SHBA që Kosova të marrë gazin LNG, Rizvanolli: Në vend të gazsjellësit, gazifikimi dhe importi nga terminali i Vlorës

    Kërkesa e SHBA që Kosova të marrë gazin LNG, Rizvanolli: Në vend të gazsjellësit, gazifikimi dhe importi nga terminali i Vlorës

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj debatit për gazin e lëngëzuar amerikan (LNG), duke mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë projekt. Ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por se zgjidhja më e favorshme për vendin është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.

    Në një video të publikuar në Facebook, Rizvanolli tha se është e pasaktë të thuhet se institucionet e Kosovës refuzojnë gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas saj, Qeveria që në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë për projektin e termocentralit të Vlorës me LNG, duke e konsideruar këtë alternativë si më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme.

    “Ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojmë në Kosovë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV, e cila tashmë ekziston dhe nuk kërkon investime shtesë”, tha ajo.

    Rizvanolli hodhi poshtë edhe pretendimet se Kosova ka refuzuar gazin apo gazsjellësin amerikan në vitin 2021, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë dhe se për projektin e asaj kohe do të japë sqarime të detajuara në një adresim tjetër.

    Ajo theksoi se strategjia energjetike e Kosovës bazohet në shfrytëzimin e rezervave të qymyrit, burimeve të ripërtëritshme, kogjenerimit për ngrohje qendrore dhe efiçiencës së energjisë.

    “Kosova është me fat që ka rezerva të mëdha të qymyrit, gjë që na ka mundësuar të mos krijojmë varësi nga gazi dhe të mbajmë çmimet e energjisë elektrike më të ulëta në rajon”, deklaroi ministrja.

    Rizvanolli shtoi se LNG-ja nuk shihet si zëvendësim i burimeve vendore të energjisë, por vetëm si një burim shtesë në periudhat kur prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm.

    Ajo theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe mbështet përpjekjet amerikane për të zvogëluar ndikimin e Rusisë në rajon përmes sektorit të gazit.

    “Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus. Prandaj, përpjekjet për ta paraqitur këtë debat si zgjedhje mes Rusisë dhe Amerikës janë të pavërteta dhe të palogjikshme”, u shpreh ajo.

    Në fund, ministrja tha se çdo vendim afatgjatë për gazin do të merret në mënyrë transparente, në konsultim me ekspertët dhe institucionet relevante, duke pasur për prioritet interesin afatgjatë të qytetarëve të Kosovës.

    Reagimi i plotë:

    E para: Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike, ose para gazit amerikan, siç po aludohet. Përkundrazi: Ne kemi zgjedhur thëngjillin, e burimet e ripërtëritshme të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore, dhe efiçiencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona. E me gazifikim të qymyrit do të shtojmë kapacitete të reja që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje.

    E dyta: Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është “kundër” gazit të lëngëzuar nga ShBA-të (LNG), siç thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë me synim bashkëpunimin në termocentralin e Vlorës me LNG. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm; dhe, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë.

    Gjithashtu, nuk është e vërtetë që Kosova e ka “refuzuar gazin amerikan” ose “gazsjellësin amerikan” në vitin 2021, siç është bërë shprehi të thuhet. Por për draft-projektin e vitit 2021 do të flasim ndaras, më në detaje një ditë tjetër.

    E treta: Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike.

    Kosova është me fat që ka rezerva të qymyrit, gjë që na ka mundësuar që të mos krijojmë varësi nga gazi, por edhe të mbajmë çmimet më të ulëta në rajon, përkundër krizave globale në vitet e fundit. Sot, familjet në Shqipëri energjinë elektrike e paguajnë 31% më shtrenjtë sesa ne; ato në Maqedoni të Veriut 30% më shtrenjtë e në Serbi 25% më shtrenjtë. Ne synojmë që Kosova të vazhdojë të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Prandaj edhe LNG-në e konsiderojmë jo si zëvendësim të burimeve tona, por vetëm si një burim shtesë për kohët kur burimet vendore nuk mjaftojnë. Nga analizat që kemi bërë, del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes TC në Vlorë.

    E katërta: Pavarësisht këtyre diskutimeve, nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të ShBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore. Sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e ShBA-ve për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajon përmes furnizimit me gaz.

    Shtetet si Serbia, Maqedonia e Veriut ose Bosnja e Hercegovina që kanë infrastrukturë gazi dhe varësi nga gazi rus, patjetër që duhet të zgjedhin mes Rusisë dhe Amerikës. Por, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si “anti-amerikan” ose për të shtruar pyetjen “me Rusinë a me Amerikën” është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë m³ gaz rus. Kosova kurrë nuk e ka zgjedhur Rusinë – as në energji e as në asnjë fushë tjetër.

    E pesta: Diskutimet e vendimet afatgjata si ky që ka të bëjë me import të gazit për dekadat në vijim, ndërkohë që nuk kemi infrastrukturë e përvojë, e sektori i energjisë në Evropë po ndryshon e modernizohet dita-ditës, janë shumë përtej politikës ditore. Këto diskutime më së paku duhet të hapen në euforinë e fushatës zgjedhore. Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë e më të lartë, bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat, ekonomike e politike. Përfundimisht, vendimet do të jenë transparente dhe në përputhje me interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Vendimi për Thaçin dhe të tjerët: Dhomat e Specializuara mbesin brenda afatit të 20 korrikut

    Vendimi për Thaçin dhe të tjerët: Dhomat e Specializuara mbesin brenda afatit të 20 korrikut

    Dhomat e Specializuara në Hagë ende mbesin brenda afatit të fundit 20 korrik për shpalljen e verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një përgjigje me shkrim, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik.

    “Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.

    Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.

    Gjykata ka theksuar se “nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”, raporton Euronewalbania.

    Gjykata në Hagë është akuzuar në Kosovë për trajtimin e padinjitetshëm të katër të burgosurve, por zëdhënësja Angela Grip ka përmendur vizitat humanitare të lejuara për të paraburgosurit.

    “Korniza Ligjore e Dhomave të Specializuara u mundëson të paraburgusorve të paraqesin kërkesë për vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve. Deri tani, gjykatësit e Dhomave të Specialziuara kanë urdhëruar 14 vizita të të paraburgosurve në Kosovë, që janë organizuar dhe zbatuar nga gjykata, si për shembull, për t’i mundësuar një të paraburgosuri të vizitonte një të afërm të sëmurë ose për të nderuar kujtimin dhe për të qenë pranë anëtarëve të familjes pas vdekjes së një të afërmi. Në rastin e zotit Thaçi p.sh., janë kryer katër vizita të tilla”, tha Angela Grip, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara.

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbahen në Hagë që prej nëntorit 2020, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Ekonomiaonline