ATV

Category: Lajme

  • Macroni gati për të punuar me Trumpin, ia uron fitoren

    Macroni gati për të punuar me Trumpin, ia uron fitoren

    Pas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe ai i Francës, Emmanuel Macron, e ka uruar Donald Trumpin për fitore në garën për president të Amerikës.

    Macron thotë se mezi pret të punojë me Trumpin për më shumë paqe dhe prosperitet.

    “Urime President Donald Trump. Gati për të punuar së bashku siç kemi bërë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe me të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, ka shkruar presidenti francez.

    LEXONI EDHE:

    Osmani e uron Trumpin: ShBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës

  • Trump: Zoti ma kurseu jetën për një arsye, për të rikthyer Amerikën në madhështinë e saj

    Trump: Zoti ma kurseu jetën për një arsye, për të rikthyer Amerikën në madhështinë e saj

    Donald Trumpi ka mbajtur fjalimin e fitores në Florida pas rezultateve të fundit në zgjedhjet për president të SHBA-së.

    Ai ka thënë para përkrahësve të tij se: “Zoti ma kurseu jetën për një arsye”.

    “Dhe kjo arsye ishte për të shpëtuar vendin tonë dhe për të rikthyer Amerikën në madhështinë. Dhe tani ne do ta përmbushim atë mision së bashku”, deklaroi ai.

    Fox News: Donald Trump parashikohet të bëhet Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Osmani e uron Trumpin: ShBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës

    Osmani e uron Trumpin: ShBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmai, ka uruar Donald Trumpin për zgjedhjet presidenciale në ShBA.

    Ndonëse akoma nuk janë shpallur zyrtarisht rezultatet, Trump është duke dominuar kundrejt demokrates Kamala Harris.

    Përmes një postimi në X, Osmani u shpreh se SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës.

    “SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”.

    LEXONI EDHE:

    Fox News: Donald Trump parashikohet të bëhet Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Protestuesit hedhin gjësende gjatë protestës kundër incidentit vdekjeprurës në Novi Sad

    Protestuesit hedhin gjësende gjatë protestës kundër incidentit vdekjeprurës në Novi Sad

    Protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë të kuqe në ndërtesën e kuvendit komunal të Novi Sadit gjatë një proteste të martën mbrëma, pas incidentit në stacionin hekurudhor të qytetit ku humbën jetën 14 njerëz.

    Dyert prej xhami të ndërtesës së komunës u thyen dhe një grup personash me maska hodhën mjete piroteknike brenda saj.

    Forcat policore, të vendosura brenda ndërtesës, iu përgjigj protestuesve duke hedhur gaz lotsjellës mbi ta, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Misa Baculov, përfaqësues i grupit qytetar “Ji Hero” dhe ish-kandidat për kryetar komune, u bëri thirrje protestuesve të jenë paqësorë dhe kërkoi nga policia t’i hapë dyert e komunës, në mënyrë që protestuesit t’i dorëzonin kërkesat e tyre.

    Së paku 14 njerëz humbën jetë si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë të premten. Tre njerëz u lënduan dhe ende janë në gjendje të rëndë.

    Demonstruesit, të cilët u mblodhën pas thirrjeve nga partitë opozitare dhe grupet qytetare, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq, si dhe arrestimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm të përgjegjësve për shembjen e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë javën e kaluar.

    Ata, gjithashtu, kërkojnë qasje publike në kontratën me konsorciumin kinez që rinovoi stacionin, si dhe publikimin e kontratave të tjera të fshehta me kompanitë private të përfshira në projektet kryesore të infrastrukturës kombëtare.

    Protestuesit sollën një rimorkio traktori të mbushur me pleh, të cilin e derdhën para ndërtesës së komunës.

    “Ky pleh simbolizon atë që ata na kanë bërë për vite me radhë”, tha Baculov.

    Mijëra njerëz u mblodhën fillimisht te stacioni i trenit, ku ndodhi aksidenti më 1 nëntor, dhe më pas marshuan nëpër qendrën e Novi Sadit, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Ju jeni fajtorë, do të përgjigjeni”.

    Fotot e viktimave, përfshirë fëmijë, u shfaqën në ballë të protestës, dhe turma thërriste “Dorëheqje”, “Burg” dhe “Arrestoni bandën”.

    Incidente ndodhën edhe përpara zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ku disa demonstrues hodhën gurë dhe objekte të tjera, duke thyer dritaret e ndërtesës. Demonstrues të tjerë u përpoqën ta ndalojnë këtë, duke thënë se agresorët ishin ndoshta të vendosur për të nxitur trazira.

    “Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk është hera e parë. Millosh Vuçeviq, Millan Gjuriq, Aleksandar Vuçiq [presidenti i Serbisë] – ju jeni fajtorë”, tha aktorja Vesna Pecinar në fillim të protestës.

    Një nga shoqatat më të mëdha të taksive në qytet iu bashkua protestës, duke marrë duartrokitje dhe thirrjet “Ju lumtë” kur mbërritën me automjetet e tyre.

    Një ditë më parë, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, njoftoi se do të japë dorëheqje nga posti zyrtarisht më 5 nëntor, pas incidentit vdekjeprurës në Novi Sad.

    Megjithatë, Vesiq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se nuk e pranon fajin për incidentin, por se po tërhiqet si “njeri i përgjegjshëm”.

    Nuk dihen ende arsyet e shembjes së mbulesës së betonit të Stacionit Hekurudhor.

    Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad tha se i ka dëgjuar dëshmitë e 40 njerëzve deri më 3 nëntor, duke përfshirë ministrin Vesiq dhe ata që janë përgjegjës për “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe ata që janë përgjegjës për kryerjen e punëve.

    Presidenti serb Vuçiq tha të hënën se është “i sigurt” se autoritetet kompetente shtetërore do ta gjejnë se kush është përgjegjës për tragjedinë.

    Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.

    Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.

    Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.

    Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez./REL

  • Vdes një burrë në Novobërdë, u rrokullis me traktor

    Vdes një burrë në Novobërdë, u rrokullis me traktor

    Një burrë ka vdekur, pasi që ai është rrokullisur me traktor derisa ishte duke bartur dru në pyll.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Bushincë të Novobërdës, njoftoi Policia e Kosovës.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar, ka ndërruar jetë pasi që i njëjti është rrokullisur me traktor derisa ishte duke bartur dru në pyll. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, njofton policia përmes raportit.

  • Të shtëna me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, plagoset një person

    Të shtëna me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, plagoset një person

    Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ku në lagjen “Kodra e Trimave” janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Si pasojë e kësaj, një person ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 në mëngjes.

    Personi i plagosur është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore.

    Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Sot rreth orës 07:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë mes tjerash zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë, sot do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Dëshmitari i fundit edhe të martën, për të dytën ditë me radhë, ishte ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja, i cili ishte dëshmitari i 103-të më radhë.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore për rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mblidhet sot për ndarjet buxhetore

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mblidhet sot për ndarjet buxhetore

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mblidhet sot nga ora 11:00.

    Në këtë mbledhje do të shqyrtohet në parim Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025; votimi i raporteve vjetore të BQK-së dhe KOSTT-it etj.

     

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Ditën e mërkurë do të mbretëroj mot kryesisht me diell, herë herë kalojnë vranësira shtresore të larta. Orëve të mëngjesit sërish priten ngrica, me minimale që zbresin në -1C e 2C. Temperaturat maksimale gjatë ditës shkojnë në 14C e 15C. Dominojnë qetësitë, e gjatë ditës frynë erë e lehtë verilindore 2-4m/s.

    Mot kryesisht me kthjellime e diell parashihet të mbajë deri nga dita e shtunë. Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave shfaqen kushte për formim të mjegullës apo mjegullinës.

    Temperaturat shënojnë rritje deri në 15C e 16C. Në fundjavë më pas temperaturat zbresin në 12C e 10C, e ditën e diel do të ketë shtim të vranësirave.

    Aty këtu priten kushte për të reshura shiu, e në vise malore bore. Minimalet zbresin në -2C e 2C, njofton Prishtina Weather.