ATV

Category: Lajme

  • SHBA mobilizon trupa për të ndihmuar Venezuelën pas tërmetit shkatërrues

    SHBA mobilizon trupa për të ndihmuar Venezuelën pas tërmetit shkatërrues

    Komanda Jugore e SHBA-së, e cila mbikëqyr aktivitetet ushtarake amerikane në Amerikën Latine dhe Karaibe, ka publikuar imazhe të trupave që po mobilizohen për të ndihmuar Venezuelën.

    Anëtarët e shërbimit mund të shihen duke ngarkuar pajisje në një Chinook në Bazën Ajrore Soto Cano, në Honduras, në përgatitje për të mbështetur vendin pas tërmeti.

    Raportohet se rreth 235 persona kanë vdekur deri tani, me të paktën 4,300 të tjerë të plagosur, pas tërmeteve të njëpasnjëshme, sipas ministrit të shëndetësisë të Venezuelës, Carlos Alvarado.

    “Fatkeqësisht kemi marrë rreth 235 pacientë që mbërrijnë pa shenja jetësore ose që ndërrojnë jetë ndërsa mbërrijnë në qendrat tona shëndetësore”, tha ai>

    Bëhet e ditur se Gjenerali Major i Marinës Amerikane Kevin J Jarrad ka mbërritur në Karakas për të drejtuar dhe koordinuar mbështetjen e ushtrisë amerikane për përpjekjet e ndihmës pas tërmetit.

  • “KRU” Mitrovica do të intervenojë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, këto zona mbeten pa ujë

    “KRU” Mitrovica do të intervenojë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, këto zona mbeten pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” njofton se në Mitrovicë kanë nisur intervenimet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, ku si rrjedhojë do të ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë të pijshëm.

    Sipas njoftimit, ekipet janë duke punuar në këto lokacione: rr. “Fatime Hetemi ”, rr. “Bislim Bajgora”, rr. “Korça”, rr. “Ali Zeneli” dhe “Ferat Draga”, fshati Shupkofc, fshati Frashër, fshati Suhodoll, fshati Vinarc i Epërm,

    Ndërsa punimet në rrjetin e kanalizimit në këto lokacione: rr. “Melihate Rama”, rr. “Ukshin Kovaqica”, rr. “Ali Pashë Gusia”, rr. “Ferat Draga”

    Kompania ka bërë të ditur se ekipet teknike janë angazhuar në terren dhe po punojnë për eliminimin e problemit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit. Në rast se uji është i turbullt, ju lutemi ta lini rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht”, thuhet në njoftim.

  • Rrokullisja e kamionit në autostradë, policia kufizon qarkullimin në një shirit

    Rrokullisja e kamionit në autostradë, policia kufizon qarkullimin në një shirit

    Kamioni i cili është rrokullisur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Malishevë-Prishtinë ka qenë duke transportuar zhavorr.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë, Luljeta Mehmeti e cila tha se nga ky aksident nuk ka të lënduar.

    Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se për momentin qarkullimi në këtë segment të autostradës është i kufizuar vetëm në një shirit rrugor.

    “Në aksident është përfshirë një automjet transportues i ngarkuar me zhavorr. Si pasojë e aksidentit ngarkesa është shpërndarë në rrugë. Sipas njoftimit nga njësitë në terren për momentin qarkullimi në këtë segment të autostradës është i kufizuar vetëm me një shirit rrugor ndërsa njësitet policore dhe ekipet kompetente ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme për lirimin e plotë të qarkullimit”, thuhet në konfirmim.

  • Kosova dhe Austria firmosin marrëveshje: Familjarët e diplomatëve do të kenë të drejtë pune

    Kosova dhe Austria firmosin marrëveshje: Familjarët e diplomatëve do të kenë të drejtë pune

    Anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor do të kenë mundësi të punojnë në shtetin pritës gjatë periudhës së shërbimit.

    Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, e cila u mundëson anëtarëve të familjeve të diplomatëve dhe personelit konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë kohës së shërbimit në shtetin pritës.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dy vendeve, duke u lehtësuar integrimin dhe angazhimin profesional gjatë misioneve diplomatike.

    “Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Nikolaus Marschik. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

    Sipas MPJD-së, marrëveshja përfaqëson një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke ofruar mbështetje më të madhe për familjet e personelit diplomatik të të dy shteteve./Albinfo

  • 47 aksidente dhe rreth 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    47 aksidente dhe rreth 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    47 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, prej të cilave 18 kanë qenë me të lënduar dhe 29 me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, për 24 orë gjithashtu janë shqiptuar edhe 1 mijë e 919 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 45 persona, 26 janë dërguar në mbajtje dhe pesë persona në vuajtje të dënimit.

  • Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Prishtinë, eksperti thotë se viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë

    Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Prishtinë, eksperti thotë se viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë

    Në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj Vullnet Gashit i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka vazhduar dëgjimi i ekspertit të komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni, i cili tha se duke pasur parasysh se vendi ku ka ndodhur aksidenti është me tre shirita qarkullues në një drejtim dhe këmbësori është goditur në shiritin e tretë, do të thotë se ai nuk ka dalë befasishëm në rrugë.

    Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet se shkaku i aksidentit të shkaktuar në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, F.B- si këmbësor kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë, eksperti tha se edhe pse në shiritin para tani të akuzuarit ka qenë një kamion me përmasa më të mëdha, ai nuk e ka penguar pasi që i akuzuari Gashi është dashur të ketë kujdes të shtuar meqë kamioni ishte ndalur.

    Maxhuni deklaroi se në asnjë dokumentacion të lëndës nuk ka ndonjë të dhënë se ka pasur frenim nga drejtuesi i veturës.

    Ai theksoi se nuk mund të paragjykojë se aksidenti do të kishte mundur të shmangej nëse drejtuesi i veturës do të kishte lëvizur me shpejtësinë e lejuar.

    Ndër tjerash, eksperti deklaroi se nuk mund të përcaktojë momentin se kur ka ndodhur goditja e tani të ndjerit F.B., pasi që nuk ka video-incizim ku paraqitet momenti i goditjes si dhe nuk ka incizim se vetura është ndalë në momentin e goditjes.

    Sipas Maxhunit, në momentin e goditjes tani i ndjeri kishte rënë në tokë dhe gjurmët e lëndimeve që kanë mbetur në veturë janë në xhamin e përparmë nga ana e djathtë e veturës.

    Ai tha se sipas ligjit, këmbësorëve u lejohet kalimi i rrugës në distancë mbi 50 metra nga vendkalimi i këmbësorëve.

    Seanca ka vazhduar edhe me dëgjimin ekspertit të komunikacionit Durak Cakiqi, i cili deklaroi se në bazë të analizës hapësinore dhe kohore, drejtuesi i veturës- në këtë rast i akuzuari Gashi, nuk ka pasur mundësi teknike që të evitojë aksidentin për shkak se rruga e ndaljes së veturës është më e gjatë se distanca e paraqitjes së rrugës prej ku ka mundur të sheh këmbësorin.

    Cakiqi tha se mendon që në bazë të llogaritjes së shpejtësisë dhe analizës së rrjedhës së aksidentit, goditja ka ndodhur në sekondën e 53.52 të video-incizimit, ku goditjen primare tani i ndjeri e kishte marrë në pjesën e përparme të automjetit- përkatësisht në tabelën e regjistrimit të veturës në anën e majtë e pastaj në kapakun e motorit dhe është hedhur në xhamin e parë të veturës në pjesën e djathtë.

    Ndër tjerash, ai shtoi se automjetet sportive, në rastin e goditjes së këmbësorëve për shkak të lartësisë së ulët, te kontakti me këmbësorë, këmbësori hudhet më lartë se tek automjetet standarde.

    Cakiqi tha se sipas llogaritjeve analitike, nëse shpejtësia e lëvizjes do të ishte deri në 21 km/h, do të mund të evitohej aksidenti, por mbi 40 km/h shpejtësi do të ishte e pamundur.

    Ndryshe, ky rast ishte në gjykim tek gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por për shkak të degradimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, rasti kaloi tek gjyqtari Driton Berisha.

    Në seancën fillestare më 18 tetor 2024, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

    Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

    Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

  • Rrokulliset një kamion në autostradë afër Malishevës, bllokohet komunikacioni

    Rrokulliset një kamion në autostradë afër Malishevës, bllokohet komunikacioni

    Një kamion është rrokullisur në autostradë, në afërsi të Malishevës, drejt Prishtinës, sipas një videoje të publikuar nga TV Prizreni.

    Sipas pamjeve, aty shihet se është bllokuar qarkullimi dhe është krijuar kolona.

    Deri tash nuk dihet nëse ka të lënduar.

  • Shkon në 55 numri i viktimave në Francë nga temperaturat e larta, dhjetëra qytete në alarm

    Shkon në 55 numri i viktimave në Francë nga temperaturat e larta, dhjetëra qytete në alarm

    Të paktën 55 persona u mbytën në Francë, ndërsa përpiqeshin të freskoheshin nga nxehtësia rekord, tha Ministrja e Sportit Marina Ferrari për transmetuesin Franceinfo.

    Qeveria ka frikë se ky numër mund të rritet në ditët në vijim, pasi 61 departamente franceze janë nën alarm për nxehtësi të kuqe dhe 25 të tjera nën alarm portokalli të premten, sipas mediave vendase.

    Autoritetet presin që 11 departamente të ulen nga alarmi i kuq në atë portokalli të premten në mbrëmje, ndërsa 13 të tjera do të hiqen nga lista e alarmit të kuq të shtunën në mëngjes.

    Sipas Meteo-France, temperaturat pritet të variojnë midis 36 grdë dhe 41 gradë në pjesë të ndryshme të vendit të premten.

    Ministrja e Shëndetësisë Stephanie Rist paralajmëroi të enjten se spitalet mund të përballen me një fund të vështirë të javës, pasi vizitat në departamentet e urgjencës dhe thirrjet për shërbimet e urgjencës u rritën për shkak të valës së të nxehtit, sipas BFMTV.

    Prefekti i Policisë së Parisit, Patrice Faure, tha gjithashtu se spitalet në Paris dhe rajonin përreth ishin tashmë të mbingarkuara.

    Kryeministri Sebastien Lecornu njoftoi të enjten aktivizimin e planit të emergjencës shëndetësore ORSAN të nivelit të tretë, i cili sipas tij përfaqëson “nivelin më të lartë të mobilizimit të kujdesit shëndetësor”.

    Autoritetet e Parisit njoftuan gjithashtu ndalimin e konsumit të alkoolit në publik nga mesi i ditës së premte, si pjesë e masave për të menaxhuar efektet e valës së të nxehtit.

  • Pistoleta, fishekë, thikë e shufër hekuri: Çka konfiskoi policia në Prishtinë dhe Obiliq?

    Pistoleta, fishekë, thikë e shufër hekuri: Çka konfiskoi policia në Prishtinë dhe Obiliq?

    Tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armëve janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë dhe Obiliq, ndërsa në të trija rastet të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

    Në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq gjatë kontrollit të një veture, policia ka gjetur dhe konfiskuar një thikë, një shufër hekuri dhe një pajisje laser.

    “Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar i janë gjetur dhe konfiskuar një thikë, një shufër hekuri dhe një laser. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.

    Një tjetër rast është raportuar në rrugën “Fatmir Selmani” në Prishtinë, ku është arrestuar një person pasi dyshohet se kishte shtënë disa herë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në një aheng familjar kishte shtënë disa here me armë zjarri. Është sekuestruar një pistoletë me gaz dhe 7 gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.
    Po ashtu, në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë policia ka arrestuar një person pasi gjatë kontrollit të banesës së tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 15 fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit të banesës së tij i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 15 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njoftoi policia.

  • Rexhepi thotë se VV-ja dhe deputetët e komuniteteve joserbë i kanë 61 vota për formimin e institucioneve

    Rexhepi thotë se VV-ja dhe deputetët e komuniteteve joserbë i kanë 61 vota për formimin e institucioneve

    Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kosova pritet të hyjë në fazën e formimit të institucioneve të reja.

    Me hapjen e procedurave në Kuvend, vëmendja pritet të përqendrohet te zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, krijimi i Qeverisë dhe sigurimi i shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

    Lidhur me këto zhvillime për “Front Online” ka folur kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi ku tha se pret certifikimin e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.

    Ajo ka bërë të ditur se fillimisht do të votohet për kryetarin e Kuvendit dhe më pas për formimin e Qeverisë.

    Sipas Rexhepit, Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe me 53 deputetë, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë jo-serbe, sigurojnë 61 vota.

    “Presim rezultatet zyrtare në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e institucioneve. Së pari do të votojmë për kryetarin e Parlamentit, pastaj për Qeverinë në krye me Kurtin, pasi konsideroj se VV-ja, si partia më e madhe shqiptare me 53 deputetë, së bashku me ne deputetët jo-shumicë jo-serbë, ka 61 vota dhe në këtë rast mendoj se nuk është e domosdoshme të jenë edhe partitë e tjera politike”, u shpreh ajo.

    Ajo ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me forcat e tjera politike në fazën e zgjedhjes së presidentit.

    “Për të zgjedhur presidentin e shtetit është e nevojshme të jenë 80 deputetë në sallë ose 80 vota, në mënyrë që të fillojë procedura e votimit, dhe këtu nevojitet mbështetja e deputetëve të tjerë, nëse nuk ka ndonjë koalicion para votimit”, ka thënë ajo.