ATV

Category: Lajme

  • “Situata emergjente me materie të rrezikshme”, FSK kryen trajnimin për dekontaminimin e viktimave në masë

    “Situata emergjente me materie të rrezikshme”, FSK kryen trajnimin për dekontaminimin e viktimave në masë

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se Kompania e Materieve të Rrezikshme e Gardës Kombëtare të FSK-së, ka përfunduar me sukses trajnimin për Dekontaminimin e viktimave në masë.

    Në njoftim bëhet e ditur se trajnimi është mbajtur me qëllim aftësimin e pjesëtarëve të KMRR-së për ngritjen, sistemimin, funksionalizimin dhe operimin me sistemin e dekontaminimit të viktimave në masë gjatë situatave emergjente me materie të rrezikshme.

    “Me këtë sistem të sofistikuar, kjo njësi është e gatshme të ofroj ndihmë të gjithë qytetarëve në çdo incident masiv me numër të madh të viktimave. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe e gatshme që të ndihmojë dhe mbështesë të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në njoftim.

  • Ymeri thotë se po linçohet vetëm pse bëri pyetje për gazin amerikan

    Ymeri thotë se po linçohet vetëm pse bëri pyetje për gazin amerikan

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka thënë se ka marrë mesazhe e komente linquese, sipas saj, vetëm pse është interesuar për projektin e gazit amerikan.

    Për këtë ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi siç ka thënë “mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës”.

    “Prej mbrëmë, njerëz me identitet e pa identitet kanë shkruar komente, poste, mesazhe pa ndal kundër meje pse jam interesuar për projektin e gazit amerikan. Mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës. Këto mesazhe janë të rrejshme, edhe të rrezikshme për punën time në interesim për mundësinë. Nëse keni menduar që fjalia e parë edhe e fundit vjen nga Kurti e ministrja pa e kuptuar edhe çfarë po ofrohet nga pala ndërkombëtare, e keni pas gabim përshtypjen”, ka shkruar Ymeri në një postim në Facebook.

    Ajo ka thënë se për këtë çështje duhet diskutim në Kuvend e hetime ndërkombëtare.

    “Me komente linçuese vetëm e tregoni frikën që keni. Kjo punë është për Kuvend ta kuptojnë të gjithë se çfarë ofrohet edhe të përballemi me kryeministrin e ministren se çfarë plani kanë saktë e jo përralla të 2050-tës. Po nuk duhet të lihet me kaq, nevojiten edhe hetime ndërkombëtare kur sistemi ynë i drejtësisë po auditon relievin, sepse ndikimi i mafisë energjetike, Kinës e Rusisë duhet të vlerësohet sa ndikon në ekonomi e politikë të Kosovës e Ballkanit”, ka shkruar Ymeri.

    Ajo të enjten në mbrëmje në KTV ka deklaruar se për shkak të interesit të madh publik për projektin e gazit amerikan, e ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe i është thënë se po përballen me qasje refuzuese nga Qeveria.

    Ymeri në emision është shprehur se Qeveria aktuale nuk mund t’i thotë jo Amerikës por do e shtyjë si projekt.

    Ndërkohë në Facebook ajo ka shkruar se pyetjet për projekt nuk janë luftë.

    “D.m.th. të bësh tregti me Vuk Hamovic, të marrësh paratë e GEN Serbisë, të manipulosh çmime me ElektroPrivredën e Serbisë është punë e Qeverisë a po? Ndërsa na me shujt, përderisa na keni marr 1miliard për energji, na keni humb shkolla, spitale, jetën. Pyetjet për një projekt nuk do të thotë luftë bile e kundërta, shtrohet pyetja pse Qeveria s’po e shtron debatin, kundër kujt po lufton Qeveria e Kosovës e kënd po e mbron, mafinë energjetike?!”, ka shkruar Ymeri.

  • “Fillimisht menduam se kishin shpëtuar”: Si e mori familja lajmin tragjik për Aulonën dhe Erzën?

    “Fillimisht menduam se kishin shpëtuar”: Si e mori familja lajmin tragjik për Aulonën dhe Erzën?

    Ishin të reja dhe ende kishin gjithë jetën përpara. Tani Aulona Zubaku (17-vjeçe) dhe Erza Zubaku (23-vjeçe) nga Olten, kantoni Solothurn në Zvicër, kanë vdekur. Motrat humbën jetën të shtunën në Citroën-in e tyre, pasi u detyruan të frenonin papritur në një autostradë gjermane pranë Appenweierit, për shkak të një aksidenti, ndërsa një veturë tjetër u përplas me to nga pas.

    Babai i tyre pati vetëm pak kohë të fliste në telefon të hënën për dhimbjen e tij, por lejoi që “Blick” të publikonte një fotografi të Aulonës dhe Erzës. Të martën në mëngjes, “Blick” ishte në shtëpinë e familjes së goditur rëndë nga kjo tragjedi. Menjëherë u bë e qartë: dhimbja është e madhe. Fqinjë, miq dhe të afërm vijnë vazhdimisht për t’u dhënë ngushëllime.

    Fillimisht, vetura e aksidentuar u raportua si Smart

    “Është vërtet e rëndë ajo që ka ndodhur”, thotë xhaxhai i motrave të ndjera, me trishtim por i qetë. “Ato të dyja vetëm donin të vizitonin të afërmit në Gjermani”.

    Aulona dhe Erza lënë pas edhe tri motra të tjera. “Ato tashmë kanë udhëtuar me nënën e tyre drejt Kosovës, ku do të zhvillohet varrimi”, vazhdon xhaxhai. Ai ndodhet aty kryesisht për ta ndihmuar babanë e tyre. “Por shpesh është ai që duhet të më ngushëllojë mua”.

    Veçanërisht tragjike është se, pasi policia gjermane fillimisht kishte raportuar se në aksident ishte përfshirë një Smart me të ndjerat brenda, familjarët fillimisht menduan se kishin humbur jetën gra të tjera të reja – dhe se Aulona e Erza kishin mbijetuar.

    “Vetëm më vonë, kur mbetëm në kontakt me policinë e Solothurnit dhe udhëtuam vetë drejt Gjermanisë, papritur u përmend një Citroën”, thotë xhaxhai.

    “E kishim ndier disi”

    Përveç kësaj, ata kishin dëgjuar nga dikush në Gjermani, i cili kishte pyetur: “Çfarë po bëjnë policët në shtëpi?”.

    Xhaxhai thotë: “Atëherë e kuptuam se Aulona dhe Erza ishin viktimat. E kishim ndier disi. Ishte sikur një goditje në zemër”.

    Në shtëpi, nëna dhe të afërmit e tjerë u morën shpejt nën kujdes pas lajmit për vdekjen e tyre.

    Tani aty ndodhet vetëm babai, i cili ende ka disa punë për të përfunduar dhe nuk ka udhëtuar ende drejt Kosovës. “Për momentin, thjesht po funksionoj”, thotë ai. Ai konfirmon konfuzionin lidhur me veturën e aksidentuar: “Në fillim mendova se vajzat e mia nuk kishin vdekur”, transmeton Klankosova.tv.

    Dhimbja e madhe edhe jashtë vendit

    Humbja e fëmijëve të tu është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë, thotë babai i Aulonës dhe Erzës. Vajza e madhe punonte në një shtëpi për të moshuar, ndërsa më e vogla ishte në një praktikë profesionale në një servis makinash.

    “Ato ende kishin gjithë jetën përpara. Dhe pastaj ndodh diçka e tillë”, thotë ai, dukshëm i rrënuar.

    Dhimbja është e madhe në Zvicër, por edhe në Kosovë, ndërsa ka pasur shumë mesazhe ngushëllimi edhe në rrjetet sociale. “Kjo na jep forcë”, thotë babai. “Edhe gruaja ime dhe tri vajzat tona të tjera, të cilat gjithashtu nuk janë mirë, po na ndihmojnë shumë në këtë kohë të vështirë”.

    “Ndoshta ka qenë thjesht i pakujdesshëm”

    Babai vazhdon të tregojë se Aulona dhe Erza kishin shtetësi të dyfishtë. Ato mezi prisnin pushimet verore në Kosovë dhe me gjasë më vonë dëshironin të krijonin familjet e tyre. “Por kjo nuk do të ndodhë më”.

    Ai ende nuk mund t’i përshkruajë ndjenjat e tij ndaj 44-vjeçarit, i cili dyshohet se me Volvo-n e tij u përplas me veturën ku ndodheshin vajzat e tij. “Sigurisht që ai nuk e bëri me qëllim. Ndoshta ka qenë thjesht i pakujdesshëm”.

    Por mendimet e familjes janë para së gjithash te vajzat e ndjera. Hapi më i vështirë ende i pret të afërmit e dy motrave, pasi varrimi i Aulonës dhe Erzës ende nuk është zhvilluar. /Klankosova

  • Bill Gates bën renditjen, këto janë katër profesionet që do t’i mbijetojnë Inteligjencës Artificiale

    Bill Gates bën renditjen, këto janë katër profesionet që do t’i mbijetojnë Inteligjencës Artificiale

    Bill Gates shton një profesion të katërt që, sipas tij, do t’i mbijetojë Inteligjencës Artificiale.

    Rritja e shpejtë e Inteligjencës Artificiale (IA) po ndryshon tregun global të punës dhe po ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e shumë profesioneve. Megjithatë, bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, beson se disa fusha do të mbeten të domosdoshme edhe në epokën e automatizimit. Pas deklaratave të mëparshme se programuesit, biologët dhe punonjësit e sektorit të energjisë do të vazhdojnë të kenë rol kyç, Gates ka shtuar tani edhe një kategori të katërt në listën e profesioneve që, sipas tij, nuk do të zëvendësohen nga makinat: atletët profesionistë.

    Gjatë një interviste në emisionin e Jimmy Fallon, ai u shpreh se sportet do të mbeten një aktivitet i rezervuar për njerëzit. “E dini, si bejsbolli. Ne nuk do të donim të shihnim kompjuterë duke luajtur bejsboll”, tha Gates, duke lënë të kuptohet se garat sportive do të vazhdojnë të mbështeten te aftësitë dhe konkurrenca njerëzore. Megjithatë, ai dha një përgjigje që ka nxitur debat kur u pyet nëse njerëzit do të vazhdojnë të jenë të nevojshëm në shumicën e profesioneve. “Jo për shumicën e gjërave – ne do të vendosim,” deklaroi ai, duke shtuar se prodhimi i mallrave, transporti dhe kultivimi i ushqimit mund të automatizohen gjerësisht në të ardhmen.

    Ndërkohë, ndikimi i Inteligjencës Artificiale në tregun e punës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2025 nga Microsoft, shumë profesione kanë një mbivendosje të lartë me aftësitë e sistemeve të IA-së, çka do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e detyrave të tyre mund të kryhet nga mjete të automatizuara.

    Në mesin e profesioneve më të ekspozuara ndaj këtij transformimi renditen përkthyesit dhe interpretuesit, historianët, matematikanët, redaktorët e tekstit, programuesit e gjenerimit automatik të kodit, shkrimtarët, asistentët e analizës statistikore, përfaqësuesit komercialë, shkrimtarët teknikë dhe gazetarët. Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se këto profesione do të zhduken, por se Inteligjenca Artificiale pritet të marrë përsipër një pjesë të detyrave të tyre dhe të ndryshojë mënyrën se si ushtrohen këto punë.

    Profesionet me mbivendosjen më të madhe me aftësitë e IA-së janë:

    Përkthyes dhe interpretues (98%)
    Historianë (91%)
    Matematikanë (91%)
    Redaktorët e tekstit (91%)
    Programues të gjenerimit automatik të kodit (90%)
    Shkrimtarë dhe figura letrare (85%)
    Asistentë të analizës statistikore (85%)
    Shitësit dhe përfaqësuesit komercialë (84%)
    Shkrimtarë teknikë (83%)
    Gazetarë (81%)

  • Tre persona i bëjnë për spital tre të tjerë në Obiliq – ua dëmtojnë edhe veturën

    Tre persona i bëjnë për spital tre të tjerë në Obiliq – ua dëmtojnë edhe veturën

    Tre persona në Mazgit të Obiliqit kanë pësuar lëndime trupore, pasi pas një mosmarrëveshje janë rrahur nga tre të tjerë, të cilët më pas edhe ua kanë dëmtuar veturën.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se tre të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Tre viktimat meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit meshkuj kosovarë, të cilët më pas u kanë dëmtuar edhe veturën. Tre viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit gjenden në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Përleshje mes familjarëve në Graçanicë, tre persona përfundojnë në polici

    Përleshje mes familjarëve në Graçanicë, tre persona përfundojnë në polici

    Pas një mosmarrëveshje në një familje në Graçanicë ka ndodhur një përleshje mes familjarëve.

    Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë intervistuar.

    “Është raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje , tre meshkuj kosovarë janë përleshur mes vete. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Vdekje e dyshimtë në Lipjan, policia jep detaje për rastin në objektin e KEDS-it

    Vdekje e dyshimtë në Lipjan, policia jep detaje për rastin në objektin e KEDS-it

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me një rast të raportuar të mërkurën në Lipjan, ku një femër kosovare ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta brenda objektit të KEDS-it.

    Sipas njoftimit policor, dëshmitarja ka raportuar se viktima, po ashtu femër kosovare, papritur është rrëzuar në tokë, pa shenja të mëparshme shqetësimi.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi emergjent, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

    Ngjarja ka ndodhur më 25 qershor 2026, rreth orës 09:55, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Policia po e trajton rastin si “hetim mbi vdekjen” dhe po vazhdon me procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Policia e Ferizajt shqipton 240 gjoba brenda 24 orëve, konfiskohen automjet dhe motoçikleta

    Policia e Ferizajt shqipton 240 gjoba brenda 24 orëve, konfiskohen automjet dhe motoçikleta

    Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, duke realizuar kontrolle të shtuara gjatë 24 orëve të fundit.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një aksident trafiku me lëndime, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Në kuadër të kontrolleve, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 240 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Prej tyre, 74 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, 48 për mosrespektim të shenjave të komunikacionit, 18 për parkim të parregullt, 15 për qarkullim me afat të skaduar të regjistrimit të mjetit, 10 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 3 për drejtim të automjetit pa patentë shofer, 2 për mosvendosje të rripit të sigurisë, ndërsa 70 gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme.

    Si rezultat i shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut, policia ka konfiskuar një automjet, katër skuterë/motoçikleta dhe ka sekuestruar katër patentë shoferë.

    Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.

  • Alarm në Serbi: A po përgatitet regjimi i Vuçiqit ta shpallë lëvizjen studentore “terroriste”?

    Alarm në Serbi: A po përgatitet regjimi i Vuçiqit ta shpallë lëvizjen studentore “terroriste”?

    Revista serbe Vreme ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si rritje të represionit ndaj studentëve, analistëve, ekspertëve dhe gazetarëve kritikë ndaj pushtetit në Serbi, duke paralajmëruar se në qarqe të afërta me regjimin mund të ekzistojnë plane për diskreditimin ose edhe ndalimin e lëvizjes studentore.

    Gazetari Nedim Sejdinoviq analizon zhvillimet pas skandalit për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave në Beograd, si dhe reagimet e institucioneve dhe mediave pranë pushtetit.

    Sipas tij, mbetet e paqartë se si Zyra e Prokurorit të Lartë publikoi një deklaratë që sugjeronte se vetë studentët kishin shkaktuar incidentin, ndërsa mediat pro-regjimit nisën një fushatë intensive kundër personave që pretendohet se kishin marrë pjesë në një “komplot”.

    Sejdinoviq paralajmëron se nuk mund të përjashtohet mundësia që regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të synojë neutralizimin e lëvizjes studentore para zgjedhjeve të ardhshme.

    “Është e mundur që në krye të regjimit të ekzistojë dëshira për ta eliminuar kundërshtarin më të rrezikshëm – lëvizjen studentore. Ta shpallin atë organizatë terroriste ose ekstremiste dhe ta pengojnë të marrë pjesë në zgjedhje. Tingëllon jorealiste, por kjo nuk do të thotë se një plan i tillë nuk ekziston”, shkruan ai.

    Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare SRCE, Zdravko Ponosh, vlerëson se një veprim i tillë do të ishte politikisht i rrezikshëm për pushtetin.

    “Mendoj se do të ishte vetëvrasëse për Aleksandar Vuçiqin, sepse do të prodhonte një revoltë të paparë të qytetarëve. Ai mund të përpiqet ta mohojë lëvizjen studentore, por nëse përpiqet ta ndalojë atë, do të ishte më mirë t’i qëllonte vetes në këmbë”, deklaroi Ponosh për Vreme.

    Edhe avokati Bozho Preleviq ka kundërshtuar pretendimet për karakter ekstremist të lëvizjes studentore.

    Ai tha se deklaratat e prokurorisë, fushata mediatike dhe procedurat e nisura ndaj analistit ushtarak Aleksandar Radish synojnë të largojnë vëmendjen nga çështje të tjera të rëndësishme dhe të relativizojnë akuzat për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave.

    “Lëvizja studentore nuk ka asnjë atribut që mund të çojë në shpalljen e saj si organizatë terroriste. Qëllimet e saj janë të njohura – sundimi i ligjit”, tha Preleviq.

    Sipas Vreme, zhvillimet e fundit kanë shtuar frikën se presioni ndaj studentëve dhe zërave kritikë në Serbi mund të intensifikohet në prag të proceseve të ardhshme politike dhe zgjedhore.

    The GeoPost

  • Shqetësime për përshpejtimin e transmetimit të Ebolës në Kongo: 1,155 raste dhe 304 vdekje

    Shqetësime për përshpejtimin e transmetimit të Ebolës në Kongo: 1,155 raste dhe 304 vdekje

    Numri i rasteve të konfirmuara në laborator të epidemisë së virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është rritur në 1,155, nga të cilat 304 kanë qenë fatale, njoftuan autoritetet shëndetësore të shtunën.

    Sipas një buletini të fundit të autoriteteve shëndetësore, që nga e mërkura, 37 raste të reja dhe 5 vdekje të reja u konfirmuan në 24 orë.

    Zyrtarët e shëndetësisë thonë se mbikëqyrja e përmirësuar epidemiologjike ka lejuar zbulimin më të hershëm të rasteve dhe ka konfirmuar rritjen e vazhdueshme të transmetimit të virusit në baza javore.

    Shpërthimi aktual, i shpallur më 15 maj, është shkaktuar nga lloji më i rrallë i virusit Budibugio, për të cilin nuk ka trajtim ose vaksinë specifike. Shumica e shpërthimeve të mëparshme janë shkaktuar nga lloji i virusit Zaire, për të cilin ekziston një vaksinë. Është i 17-ti në vendin e gjerë të Afrikës Qendrore me rreth 100 milionë banorë.

    Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se virusi kishte qarkulluar i pazbuluar për ca kohë para se të shpallej shpërthimi.

    Ebola ka vrarë të paktën 15,000 njerëz në Afrikë gjatë 50 viteve të fundit, me një shkallë vdekshmërie midis 25% dhe 90%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Në Republikën Demokratike të Kongos, shpërthimi më vdekjeprurës vrau gati 2,300 njerëz nga 3,500 raste midis viteve 2018 dhe 2020.