ATV

Category: Lajme

  • Moti sot: Diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot: Diell dhe vranësira të shpërndara

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka bërë të ditur se sot parashikohet të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësira më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

  • Fillon projekti “Ndërtimi i ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”

    Fillon projekti “Ndërtimi i ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Hapësira të gjelbra rekreative e më shumë restorante, pritet të kenë në dispozicion rreth 30 mijë banorë të lagjes Arbëria në Prishtinë.

    Kjo po mundësohet përmes projektit të ashtuquajtur Ishulli Urban Arbëri-Pallati i Rinisë, punimet për të cilin filluan të mërkurën.

    “Premtimet që i kemi bërë po i transferojmë në realitet. Benefitet janë shumëdimensionale… i menaxhuar dhe i financuar komplet vetëm prej buxhetit të kryeqytetit”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Risi si kjo, Rama thotë se po i realizon pa ndihmën e nivelit qendror.

    “Po vazhdojmë punët e pandalshme pavarësisht me pengesa nga qeveria qendrore, ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me punë derisa të kemi një kryeqytet modern”, tha Rama.

    Por, mbështetje më të madhe për projekte milionëshe si kjo, premtoi kryetari i LDK-së, njëherazi kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i cili qe i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve.

    “Jam shumë i lumtur që projekte kapitale po ndodhin në Prishtinë, Përparimi po e lë një shenjë historike. Këto pengesa që i gjeni tani në realizmin e këtij projekti nuk do t’i keni me datë 9 shkurt me qeverisjen e re të Kosovës. Përparim, bëhuni gati edhe për tri projekte të mëdha, bëhuni gati për unazën e kryeqytetit, investim nga qeveria qendrore, bëhuni gati për stadiumin e ri kombëtar në Bernicë të Prishtinës, bëhuni gati për spitalin e ri kombëtar që do të vendoset në Prishtinë”, tha Abdixhiku.

    Vlera e parashikuar e këtij projekti është 6.5 milionë euro dhe kohëzgjatja e ndërtimit është planifikuar të jetë 180 ditë.

  • Votohet projektbuxheti për vitin e ardhshëm në komisionin parlamentar

    Votohet projektbuxheti për vitin e ardhshëm në komisionin parlamentar

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Projektbuxheti prej 3,6 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm iu erdhi për shqyrtim.

    Dhe me pesë vota për, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ka votuar atë.

    Megjithatë, anëtarët e Komisionit nga partitë opozitare shprehën pakënaqësitë lidhur me planifikimet buxhetore. Mendjen tentoi t’ua ndryshojë ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se për buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik.

    Kjo s’mjaftoi derisa u debatua edhe për përfshirjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale në buxhet.

    E kur radha i erdhi të hyrave nga ATK-ja e Dogana pati akuza edhe për mashtrime.

    Gjatë debatit u përmendën edhe punët e qeverive të kaluara.

    Akuza pati edhe për mosrealizim të investime kapitale nga ministritë.

    Pas miratimit në komision, buxheti tani do të dërgohet për votim në parim në Kuvend, në seancën e së hënës.

  • Protestë në mbështetje të punëtorëve teknike të Kuvendit

    Protestë në mbështetje të punëtorëve teknike të Kuvendit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    “Punëtorët nuk janë mall”, ishte thirrja që brohoriste për një orë sa zgjati një protestë para Kuvendit.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” protestuan edhe një herë në shenjë solidarizimi me punëtoret teknike të cilat hynë në grevë që nga 16 shtatori.

    Sërish u theksua se paga prej 275 eurove sa marrin ato nuk mjafton as për mbijetesë.

    “Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri-tjetrin tradhtar në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë përpara zgjedhjeve”, tha Yll Islami nga organizata “Përpjekja”.

    Sipas tij, kompania që fitoi tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit ka ofertuar me ofertën me të lirë në kurriz të punëtoreve.

    “Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontrata duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës. Por tashmë e dimë që pagat e kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë”, tha Islami.

    Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, i cili mori pjesë në protestë, shprehu keqardhje rreth gjendjes në të cilën ndodhen këto punëtore.

    “Realisht janë bërë dy shkelje ligjore, e para sepse nuk mbahet në mend që janë mbajtur grevë dy muaj dhe mos të përfundojë procesi i një grevës në rend të parë dhe në rend të dytë, shkelja e vendimit të Kryeministrit të Kosovës, që po shihet se këto vendime janë sa për t’u qitur në opinion sepse ato nuk zbatohet”, tha Azemi.

    Punëtoret teknike të Kuvendit kërkojnë që paga e tyre të rritet në 500 euro.

  • Liderët në gjithë botën e urojnë Trumpin për fitoren

    Liderët në gjithë botën e urojnë Trumpin për fitoren

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Liderët e Kosovës mezi po presin të bashkëpunojnë me Donald Trumpin, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kështu u shprehën edhe presidentja Vjosa Osmani, edhe kryeministri Albin Kurti, në urimet për republikanin, që e mposhti në zgjedhje demokraten Kamala Harris.

    “Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë!”, tha Osmani.

    Edhe Kurti e përmendi aleancën me Amerikën, në urimin për Trumpin.

    Megjithëse, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e preferonte Harrisin për presidente.

    “Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleate kyçe, mike dhe partnere e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kurti.

    Fitorja e republikanit u përshëndet edhe nga opozita kosovare.

    Trumpin e ka uruar për fitoren edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjithashtu falënderoi presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, për bashkëpunimin.

    “Pres me kënaqësi privilegjin e madh për të punuar me presidentin e 47-të për të thelluar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe progres të mëtejshëm”, ka shkruar Rama.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkroi se me presidentin e ri amerikan do të punojë për ta “përparuar paqen përmes forcës në NATO.”

    “Lidershipi i tij do të jetë përsëri kyç për të mbajtur Aleancën tonë të fortë”, ka shkruar Rutte.

    Rezultatet e zgjedhjeve pritet të ndikojnë në politikat globale, kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida të sigurisë. Andaj, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qasja e Donald Trumpit në çështjet globale mund ta sjellë paqen në Ukrainë.

  • Dëshmia e Shukri Bujës në Gjykatën Speciale

    Dëshmia e Shukri Bujës në Gjykatën Speciale

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në ditën e tretë të dëshmisë në gjykatën speciale, në procesin ndaj Thaçit e të tjerëve, dëshmitari Shukri Buja foli për masa disiplinore që merreshin ndaj ushtarëve të UÇK-së.

    Kushdo që shkelte rregullat e ushtrisë, mbahej përkohësisht në një dhomë.

    “Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, deklaroi Buja.

    Në vendin e posaçëm që e kishin brigadat, ushtarët, mund të mbaheshin deri në 20 ditë, sipas Bujës.

    “Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja.
    Pas deklarimit për trajtimin e ushtarëve, Buja u pyet edhe nëse ka pasur qendra të ndalimit për palë tjera. Për këtë çështje, ish-ushtaraku tha se ka pasur vetëm kontroll dhe legjitimim, e asnjëherë arrestime.

    “Ka pas raste kur është ndalu edhe vëllai im i cili ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së dhe në kërkesën e tij për të shkuar në Negroc dhe ushtarët kanë dyshuar sepse në Negroc nuk kanë pas arsye”, tha Buja.

    Në pyetjet e prokurorit, Buja tha se nuk i kujtohet ndonjë rast kur ushtarët e UÇK-së kanë kryer ndonjë krim.

  • “Normalizimi i dhunës në familje”, diskutohet në Komisionin për të drejtat e njeriut

    “Normalizimi i dhunës në familje”, diskutohet në Komisionin për të drejtat e njeriut

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Gjatë 24 orëve të fundit, 10 raste të reja të dhunës në familje u raportuan në Polici. Tri raste janë raportuar në Prishtinë, dy në Malishevë, e nga një në Gjakovë, Fushë-Kosovë, Pejë, Shtërpcë e Zveçan.

    Dhuna në familje ishte temë diskutimi edhe në Komisionin për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, me ç’rast u konstatua se po promovohet në Kosovë nëpërmes një spektakli televiziv.

    Andaj Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar ankesa për vendosjen në hapësirë të njëjtë të një ish-çifti bashkëshortor, për të cilin rast burri ishte denoncuar për dhunë në familje e ndaj të cilit deri në shtator pati urdhër mbrojtës.

    “Kemi pranuar 7 kërkesa. Katër prej tyre detyrimi i viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin, 1 për keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, 1 për komentet e analistit dhe 1 që nuk është emision edukativ”, tha kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

    Derisa ankesat ende nuk janë trajtuar nga KPM-ja, anëtarët e komisionit kërkuan llogari.

    “Pse nuk keni reaguar, ju jeni palë përgjegjëse, kur keni pasur baza për reagim”, tha Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

    Megjithatë, rregullat për një emision nuk i vendos KPM-ja e as masa penale.

    “Është një kohë shumë e shkurtër dhe ne duhet të ulemi dhe të analizojmë rastin. Nuk do të thotë që nuk do të gjejmë një mundësi të tillë”, tha Luljeta Aliu, anëtare në KPM.

    Nën kritika që dhuna në familje po normalizohet reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Sipas Grupit Ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ky rast ka për qëllim minimizimin e një fenomeni të rrezikshëm, respektivisht të dhunës në familje, me të cilin po përballet shoqëria.

    Megjithatë pas presionit publik dhe angazhimit të organizatave të shumta i akuzuari për dhune ne familje u largua nga spektakli.

  • Tani që Trump është zgjedhur president, çfarë do të ndodhë me akuzat e tij penale dhe civile në gjykatë?

    Tani që Trump është zgjedhur president, çfarë do të ndodhë me akuzat e tij penale dhe civile në gjykatë?

    Donald Trump është rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë si një njeri që është në pritje të dënimit për rastin e tij të parave të heshtura në New York dhe ende punon për të shmangur ndjekjen penale në çështje të tjera shtetërore dhe federale.

    Është një pozicion jashtëzakonisht unik për të: Asnjëherë më parë një i pandehur nuk është zgjedhur në postin më të lartë të vendit, ashtu si një ish-president nuk ishte akuzuar kurrë penalisht deri vitin e kaluar.

    Trump ka thënë disa herë se planifikon të shkarkojë këshilltarin special Jack Smith dhe t’i japë fund çështjeve federale kundër tij për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara.

    “Është e qartë se u shpagua për të shtyrë në mënyrë agresive për të vonuar këto çështje sa më gjatë që të jetë e mundur”, tha Jessica Levinson, profesoreshë e së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik Loyola.

    Ndërkohë, një gjykatës në New York do të dënojë ish-presidentin në fund të këtij muaji, pasi ndaloi dhënien e dënimit përpara ditës së zgjedhjeve për të shmangur çdo pamje të ndikimit në rezultatin e garës presidenciale – megjithëse avokatët e Trump pritet t’i kërkojnë gjykatësit të shtyjë dënimin tani që ai është presidenti i zgjedhur.

    Bëhet e ditur se Trump është planifikuar të paraqitet në një sallë gjyqi në New York më 26 nëntor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të mbuluar një pagesë të parave të heshtura të bëra gjatë fushatës së vitit 2016 për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.

    Nëse ky dënim do të ndodhë, mbetet një pyetje e hapur, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

    Gjykatësi Juan Merchan i ka dhënë vetes një afat për të vendosur nëse do të fshijë dënimin për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë këtë verë që i jep një presidentit njëfarë imuniteti presidencial.

    Siç raportohet, nëse Merchan e bën këtë, akuzat do të hidheshin poshtë dhe Trump nuk do të dënohej.

    Por nëse gjyqtari vendos të mbajë të paprekur dënimin, avokatët e ish-presidentit pritet t’i kërkojnë Merchan të shtyjë dënimin e Trump, në mënyrë që ata të mund të apelojnë.

    Dhe nëse kjo nuk jepet, avokatët e tij po planifikojnë të apelojnë vendimin e imunitetit në gjykatat shtetërore të apelit dhe potencialisht deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së për t’i kërkuar gjykatave të shtyjnë dënimin e Trumpit derisa të shteren të gjitha apelimet, gjë që mund të zgjasë me muaj.

    Nëse Merchan ecën përpara me dënimin, Trump mund të urdhërohet të kryejë deri në katër vjet burg, por edhe dënime më të vogla si me kusht ose gjobë.

    Çdo dënim, natyrisht, do të komplikohet nga fakti që Trump do të marrë detyrën më 20 janar 2025.

    Meqenëse është një çështje shtetërore, Trump nuk ka fuqinë për të falur veten vitin e ardhshëm pasi të betohet në detyrë.

    Rastet federale në Uashington dhe Florida

    Fitorja zgjedhore e Trump pritet të ketë ndikimin më të madh në dy çështjet penale federale të ngritura kundër tij nga Smith në Uashington dhe Florida.

    Që kur çështjet u ngritën në vitin 2023, strategjia kryesore ligjore e Trump ka qenë të shtyjë gjyqet deri në zgjedhjet e kaluara, në mënyrë që, nëse zgjidhet, ai të mund të shkarkojë Smithin, duke çuar në përfundimin e dy rasteve.

    Në fund të tetorit, ish-presidenti tha se do të ndërmerrte një hap të tillë pa hezitim.

    Shkarkimi i Smith do t’i lejonte Departamentit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Trump të lëvizin për të hequr akuzat kundër tij dhe për t’i dhënë fund çështjeve gjyqësore.

    Por deri në Ditën e Inaugurimit më 20 janar, Smith ka kohë të peshojë opsionet e tij për çështjet që departamenti nuk i është dashur të përballet kurrë më parë.

    Sipas ligjit federal, Smith duhet t’i japë prokurorit të përgjithshëm një raport konfidencial mbi punën e zyrës së tij përpara se të largohet nga posti.

    Në çështjen e Uashingtonit, Smith akuzoi Trumpin për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhje në vitin 2020.

    Çështja u ngec për muaj të tërë pasi Trump u bëri presion gjykatave federale për t’i dhënë atij imunitet presidencial dhe në korrik Gjykata e Lartë nxori një vendim historik që thoshte se ai kishte imunitet nga ndjekja penale.

    Ndërsa akuzat e ngritura nga Smith kundër presidentit të zgjedhur në Florida e akuzojnë Trumpin për marrjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe rezistencës ndaj përpjekjeve të qeverisë për të tërhequr materialet.

    Ndryshe, ish-presidenti po mbrohet gjithashtu në një sërë padish civile, duke përfshirë ato në lidhje me rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA, dy çështje shpifjeje të E. Jean Carroll dhe një çështje mashtrimi civil të ngritur nga New Yorku.

    Është e mundur që të gjitha këto raste të vazhdojnë të zhvillohen edhe kur Trump shërben mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/

  • Pasi Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë, ky është reagimi i ministres Gërvalla

    Pasi Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë, ky është reagimi i ministres Gërvalla

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren si president i ShBA-së.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Gërvalla thotë: “Si aleat dhe mik i ngushtë, Kosova uron presidentin Donald Trump për fitoren në zgjedhjet e Amerikës”.

    “Ne mezi presim të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, u shpreh më tej ministrja.

  • Një person i del trenit përpara në Zahaq të Pejës, policia jep detaje

    Një person i del trenit përpara në Zahaq të Pejës, policia jep detaje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zahaq të Pejës, ku një person ka tentuar t’i japë fund jetës, duke i dalë përpara trenit në lëvizje.

    Sipas informacioneve të para, shoferi i trenit e ka vërejtur personin që i kishte dalë përpara trenit dhe ka arritur që ta ndalojë trenin, me ç’rast personi në fjalë ka shpëtuar pa lëndime.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Sot rreth orës 12:35, Policia e Kosovës është njoftuar se gjersa treni po lëvizte nga Prishtina në Pejë, në fshatin Zahaq, një person ka tentuar t’i dalë trenit përpara, tek hekurudhat. Vozitësi i trenit e kishte vërejtur me kohë dhe ka ndaluar me kohë. Persona të lënduar nuk ka, njësitet kompentente kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.