ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu për gazin amerikan: Vendimi do të merret pas vlerësimeve të ekspertëve

    Haxhiu për gazin amerikan: Vendimi do të merret pas vlerësimeve të ekspertëve

    Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projektet që lidhen me gazin amerikan, por konsideron se vendimet për çështje të tilla duhet të merren pas diskutimeve dhe vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës.

    Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e pyetur se si i përgjigjet Qeveria e Kosovës thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Odave Ekonomike që Kosova të bëhet pjesë e marrëveshjeve për gazin amerikan.

    Haxhiu tha se çështja e gazit nuk mund të reduktohet në përgjigje të thjeshta me “po” ose “jo”, pasi sipas saj kërkon analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve për qytetarët e Kosovës.

    “Shihni, sa i përket kësaj çështje, unë mendoj që a duhet Kosova ta pranojë apo jo gazin, nuk është çështje e përgjigjeve me ‘po’ ose ‘jo’. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime në nivel të institucioneve përgjegjëse, në nivel të ekspertëve, në mënyrë që të diskutohet për përfitimet, për koston që ndërlidhet në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për aspekte të tjera të cilat i takojnë ekspertëve të fushës që të merren me këto”, tha ajo.

    Sipas Haxhiut, institucionet e Kosovës janë të hapura për diskutime serioze lidhur me këtë projekt dhe nuk kanë refuzuar iniciativa që konsiderohen në interes të qytetarëve.

    “Kosova asnjëherë nuk ka thënë jo projekteve që janë në të mirën e interesit publik, në të mirën e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mirëpo, për tema të tilla duhet që të ketë diskutime serioze. Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze, jemi të hapur që të diskutojmë për këtë. Ministrja Rizvanolli ka diskutuar për këtë çështje dhe po punon në këtë drejtim. Prandaj, le t’ia japim mundësinë institucioneve përgjegjëse që të japin përgjigjen finale për këtë”, tha ajo.

    Ajo kundërshtoi vlerësimet se mospajtimi eventual me projekte të caktuara energjetike mund të interpretohet si qëndrim antiamerikan, duke theksuar se institucionet vendimmarrëse duhet të veprojnë bazuar në interesin e qytetarëve të Kosovës.

    “Në qoftë se Kosova, Republika e Kosovës, sheh një zgjidhje tjetër si një zgjidhje më të mirë, atëherë pse duhet që të kritikohet dhe pse duhet që qeveria apo institucionet e Republikës së Kosovës të konsiderohen antiamerikane? Institucionet e Republikës së Kosovës punojnë për interesat e qytetarëve dhe natyrisht mbështesin projekte që janë në favor të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve, mirëpo kjo nuk do të duhej të shihej si antiamerikanizëm. Dhe mendoj që me këtë qasje nuk po e ndihmojmë as Republikën e Kosovës, por as partneritetin”, tha ajo.

  • Balla: Jam i sigurt se Dritan Goxhaj punon për Iranin, prokuroria të hetojë

    Balla: Jam i sigurt se Dritan Goxhaj punon për Iranin, prokuroria të hetojë

    Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka vijuar me qëndrimin që sipas tij, lexuesi i 5 kërkesave në protestë, Dritan Goxhaj, punon për Iranin. Sipas Ballës, prokuroria duhet ta hetojë këtë çështje.

    “Nuk ka asnjë dyshim që Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian. Unë nuk arrestoj askënd. Arrestimet në demokraci i bën prokuroria. Një person që e quan presidentin amerikan terrorist, që i quan SHBA-të terroriste, mbron Iranin dhe sulmon SHBA-të, është një person që ka lidhje me agjenturën iraniane”, tha Balla.

    I pyetur nga gazetarët për një nga kërkesat e protestuesve lidhur me kufizimin e mandateve për Kryeministrin, Balla tha se mandatet i kufizon populli sipas tij me votë.

    “Libri themelor i Republikës së Shqipërisë, i cili është Kushtetuta, është i qartë në këtë pikë. Ne jemi një vend që mund të quhemi Republikë e Re, në kuptimin e viteve që kemi me Kushtetutën. Ju e dini gjithmonë që unë jam një partizan i faktit se kemi marrë modelin e një republike të pastër parlamentare. Modeli është ai gjerman. As në Gjermani që njoh unë, nuk ka kufizim mandatesh. Sepse në demokraci dhe në republika parlamentare nuk ka kufizim mandatesh. Kufizimin e mandateve e bën vetëm vota e popullit. Kështu që mos u lodhni kot, Kushtetutën e kemi të re.”-tha Balla. /Euronews/

  • LDK-ja kërkoi presidencën, Nagavci: Presim kandidat jopartiak

    LDK-ja kërkoi presidencën, Nagavci: Presim kandidat jopartiak

    Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se diskutimet për çështjen e presidentit do të intensifikohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke bërë thirrje për përgjegjësi nga të gjithë deputetët dhe për gjetjen e një kandidati konsensual, raporton Ekonomia Online

    E pyetur lidhur me deklaratat e LDK-së se marrëveshja për presidentin mund të arrihet nëse kjo pozitë i takon kësaj partie, Nagavci u shpreh se presin një kandidat jopartiak.

    “Presim certifikimin e rezultateve edhe pastaj zhvillojmë me intensitet të shtuar diskutimet. Bëj thirrje te të gjithë deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit, që të sillen me përgjegjësi ndaj Kuvendit, ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve që i kanë besuar që të jenë pjesë e Kuvendit dhe të mundësojmë kuorumin prej 80 deputetëve, në mënyrë që të zgjidhet presidenti apo presidentja e vendit. Kemi parë disa deklarata të emrave të përveçëm të kandidatëve të cilët kanë dëshirë të jenë presidentë apo presidente. Gjithsesi, ne presim të kemi një kandidat apo kandidate konsensuale, jo partiak, jo partiake, të cilët do të gëzojnë besoj edhe me kompetencë e përgjegjësi pozitën e tillë dhe rolin unifikues”, tha ajo.

    E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë një kandidat partiak për president, Nagavci tha se kjo mbetet çështje për diskutim, duke rikujtuar përpjekjet e mëhershme të subjektit për të arritur marrëveshje me partitë e tjera.

    “Kjo gjë duhet të diskutohet. Ju e dini që edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit, ne kemi kërkuar nga partitë e opozitës në atë kohë, edhe nga LDK-ja e PDK-ja, që të propozojnë emra konkretë. Ne kemi qenë të gatshëm që t’i japim nënshkrimet për të mandatuar kandidatët për president. Kemi qenë të gatshëm të bashkëqeverisim med LDK-në. Kemi qenë të gatshëm të lirojmë pozitën e kryetares së Kuvendit. Pra, kemi dhënë gjithçka që është në mandatin tonë, përkundër që numrat dhe forcat në Kuvend kanë qenë dukshëm në favorin tonë.

    Por, jemi munduar që të shmangim një palë zgjedhje të reja edhe të funksionalizojmë institucionet e të vazhdojmë me punë të shumta, të cilat janë me rëndësi për qytetarët. Por ndodhja që ndodhi… ju e patë që nuk pati gatishmëri të deputetëve të partive të tjera, të cilët ishin në Kuvend, për të zgjedhur presidentin. Shkuam në zgjedhje, të cilat e rikonfirmuan edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i cili është më i madh, ka numrin më të madh të votave sesa të gjitha partitë e tjera bashkë, partitë shqiptare, përfshirë subjektin e dytë, të tretë e kështu me radhë. Andaj, unë besoj që deputetët do të respektojnë vullnetin e qytetarëve edhe do të angazhohen maksimalisht, sepse kemi shumë kohë të humbur e shumë prej ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare e projekteve presin të shqyrtohen me prioritet. Ju faleminderit shumë.”

    Nagavci shmangu komentet për emra të përveçëm, saktësisht për Ramush Haradinajn duke thënë se procesi duhet të fokusohet te interesi institucional dhe jo tek ambiciet personale.

    “Po e them edhe një herë, unë nuk do të kisha dashur të flisja me emra të përveçëm. Është për mua, personalisht, pak absurde që një person — cilido qoftë ai — i cili ka folur fjalë të pavërteta dhe gjëra të cilat e di edhe vetë që nuk qëndrojnë për kryeministrin Kurti, tashmë të kërkojë që të marrë mbështetjen e kryeministrit Kurti. Dhe kjo tregon shumë edhe për atë që ka ndodhur përpara, por edhe për atë ku jemi tani.

    Kështu që unë besoj dhe bëj thirrje që të gjenden disa emra konsensualë, sepse besoj që Kosova ka mjaftueshëm burra e gra me integritet, me etikë të lartë edhe personale, edhe profesionale, të cilët do ta ushtronin në mënyrë shumë të mirë pozitën e presidentit apo presidentes.

    Ndaj duhet larguar, unë nuk po flas sot në emër të Lëvizjes me emra të përveçëm, por ajo që mund të them është që është koha që të mendojmë për institucionet, të mendojmë se si dalim prej këtij ngërçi politik edhe të lëmë anash vetëm ambiciet dhe interesat personale”, shtoi ajo

  • Inspektorati mbyll tri qendra masazhi, shqipton pesë gjoba

    Inspektorati mbyll tri qendra masazhi, shqipton pesë gjoba

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, gjatë ditëve të fundit ka realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e Kosovës.

    Bazuar në komunikatën për media, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Gjakovë dhe një në Rahovec.

    Po ashtu, në njoftim theksohet se IQMT ka shqiptuar pesë gjoba ndaj subjekteve që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar gjatë procesit të inspektimit.

  • Oficeri i FSK-së përfundon me sukses kursin ushtarak ndërkombëtar në Britani

    Oficeri i FSK-së përfundon me sukses kursin ushtarak ndërkombëtar në Britani

    Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Vilson Musaj, ka përfunduar me sukses kursin ndërkombëtar “International Military Cooperation Course (IMCC)”, i cili u mbajt në Mbretërinë e Holandës.

    Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, kursi mblodhi pjesëmarrës nga 20 shtete të botës dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Bazuar në këtë njoftim, gjatë zhvillimit të kursit, major Musaj u zgjodh udhëheqës i klasës, duke përfaqësuar të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e programit.

    “Në ceremoninë e diplomimit, majori mbajti fjalimin përmbyllës në emër të pjesëmarrësve të kursit”, thuhet në njoftim.

  • Dy të lënduar nga aksidenti në Pejë, policia jep detaje

    Dy të lënduar nga aksidenti në Pejë, policia jep detaje

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur paraditen e së enjtes në Pejë.

    Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur në rrugën “UÇK”, ku janë përfshirë dy automjete në lëvizje, ndërsa nga përplasja janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera që ishin të parkuara në afërsi.

    Zëdhënësi rajonal i Policisë në Pejë, Driton Rugova, ka bërë të ditur për Klankosova.tv se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth orës 11:50, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në rrugën ‘UÇK’ në Pejë. Në këtë aksident ishin të involvuara dy vetura, por janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera të cilat ishin të parkuara”, tha Rugova.

    Ai shtoi se të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Pejës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    “Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, deklaroi Rugova.
    Ndërkohë, hetuesit e njësisë së trafikut kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

    “Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve”, përfundoi zëdhënësi i Policisë.

  • Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Nga kuleta e shtetit janë paguar 91 mijë euro pensione pas vdekjes së përfituesve, gjatë vitit 2025.

    Auditori ka gjetur se në total janë kryer 517 pagesa, në kundërshtim me ligjet e skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme.

    Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Financave është zbuluar se pensionet janë lëshuar për këto skema:

    Pagesat pas vdekjes ndodhin kryesisht si rezultat iu lajmërimit me vonesë apo edhe kur vdekjet e qytetarëve nuk janë regjistruar me kohë.

    Si rrjedhojë, kjo shkakton pagesa të parregullta dhe dëmton buxhetin e ministrisë, transmeton Klankosova.tv

    Ndryshe, me këtë çështje tash duhet të merret Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, që u formua gjatë riorganizimit të qeverisë, duke ndarë ish-Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në dy dikastere.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Eglant Koçit që u vra nga shoku i tij

    Sot i jepet lamtumira e fundit Eglant Koçit që u vra nga shoku i tij

    Trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili dyshohet se u vra nga miku i tij Armand Shakaj dhe u gjet pas më shumë se dy javësh kërkime në zonën e Ibës, do të përcillet sot për në banesën e fundit.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet në mesditë në varrezat e Shëngjergjit, ndërsa familjarët do të presin ngushëllime gjatë ditës së enjte, të premte dhe të shtunë.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar përmes analizave të ADN-së se trupi i gjetur në fshatin Cërrujë, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, i përket 34-vjeçarit. Identifikimi u bë pas krahasimit të mostrave biologjike të marra nga nëna e tij, duke i dhënë fund procesit të verifikimit shkencor.

    Eglant Koçi ishte parë për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motomjet. Pak orë para zhdukjes, ai ishte filmuar edhe në një servis automjetesh. Një ditë më pas, familjarët raportuan zhdukjen e tij në polici.

    Hetimet çuan në gjetjen e motomjetit pranë zonës së “5 Majit”, si dhe në identifikimin e vendit ku dyshohet se 34-vjeçari ishte mbajtur pas rrëmbimit.

    Sipas hetuesve, nga ambienti ku dyshohet se u mbajt Koçi ka dalë vetëm Armand Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”. Ai dyshohet se e ka vrarë 34-vjeçarin dhe më pas ka fshehur trupin në një çantë të zezë, të cilën e ka hedhur në një zonë të thepisur në Cërrujë.

    Policia vijon kërkimet për 41-vjeçarin, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe vrasjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe për të zbuluar nëse persona të tjerë kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje.

    Edhe pas më shumë se dy javësh nga krimi i rëndë, i dyshuari kryesor mbetet në arrati, ndërsa familja Koçi i jep sot lamtumirën e fundit të birit të saj.

  • Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në QSUT, zbulohet menuja e darkës

    Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në QSUT, zbulohet menuja e darkës

    60 studentë të Akademisë e Sigurisë janë paraqitur në urgjencën e QSUT-së në Tiranë me simptoma të të vjellave, duke ngritur dyshime për një rast të mundshëm helmimi ushqimor.

    Nga të prekurit, 15 studentë kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pjesa tjetër është mbajtur nën vëzhgim. Sipas autoriteteve, menjëherë pas incidentit ka nisur hetimi, ku janë marrë kampione ushqimi për analiza laboratorike.

    Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, nga rreth 1200 racione ushqimi të shpërndara në total, vetëm një numër i vogël studentësh kanë raportuar shqetësime shëndetësore, duke e bërë ende të paqartë nëse bëhet fjalë për helmim masiv.

    Autoritetet shëndetësore dhe AKU kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e incidentit.

    Darka e studentëve të Akademisë së Sigurisë ka përfshirë ushqime të ndryshme si pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë, të cilat aktualisht janë nën verifikim për sigurinë ushqimore.

    Studentët, rreth orës 8 të mbrëmjes kanë filluar të kenë probleme e më pas janë paraqitur në QSUT.

    Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një rast helmimi ushqimor apo një incident tjetër shëndetësor. /Tch/

  • Damka: Do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti, nuk kërkojmë poste!

    Damka: Do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti, nuk kërkojmë poste!

    Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka deklaruar se dy deputetët e kësaj partie do ta mbështesin pa kushte formimin e Qeverisë Kurti 4, duke theksuar se prioritet mbetet krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.

    “Ne si dy deputetë të Partisë Demokratike Turke do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4. Besoj se shumë shpejt do të formohen institucionet, sepse Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”, tha Damka për Indeksonline.

    Ai theksoi se KDTP-ja synon të vazhdojë bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, sikurse në mandatin e kaluar, ku ai ushtron detyrën e zëvendëskryeministrit.

    “Besoj se do të vazhdojmë të qeverisim bashkë dhe do të jemi pjesë e qeverisë”, u shpreh ai.

    I pyetur nëse do të mbajë ndonjë post ministror ose do të vazhdojë si zëvendëskryeministër, Damka tha se kjo nuk është kusht për votimin e qeverisë.

    “Nuk e kemi kusht të jem ministër apo zëvendëskryeministër. Për ne është e domosdoshme që të krijohen sa më shpejt institucionet. Jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë si deputetë të Partisë Demokratike Turke”, deklaroi ai.

    Damka bëri të ditur se ka kontakte të vazhdueshme me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se kanë zhvilluar diskutime lidhur me formimin e qeverisë së re.

    “Kemi pasur një takim të shkurtër ku kemi biseduar për nevojën që qeveria të formohet sa më shpejt dhe të japim mbështetjen tonë. Nuk kemi folur për pozita, pasi për ne më e rëndësishme është të jemi përkrahës të Qeverisë Kurti”, tha ai.

    Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të tejkalojnë bllokadën aktuale dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike.

    “Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Bllokadat politike dhe institucionale po e dëmtojnë vendin dhe qytetarët. Besoj se edhe opozita do të reflektojë dhe se do të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Damka.

    Sipas tij, partitë e komuniteteve joshumicë ndajnë të njëjtin qëndrim, pasi qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe vonesat në formimin e institucioneve.

    “Partitë minoritare besoj që të gjithë do të jenë me mendimin tim. Sepse ne si komunitet jemi lodh dhe populli jonë është lodhur nga zgjedhjet dhe moskrijimin e institucioneve. Besoj që të gjithë bartësit e komunietetve janë me këtë mendim”, tha ai.