ATV

Category: Lajme

  • Osmani udhëton drejt Hungarisë, do të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Osmani udhëton drejt Hungarisë, do të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), raporton Ekonomia Online.

    Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest.

    Në këtë Samit, Presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

    Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

    Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

    “Gjatë qëndrimit në Budapest, Presidentja Osmani pritet të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungari”, njofton Presidenca.

    Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj.

  • Opozita i reagon Muratit për Buxhetin e vitit 2025

    Opozita i reagon Muratit për Buxhetin e vitit 2025

    Partitë opozitare në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kanë pasur kritika për buxhetin e vitit 2025, të cilët e quajtën buxhet me mungesë zhvillimi ekonomik dhe me ulje të investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.

    Derisa u prezantua të mërkurën në këtë komision, Murati ka thënë se Buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar ministrin Murati për “ulje të investimeve kapitale dhe rritje të subvencioneve”.

    “Si ka mundësi që te çështjet te investimet kapitale se disa zëra buxhetor si Akademia e Drejtësisë, Agjencia e Navigimit Ajror e organizata tjera kanë zero buxhet për investime kapitale. Çka po ndodh me investimet kapitale që po barten nga viti në vit dhe investimet për këtë vit janë vetëm 8 për qind.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pasur kritika për bartje të projekteve nga viti në vit. Kritikë pati edhe për mosrealizim të projektit për ndërtimin e urës e Badocit.

    “Sot para vetës kemi ligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe mund të them se është ligj me rendësi e veçantë sepse është zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarit. Nga ky buxhet mund të them se është përsëritje e viteve të kaluara. E kam të qartë se nuk po mund ti mbroni dikasteret. E shoh sa ka qenë produktive se sa ju ka shërbyer qytetareve. Kjo qeveri ka dikastere që kanë shpenzuar më së paku investime kapitale. Deri në shtator keni shpenzuar 11 për qind dhe nëse e marrim vitin paraprak sa keni shpenzuar buxhetin”.

    “Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve, është kjo Qeveri. Janë dikasteret r juaja dhe nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën tuaj që t’i mbërrijë dikasteret. Sa çerdhe i keni ndërtuar kur keni premtuar 160 çerdhe. Çfarë vështirësie keni pas për me realizua ndërtimin e urës 36 metërshe për urën në Badoc”, u shpreh Lekaj.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, prezantoi premtimet që i ka realizuar Qeveria Kurti.

    “Unë këtë buxhet e konsideroj si tranzitor deri në qeverinë e ardhshme. Po i përmendi disa që janë prezantuar me të madhe po që ende nuk kanë filluar. Fondi Sovran, Vettingu, Banka Zhvillimore, Fondi për Sigurime Shëndetësore. Vlerësimi im është se keni abuzuar me të drejtat r juaja ligjore në menaxhim e parasë publike dhe buxhetit të shtetit. Për dy vite më radhë është vonuar alokimi i buxhetit nëpër komuna, mosrealizimi me kohë i shumë projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e juaj”, ka deklaruar Hoti.

  • Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

    Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

    Rusia ka mbledhur rreth 45 mijë trupa në Kursk, si sinjal se mund të jetë duke e përgatitur një kundërofensivë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni, tha komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 6 nëntor.

    Ai shtoi se Moska po tenton gjithashtu ta forcojë efektivitetin e saj me ushtarë nga Koreja e Veriut.

    Komentet e Syrskiyt në rrjetet sociale erdhën të njëjtën ditë kur dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Phenianin që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë, një veprim që ndodhi pasi Uashingtoni konfirmoi dërgimin e 10.000 ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

    “Armiku ka grumbulluar rreth 45.000 trupa atje. Dhe po përpiqet ta shtojë numrin e tyre. Ushtria ruse vetë nuk është e mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj po përpiqet të tërheqë personel ushtarak nga Koreja e Veriut”, shkroi Syrskiy në Telegram.

    Ukraina pretendohet se kontrollon më shumë se 1.000 kilometra katrorë territor në Kursk pas një ndërhyrjeje të papritur brenda rajonit rus që ka filluar më 6 gusht.

    Lëvizja e Kievit erdhi si një befasi, pasi forcat e tij të shterura po luftonin në lindje të Ukrainës kundër një ofensivë të ashpër nga forcat ruse, që ishin më të shumta, më të pajisura dhe më të armatosura.

    Syrskiy tha se ndërhyrja ishte e nevojshme si një goditje parandaluese kundër një sulmi të mundshëm rus nga Kursku në rajonin ukrainas të Sumyt.

    “Për këtë arsye, u vendos të zhvillohet një operacion ofensiv parandalues, duke e transferuar luftën në territorin e armikut në rajonin e Kurskut”, shkroi Syrskiy.

    Ai gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i ndërhyrjes së Ukrainës në Kursk, janë vrarë 7.905 ushtarë rusë, 12.220 janë plagosur dhe 717 janë kapur.

    Shifrat e paraqitura nga Syrskiy nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

    Më herët më 6 nëntor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 38 nga 63 dronët e lëshuar nga Rusia në nëntë rajone, njoftoi Forca Ajrore në Telegram.

    Njëzet e dy dronë të tjerë u humbën pasi sistemet e tyre të navigacionit u bllokuan nga njësitë e luftës elektronike ukrainase, shtoi forca ajrore.

    Ndërkohë, guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhjas tha se numri i viktimave pas një sulmi me raketë të Rusisë në rajonin e tij kishte arritur në shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur.

    Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa po afrohet dimri i tretë në luftë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi tre dronë ukrainas mbi rajonet e Kurskut dhe Oryolit./REL

  • Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari

    Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari

    Një vendim kontrovers i Zvicrës për ndalimin e mbulimit të fytyrës në hapësira publike, i njohur gjerësisht si “ndalimi i burkave”, do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2025-tës, tha qeveria zvicerane të mërkurën.

    Ky ndalim, që kaloi me një dallim të vogël votash në një referendum të vitit 2021 dhe që u dënua nga shoqatat myslimane, u iniciua nga i njëjti grup që organizoi ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.

    Këshilli Federal qeverisës tha në një deklaratë se ka vendosur datën e fillimit të ndalimit dhe se kushdo që do ta shkelë atë pa të drejtë do të përballet me një gjobë deri në 1.000 franga zvicerane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ndalimi nuk vlen për avionë ose për ambiente diplomatike dhe konsullore, ndërsa fytyrat mund të mbulohen edhe në vendet e adhurimit dhe vende të tjera të shenjta, tha qeveria.

    Mbulimi i fytyrës do të mbetet i lejuar për arsye të shëndetit dhe sigurisë, për zakone vendase ose për kushte moti, tha ajo. Gjithashtu, do të lejohet për arsye artistike dhe argëtimi, si dhe për reklamim, shtoi ajo.

    Nëse këto mbulime janë të nevojshme për mbrojtje personale në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të bashkimit, ato duhet të lejohen nëse autoriteti përgjegjës e ka miratuar tashmë dhe nuk dëmtohet rendi publik, thuhet në deklaratë./REL

  • Konjufca uron Trump: Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane

    Konjufca uron Trump: Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka uruar Donald Trump, për fitoren në zgjedhje.

    “ShBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump”, ka shkruar Konjufca.

    Postimi i plotë i Konjufcës:

    Urime të përzemërta z. Donald Trump për fitoren e tij në këto zgjedhje presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

    Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane, për të thelluar edhe më tutje raportet tona të shkëlqyera.

    ShBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump.

     

  • Pacolli merr pjesë në festën e fitores së Trumpit

    Pacolli merr pjesë në festën e fitores së Trumpit

    Behgjet Pacolli, biznesmen dhe dikur në pozita të rëndësishme në Kosovë, ka treguar se ka marrë pjesë mbrëmë në festimet e republikanëve për rizgjedhjen e Trumpit si president.

    Në foto, Pacolli shihet edhe me miliarderin Elon Musk, i cili përkrahu fushatën e Trumpit dhe të birin e presidentit të rizgjedhur.

    “Ndjenjë e veçantë të isha i ftuar në Mar A Lago në festimin e kësaj fitoreje të madhe”, ka thënë ai, duke publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, që mund t’i shihni më poshtë.

    LEXONI EDHE:

    Trump zgjidhet president i ShBA-së

  • Trump zgjidhet president i ShBA-së

    Trump zgjidhet president i ShBA-së

    Donald Trump, kandidat i republikanëve dhe ish-president, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

    Ai ka garuar kundër demokrates, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente amerikane, në zgjedhjet 5 nëntorit.

    Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.

    Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues.

    Vetë Trump, u është drejtuar mbështetësve nga Florida më herët gjatë ditës, dhe është zotuar se do të punojë për ta”shëruar” SHBA-në.

    Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.

  • Protestohet në mbështetje të punëtoreve teknike: “Punëtoret nuk janë mall”

    Protestohet në mbështetje të punëtoreve teknike: “Punëtoret nuk janë mall”

    Duke mbajtur pankarta në duar me mbishkrimin “Punëtoret nuk janë mall”, “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë”, “Schafberger shtyp punëtoret. Kuvendi e lejon”, Kolektivi Feminist dhe organizata Përpjekja kanë mbajtur protestë solidarizuese me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.

    Yll Islami nga organizata “Përpjekja”, ka thënë se këto gra tani janë në javën e tetë të grevës dhe se kërkesat i kanë të qarta dhe të drejta.

    Ai ka thënë se kompania Schafberger, e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ofertën më të lirë e ka ofruar në kurriz të punëtoreve të cilat i paguan vetëm 275 euro në muaj, pagë kjo, që sipas tij, në shumë raste nuk e mbulon as qiranë e banesës në Prishtinë.

    Islami ka thënë se do të vazhdojnë me aktivitete, derisa këtyre punëtoreve të ju plotësohen kërkesat, raporton EO

    “Jemi mbledhur sot para Kuvendit të Republikës në protestën solidarizuese me punëtoret greviste. Tashmë jemi në javën e tetë të grevës së punëtoreve teknike të cilat kërkesat i kanë të qarta dhe të drejta: pagë 550 euro dhe trajtim të dinjitetshëm në punë! Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri tjetrin tradhtar në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë përpara zgjedhjeve. Pas pak ditësh do të dalin cep më cep Kosovës për të na treguar se sa shumë e kanë hallin te ne, e cili do të punojë më shumë për klasën punëtore. Por, një hap larg nga ndërtesa e Kuvendit po zhvillohet një grevë nga punëtoret sanitare, e shumë nga ta as nuk janë në dijeni, kjo tregon se janë demagogë e të pasinqertë që pushtetin e kanë qëllim në vete, e jo në favor të qytetarëve që ia u delegojnë atë pushtet”, tha Islami.

    “Kompania Schafberger e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ofertën më të lirë e ka ofruar në kurriz të punëtoreve të cilat i paguan vetëm 275 euro në muaj, pagë kjo që në shumë raste nuk e mbulon as qiranë e banesës në Prishtinë. Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontrata duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës.

    Por tashmë e dijmë që pagat e kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë. Organizimi i punëtorëve është zgjidhja e vetme. Qëndresa frymëzuese e këtyre grave punëtore është shembulli që duhet ndjekur.

    Prandaj, ju ftojmë në organizim. Ju ftojmë dhe në aktivitetet tona të radhës, deri në plotësimin e kërkesave të grave greviste”, ka thënë ai.

  • Bettel falënderon krerët e Kosovës për pritjen e ngrohtë në Prishtinë: Partneritet i gjatë mes vendeve tona

    Bettel falënderon krerët e Kosovës për pritjen e ngrohtë në Prishtinë: Partneritet i gjatë mes vendeve tona

    Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksmeburgut, Xavier Bettel ka falënderuar krerët e Kosovës për pritjen e ngrohtë që iu bë në Prishtinë.

    Në një postim në platformën X, ai ka postuar fotografi nga pritjet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministren e Jashtme Donika Gërvalla e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Shkëmbimet tona të frytshme janë një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe partneritetit të gjatë midis vendeve tona”, ka shkruar kryediplomati i Luksemburgut.

  • Kurti uron Trumpin: Mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe

    Kurti uron Trumpin: Mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Donald Trumpin, për fitoren në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

    Kurti, përmes një postimi në “X”, ka thënë se ShBA-ja është aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës.

    “Urime presidentit Donald Trump, për fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkroi Kurti.

    Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së, pasi triumfoi në zgjedhjet presidenciale kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.

    LEXONI EDHE:

    Osmani e uron Trumpin: ShBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës