Tre veteranë nga Skenderaj paditën Ministrinë e Financave në muajin nëntor.
Bazuar në Ligjin për Skemat Pensionale, nga ky institucion kërkonin kompensim financiar në emër të inflacionit.
Por, kjo padi u hodh poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Avokati i palëve, vendimin e konsideron si të padrejtë për disa arsye.
Njohës të ekonomisë vlerësojnë se ligji parasheh kompensime në raste të tilla.
Refuzime të tilla ka disa, andaj juristi Rrecaj beson se nuk janë të rastësishme.
Por, kjo mohohet nga ky institucion.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), është organ kushtetues, i cili ka mandat ligjor për të administruar gjyqësorin, por jo që të interferojë në Gjykata në aspektin e vendimmarrjes”, njoftoi KGjK-ja.
Sipas nenit 13 të ligjit për skemat pensionale, i miratuar në vitin 2014, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave, me vendim të veçantë, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj për vitin e ardhshëm./atvlive.tv
Një rrugë e shpejtë për anëtarësimin e Kosovës në NATO është përmendur nga liderë shtetërorë e partiakë viteve të fundit, veçmas ndërlidhur aspekte të sigurisë rajonale e globale.
Megjithatë, një proces i përshpejtuar duket vështirë i arritshëm, pa i përmbushur kërkesat e shteteve anëtare të aleancës veri-atlantike.
Mbështetja vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësohet e pamjaftueshme nga ambasadori në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë. Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara, është të adresohen shqetësimet e tyre”, tha Hovenier.
Krahas lëvdatave për FSK-në dhe përmendjes së asaj që duhet të arrihet ende, në njërën anë, ambasadori përmendi edhe aspektet politike në anën tjetër.
“Një marrëdhënie e ripozicionuar mes Kosovës dhe Serbisë, adreson disa nga shqetësimet e shteteve anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën ose kanë shqetësime të tjera. Pra, kjo do të thotë që kërkohet durim. Do të thotë që kërkohet punë e vështirë. Por, nuk ka asnjë mundësi të shpejtë që vetëm pse po përballeni me një kërcënim, atëherë duhet të bëheni anëtar i NATO-s. Thjesht, nuk funksionon kështu. Ne po kërkojmë përparim në dialog. Po kërkojmë përparim të mëtejshëm në reforma”, shtoi tutje ai.
Derisa komentet e diplomatit amerikan i vlerësoi realiste, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, duke thënë se krahas kritereve ushtarake për anëtarësim është i pashmangshëm edhe aspekti i konsensusit politik.
“Kemi shtete anëtare të aleancës që nuk na kanë njohur, pastaj çështjet politike janë aspekti i sigurisë në përgjithësi dhe qëndrueshmërisë së institucioneve. Por, edhe raporti me Serbi, ngase ato duan që anëtarësimin ta kenë pa probleme politike, qoftë edhe me fqinj, në këtë rast me Serbinë”, tha njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Përkundër përparësisë se FSK-ja, që nga themelimi, është në mbikëqyrje dhe koordinim me NATO-n, Ibishi vlerësoi se rruga nuk është e shkurtër.
“FSK-ja është në fazën të tranzicionit, në vitin 2028 përfundon fazën e tretë të tranzicionit dhe duhet edhe çështja tjetër, e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, që i paraprin anëtarësimit të plotë, e që ne ende nuk jemi”,deklaroi tutje Ibishi.
Në fund të muajit Maj, Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar të këtij forumi të aleancës./atvlive.tv
Vetëm ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nga pesë të akuzuarit e fundit për pengim të drejtësisë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, është në liri.
Madje, Kuçit Gjykata Speciale ia ka lejuar pjesëmarrjen online nga Kosova, në seancat e ardhshme përgatitore.
Por, siç thuhet në urdhrin rreth seancës së ardhshme përgatitore, nëse nuk paraqitet pa miratimin e gjykatës, ajo menjëherë do të urdhërojë paraburgimin.
Megjithatë, Gjykata Speciale nuk ka treguar nëse tashmë ka marrë vendim rreth kërkesës të ZPS-së, që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me Thaçin, të akuzuarit e tjerë dhe persona, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Sipas juristëve, kur parashtrohet kërkesa për masën e sigurisë, organi i akuzës i vlerëson disa kushte.
Në këtë rast, sipas tyre, ZPS-ja ka vlerësuar se prezenca e Kuçit mund të sigurohet në këtë mënyrë.
Derisa për çdo të akuzuar kur nuk i bindet masave të urdhëruara nga Gjykata, ka pasoja.
Ish-ministri i Drejtësisë është deklaruar i pafajshëm rreth akuzave të Speciales, për pengim të drejtësisë dhe ndikim të dëshmitarëve.
Përveç Kuçit, ZPS-ja për të njëjtat akuza po i ngarkon edhe ish presidentin Hashim Thaçi, ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj, Isni Kiljan dhe Fadil Fazliun.
Seanca e radhës, gjatë së cilës pritet të deklarohen Smakaj dhe Thaçi do të mbahet më 17 dhjetor./ATVLIVE.TV/
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në një intervistë për emisionin COMPASS në ATV, deklaroi se banorët serbë të veriut, çdo ditë e më shumë po e humbin mbështetjen për Listën Serbe.
Ai tha prej kohësh, ata janë të zhgënjyer nga regjimi i Beogradit dhe vegla e tij politike, Lista Serbe.
“Qytetarët e veriut, shumica absolute serbë janë të zhgënjyer që një kohë të gjatë me regjimin e Beogradit dhe me instrumentin e tij që ka qenë i pranishëm këtu, Lista Serbe, bashkë me ato grupet e bandat para ushtarake e kriminale të cilat kanë bashkëpunuar ose kanë qenë pjesë e të njëjtin formacion dhe në të njëjtën kohë, me të parë kjo popullatë që prania institucionale e Republikës së Kosovës edhe në formën e sigurisë, pra Policisë së Kosovës, është për të mirën e tyre, pra nuk është për t’iu bërë dhunë as për një represion, por përkundrazi për ta shtuar sigurinë e vetë këtyre qytetarëve, sentimenti i tyre ka pësuar ndryshim radikal, ata i besojnë shumë Policisë së Kosovës”, tha Vokrri.
Intervistën e plotë të tij në COMPASS në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, e quajti për të ardhur keq situatën e javës së kaluar në Kuvend, ku deputetët e Listës Serbe u penguan të marrin pjesë në seancë nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për faktin se përfaqësuesit e komuniteteve, të cilët janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e njerëzve të tyre, pengohen t’i ushtrojnë këto detyra.
“Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre. Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta”, tha Hovenier.
Ai tha se kjo situatë nuk pasqyron aspiratat demokratike të synuara kur u negocionin dispozitat për përfaqësimin e pakicave.
“Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq”, tha Hovenier.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Kosova ka çdo arsye të jetë krenare me historikun e saj të zgjedhjeve paqësore dhe bartjes demokratike të pushtetit, tha Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV.
Ai e quajti të rëndësishme jo vetëm mbajtjen e proceseve zgjedhore stabile, por edhe përfshirjen e komunitetit serb, si pjesë përbërëse e shoqërisë së Kosovës.
“Më vjen mirë që kam këtë mundësi të flas për këtë për pak. Ne besojmë fuqishëm – dhe shpresoj se i gjithë populli i Kosovës pajtohet me ne – se komuniteti etnik serb është pjesë përbërëse e shoqërisë së Kosovës dhe se, natyrisht, do të dëshironim që ata të përdorin instrumentet demokratike në Kushtetutë, në ligjet e Kosovës, për të adresuar shqetësimet që i kanë”, tha Hovenier.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se, historikisht, Ballkani ka qenë burim jostabiliteti për Evropën dhe përpjekjet për integrimin e rajonit në BE dhe NATO rrezikohen nga dezinformatat dhe përçarjet.
Në pyetjen se ka studime që pohojnë se dezinformatat, kryesisht janë me origjinë nga Rusia, ambasadori Hovenier tha se është e rëndësishme që të punojnë së bashku për të luftuar këtë dukuri.
“Ka përpjekje aktive për të shfrytëzuar hapësirën e informacionit për të shtyrë përpara narrativat ose për të përçarë njerëzit, apo për të ndërlikuar pikërisht këtë proces që shpresojmë ta shohim, e që në rastin e Kosovës është të shohim Kosovën si shtet që i afrohet integrimit të saj në Evropë, në Bashkimin Evropian, në NATO, në institucionet e tjera. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të punojmë shumë së bashku për të luftuar këtë dezinformim dhe këto përpjekje për të përçarë dhe ndarë njerëzit, në vend që të bashkoheni për interesa dhe të mirën e përbashkët”, tha Hovenier.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se përgjegjësia për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i takon SHBA-së apo Bashkimit Evropian, por vetë palëve në dialog.
Ai theksoi se SHBA-ja dhe BE-ja janë aty për të ndihmuar dhe mbështetur, por se Kosova duhet të tregojë vullnet për zbatimin e zotimeve të marra.
“Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë duhet të thonë se kjo është përgjegjësia jonë,” deklaroi Hovenier, duke nënvizuar se ekziston një draft-statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i mbështetur nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së, i cili mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
Ai shtoi se, pas këtij hapi, një sërë gjërash pozitive do të mund të ndodhnin për Kosovën.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, i pyetur nëse do të ketë ndonjë ndryshim për Kosovën nën administratën e presidentit Donald Trump, tha se mbështetja e popullit amerikan për Kosovën është e vazhdueshme, pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane apo rezultatit të zgjedhjeve në SHBA.
Ai nënvizoi se Kosova duhet të tregojë gatishmëri ndaj kërkesave të miqve, përfshirë SHBA-në, dhe të angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
“Populli amerikan e ka mbështetur vazhdimisht popullin e Kosovës”, tha Hovenier.
Ai vlerësoi se Kosova duhet përgjigjur kërkesave specifike të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht në fushën e dialogut.
“Mund të them se mendoj që gjëja më e rëndësishme që Kosova të bëjë është të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke reaguar për disa gjëra specifike që i kemi kërkuar”, tha Hovenier.
Hovenier tha se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit është i domosdoshëm për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe aleatët e saj.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në intervistën e tij për CONTEXT në ATV, tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është formalitet dhe nuk mund të arrihet shpejt.
Ai theksoi nevojën për reforma, dialog dhe përmbushje të angazhimeve politike.
Hovenier nënvizoi se Kosova duhet të bindë shtetet anëtare përmes përparimit në marrëdhëniet me Serbinë, reformave në sektorin e sigurisë dhe gatishmërisë për t’iu përshtatur standardeve të Aleancës.
“Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara është të adresohen shqetësimet e tyre”, tha Hovenier.
Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë: