ATV

Category: Lajme

  • Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

    Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

    Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.

    Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.

    Sipas tij, kandidati republikan, Donald Trump është një personalitet atipik dhe nuk dihet se cili do të jetë roli i tij në politikën botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.

    Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Për Kosovën kandidate më e përshtatshme dhe kapshme për rrethanat e Kosovës është zonja Harris. Ajo rrjedh nga Partia Demokratike dhe ka një estabilishment dhe në Departamentin e Shtetit që e njohin mirë çështjen e Kosovës, siç është i deleguari për dialogun O’Brien. Kurse në rast që fiton zotëri Trump është një personalitet atipik, që askush nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij për politikën botërore dhe regjionale duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo çka kanë thënë këshilltarët e tij, sikurse zotëri Bolton më parë është rreziku për kthimin e serishëm të projektit për korrigjim të kufijve që ka qenë më parë”, thotë ai.

    Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.

    Madje, ai thotë për KosovaPress se kandidati republikan, Trump mund të jetë më i hovshëm në vendimmarrje.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë faktikisht shtet me traditë, politika e jashtme e secilës nuk varet nga një kandidat apo një tjetër. Natyrisht mund të jetë që njëri kandidat të jetë më i hovshëm në vendimmarrje, në këtë rast Donald Trump dhe tjetri kandidat mund të jetë më i ngadalshëm. Mirëpo prioritetet në strategjinë afatgjate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës as në raport me Kosovën dhe me shtetet të tjera nuk ndryshojnë. Kështu që nuk e besoj se do të ketë kushedi çfarë ndryshimi të madh, përveç ecurisë të shpejtë apo më të ngadalshme të marrjes së vendimeve”, thekson Canaj.

    Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.

    Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

    Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale./KP

  • Dogana inkason të hyra mbi 1.5 miliard euro

    Dogana inkason të hyra mbi 1.5 miliard euro

    Dogana e Kosovës njofton se fillimi i muajit nëntor shënoi ‘një arritje historike për Doganën’, pasi janë mbledhur mbi 1.5 miliardë euro të hyra. Për Doganën, kjo shifër përfaqëson një rritje të dukshme prej 10.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    “Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2023, të hyrat e mbledhura ishin 1.36 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë mbledhur 146.1 milionë euro më shumë. Ky trend pozitiv, që ka nisur të shfaqet vitin e kaluar, ka vazhduar të përforcohet në vitin 2024, duke konfirmuar përkushtimin e Doganës për të maksimizuar të hyrat”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar për të vazhduar kontrollet rigoroze dhe të vazhdueshme, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e vendit.

  • BE fton Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit

    BE fton Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit

    Bashkimi Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit.

    Një thirrje të tillë e ka bërë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për medie. Duke rikapituluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano ka theksuar se etiketimi i Projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij, derisa ka shprehur keqardhje që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin evropian.

    “Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023”, ka thënë Stano.

    Sipas tij, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013 dhe 2015, statuti për themelimin e Asociacionit duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog.

    “Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, ka theksuar tutje Stano.

    Ai tutje ka thënë se në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së.

    “Ky draft-statut evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësi i BE-së së bashku me këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së. Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim draft-statutin evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje zyrtare e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, ka thënë Stano.

    Sipas tij, etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij.

    “Na vjen keq që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me Draft Statutin Evropian. Në përputhje me riangazhimin e saj zyrtar ndaj dialogut dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut të 20 shtatorit 2024, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e saj pa vonesa të mëtejshme. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në draft-statutin evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka nënvizuar Stano.

  • Vendoset një poster në qendër të Prishtinës me fotografitë e Trump dhe Harris

    Vendoset një poster në qendër të Prishtinës me fotografitë e Trump dhe Harris

    Zgjedhjet presidenciale që mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë përcillen me interes të shtuar në Kosovë. Kjo për shkak të raportit tepër specifik që Kosova ka me Amerikën dhe aleancës së fortë në mes të dy vendeve.

    Kosova është vendi më pro-amerikan dhe ka pasur në vazhdimësi përkrahjen e dy taborëve politik të SHBA-së, demokratë e republikanë.

    Për të treguar këtë unifikim të popullit të Kosovës karshi dy krahëve politikë në SHBA, sot në qendër të Prishtinës është vendosur nga “Instituti Octopus” një pankartë me fotografitë e dy kandidatëve për president, Donald Trump dhe Kamala Harris dhe me mbishkrimin “Together we stand in freedom’s land”.

  • ​“Inflacioni në Evropë dhe Kosovë po shkon drejt rënies”

    ​“Inflacioni në Evropë dhe Kosovë po shkon drejt rënies”

    Shifrat e rritjes ekonomike në Evropë vazhdimisht po përshpejtohen në zonën e euros. Përveç në Evropë, edhe në Kosovë inflacioni po shënon rënie. Kështu është thënë në takimin e organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës me temën “Perspektiva Ekonomike Rajonale e FMN-së për Evropën, Një rimëkëmbje nën potencialin e plotë të Evropës – Fokusi i veçantë: Sa të mëdha janë efektet e konvergjencës së Evropës dhe cilët janë shtytësit kryesorë.

    Në fjalimin hapës të kësaj ngjarje, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili tha se ky institucion bankar ka filluar të lehtësojë politikat duke marrë parasysh paqartësitë me normat e interesit. Ai potencoi se BQK është e gatshme të përshtatë normat me inflacionin ekonomik.

    Përveç kësaj, Ismaili u zotua se BQK-ja është e fokusuar në përmirësimin e qasjes në shërbimin financiare dhe për të ruajtur të drejtat e konsumatorëve

    “Programet e FMN-së të mbështetura apo përmes ndihmës së asistencës teknike ka sjellur rezultate kuptimplota…Parashikimi për vitin 2024-2025 paraqesin një rritje modeste. Banka Qendrore ka filluar si duhet të lehtësojë politikat duke marrë parasysh paqartësitë me normat e interesit. BQK po i qaset me kujdes kësaj dhe është e gatshme të përshtatë normat me inflacionin ekonomik. Thellimi i integrimit evropian mbetet përgjigja më e mirë për paqartësitë e akumuluara tonat…Po ndërmarrim reforma për të forcuar sektorin financiar dhe bankar dhe për ta harmonizuar atë më afër me Bashkimin Evropian dhe institucionet dhe sistemet e tjera të etabluara financiare. Fokusi ynë në përfshirjen financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve thekson zotimin tonë për të përmirësuar qasjen në shërbimin financiare dhe për të ruajtur të drejtat e konsumatorëve”, tha Ismaili.

    Zëvendës shefi në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Sebastian Weber theksoi se përveç në Evropë, inflacioni po shënon rënie edhe në Kosovë.

    Weber potencoi se rimëkëmbja e ekonomisë evropiane po shkon drejt rrugës së mbarë.

    “Ne shohim ekonominë evropiane dhe rimëkëmbjen e saj në rrugë të mbarë. Kjo nënkupton shohim që numrat po dalin gjithnjë e më konsistent për një rimëkëmbje të moderuar, por të qëndrueshme. Kjo tregon se shifrat e rritjes ekonomike në Evropë vazhdimisht po përshpejtohen në zonën e euros, veçanërisht nga 0.4 në 0.8 dhe deri në 2 për qind vitin 2025 dhe shohim rritjen ekonomike të rajonit pak më të fuqishme dhe kjo po përshpejtohet në mënyrë të moderuar. Në të njëjtën kohë inflacioni është duke rënë drejt synimit. Kjo është e vërtetë për ekonomi të avancuar por edhe në vendet e tjera që janë në rrugë të integrimit edhe pse akoma pesha e integrimit është më e rëndë aty. Mendoj se Kosova është në një vend më të mirë këtu. Ju keni një zhvillim relativisht të madh, por në të njëjtën kohë inflacioni është duke u zvogëluar drejt pikës prej 2 për qind”, theksoi Weber.

    Ndërkaq, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Dardan Fusha potencoi se është vërejtur ulje e borxhit publik, për çka tha se këtë vit është mbi 15 për qind.

    Ai tha se pavarësisht sfidave, sektori bankar ka qenë në mbështetje të aktivitetit ekonomik.

    Tutje, fusha theksoi se kredia po shënon rritje krahasuar me vitin e kaluar.

    “Ne duhet të pranojmë faktin se kemi kaluar një krizë të rëndë, veçanërisht gjatë viteve të fundit dhe është mirë të dëgjojmë se tani po dalim prej saj, ne e dimë se shumë vende kanë hyrë thellë në borxhe gjatë kësaj periudhe dhe disa prej tyre po luftojnë tani për të dalë nga kjo. Po ashtu, disa prej tyre po luftojnë me uljen e inflacionit, dhe po e shohim trendin e përshpejtimit të inflacionit këtu në Kosovë, i cili mesatarisht është në më pak se dy përqind…01:28 Po shohim ulje të borxhit publik që me të dhënat e fundit për këtë vit është rreth 15.9 për qind. Fakti i rëndësishëm është se kjo është mbështetur në mënyrë domethënëse nga tregu financiar, kemi parë se edhe pse ka pasur sfida gjatë kësaj periudhe, sistemi financiar, veçanërisht thelbi i sistemit financiar, sektori bankar ka qenë në mbështetje të aktivitetit ekonomik. Këtë vit po shohim se kredia po rritet nga viti i kaluar që ishte rreth 13 për qind e PBB-së dhe kjo po vazhdon për tetë vitet me rritje dyshifrore. Kjo ka mbështetur rritjen e ekonomisë këtë vit, së bashku me investimet dhe shpenzimet publike”, tha Fusha. /kp

  • ​Ligji për ndërmarrjet publike vlerësohet si më i rëndësishmi për trajtim

    ​Ligji për ndërmarrjet publike vlerësohet si më i rëndësishmi për trajtim

    Akterë nga shoqëria civile, përfaqësues nga ndërmarrjet publike bashkë me deputetë nga pozita dhe opozita, kanë diskutuar të martën sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike. Të njëjtit kanë dhënë propozimet dhe vërejtjet e tyre sa i përket këtij ligji, derisa nga partia në pushtet e konsiderojnë si një ndër ligjet më të rëndësishme i cili ka pasur nevojë të trajtohet edhe në kuadër të spektrit ligjor të saj.

    Nga ana tjetër, nga Autoriteti i Konkurrencës në funksion të kësaj kanë propozuar që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë ose të privilegjuar për të shtypur konkurrencën.

    Deputetja nga partia në pushtet, Jeta Statovci në mbledhje të Komisionit për Ekonomi, ka theksuar se brenda vitit 2021-2023 ka pasur një përmirësim të dukshëm të gjendjes së ndërmarrjeve publike, pra siç tha ajo, konsiderohet me një profit 143 milionë euro.

    “Është konsideruar një ndër ligjet më të rëndësishme e cila ka pasur nevojë të trajtohet edhe në kuadër të spektrit ligjor të saj. Ne kemi trajtuar materialin, përcjellim vit pas viti raportet e ndërmarrjeve publike për të kuptuar më mirë gjendjen brenda. Kemi pasur edhe një raund të vizitave për të kuptuar më mirë edhe specifikat e secilës ndërmarrje, sepse jo të gjitha ndajnë të njëjtat sfida, disa kanë pozicione të monopolit natyror, disa përballen me një konkurrencë më të egër, mirëpo është vlerësuar të jetë i nevojshëm edhe ky dëgjim publik ku ne marrim një perspektivë ndër sektoriale. Brenda vitit 2021-2023 kemi pasur një përmirësim dukshëm të gjendjes të ndërmarrjeve publike, pra konsiderohet me një profit 143 milion”, tha Statovci.

    Ndërsa, Shqipe Arifaj nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se kanë marrë shumë vërejtje nga komunat lidhur me themelimin e ndërmarrjes publike lokale.

    “Gjatë këtyre tre apo katër viteve ne kemi marrë prej shumë komunave vërejtje që shumë po tejzgjatet procesi, ka tre vite apo katër ende nuk është themeluar ndërmarrja publike lokale. D.m.th është proces shumë i gjatë, gati erdh përfundimi i mandatit të kryetarëve, për katër vite nuk ka mundur të themelohet ndërmarrje publike lokale, d.m.th qytetarëve nuk u ofrohet shërbimi është në mungesë… Konsiderojmë që ligji i ka rregulluar përgjithësisht mirë, nuk kemi marrë vërejtje që kanë kërkesë për ndryshim të ligjit, vetëm kërkojnë zbatimin e ligjit”, tha Arifaj.

    Në anën tjetër, Iliriana Hysa nga Autoriteti i Konkurrencës ka propozuar që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë për të shtypur konkurrencën.

    “Vlerësoj se çdo ndërmarrje e cila kryen veprimtari ekonomike, pavarësisht formën juridike, mënyrën apo formën e organizimit, mënyrën e financimit, strukturën pronësore, është e obliguar që t’i respektojë rregullat e konkurrencës, pra dhe të veprojë konform ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në funksion të kësaj propozoj që të futet një nen që siguron se ndërmarrjet publike nuk e përdorin pozicionin e tyre të veçantë ose të privilegjuar për të shtypur konkurrencën”, tha Hysa.

    Ndërkaq, deputeti nga partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se nuk ka parë ndonjë propozim sa i përket neneve përkatëse për plotësim-ndryshim të ligjit për ndërmarrjet publike.

    “Nuk pash ndonjë propozim sa i përket neneve përkatëse për plotësim-ndryshim të ligjit për ndërmarrjet publike. Kur e them këtë, e kam parasysh se nëse nuk pajtohen me një nen atëherë është dashtë që të amadamentoni ju dhe të sjellni propozimin e saktë që të bëhet propozimi i atij neni që shkon në funksion të një menaxhimi më të mirë”, tha Lekaj./kp

  • Çfarë do të bëjnë me pushtetin Harris dhe Trump

    Çfarë do të bëjnë me pushtetin Harris dhe Trump

    Votuesit amerikanë ia kanë mësyrë kutive të votimit për të vendosur se kë do të zgjedhin president mes Kamala Harrisit dhe Donald Trumpit.

    Këtu janë disa nga çështjet për të cilat kanë mbajtur qëndrime dy kandidatët.

    Inflacioni

    Harris ka thënë se prioritet i ditës së parë do të jetë ulja e kostos së ushqimit dhe shtëpive për familjet punëtore.

    Ajo ka premtuar ulje të çmimit të ushqimit, do të ndihmojë ata që blejnë për herë të parë shtëpi dhe do të rritë pagën minimale.

    Inflacioni është ngritur gjatë presidencës së Bidenit, ashtu siç ka ndodhur në shtetet perëndimore, kryesisht për shkak të problemeve pas Covid-it dhe luftës në Ukrainë. Mirëpo ka nisur të ulet.

    Trumpi ka premtuar “fund të inflacionit dhe se do ta bëjë Amerikën të përballueshme përsëri.

    Ai ka premtuar ulje të kamatës së interesit, diçka që nuk është nën kontrollin e presidentit dhe se do të dëbojë migrantët pa dokumente për të lehtësuar presionin e qirave të shtëpive.

    Taksat

    Harris dëshiron të ngritë taksat për bizneset e mëdha dhe amerikanët që fitojnë 400 mijë dollarë në vit.

    Trumpi ka premtuar reduktim të taksave në vlerë të triliona dollarëve, përfshirë një vazhdim të reduktimit që kishte nisur në vitin 2017, por kjo i ndihmoi vetëm pasanikët.

    Aborti

    Harrisi e ka vënë abortin në qendër të fushatës së saj teksa ka vazhduar të bëjë thirrje për legjislacionin që do të mundësonte të drejtat e riprodhimit në krejt Amerikën.

    Trumpi ka dështuar që të përçojë një mesazh rreth abortit. Tre gjyqtarët që kishte emëruar ai në Gjykatën Supreme kur ishte president, luajtën rol të madh në ndalimin e ligjit Roe v Wade që abortin e bënte të drejtë kushtetuese.

    Politika e jashtme

    Harris ka premtuar se do ta përkrahë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Ajo ka premtuar se nëse bëhet presidente, do të sigurohet se SHBA-ja dhe jo Kina fiton konkurrencën për shekullin 21.

    Ajo është përkrahëse e kamotshme për zgjidhjen me dy shtete mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe ka bërë thirrje për fundin e luftës në Gaza.

    Trumpi ka politikë të jashtme izolacioniste dhe dëshiron që SHBA-ja të mos përfshihet në konfliktet e botës.

    Ai ka thënë se do t’i jap fund luftës në Ukrainë për 24 orë nëpërmjet marrëveshjes së negociuar me Rusinë, lëvizje që demokratët kanë thënë se do t’i përshtatej Vladimir Putinit.

    Trumpi ka thënë se është përkrahës i Izraelit, por nuk ka treguar se si do t’i jepte fund luftës në Gaza.

  • Nga marrëveshja për emigrantët tek zgjedhjet në SHBA, Rama: Nuk po mbështes askënd, fushatë përçarëse

    Nga marrëveshja për emigrantët tek zgjedhjet në SHBA, Rama: Nuk po mbështes askënd, fushatë përçarëse

    Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”.

    Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë, zgjedhjet që mbahen sot në Amerikë si dhe kandidatët në garë.

    Intervista e plotë:

    Edi Rama është gjashtëdhjetë vjeç dhe i ka jetuar të gjitha me nxitim. Ai ishte basketbollist i kombëtares shqiptare, piktor i vlerësuar, profesor, gazetar e më pas mbi të gjitha politikan, i cili megjithatë vazhdon të ekspozojë artin e tij në galeri të mëdha. Gjithmonë rebel, gjithmonë jokonformist.

    Para se të bëhej kreu i qeverisë, ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës për tre mandate dhe si kryetar bashkie ka shërbyer edhe si sekretar i Partisë Socialiste të opozitës. Flet italisht, e do Italinë. Me Giorgia Melonin nënshkroi marrëveshjen për qendrën italiane të riatdhesimit në Shqipëri.

    Kryeministër Rama, operacioni në Shqipëri nuk po fillon. Gjyqtarët e ndaluan atë. A ndryshon diçka për ju?

    Rama: Jo, sepse ne nuk kemi asnjë përgjegjësi në ekzekutimin e marrëveshjes, përveç asaj të dhënies së disponueshmërisë totale nëpërmjet koncesionit të juridiksionit italian në territorin e dy qendrave.

    Anija italiane që supozohet të sjellë emigrantët në Shqipëri është nisur sërish, a do të jetë ky momenti i duhur?

    Rama: Nuk e di.

    Mendoni se ka forca që komplotojnë kundër qeverisë Meloni?

    Rama: Nuk mund të guxoj të gjykoj për punët e brendshme të një shteti sovran dhe demokratik si Italia, ku ndarja e pushteteve kushtetuese është e përcaktuar mirë jo vetëm në letër, por edhe në realitetin e punës së institucioneve.

    Cili është mendimi juaj për drejtësinë italiane?

    Rama: Mendoj se jam përgjigjur tashmë, nuk më takon mua të komentoj punën e institucioneve të drejtësisë në Itali.

    Të dhënat thonë se marrëveshjet e qeverisë Meloni me qeveritë e vendeve të tjera të Mesdheut, përfshirë edhe atë të tij, po sjellin rezultate shumë të rëndësishme. Zbarkimet janë pak më shumë se një e treta në krahasim me vitin e kaluar.

    Rama: Po, është e vërtetë, të dhënat flasin mirë për përpjekjet rraskapitëse të Giorgia në shumë fronte. Por për mendimin tim çështja është se ky problem i madh nuk mund të trajtohet në mënyrë të qëndrueshme nëse Evropa nuk bashkohet rreth një plani të qartë strategjik, i cili duhet t’i përgjigjet si nevojës së fortë për të kontrolluar kufirin e përbashkët, ashtu edhe kërkesës shumë të fortë për të frenuar. rënia demografike në vendet evropiane.

    Pra jo vetëm kontrast?

    Rama: Ne duhet të luftojmë imigracionin e paligjshëm duke luftuar trafikantët për të garantuar sigurinë e përbashkët dhe për të hapur kanale të gjera të imigracionit të ligjshëm për të garantuar fuqinë punëtore të nevojshme për ekonominë e përbashkët.

    A është ndalimi i emigracionit të tepërt në interes të të gjithë Evropës?

    Rama: Për atë klandestine, unë me të vërtetë mendoj kështu.

    Ju jeni një lider socialist. Cili është mendimi juaj për qeverinë e djathtë italiane?

    Rama: Nuk e lejoj veten të gjykoj asnjë qeveri tjetër demokratike. Por mund të them se për mua fjalët majtas dhe djathtas janë gjithnjë e më shumë problem, sepse në përgjithësi ato përdoren si shigjeta sulmi në anën tjetër, ndërsa problemet për t’u zgjidhur në botën e sotme janë gjithnjë e më shumë përtej të djathtës dhe ideologjike. majtas. Dhe pastaj të fitosh si forcë opozitare është një gjë, shumë e rëndësishme, nuk ka dyshim, por të flasësh me barkun e njerëzve duke ushqyer frikën dhe madje urrejtjen ndaj të tjerëve mund të ndihmojë për të fituar, por jo për të qeverisur.

    Dhe çfarë duhet bërë për të qeverisur?

    Rama: Qeverisja bëhet gjithnjë e më shumë një gjë krejtësisht e ndryshme në botën e sotme, ku kufijtë e manovrimit të qeverive kombëtare janë të kufizuara për shumë arsye. Dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse Giorgia befasoi shumë në Evropë. Ata që prisnin të shihnin tek ajo rishtarin me këmishë të zezë që marshon në Romë ose thyen xhamat e ndërtesave të fuqive mbikombëtare, kanë zbuluar një lider që lufton për ta bërë Italinë më të rëndësishme në Evropë, jo Evropën më pak të rëndësishme në Itali.

    Çfarë duhet të bëjë e majta italiane për problemin e emigracionit?

    Rama: Por unë nuk jam njeri që t’i jap mësime të majtës italiane, e cila përfaqëson një botë me traditë të pamasë të mendimit dhe reflektimit politik. Përfshirja e gjithë botës dhe dëgjimi i saj dhe më pas bërja e një sinteze politike për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi parësore do të ishte diçka shumë interesante për t’u ndjekur.

    Mendimi dhe reflektimi?

    Rama: Fatkeqësisht ne jetojmë në një botë ku reflektimi politik dhe mendimi strategjik mungojnë gjithnjë e më shumë, dhe ku shpejtësia e jetës në mediat sociale dhe përmes WhatsApp duket se na ka hequr dhuratën më të madhe nga Zoti: kohën për të dyshuar dhe reflektuar përpara se të flasim. dhe aktrimi!.

    A vuan demokracia?

    Rama: Brenda botës demokratike, ne e gjejmë vazhdimisht veten në apnea, të zhytur në taktika të përditshme për të shuar ose nxitur shpërthimet e përditshme, sipas vizioneve dhe interesave afatshkurtra. Duket se projektet e mëdha strategjike dhe vizionet afatgjata janë bërë monopol i të tjerëve, jashtë perimetrit të botës sonë.

    A është Evropa e paqëndrueshme?

    Rama: Bashkimi Evropian është projekti politik më i bukur në historinë njerëzore, por paplotësimi i tij është një problem gjithnjë e më i madh.

    Lufta në Ukrainë ndryshoi shumë gjëra. A shihni një zgjidhje në horizont?

    Rama: Kam frikë se do të përkeqësohet para se të përmirësohet.

    Nesër votojmë në Amerikë. Pasiguri e madhe. Kush mendon se do të fitojë, kush do të donte që ai të fitonte?

    Rama: Unë nuk jam duke mbështetur askënd, por duke ditur se ajo fushatë elektorale e pafund dhe shumë përçarëse do të përfundojë më në fund, më ndihmon të marr frymë më lehtë.

    Lindja e Mesme është larg, por jo edhe aq larg. A është e shqetësuar Shqipëria për atë luftë?

    Rama: Si të gjithë, shumë i shqetësuar. Ne kemi mbështetur armëpushimin në Kombet e Bashkuara dhe kemi mbështetur zgjidhjen me dy shtete për një kohë të gjatë. Por ne mbetemi të bindur se shkatërrimi i Hamasit dhe lufta pa asnjë nëse apo por Boshti i së Keqes të ndërtuar nga Irani duhet të jetë një kusht i nevojshëm për të vepruar për çdo gjë tjetër.

    Ekonomia evropiane po shfaq shenja ngadalësimi. Gjermania po çalon. A do të na shpëtojë inteligjenca artificiale?

    Rama: Epo, prodhimi i energjisë që do t’i duhej inteligjencës artificiale tashmë paraqet një pikëpyetje të re të madhe, ndërsa pikëpyetjet e tjera tashmë mbeten pa përgjigje bindëse.

    E di që e doni Italinë. Si e shihni të ardhmen tuaj?

    Rama: Italia është një gjeni i madh që asgjë nuk mund ta gjunjëzojë, edhe nëse nuk kanë munguar kurrë italianët që kanë bërë gjithmonë të pamundurën për ta parandaluar atë të ecë siç duhet.

    Çfarë duhet të bëjë Europa që të bëhet sërish protagoniste?

    Rama: Për fat të mirë, unë duhet të kujdesem për Shqipërinë e vogël dhe nuk më takon mua të zgjidh shumë çështje që kanë ardhur në krye në Evropë. Por ka diçka tmerrësisht mbresëlënëse në faktin se, ndërsa Evropa humbet peshën dhe konkurrencën në skenën ekonomike globale, makina e saj e jashtëzakonshme burokratike vazhdon të prodhojë rregulla dhe kufizime që e bëjnë kontinentin tonë një vend gjithnjë e më të vështirë për biznesin dhe për inovacionin.

    A kemi nevojë për një ushtri evropiane?

    Rama: Unë do të preferoja një ushtri për arsim, kulturë dhe inovacion, dhe ky nuk është një provokim; siç thashë, është e lehtë të flasësh kur nuk duhet të bësh zgjedhjet e nevojshme.

  • Pianisti i ri nga Kosova, Lir Hajrizi zë vendin e dytë në Salzburg International Music Competition

    Pianisti i ri nga Kosova, Lir Hajrizi zë vendin e dytë në Salzburg International Music Competition

    Një sukses i jashtëzakonshëm për skenën muzikore kosovare vjen nga talenti i ri Lir Hajrizi, i cili ka fituar vendin e dytë në garën ndërkombëtare Salzburg International Music Competition në Austri.

    Kjo garë prestigjioze mbledh disa nga pianistët më të talentuar të rinj nga e gjithë bota dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për artistët e rinj.

    Lir Hajrizi, me performancën e tij virtuozë, ka arritur të lërë gjurmë në këtë konkurs të ashpër, ku pjesëmarrësit vlerësohen për interpretimin, teknikën dhe ndjeshmërinë muzikore. Juria, të cilët përfshinin muzikantë dhe pedagogë të mirënjohur, shprehën admirim për kontrollin teknik të Lirit, interpretimin e tij të ndjerë dhe aftësinë për të sjellë emocione të thella përmes pianofortes. Ky konkurs ndërkombëtar, pjesë e serisë “Virtuozi i Çmimit të Madh”, është i njohur për tërheqjen e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga i gjithë bota, duke përfshirë kategori për grupmosha dhe disiplina të ndryshme.

    Ky sukses është një arritje madhore jo vetëm për Lirin, por edhe për Kosovën, duke e përfaqësuar vendin me dinjitet në një skenë ndërkombëtare dhe duke dëshmuar talentin e shkëlqyer që Kosova po nxjerr në artin muzikor. Familja dhe mbështetësit e Lirit janë tejet krenarë për këtë arritje të tij, ndërsa komuniteti artistik në Kosovë e konsideron si një frymëzim për të gjithë muzikantët e rinj që aspirojnë skena ndërkombëtare.

    Konkursi, i mbajtur në vende si Mozarteum në Salzburg dhe Musikverein në Vjenë, u ofron muzikantëve të rinj një platformë për të shfaqur aftësitë e tyre në një skenë ndërkombëtare, shpesh duke çuar në mundësi të mëtejshme në sallat e njohura evropiane të koncerteve. Arritja e jashtëzakonshme e Lirit nxjerr në pah përkushtimin e tij ndaj muzikës dhe aftësinë e tij për të konkurruar në nivel global, duke sjellë krenari për Kosovën dhe komunitetin më të gjerë shqiptar.

    Ky sukses i Lir Hajrizit në Salzburg International Music Competition është një dëshmi e fuqishme e potencialit të muzikantëve të rinj kosovarë dhe shërben si një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet përmes punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj artit.

  • Teherani thotë se shtetasi gjermano-iranian s’u ekzekutua, por vdiq në burg

    Teherani thotë se shtetasi gjermano-iranian s’u ekzekutua, por vdiq në burg

    Gjyqësori i Iranit thotë se një shtetas gjermano-iranian, i dënuar me vdekje për akuza për terrorizëm, nuk u ekzekutua por vdiq në burg.

    Mediat shtetërore iraniane raportuan më 28 tetor se Jamshid Sharmahd u ekzekutua, duke e nxitur një fjalosje diplomatike mes Berlinit dhe Teheranit, me Gjermaninë që i mbylli të gjitha tri konsullatat e Iranit në vend.

    Megjithatë, Asghar Jahangir, zëdhënës i gjyqësorit, i kundërshtoi raportimet në media dhe tha më 5 nëntor se një komunikatë e gjyqësorit për këtë çështje ishte keqkuptuar, pasi ajo nuk theksonte saktësisht se ekzekutimi ndaj tij ishte kryer.

    Nuk janë dhënë hollësi rreth vdekjes së Sharmahd, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Nuk ka pasur afat kohor për zbatimin e dënimit të Sharmahdit, ai vdiq para se të kryhej dënimi me vdekje”, tha Jahangir.

    Sharmahd, 69 vjeç, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist, për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.

    Katërmbëdhjetë iranianë dhe 210 të tjerë u plagosën në sulmin në xhaminë Sayyid al-Shuhada Husseiniya në Shiraz, gjatë një ceremonie për ta nderuar imamin Hussein, imamin e tretë të myslimanëve shiitë.

    Ministria e Inteligjencës e Iranit e akuzoi Sharmahdin për planifikimin e sulmit, një akuzë të cilën familja e tij e hodhi poshtë si “qesharake”.

    Pas raportimeve për ekzekutimin e Sharmahdit, Bashkimi Evropian lëshoi një komunikatë ku e dënoi “fuqishëm” ndëshkimin dhe e akuzoi Iranin se e kishte rrëmbyer “jashtëligjshëm” inxhinierin, duke e mbajtur për vite “në kushte çnjerëzore pa një gjykim të drejtë”./REL