ATV

Category: Lajme

  • Krasniqi e Hamza vizitojnë familjen e Thaçit dhe Veselit: Padyshim, dielli do të lindë përsëri

    Krasniqi e Hamza vizitojnë familjen e Thaçit dhe Veselit: Padyshim, dielli do të lindë përsëri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi së bashku me kandidatin për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, me rastin e 4 vjetorit të arrestimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë vizituar familjet e dy ish-liderëve të PDK-së.

    “Sot, kur po bëhen 4 vite nga arrestimi i tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në dy takime të përzemërta që pata me Lumen dhe Endritin, gruan dhe të birin e Presidentit Thaçi, si dhe me Violetën, bashkëshorten e kryetarit Veseli – rikthyem në kujtesë momentet më krenare me ta si familjarë e bashkëpunëtorë, fjalët me peshë e rrugën që na e trasuan drejt fitoreve e sukseseve”, ka shkruar ai.

    Krasniqi ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli u lindën për t’i shërbyer atdheut.

    “Fati i Kosovës, u bë fati i tyre. Rrugëtimi i tyre ndër dekada, si çlirimtarë, shtetformues dhe liderë vizionarë – është një histori e jashtëzakonshme dashurie dhe kontributi për Kosovën. Thënë më mirë, ata dhe shokët e tyre janë vetë historia”, ka shkruar ai.

    Kreu i PDK-së tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë shokët e tyre do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë e fundit për të vërtetën e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Pa dyshim, dielli do të lindë përsëri”, shkroi ai.

  • Çfarë ndodh nëse keni pirë ujë me mangan? Flet infektologu Hamdi Ramadani

    Çfarë ndodh nëse keni pirë ujë me mangan? Flet infektologu Hamdi Ramadani

    Vlerat e larta të Manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdojnë të jenë ende prezentë dhe si i tillë ky uji ende nuk rekomandohet të përdoret për pirje e veçanërisht te grupet më të ndjeshme siç janë fëmijët 0-5 vjeç, personat e moshuar dhe ata që kanë sëmundje.

    Por, ky uji mund të përdoret për larje të enëve dhe rrobave.

    Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin “Alarm”, në ATV, infektologu Hamdi Ramadani ka folur për problemet shëndetësore që shfaqen me konsumimin e ujit me vlera të larta të manganit.

    Ai tha se nga rritja e vlerave të manganit rrezikohen më së shumti fëmijët.

    Ramadani tha se kur fëmijët dhe të rriturit pinë ujë me nivele të larta mangani për kohë të gjatë, ata mund të përballen me probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike.

    “Ashtu edhe siç e dini tash e disa javë ne përballemi me këtë situatë shqetësuese, për shkak të rritjes së vlerave të larta të manganit në ujin e Liqenit të Badocit.
    Kjo është shqetësuese sepse kur vlera e manganit rritet, atëherë ky ujë paraqitet si ujë i ndotur dhe jo i pijshëm. Në vlera normale, mangani ka dobi të shumta, por kur kalon mbi vlera normale atëherë paraqiten disa çrregullime në aspektin e sistemit qendror nervor sidomos te fëmijët; të tilla si çrregullime me të mbajturit mend, zhvillimi mentale nuk do të ishte në nivel e duhur, mund të ketë dhimbje barku, etj”, tha ai.

    Tutje, Ramadani apeloi që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pirje dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanoveriore në Ukrainë

    G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanoveriore në Ukrainë

    Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shteteve më të industrializuara (G7) dhe tre aleatë kyçë të grupit thanë se janë thellësisht të shqetësuar me dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusisë dhe mundësisë që ato të përdoren në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

    “Mbështetja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përveç që shfaq përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të kompensuar humbjet e saj, po ashtu paraqet një zgjerim të rrezikshëm të konfliktit”, u tha në deklaratën e ministrave.

    Përveç anëtarëve të G7-ës – Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Italisë, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Kanadasë – deklarata u nënshkrua edhe nga Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

    Ministrat po ashtu thanë se dënojnë “fuqishëm” rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë edhe “blerjen e paligjshme” të raketave balistike koreanoveriore nga Rusia.

    Ata thanë po ashtu se janë të shqetësuar lidhur me mundësinë e ndonjë dërgese të teknologjisë së lartë që mund të lidhet me armë bërthamore apo raketa balistike në Korenë e Veriut, duke shtuar se do të punojnë me partnerët ndërkombëtarë “për një përgjigje të koordinuar” nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

    Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, Koreja e Jugut dhe Ukraina kanë konfirmuar se mijëra trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi, ndërkaq Uashingtoni ka thënë se ka gjasa që ushtarët të dislokohen në fushëbetejë në Ukrainë brenda ditësh, raporton REL.

    Koreja e Veriut dhe Rusia nuk kanë komentuar për dislokimin e ushtarëve. Por, Pheniani ka deklaruar se mbështesë Rusinë derisa të triumfojë në Ukrainë.

  • Kusari ankohet në KPM për Big Brother dhe Klan Kosovën, kërkon t’i shqiptohet gjoba më e lartë për shkelje të Kodit të Etikës

    Kusari ankohet në KPM për Big Brother dhe Klan Kosovën, kërkon t’i shqiptohet gjoba më e lartë për shkelje të Kodit të Etikës

    Juristja e medias, Flutura Kusari ka parashtruar ankesë ditën e sotme në Komisionin e Pavarur për Media ndaj reality show-it “Big Brother” si dhe televizionit Klan Kosova, ndërsa thotë se ka kërkuar që këtyre të fundit t’u shqiptohet gjoba më e lartë financiare për shkelje të nenit 3 të Kodit të Etikës.

    Në postimin e bërë në Facebook, Kusari ka thënë se liria e shprehjes dhe liria e medias s’janë absoluta dhe kanë përgjegjësi, e sipas saj, Klan Kosova duhet që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në përputhje me normat etike.

    “Sapo parashtrova ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova. Liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute. Këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi dhe është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore”, ka shkruar Kusari në Facebook.

    Tutje ajo thotë se vendimi i Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovim atij është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.

    “Vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovimi i tij në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.

    Kërkova nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nënit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës nr. KKPM-2016/03.

    Ky do të jetë një rast kyç (landmark case) për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion”, ka shkruar Kusari.

  • Kryediplomati iranian thotë se do t’i përgjigjen Izraelit në mënyrë “të matur”

    Kryediplomati iranian thotë se do t’i përgjigjen Izraelit në mënyrë “të matur”

    Ministri i Jashtëm i Iranit përsëriti se shteti i tij nuk kërkon përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme, por rezervon të drejtën që të mbrojë veten kundër sulmit Izraelit me një përgjigje “të matur dhe të kalkuluar”.

    Zyrtarët iranianë kanë intensifikuar kërcënimet se do të kryejnë një sulm të ri kundër Izraelit, pasi më 26 tetor Izraeli sulmoi Republikën Islamike, duke shënjestruar bazat ushtarake dhe lokacione të tjera dhe duke vrarë të paktën pesë persona.

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, duke folur në një konferencë për media gjatë vizitës në Pakistan, tha se “për dallim nga regjimi izraelit, Republika Islamike e Iranit nuk kërkon përshkallëzim”, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Ne rezervojmë të drejtë tonë legjitime për mbrojtje, sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe ne sigurisht do të përgjigjemi ndaj agresionit izraelit në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Do të përgjigjemi në një mënyrë të matur dhe të kalkuluar”, tha ai.

    Sulmi i Izraelit ishte hakmarrës ndaj breshërisë së raketave dhe dronëve që Irani lëshoi drejt Izraelit më 1 tetor. Ky sulm iranian po ashtu ishte hakmarrës, pasi në Damask të Sirisë ishin vrarë udhëheqës ushtarakë të grupeve që mbështeten nga Irani dhe një komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

    Tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë rritur, teksa Izraeli po vazhdon luftën kundër dy grupeve në Gazë dhe Liban, që mbështeten nga Irani./REL/

  • Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen dypartiake amerikane

    Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen dypartiake amerikane

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale demokratja, Kamala Harris apo republikani, Donald Trump, SHBA do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.

    E pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, e para e shtetit tha se vendi ynë në vazhdimësi e ka pasur mbështetjen e qeverisë amerikane pavarësisht se kush ka udhëhequr me Shtëpinë e Bardhë.

    “E kemi fituar lirinë kur në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtetë ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane. Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që SHBA-të vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date”, ka theksuar Osmani në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë.

  • IPK-ja arreston një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti

    IPK-ja arreston një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti

    Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtë ligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.

    “Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër Pikën Kufitare Hani i Elezit. Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar Masa e ndalimit për 48 orë”.

    “Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • 8 vjet pa Astrit Deharin, Kurti: Jemi të gatshëm si lëvizje e si Qeveri e Kosovës, për ta sjellë drejtësinë e munguar

    8 vjet pa Astrit Deharin, Kurti: Jemi të gatshëm si lëvizje e si Qeveri e Kosovës, për ta sjellë drejtësinë e munguar

    Sot, në 8-vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë e aktivistë, fillimisht vizituan familjen Dehari e më pas bashkë me ta dhe shoqëri të gjerë bënë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit.

    Kryeministri, Albin Kurti, në prononcimin e tij për media tha se vrasja e Astrit Deharit vazhdon të jetë e rëndë për shkak të drejtësisë që mungon.

    “Në këta 8 vjet kishim katër prokurorë që dolën në pension pa e kryer punën dhe tash e kemi prokurorin e pestë ndaj të cilit po ashtu shprehim interesimin, gatishmërinë dhe vullnetin ta ndihmojmë me krejt çfarë mundemi si lëvizje e si Qeveri e Kosovës, për ta sjellë drejtësinë e munguar’’, ka thënë Kurti.

    Ndërsa, babai i Astrit Deharit theksoi se nëse gjyqësia dështon në këtë rast e në raste të ngjashme atëherë tregon se Kosova nuk e meriton një gjyqësi të tillë.

    “Tetë vite, një njeri që ka humbur jetën në një institucion të Kosovës të mos zbardhet e vërteta, për të flet vet, sepse ata që kanë bërë krimin ndaj Astritit dhe drejtësisë në përgjithësi edhe sot e kësaj dite, mundohen të fshehin gjurmët e tyre. Nëse nuk zbardhet ky rast dhe raste të tjera, flet shumë se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel dhe Kosova nuk e meriton të ketë një gjyqësi të tillë”, është shprehur Dehari.

  • Limaj prezanton kandidatin e parë për deputet

    Limaj prezanton kandidatin e parë për deputet

    Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar kandidatin e parë për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Bëhet fjalë për Xhemajl Hasanin nga Podujeva.

    Limaj tha se Hasani dhe angazhimi i tij për transparencë e bën atë një zë të besueshëm për qytetarët, me pasionin dhe përkushtimin e tij.

    “Kam kënaqësinë që të prezantoj kandidatin tonë për deputet nga Podujeva, Xhemajl Hasani.Xhemajli është kryetar i degës në Podujevë, ka përfunduar fakultetin për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, ka qenë këshilltar në kabinetin tim në Zv.Kryeministri. Angazhimi i tij për transparencë e bën atë një zë të besueshëm për qytetarët, me pasionin dhe përkushtimin e tij, ai është gati të përballojë sfidat dhe të kontribuojë në avancimin e shoqërisë sonë”, ka thënë Limaj.

    Theksojmë se Hasani në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale në Podujevë.

  • Shpërthim në Tiranë, vendoset eksploziv në një ndërtesë

    Shpërthim në Tiranë, vendoset eksploziv në një ndërtesë

    Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në orët e para të mëngjesit në rrugën dytësore “Tiranë-Vorë”.

    Sipas mediave atje, dyshohet se një sasi e vogël lënde plasëse ishte vendosur në një godinë boshe, nga persona ende të paidentifikuar.

    A2 CNN shkruan se nga shpërthimi ka pasur dëme të vogla materiale, teksa policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.