ATV

Category: Lajme

  • Shkencëtarët thonë se 2024 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

    Shkencëtarët thonë se 2024 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

    Viti 2024 do ta kalojë “sigurt” vitin 2023 si viti më i nxehtë në botë i regjistruar ndonjëherë, tha të enjten Shërbimi për Ndryshime Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian, Copernicus

    Të dhënat u publikuan para samitit të OKB-së për klimën, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Azerbajxhan, ku vendet do të përpiqen të pajtohen për një rritje të madhe të financimit për luftimin e ndryshimit klimatik.

    C3S-ja tha se nga janari deri në tetor, temperatura globale mesatare ka qenë aq e lartë saqë viti 2024 do të jetë i nxehtë në botë – nëse anomalia e temperaturës në muajt e mbetur të vitit nuk bie nën zero.

    “Shkaktari thelbësor, kryesor i rekordit të këtij viti është pikërisht ndryshimi klimatik”, tha për Reuters drejtori i C3S, Carlo Buontempo.

    “Klima po ngrohet në përgjithësi. Po ngrohet në të gjitha kontinentet, në të gjitha pellgjet e oqeanit. Prandaj pritet që këto rekorde të vazhdojnë të thyhen”, tha ai.

    Shkencëtarët thanë se 2024-ta do të jetë gjithashtu viti i parë në të cilin planeti është më i ngrohet për 1.5 gradë, krahasuar me kohën paraindustriale, 1850-1900, kur njerëzit filluan të djegin lëndë fosile në shkallë industriale.

    Emetimet e dyoksidit të karbonit nga djegia e thëngjillit, karburanteve dhe gazit, janë shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.

    Çdo rritje temperature nxit mot ekstrem. Në tetor, qindra njerëz humbën jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike në Spanjë. Zjarret rekorde goditën Perunë, ndërsa përmbytjet në Bangladesh shkatërruan më shumë se 1 milion tonë oriz, duke bërë që të rriten tej mase çmimet.

    Në SHBA, ndërkohë, uragani Milton u bë më i vrazhdë si pasojë e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga dora e njeriut.

    C3S filloi regjistrimin e rekordeve në vitet ’40, të cilat verifikohen me rekordet e temperaturave të regjistruara qysh nga vitet 1850./REL

  • Britania nënshkruan marrëveshje me Kosovën për t’i luftuar bandat e trafikimit me njerëz

    Britania nënshkruan marrëveshje me Kosovën për t’i luftuar bandat e trafikimit me njerëz

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të nënshkruajë marrëveshje të reja për të penguar bandat kriminale që kontrabandojnë emigrantë nëpër Ballkanin Perëndimor, si pjesë e përpjekjeve për të bllokuar vendkalimet me varka të vogla.

    Starmer do t’i bëjë publike marrëveshjet për të rritur shkëmbimin e inteligjencës, ekspertizën dhe bashkëpunimin me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, Hungari, të enjten, raporton media britanike “Standard”.

    Ai pritet të nxisë partnerët evropianë të ndërmarrin veprime për të reduktuar vdekjet në Kanalin Anglez gjatë kalimeve me varka të vogla dhe t’u thotë atyre se bashkëpunimi i ligjshëm ndërkombëtar do të jetë çelësi i përpjekjeve.

    Media britanike shkruan se Ballkani Perëndimor është një rrugë kyçe e përdorur nga emigrantët që përfundojnë në BE ose Mbretëri të Bashkuar ilegalisht. Pothuajse 100,000 emigrantë udhëtuan në këtë rrugë vitin e kaluar.

    Marrëveshjet thuhet se do të nxisin shkëmbimin e informatave të inteligjencës dhe bashkëpunimin për të penguar bandat kriminale ndërsa ato kontrabandojnë njerëz nëpër këto vende. Qëllimi është të arrestohen bandat dhe të thyhen modelet e tyre të biznesit qysh në start.

    Mbretëria e Bashkuar tashmë punon me Shqipërinë për të luftuar flukset e paligjshme financiare që mbështesin operacionet e bandave të kontrabandës.

    “Ekziston një perandori kriminale që vepron në kontinentin tonë, duke zhvatur njerëzit dhe duke minuar sigurinë tonë kombëtare”.

    “E mbështetur nga Komanda jonë e re e Sigurisë Kufitare, Mbretëria e Bashkuar do të jetë në qendër të përpjekjeve për t’i dhënë fund plagës së krimit të organizuar të imigracionit – por ne nuk mund ta bëjmë atë të vetëm”.

    “Ne duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe ta çojmë luftën drejtpërdrejt në zemër të këtyre rrjeteve të ndyra të kontrabandës me njerëz. Unë do ta bëj këtë tipar qendror të diskutimeve të mia në takimin e sotëm të Komunitetit Politik Evropian”, është shprehur kryeministri britanik, Starmer

    Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper tha: “Puna jonë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është absolutisht thelbësore për çmontimin e rrjeteve kriminale që orkestrojnë shfrytëzimin e njerëzve të cenueshëm për përfitime financiare”.

    “Duke punuar më ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ne do të ndajmë informacione dhe inteligjencë dhe do të punojmë përtej kufijve për të përcaktuar se çfarë po ndodh dhe ku, për të thyer modelet e biznesit të këtyre bandave të paskrupullta në burim”.

    “Përmes punës sonë të intensifikuar, kriminelët së shpejti do të kuptojnë se nuk kanë ku të fshihen”, u shpreh ajo.

    Kryeministri britanik nisi një fushatë njëjavore për kalimet me varka të vogla të hënën kur njoftoi 90 milionë euro fonde shtesë për Komandën e tij të re të Sigurisë Kufitare, duke e çuar fondin total në 180 milionë euro

    Ai tha se planifikonte të shtynte përpara përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të lidhur një pakt sigurie me BE-në, duke përfshirë rivendosjen e aksesit në rrjetet e shkëmbimit të inteligjencës në kohë reale.

  • Dy plagosje vetëm dje në Prishtinë, policia del me raport

    Dy plagosje vetëm dje në Prishtinë, policia del me raport

    Policia e Kosovës ka dal sot me raport lidhur me dy tentim vrasje që kanë ndodhur dje në Prishtinë, me ç’rast janë plagosur dy persona.

    Në rrugën “Carraleva”, në Kodrën e Trimave u plagos një person në këmbë nga persona të panjohur. Në vendngjarje u sekuestruan tri gëzhoja të armës së zjarrit.

    “Rr. Carraleva, Prishtinë 06.11.2024 – 07:15. Viktima mashkull kosovar është duke u trajtuar në QKUK, pasi është qëlluar plagosur në këmbë nga persona të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri gëzhoja të armës së zjarrit. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Ndërsa në fshatin Drenoc po ashtu është plagosur një burrë nga një person që tashmë është arrestuar.

    “Fsh. Drenovc, Prishtinë 06.11.2024 – 14:53. Viktima mashkull kosovar është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, pasi që në rrethana të panjohura është plagosur me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa një pistoletë me 11 fishekë është sekuestruar”, thuhet tutje në raport.

  • Vdes zyrtarja policore, Mevlude Hajdari

    Vdes zyrtarja policore, Mevlude Hajdari

    Ka ndërruar jetë zyrtarja policore, Mevlude Hajdari.

    Lajmin për këtë e kanë bërë të ditur nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

    Nga Sindikata kanë shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të saj.

    “Me rastin e vdekjes së pjesëtares së Policisë, Mevlude Hajdari, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

  • ​Çmimet e banesave në Mbretërinë e Bashkuar rriten rreth 4 për qind

    ​Çmimet e banesave në Mbretërinë e Bashkuar rriten rreth 4 për qind

    Çmimet e banesave në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 3.9 për qind në muajin tetor, duke u ngadalësuar nga një rritje prej 4.6 për qind sa ishte në shtator, njoftoi të enjten kompania financiare Halifax.

    Çmimet gjithashtu u rritën me 0.2 për qind në bazë mujore, një rritje mujore e katërt radhazi.

    Çmimi mesatar i pronës në Mbretërinë e Bashkuar arriti në 293,999 £ (380,600 dollarë), më i larti që nga qershori 2022.

    “Që çmimet e shtëpive kanë arritur përsëri këto nivele në klimën aktuale ekonomike mund të jetë një surprizë për shumë njerëz, por ndoshta më e rëndësishme është se ato nuk kanë pësuar një rënie të madhe”, tha Amanda Bryden, menaxhere e hipotekave në Halifax./ AA

  • Gërvalla shkon në Lituani, përfaqëson Kosovën në Forumin e Nivelit të Lartë për të Ardhmen e Demokracisë

    Gërvalla shkon në Lituani, përfaqëson Kosovën në Forumin e Nivelit të Lartë për të Ardhmen e Demokracisë

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, raporton Ekonomia Online.

    “Pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë forum përfaqëson përkushtimin e Kosovës për avancimin e demokracisë dhe përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike.

    Gjatë forumit, Ministrja Gërvalla do të theksojë progresin e Kosovës në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për të mbrojtur demokracinë përballë ndikimeve destabilizuese nga regjimet autokratike”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Po ashtu theksohet se në një kohë kur sfidat dhe rreziqet ndaj vlerave demokratike po rriten, kjo konferencë është një platformë e rëndësishme për të afirmuar rolin e Kosovës në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe evropiane.

  • E dhimbshme: Humb jetën në aksident një 21 vjeçar në Pestovë të Vushtrrisë

    E dhimbshme: Humb jetën në aksident një 21 vjeçar në Pestovë të Vushtrrisë

    Një 21-vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

    Siç njofton policia, viktima fillimisht ishte dërguar në QKUK pas lëndimeve të rënda, mirëpo ka ndërruar jetë në spital rreth orës 00:40 të datës së sotme.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë, të paktën 93 persona rezultojnë ende të zhdukur

    Përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë, të paktën 93 persona rezultojnë ende të zhdukur

    Të paktën 93 persona janë ende të zhdukur pas përmbytjeve që përfshinë Spanjën juglindore ditë më parë, sipas të dhënave të fundit zyrtare, të publikuara të mërkurën nga autoritetet në Valencia.

    Ky numër mund të rritet ose ulet, në varësi të identifikimit të ri të njerëzve që kanë vdekur, raporteve të reja të zhdukjeve ose zbulimeve të njerëzve që janë gjallë, shpjeguan autoritetet.

    Në terren, operacionet e kërkimit vazhduan dje, kryesisht në parkingje nëntokësore dhe përrenj në periferi të Valencias, zona më e goditur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

    15,000 oficerë ushtarakë dhe policorë të dislokuar në zonë gjithashtu vazhduan të marrin pjesë në heqjen e mbeturinave dhe pastrimin e rrugëve dhe infrastrukturës së dëmtuar në mënyrë që ato të mund të rihapen ose të restaurohen.

    Përballë shkallës së fatkeqësisë, qeveria e Pedro Sanchez njoftoi të martën një ndihmë urgjente prej 10.6 miliardë eurosh, si për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për banorët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet, ashtu edhe për të financuar projektet e rimëkëmbjes nga bashkitë.

    Të mërkurën, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), e cila drejtohet që prej janarit nga ish-ministrja e Ekonomisë e Spanjës Nadia Calvinho, njoftoi dhënien e ndihmës financiare prej 900 milionë eurosh për rindërtimin.

  • Biden pritet t’i drejtohet sot popullit amerikan pas fitores së Trumpit

    Biden pritet t’i drejtohet sot popullit amerikan pas fitores së Trumpit

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden pritet t’i drejtohet kombit nga Shtëpia e Bardhë gjatë ditës së sotme.

    Ndërsa ai ka lëshuar një deklaratë lidhur me zgjedhjet, kjo do të jetë paraqitja e tij e parë që kur Kamala Harris u mposht nga Donald Trump.

    Kujtojmë se deri në mesin e korrikut, Biden ishte vendosur të përballej sërish me Trumpin si kandidat demokrat.

    Kampi i presidentit ishte i bindur se ai mund të përsëriste fitoren e tij të vitit 2020, por ai përfundimisht u largua mes vlerësimeve të këqija të sondazheve dhe kritikave për një performancë  të dobët debati kundër Trump – një performancë që nxiti spekulime mbi shëndetin e tij fizik.

  • 7 gjërat që Trump ka premtuar se do bëjë si president

    7 gjërat që Trump ka premtuar se do bëjë si president

    Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, pasi ka premtuar veprime për çështjet përfshirë emigracionin, ekonominë dhe luftën në Ukrainë. Ai duket se do të gëzojë shumë mbështetje për axhendën e tij politike në Kongres pasi Partia e tij Republikane rifitoi kontrollin e Senatit.

    Në fjalimin e tij të fitores, Trump u zotua se do të “qeveriset nga një moto e thjeshtë: Premtime të bëra, premtime të mbajtura. Ne do t’i mbajmë premtimet tona”.

    Por në disa raste, ai ka dhënë pak detaje se si mund t’i arrijë qëllimet e tij.

    I pyetur në vitin 2023 nga Fox News nëse ai do të abuzonte me pushtetin e tij ose do të synonte kundërshtarët politikë, ai u përgjigj se nuk do ta bënte, “përveç ditës së parë”.

    “Jo, jo, jo, përveç ditës së parë. Po mbyllim kufirin. Pas kësaj, unë nuk jam diktator”.

    1. Deportimin e emigrantëve pa dokumente

    Gjatë fushatës, Trump premtoi dëbimet masive më të mëdha të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA. Ai gjithashtu u zotua të përfundojë ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën që filloi gjatë mandatit të tij të parë si president. Numri i kalimeve në kufirin jugor të SHBA-së arriti nivele rekord në fund të vitit të kaluar gjatë administratës Biden-Harris, përpara se të binte në vitin 2024. Ekspertët i kanë thënë BBC-së se dëbimet në shkallën e premtuar nga Trump do të përballen me sfida të mëdha ligjore dhe logjistike – dhe mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike.

    2. Lëvizje në ekonomi, taksa dhe tarifa

    Të dhënat e sondazheve kanë treguar se ekonomia ishte një çështje kyçe për votuesit. Trump ka premtuar “t’i japë fund inflacionit” – i cili u rrit në nivele të larta nën Presidentin Joe Biden përpara se të binte përsëri. Por fuqia e një presidenti për të ndikuar drejtpërdrejt mbi çmimet është e kufizuar.
    Ai ka premtuar gjithashtu shkurtime gjithëpërfshirëse të taksave, duke zgjatur rishikimin e tij nga viti 2017. Ai ka propozuar tarifa të reja prej të paktën 10% për shumicën e mallrave të huaja, për të ulur deficitin tregtar. Importet nga Kina mund të kenë një tarifë shtesë prej 60%. Disa ekonomistë kanë paralajmëruar se lëvizje të tilla mund të rrisin çmimet për njerëzit e zakonshëm.

    3. Kundër rregulloreve të klimës

    Gjatë presidencës së tij të parë, Trump hoqi qindra mbrojtje mjedisore dhe e bëri Amerikën kombin e parë që u tërhoq nga marrëveshja e Parisit për klimën. Këtë herë, ai është zotuar përsëri të shkurtojë rregulloret, veçanërisht si një mënyrë për të ndihmuar industrinë amerikane të makinave. Ai ka sulmuar vazhdimisht automjetet elektrike, duke premtuar se do të përmbysë objektivat e Bidenit duke inkurajuar kalimin në makina më të pastra. Ai është zotuar të rrisë prodhimin e lëndëve djegëse fosile në SHBA – duke u zotuar se do të “shpojë, shpojë, shpojë” në ditën e parë në favor të burimeve të rinovueshme të energjisë si energjia e erës. Ai dëshiron të hapë zona të tilla si shkretëtira e Arktikut për shpimet e naftës, të cilat ai argumenton se do të ulte kostot e energjisë – megjithëse analistët janë skeptikë.

    4. Fund luftës në Ukrainë

    Trump ka kritikuar disa herë dërgesat prej miliarda dollarësh nga SHBA në mbështetje të Ukrainës në luftën kundër Rusisë dhe është zotuar se do t’i japë fund konfliktit “brenda 24 orëve” përmes një marrëveshjeje të negociuar. Demokratët thonë se masa do të inkurajonte presidentin Vladimir Putin.
    Trump dëshiron që SHBA të shkëputet nga konfliktet e huaja në përgjithësi. Lidhur me luftën në Gaza – Trump është pozicionuar si një mbështetës i vendosur i Izraelit, por i ka kërkuar aleatit amerikan që t’i japë fund operacionit të tij. Ai gjithashtu është zotuar t’i japë fund dhunës në Liban.

    5. Asnjë ndalim i abortit

    Kundër dëshirës së disa prej mbështetësve të tij, Trump tha gjatë debatit presidencial me Kamala Harris se ai nuk do të nënshkruante në ligj një ndalim kombëtar të abortit. Në vitin 2022, e drejta kushtetuese mbarëkombëtare për abortin u rrëzua nga Gjykata e Lartë, e cila kishte një shumicë gjyqtarësh konservatorë pas presidencës së parë të Trump. Të drejtat riprodhuese u bënë një temë kryesore e fushatës për Harris, dhe disa shtete miratuan masa për të mbrojtur ose zgjeruar të drejtat e abortit në ditën e votimit. Vetë Trump ka thënë rregullisht se shtetet duhet të jenë të lira të vendosin ligjet e tyre për abortin, por u përpoq të gjente një mesazh të qëndrueshëm të tijin.

    6. Falja e disa protestuesve të 6 Janarit

    Trump ka thënë se do të “lirojë” disa nga të dënuarit gjatë trazirave në Uashington DC më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit në një përpjekje për të penguar fitoren zgjedhore të Joe Biden në 2020. Ai ka punuar për të minimizuar rëndësinë e trazirave ndërsa thotën se shumë prej të burgosurve janë “të burgosur gabimisht”, megjithëse ka pranuar se “dy prej tyre, kanë dalë jashtë kontrollit”.

    7. Shkarkimi i prokurorit Jack Smith

    Trump është zotuar të shkarkojë “brenda dy sekondave” nga marrja e detyrës, prokurorin veteran që drejton dy hetime penale kundër tij. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka paditur Trump për përpjekjet e supozuara për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe për keqpërdorimin e tij të dyshuar të dokumenteve të klasifikuara. Trump mohon çdo keqbërje dhe arriti të parandalojë që secili rast të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve.

    Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i parë me një dënim penal, pasi është shpallur fajtor në Nju Jork për falsifikimin e të dhënave të biznesit.