ATV

Category: Lajme

  • ​Mos-paraqitja e Kurtit në Prokurori, opozita: Mesazh dhe sinjal i gabuar për qytetarët

    ​Mos-paraqitja e Kurtit në Prokurori, opozita: Mesazh dhe sinjal i gabuar për qytetarët

    Opozita ka komentuar mos-paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale. Partitë opozitare kanë deklaruar se ky veprim është mesazh dhe sinjal i keq për qytetarët e Kosovës për anashkalim të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të vendit. Kryeministri Kurti nuk u paraqit sot në Prokurorinë Speciale ku ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se Kushtetuta ka përcaktuar pushtetet e ndara.

    “Në radhë të parë është një mesazh i keq për qytetarët e Kosovës, në këtë rast për mënyrën se si e trajton organin e akuzës. Dhe mendoj që ashtu siç e ka përcaktuar edhe Kushtetuta, pushtetet janë të ndara. Në këtë rast gjithkush duhet ta kryejë punën e vet, organi i akuzës është pikërisht për të mos lejuar që të ndodhin keqpërdorimet dhe për të luftuar dukuritë negative. Kryeministri është për të zhvilluar vendin, për ta qeverisur vendin. Janë dy institucione të ndara, në këtë rast organi i akuzës me siguri ka diçka që i duhet kryeministri qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në cilësinë e të dyshuarit.

    Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi theksoi se mos-paraqitja e Kurtit për të dëshmuar është sinjal i gabuar.

    “Sinjali që dërgohet është sinjal i gabuar. Qytetarëve të Kosovës ju dërgohet sinjali nga kryeministri që ata mund të anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorinë dhe ky është një model i sjelljes në Lëvizjen Vetëvendosje. Modeli i sjelljes në argumentin se në të gjitha rastet kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vet kryeministri kanë qenë të akuzuar për dhunën që kanë ushtruar brenda institucioneve të Kosovës dhe jashtë tij, i kanë tejzgjatur rastet duke i çuar në parashtrim dhe ky po ashtu është një sinjal i gabuar për qytetarët e Kosovës ku drejtësia nuk është dhënë por është parashkruar rasti. Pra, janë vonuar mbi shtatë vite rastet dhe ky është një dëmtim i sistemit të demokracisë”, deklaroi Gashi.

    Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë që të mirëpresë prokurorët në zyrën e tij, për çka Gashi e ka kritikuar këtë veprim.

    “Hala më keq, hala më keq se thirret prokurori dhe epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, në këtë rast mbi prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin e vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij për drejtësinë”, shtoi Gashi.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj tha se “askush nuk është mbi ligjin”.

    “As zotëri Albin Kurti nuk është mbi ligjin dhe vet deklaratat e tyre se po ftohen në kohë zgjedhjeve kryeministri Albin Kurti që të paraqitet për të dëshmuar, nuk qëndrojnë sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga Gjykata Speciale për shkak të gazit lotsjellës dhe ju kemi përgjigjur sepse duhet t’i respektojmë organet e drejtësisë”, përfundoi ajo.

    Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti është pritur për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale por, zyra e kryeministrit e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se shefi i ekzekutivit, ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress, tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë./kp

  • Maliqi publikon të dhënat e sondazhit: Kosovarët, u besojnë mediave tradicionale vendase më shumë se vendet në rajon

    Maliqi publikon të dhënat e sondazhit: Kosovarët, u besojnë mediave tradicionale vendase më shumë se vendet në rajon

    Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi i është referuar një sondazhi të ri rajonal të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që e vendos Kosovën në vendin e parë në rajon sa i përket besimit të qytetarëve në media.

    Ai publikoi në Facebook të dhënat që tregojnë se në Kosovë, më shumë sesa kudo në Ballkanin Perëndimor, qytetarët besojnë se mediat tradicionale vendase janë neutrale.

    “E shkëputa këtë të dhënë nga sondazhi i ri rajonal i RCC. Besimi i qytetarëve në media në rajon është shumë i ulët. Por vlen të theksohet si pozitive se në Kosovë megjithatë përqindja e atyre që besojnë se mediat tradicionale vendase janë neutrale është më e larta në rajon (42%). Shqipëria e ka përqindjen më të lartë të perceptimit të anshmërisë (64%). Ndërsa Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi prijnë për nga perceptimet e dezinformimit (30-32%)”, shkroi Maliqi.

  • Seanca e dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri mbahet të premten

    Seanca e dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri mbahet të premten

    Kryesia e kuvendit ka vendosur që të premten të mbahet seanca e përbashkët ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

    Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo mbledhje është vendosur që seanca të mbahet, më 20 dhjetor në orën 10:00.

    “U njoftuam për takimin dhe u mor vendimi që seanca të mbahet më 20 dhjetor në ora 10:00. Adresim do të kenë dy kryetarët e kuvendit, kryeministrat dhe kryetarët e grupeve parlamentare. Ka qenë e nevojshme mbajtja e seancës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe këtu ka pasur zotim nga shefat e grupeve parlamentare për pjesëmarrje por që në seancë nuk kanë marr pjesë deputetët në seancë”, tha ajo.

    “Nga Kuvendi i Shqipërisë të pranishëm do të jenë 60 deputetë për shkak të kushteve të pamjaftueshme dhe i takon Kuvendit të Kosovës që ta bëjë përgatitjen sipas aspektit logjistik dhe do të përdorën e hapësira të tjera. Do të mundohemi që t’i krijojmë kushtet”, tha Kusari-Lila.

  • ​Arrestohen dy persona, postuan video-incizim duke shtënë me armë në Bogë të Rugovës

    ​Arrestohen dy persona, postuan video-incizim duke shtënë me armë në Bogë të Rugovës

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona tё dyshuar për veprat penale “Mbajtje nё pronësi, kontroll ose posedim tё paautorizuar tё armёve” dhe “Përdorim i Armёs apo mjetit tё rrezikshëm”.

    Sipas policisë tё dyshuarit e kёtij rasti kishin postuar video-incizim nё rrjetet sociale duke shtёnё me armё nё ajёr nё fshatin Bogё- Rugovё.

    “Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Pejё, me datë 14.12.2024, rreth orёs 13:10, ka pranuar informacion se tё dyshuarit e kёtij rasti kishin postuar videoincizim nё rrjetet sociale duke shtёnё me armё nё ajёr nё fshatin Bogё- Rugovё. Njёsiti i hetime pranё Stacionit Policor nё Pejё, ka ndёrmarrё veprimet hetimore dhe ka arritur tё identifikoj dhe arrestoj, dy (2) persona tё dyshuar, tё cilёt kanё deklaruar se kanё shtёnё me armё”, thuhet në njoftim.

    Policia nga tё dyshuarit ka sekuestruar: një armё pistoletё ZORAKI cal:9mm, një karikator i sё njëjtёs armё, njёzet e nёntё fishekё cal:9mm, një armё pistoletё BLOË cal:9mm, një karikator i sё njëjtёs armё, njё fishekё cal:9mm.

    “Tё dyshuarit pas intervistimit nga Hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit lirohen nё procedurё tё rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Inaugurohet Zyra Regjionale e AUV-it, Peci: Mbetemi të përkushtuar që të arrijmë objektivat e Komisionit Evropian

    Inaugurohet Zyra Regjionale e AUV-it, Peci: Mbetemi të përkushtuar që të arrijmë objektivat e Komisionit Evropian

    Është bërë inaugurimi i Zyrës Regjionale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) në komunën e e Prishtinës, raporton EO.

    Më këtë rast ministri i MBPZHR-së, Faton Peci, ka thënë se këto zyre do t’i mundësojnë stafit punë efikase duke mundësuar monitorim e operatoreve ekonomik, kryerjen e inspektimeve veterinare dhe fitosanitare si dhe zbatimin e rregullave për sigurinë ushqimore në vend.

    Ai ka thënë se ministria është në proces të ndërtimit edhe të objektit të MBPZHR me buxhetin e shtetit në vlerën e 9 milion eurove, ku sipas tij, me objektin e ri si dhe zyrat regjionale do të jetë përmbyllje e cilik infrastrukturor për të krijuar kushte të përshtatshme të ministrisë.

    “Sot jo vetëm që po e përurojmë zyrën në Prishtinë, por po e theksojmë mbështetjen që BE-ja ka krijua në katër zyrat tjera rajonale duke krijuar kushte dhe rrjet të përshtatem për punë dinjitoze dhe profesionale. Këto zyre do t’i mundësojnë stafit tonë punë efikase duke mundësuar monitorim e operatoreve ekonomik , kryerje e inspektimeve veterinare dhe fitosanitare, si dhe zbatimin e rregullave për sigurinë ushqimore në vend. Pas hartimit të projektit ideor ne si ministri tash jemi në proces të ndërtimit edhe të objektit të MBPZHR, e cila do të ndërtohet me mjete vetanake të buxhetit të Kosovës dhe sot jemi në fazën kur e kemi të hapur procedurën e ndërtimit dhe kemi vënë në pozicion 9 milion euro. Ky angazhim i këtij mandati me zyrat rajonale me fondet e BE, por edhe fondet vetanake në ndërtimin e objektit të ri të MBPZHR, që do të jetë ndërtesa shembull në nivel të Republikës do të jetë përmbyllje e cilik infrastrukturor për të krijuar kushte të përshtatshme të ministrisë. Ministria mbetet e përkushtuar për të arritur objektivat e caktuara të kapitullit 12 të Komisionit Evropian, lidhur me sigurinë ushqimore, politiken veterinare dhe fitosanitare”, tha ministri Peci.

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se ka synim që të krijoj një sistem që krijon siguri dhe mirëqenie të konsumatorëve si dhe të institucioneve.

    “Ky projekt ka për synim që të krijoj një sistem që krijon siguri dhe mirëqenie të konsumatorëve si dhe të institucioneve. Duke garantuar sigurinë e ushqimit Kosova po ndermerren hapa të rëndsishëm drejt harmonizimit të rregullores së BE-së dhe përmirësimit të jetesës për të gjithë qytetarët. Këto objekte do t’i ndihmojnë Kosovës në aspektin bujqësor që të siguroj harmonizimin me standardeve evropiane dhe standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Orav.

  • BE-ja miraton paketën e 15-të të sanksioneve kundër Rusisë

    BE-ja miraton paketën e 15-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Këshilli Evropian ka miratuar paketën e 15-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila ishte rënë dakord më parë në nivelin e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER). Këtë e tha Këshilli Evropian në një deklaratë për shtyp të postuar në faqen e tij të internetit, shkruajnë mediat e huaja.

    “Rusia vazhdon sulmin e saj brutal kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas. Kjo paketë sanksionesh është pjesë e përgjigjes sonë për të dobësuar makinën luftarake të Rusisë dhe atyre që po mundësojnë këtë luftë, duke përfshirë edhe kompanitë kineze. Kjo tregon unitetin e vendeve anëtare të BE-së në vazhdimësinë tonë. Përparësia jonë e menjëhershme është ta vendosim Ukrainën në pozitën më të fortë të mundshme fitojë”, ka thënë përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

    Në veçanti, Këshilli ra dakord për një paketë të rëndësishme prej 84 listash, e cila përbëhet nga 54 persona dhe 30 subjekte përgjegjëse për veprimet që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

    Për sa i përket individëve, BE-ja po sanksionon njësinë ushtarake përgjegjëse për goditjen e spitalit të fëmijëve Okhmadyt në Kiev, menaxherët e lartë në kompanitë kryesore në sektorin e energjisë, individët përgjegjës për deportimin e fëmijëve,… si dhe dy zyrtarë të lartë të DPRK-së.

    Ndërsa për sa i përket subjekteve, BE-ja synonte kryesisht kompanitë ruse të mbrojtjes dhe kompanitë e transportit detar përgjegjës për transportin e naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës nga deti, duke siguruar të ardhura të rëndësishme për qeverinë ruse.

  • ​Gjeorgji, 12 të vdekur nga helmimi me monoksid karboni në një resort skijimi

    ​Gjeorgji, 12 të vdekur nga helmimi me monoksid karboni në një resort skijimi

    Dymbëdhjetë persona kanë vdekur nga helmimi me monoksid karboni në një resort skijimi në Gjeorgji.

    “Trupat e 11 të huajve dhe një shtetasi gjeorgjian u gjetën në një zonë mbi një restorant në Gudauri, vendpushimi më i madh dhe më i lartë i skive në ish-shtetin sovjetik”, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Sipas raportimeve, testet nuk kanë treguar ndonjë gjurmë dhune në trupa duke lënë të nënkuptohet se ishte një aksident.

    Autoritetet gjeorgjiane kanë hapur një hetim për ngjarjen dhe identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur.

    Ndryshe, Gudauri është një destinacion popullor turistik për të apasionuarit pas skijimit, me një sërë aktivitetesh sportive dimërore për vizitorët.

  • ​Dy nga policët e lënduar në veri pritet të lirohen në shtëpi

    ​Dy nga policët e lënduar në veri pritet të lirohen në shtëpi

    Dy nga tre policët e lënduar në një aksident në veri të vendit, të cilët po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pritet të lirohen në shtëpi, ndërkaq trajtimin do të vazhdojë aty njëri nga të lënduarit.

    Kështu ka bërë të ditur ShSKUK përmes një njoftimi në të cilin thuhet se polici i cili do të vazhdojë të qëndrojë i hospitalizuar do t’i nënshtrohet një operacioni.

    “Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim bëhet e ditur se njëri nga policët që është operuar në “në kërcin e gjurit, në Klinikën e Ortopedisë, ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet të lirohet gjatë ditës së nesërme”.

    Ndërkaq rasti tjetër që ka marrë trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale pritet që gjatë ditës të lirohet në shtëpi.

    Aksidenti ndodhi të premten rreth orës 20:00, sipas Policisë së Kosovës.

    Në këtë aksident janë përfshirë drejtuesi i automjetit zyrtar dhe shtatë pjesëtarë të PK-së, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës.

    Dyshohet se drejtuesi i automjetit zyrtar të blinduar ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës./KP

  • Kreu i KE-së: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian

    Kreu i KE-së: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian

    Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

    Sipas tij, është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëjmë. “Në këto kohë të pasigurta, më shumë se kurrë, ne duhet të punojmë së bashku. Mezi pres samitin tonë BE- Ballkani Perëndimor më 18 dhjetor në Bruksel”, ka shkruar Costa në platformën ‘X’.

    Ndryshe liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata nga Ballkani Perëndimor, do të takohet në samitin e radhës, ku do të konfirmojnë sërish angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të shteteve të rajonit në familjen evropiane.

    Kosovën në këtë samit do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani.

  • Amnesty International: BIA dhe policia serbe përdorën ‘spyware’ për të spiunuar gazetarët dhe aktivistët

    Amnesty International: BIA dhe policia serbe përdorën ‘spyware’ për të spiunuar gazetarët dhe aktivistët

    Policia serbe dhe autoritetet e inteligjencës po përdorin spyware të avancuar të telefonave së bashku me produktet të tjera të telefonave celularë për të shënjestruar në mënyrë të paligjshme gazetarë, aktivistë mjedisorë dhe individë të tjerë në një fushatë të fshehtë të mbikëqyrjes, ka zbuluar një raport i ri i Amnesty International.

    Raporti, “Një burg digjital: Mbikëqyrja dhe Shtypja e Shoqërisë Civile në Serbi”, dokumenton se si produktet celulare të prodhuara nga kompania izraelite Cellebrite po përdoren për të nxjerrë të dhëna nga pajisjet celulare që u përkasin gazetarëve dhe aktivistëve.

    “Raporti zbulon gjithashtu se si policia serbe dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë (Bezbedonosno-informativna Agencija – BIA) kanë përdorur një sistem të porositur spyware Android, NoviSpy, për të infektuar fshehurazi pajisjet e individëve gjatë periudhave të ndalimit ose intervistave policore”, thuhet nw raport, raporton KosovaPress.

    “Hetimi ynë zbulon se si autoritetet serbe kanë përdorur teknologjinë e vëzhgimit dhe taktikat e represionit digjital si instrumente të kontrollit dhe represionit më të gjerë shtetëror të drejtuar kundër shoqërisë civile,” tha Dinushika Dissanayake, zëvendës Drejtoresha Rajonale e Amnesty International për Evropën.

    “Ai gjithashtu thekson se si produktet mjekoligjore celulare Cellebrite – të përdorura gjerësisht nga policia dhe shërbimet e inteligjencës në mbarë botën – mund të përbëjnë një rrezik të madh për ata që mbrojnë të drejtat e njeriut, mjedisin dhe lirinë e fjalës, kur përdoren jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes së rreptë ligjore”.

    Si përdoret Cellebrite dhe NoviSpy për të synuar pajisjet

    Cellebrite, një firmë e themeluar dhe me seli në Izrael, por me zyra në mbarë botën, zhvillon paketën e produkteve Cellebrite UFED për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe entitetet qeveritare. Ai mundëson nxjerrjen e të dhënave nga një gamë e gjerë pajisjesh celulare, duke përfshirë disa nga pajisjet më të fundit Android dhe modelet iPhone, edhe pa qasje në kodkalimin e pajisjes.

    Ndërsa teknikisht më pak i avancuar se sa spiuni komercial si Pegasus, NoviSpy – një spyware Android i panjohur më parë – ende u ofron autoriteteve serbe aftësi të gjera mbikëqyrjeje pasi të instalohen në pajisjen e një objektivi.

    NoviSpy mund të kapë të dhëna personale të ndjeshme nga një telefon i synuar dhe të ofrojë aftësi për të ndezur mikrofonin ose kamerën e një telefoni nga distanca, ndërsa mjetet mjekoligjore Cellebrite përdoren për të zhbllokuar telefonin përpara infektimit nga spyware dhe gjithashtu për të lejuar nxjerrjen e të dhënave në një pajisje.