ATV

Category: Lajme

  • 30 ditë paraburgim për A.O, dyshohet se e përdhunoi një 9 vjeçare

    30 ditë paraburgim për A.O, dyshohet se e përdhunoi një 9 vjeçare

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    26-vjeçari i cili dyshohet se dhunoi seksualisht një 9-vjeçare në komunën e Pejës, u paraqit në Gjykatë në mëngjesin e së hënës.

    Ndaj tij, ky institucion e vendosi masën e sigurisë prej 30 ditësh paraburgim, bazuar në kërkesën e Prokurorisë, e cila ka dyshime të bazuara mirë për veprimet e të pandehurit.

    “Janë ndërmarrë veprime hetimore, fillimisht është arrestuar i dyshuari, e pastaj viktima është dërgu për trajtim mjekësor”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur vetëm një ditë para se i dyshuari të arrestohet.

    “Viktima për momentin është në gjendje stabile shëndetësore…”, tha Nikçi.

    Lidhur me këtë rast, gjatë ditës është deklaruar edhe Avokati i Popullit, sipas të cilit dhuna seksuale ndaj të miturave është trend në rritje.

    “Para dy muajsh kemi mbajtur takim me akterët që trajtojnë dhunën seksuale. Kemi siguruar edhe një statistikë, gjendja është alarmante, numri i rasteve të dhunimit të vajzave të reja është trend në rritje dhe gjendja është shqetësuese”, tha Naim qelaj, Avokat i Popullit.

    Ndërkaq, gjatë të martës, Policia njoftoi se vazhdon ta kërkojë një person, i cili dyshohet për ngacmim, duke publikuar fotografinë e tij, derisa një person u arrestua në Mitrovicë të Veriut për përdhunim.

  • Kosova mes Donald Trump dhe Kamala Harris

    Kosova mes Donald Trump dhe Kamala Harris

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Tashmë miliona amerikanë e kanë hedhur votën në zgjedhjet presidenciale.

    Ndonëse, bazuar në sondazhe, fituesi i këtyre zgjedhjeve nuk dihet, megjithatë një gjë është e sigurt se demokrates Kamala Harris apo republikanit, Donald Trump, i duhen 270 vota elektorale për të fituar.

    Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.

    Por, rol të madh në këto zgjedhje si gjithmonë do të kenë edhe shtetet e njohura si të papërcaktuara. Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, janë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të 47-të të shtetit më të fuqishëm në botë.

    Qendrat e votimit u hapën në orën 11:00, sipas kohës lokale në Kosovë në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë deri në orët e mbrëmjes, në shtetet që ndodhen në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

    Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020, ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik, pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.

    Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore.

    Më shumë se 77 milionë votues tashmë kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.

    Harris tashmë ka votuar përmes postës. Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve.

  • Paskal Milo: Në Kosovë konferenca e Rambujesë, pikë kthese për aspiratat e lirisë

    Paskal Milo: Në Kosovë konferenca e Rambujesë, pikë kthese për aspiratat e lirisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    80-vjetori i çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetori i çlirimit të Kosovës i bëri bashkë.

    Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, këto dy data i shënoi me një ligjëratë rreth rolit të diplomacisë shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”.

    Mysafir nderi ishte historiani e politikani, Paskal Milo.

    Vendimet u vlerësua se nuk ishin vetëm politike, por pikë kthese për aspiratat e lirisë.

    E ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se përvjetori i çlirimit i bën që të reflektojnë për vetëvendosje e për unitet të vendit.

    E lëvdatat për Paskal Milon nuk munguan.

    Të pranishëm në ligjëratë ishin edhe shkrimtarë e figura të shquara, si Lulzim Tafa e Veton Surroi.

  • Përparim Rama “liron nga detyra e drejtorit” Ilir Murselin

    Përparim Rama “liron nga detyra e drejtorit” Ilir Murselin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga 2 Nëntori, Ilir Murseli nuk është më drejtor për Transformim të Kryeqytetit.

    Burime i thanë televizionit se ai është shkarkuar nga kjo pozitë dhe se drejtor i ri është emëruar Gëzim Kastrati.

    Por, vetë Murseli, i cili është arkitekt, në një përgjigje për ATV-në, tha se nuk bëhet fjalë për shkarkim.

    “Nuk jam shkarkuar. Unë kam dalë, e kam lënë. Nuk është as dorëheqje, sepse për dorëheqje duhet të kesh arsye. Unë jam tërhequr, thjesht shkaku i punëve të mia. Jam liruar nga detyra, me kërkesë timen dhe në pajtim me kryetarin”, tha Murseli.

    Burime i thanë televizionit, po ashtu, se një pjesë e drejtorëve nga radhët e LDK-së janë të frikësuar se mund të shkarkohen.

    Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili është anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike, nuk u deklarua për këto ndryshime.

    “Nuk kam koment. Vetëm me kryetarin, ju lutem”, u përgjigj shkurt ai.

    Por, i kontaktuar nga televizioni, kryetari Përparim Rama nuk u përgjigj.

    Ndryshe nga fillimi i vitit kur kishte kumtuar emërimin, Rama nuk publikoi asnjë njoftim për ndryshimet tani.

    Në kuadër të ristrukturimit të kabinetit qeverisës në Prishtinë, më 5 Shkurt 2024, kryetari Përparim Rama themeloi Drejtorinë për Transformim të Kryeqytetit dhe e emëroi drejtor Ilir Murselin – me synimin për t’i përshpejtuar projektet e mëdha.

    Së fundmi, Komuna e Prishtinës po përballet me vështirësi në miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2025 – pasi në tri raste seancat e asamblesë kanë dështuar.

  • Policët do të paguhen më shumë për punë shtesë në organizime publike

    Policët do të paguhen më shumë për punë shtesë në organizime publike

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Është ndeshje futbolli, por Policia garanton siguri.

    Tashmë angazhimi i policëve në këso punë, do të paguhet më shumë, meqë Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur rregulloren e re, me të cilën parashihet forma e angazhimit dhe kompensimit, kur policët ftohen nga organizatorë të ngjarjeve publike.

    Sipas dokumentit, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve publike, organizatori duhet të bëjë kërkesë te institucioni i policisë, 7 ditë para zhvillimit të ngjarjes, dhe paralelisht policia bën organizimin e pjesëtarëve, varësisht llojit të organizimit.

    Për tarifën e angazhimit, do të vendosë drejtori i përgjithshëm i policisë, edhe pse jozyrtarisht ATV-ja kupton se bëhet fjalë për gjysmën e shumës aktuale.

    “Sipas udhëzimit të ri apo normativës së re do të jetë përafërsisht 150 deri në 200 euro aktivitete e caktuara për zyrtarët të cilët do të marrin pjesë në aktivitete të caktuara nën ombrellën e policisë e cila shfrytëzohet si kompani përkatëse, e cila ofron siguri në atë eveniment”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Kompensimi, po ashtu, përfshin të gjitha shpenzimet lidhur me angazhimin shtesë, përfshirë orët shtesë të punës për pjesëtarët e Policisë, shpenzimet për pajisjet dhe materialet e përdorura gjatë angazhimit, si dhe kostot për transportin dhe logjistikën e Policisë në dhe nga vendi i ngjarjes.

    “Kjo në aspektin financiar është profitabile edhe për policinë po njëkohësisht edhe për efektivët të cilët angazhohen në atë plan operativ apo eveniment. Dihet që deri më tani këto punë janë kryer në formë sekondare të cilën e kanë apliku policia por tash me këtë formën e rregullimit padyshim do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe një stimulim”, tha Shala.

    “Zyrtarëve policorë iu takon pagesa për orët shtesë, realisht kjo është e rregulluar edhe me ligjin e punës, prandaj secili rregullim me akte nënligjore është vetëm aprovim dhe respektim i ligjit”, tha Florim Shefqeti, jurist.

    Ndërkaq, sa i përket pagesës, Organizatori është i detyruar që atë ta bëjë brenda 10 ditëve nga përfundimi i ngjarjes.

  • Shumë shkolla e pak psikologë nëpër shkolla

    Shumë shkolla e pak psikologë nëpër shkolla

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Për 36 shkolla në komunën e Vushtrrisë, të angazhuar janë vetëm 8 psikologë.

    Nevoja për praninë e tyre në shkolla vlerësohet të jetë e madhe, megjithatë rritjen e numrit të psikologëve, kjo komunë thotë se e ka të pamundur, për shkak të kufizimeve të Ministrisë së Arsimit, për punësim.

    “Ministria para se me bë thirrje duhet me ua mundësu komunave rritjen e numrit të punësuarve në listën e pagave. Numri nuk është i mjaftueshëm, edhe shkollat kanë nevojë urgjente për psikolog, por kemi problem me kufizimin e punëtorëve që e ka caktu ministria e arsimit, për pranimin e psikologeve të reja”, tha Alabnez Tahiraj nga DKA Vushtrri.

    Numër po kaq të vogël të psikologëve në shkolla, ka edhe komuna e Hanit të Elezit.

    Për pesë shkolla sa numëron gjithsej kjo komunë ka vetëm një psikolog.

    As në këtë komunë për këtë vit nuk planifikohet hapja e ndonjë konkursi.

    “Për vitin 2025, Kemi planifiku nga janari kemi me hap konkursin për psikolog, nevoja është e madhe, do të ishte e duhur që çdo shkollë me pas nga një psikolog”, tha Hisni Luri nga DKA Hani i Elezit.

    Edhe në Komunën e Kamenicës ka të punësuar pak psikologë, krahasuar me numrin e institucioneve shkollore.

    Mirëpo, situatë krejt ndryshe qëndron në Komunën e Pejës. Sipas Drejtorisë së Arsimit, mbi 20 psikologë janë të punësuar.

    Duke pasur parasysh shëndetin mendor, por edhe ndikimin e teknologjisë, përfshirja e psikologëve në shkolla vlerësohet e domosdoshme.

    “Tu e pas parasysh shëndetin mendor të fëmijëve, përdorimin e substancave, një varësi prej teknologjisë, shto faktin edhe performanca akademike, sa më shumë kohë që kalon rëndësia e psikologëve në shkolla po bëhet më e madhe”, tha Naim Telaku, psikolog.

    Kërkesa nga Ministria e Arsimit, për rekrutim të psikologëve e pedagogëve, erdhi pas rasteve të vetëlëndimit të nxënëseve, në komunën e Gjakovës e në atë të Kamenicës.

    Megjithatë, ende nuk dihet, nëse ka ndonjë komunë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së MASHTI-t, ngase zyra për informim e këtij dikasteri nuk ktheu përgjigje ATV-në.

  • Tetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende nuk është ndriçuar

    Tetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende nuk është ndriçuar

    Përgatiti: Nora Luta

    Vdekja e Astrit Deharit tetë vjet pas, vazhdon të mbetet e pasqaruar.

    Avokati i familjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Tomë Gashi, tha për ATV-në se institucionet kanë dështuar në hetimin e këtij rasti.

    Sipas avokatit, gjatë këtyre viteve u ndërruan katër prokurorë, e të fundit, Gashi thotë se do t’i adresohen zyrtarisht, duke i kërkuar që rasti të mos zvarritet.

    Vetëvendosja, që e udhëheq Qeverinë, katër vjetët e fundit, kishte akuzuar institucionet, duke thënë se kur të vijë në pushtet rasti do të ndriçohet.

    Megjithatë, sipas avokatit të familjes, ekzekutivi nuk ndërhyn në punën e organit të akuzës.

    Prokuroria Speciale vazhdimisht kishte mohuar se ka pasur manipulim të provave, e për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk ofron detaje. Ekspertiza e vitit 2019 e institutit zviceran, kishte konstatuar se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa e dyta kishte konstatuar se analizat e ADN-së nuk kanë treguar profil tjetër, përveç atij të viktimës.

    Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në nëntor të 2016-s, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulm ndaj Kuvendit.

  • Projeksioni i CNN: Harris e nis me 226 vota, Trump 219

    Projeksioni i CNN: Harris e nis me 226 vota, Trump 219

    Qytetarët amerikanë sot votojnë për zgjedhjet presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.

    Sipas CNN, demokratja e nis me 226 vota garën, ndërsa kundërshtari i saj politik, Trump e nis me 219. Pra siç shihet, Harris është në një avantash relativisht të madh ndaj ish-presidentit republikan.

    Shtetet e lëkundura janë Nevada, Wisconsin, Pensilvania, Michigan, Arizona, Georgia dhe Karolina e Verit, ku në hartë janë në ngjyrë të verdhë.

    Shtetet që pritet të fitojë Kamala Harris janë: Washington, Oregon, California, Minnesota, Illinos, Colorado, New Mexico, Virginia, New York, Maine, New Hampshire, Vermont, Massachusetts, Coneccticut, New Jersey, Delaware, Maryland, Hawai.

    Ndërsa në shtete e tjera pritet të marrë më shumë vota Donald Trump.

  • Zgjedhjet në SHBA: Kandidati republikan Trump shfrytëzon votën në Florida

    Zgjedhjet në SHBA: Kandidati republikan Trump shfrytëzon votën në Florida

    Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, hodhi votën e tij në shtetin e Floridës, transmeton Anadolu.

    Trump u prononcua për mediat pas votimit me gruan e tij Melania Trump.

    Duke pretenduar se është “mjaft përpara” sipas informacioneve që ka marrë, Trump deklaroi se republikanët kanë votuar fuqishëm.

    “Dëgjoj se po ecim shumë mirë kudo. Unë mendoj se do të kemi sukses të madh sot”, tha ai.

    Në lidhje me atë nëse do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve nëse humbet, Trump tha: “Unë mendoj se ata që pretendojnë të kundërtën janë të çmendur. Nëse do të ketë zgjedhje të ndershme dhe unë i humbas, do të jem i pari që do t’i pranoj”.

    – “Dua që Irani të jetë i suksesshëm, por nuk mund të kenë armë bërthamore”

    Trump deklaroi se çështja më e rëndësishme janë kufijtë dhe theksoi se trafikantët e drogës dhe terroristët hyjnë përmes kufirit.

    Lidhur me Iranin, Trump deklaroi se “kushtet janë shumë të thjeshta” dhe se ai nuk dëshiron të dëmtojë Iranin. “Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Unë dua që ata të jenë një vend i suksesshëm, por nuk mund të kenë armë bërthamore. Është kaq e thjeshtë”, tha ai.

    Në zgjedhjet e 60-ta presidenciale, në të cilat përballen republikani Donald Trump kundër demokrates Kamala Harris, fitues do të shpallet kandidati që arrin 270 delegatë.

    Fituesi i garës presidenciale do të bëjë zyrtarisht betimin më 20 janar 2025.

  • ​Ndizen qirinj në nderim të Astrit Deharit

    ​Ndizen qirinj në nderim të Astrit Deharit

    Me rastin e tetë vjetorit të vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari sonte është bërë ndezja e qirinjve te Murali në Prishtinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritarë bashkë me familjarë të Astrit Deharit e qytetarë tjerë morën pjesë në këtë përkujtim. I pranishëm ishte edhe avokati Tomë Gashi.

    Ndërkaq, sot në homazhe te varri i Astrit Deharit në Zllatar të Prishtinës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm si qeveri, ta ndihmojnë prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësinë pas tetë viteve në zbardhjen e rastit të ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

    Të pranishëm në homazhe ishin familjarë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë.