ATV

Category: Lajme

  • ​Gjeti të holla, qytetari i dorëzon në Polici

    ​Gjeti të holla, qytetari i dorëzon në Polici

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetar e ka dorëzuar në Stacionin Policor të Prizrenit një portofol të cilin e kishte gjetur në një qendër tregtare.

    Në portofolin e gjetur nga qytetari E.K kishte dokumente personale, kartela, para të gatshme në vlerë prej 220 euro, tre dollarë amerikanë dhe pesë funta angleze.

    Sipas Policisë së Kosovës, pronari është identifikuar dhe pas verifikimit i është dorëzuar portofoli./KP

  • Hill për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit: Tash për tash nuk ka bazë të drejtohet gishti te dikush

    Hill për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit: Tash për tash nuk ka bazë të drejtohet gishti te dikush

    Për shpërthimin me eksploziv në një zonë të kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok për të cilin qeveria kosovare beson se “është orkestruar nga Serbia”, ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, ka thënë se, tash për tash, ShBA-të “nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush”.

    Christopher Hill në lidhje me sulmin në infrastrukturën jetike – që edhe nga Bashkimi Evropian është dezignuar si terrorist – tha se “është e rëndësishme që të ndodh hetim kredibil” derisa u thirr në, siç tha ai, gatishmërinë (deklarative) të shtetit serb “për të mbështetur hetim serioz”.

    “(Hetim) me pjesëmarrjen e faktorëve ndërkombëtare, amerikanët janë të gatshëm për këtë, mendoj se do të ketë përpjekje që të jetë edhe BE-ja dhe shpresoj që të arrijmë një lloj reztultati. (Shpërthimi) mund të kishte sjellë probleme të mëdha, por fatmirësisht ata ia dolën të rregullojnë gjërat brenda orës, ndërsa brenda disa ditësh gjithçka u normalizua…mirëpo kjo nuk do të thotë se ne s’duhet të përcaktojmë si ndodhi dhe kush është përgjegjës”, ka thënë Hill.

    Duke folur për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, u shpreh “i zhgënjyer” rreth moszbatimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, për të cilin tha se “do të zbatohet me kohë”.

    “Kjo ka qenë dashur të themelohet para 12 viteve, dhe s’është bërë ende. Ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë ai duke shtuar se ShBA “e mbështet atë”.

    “Mendoj se në fund logjika do të mbizotërojë, dhe logjika do të thotë që ky Asociacion të formohet. Jam i zhgënjyer si të gjithë të tjerët se pse nuk është bërë akoma, por nuk shoh arsye pse s’do të bëet në të ardhmen”, shtoi ai në një intervistë për “Euronews Serbia”.

    Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Hill foli për pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje – duke shtuar se “ShBA kurrë s’ka mbështetur bojkotin e zgjedhjeve”.

    “Mendoj se është tejet e rëndësishme që komuniteti serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhje dhe gëzohem që po. Se si do të marrin pjesë, çfarë formacionesh politike ka në Kosovë tash, kjo u mbetet atyre dhe ne duam që të gjithë të marrin pjesë. ShBA kurrë s’ka mbështetur bojkot të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

    Rreth dialogut të fascilituar nga BE, ambasadori Hill tha se ShBA e mbështet plotësisht.

    “Mendoj se duhet të ketë një mekanizëm më të fortë për ta bërë dialogun më të suksesshëm. Mendoj se është e rëndësishme dhe s’ka alternativë tjetër përpos dialogut. Mendoj se duhet të kemi një përpjekje nëse ndërmjetësit mund t’i fuqizohet pushteti. Shumë mendim duhet t’i jepet kësaj”, tha ai.

    “Festat e fundvitit po vijnë, ndër të tjera, në Amerikë po vjen administrata e re, administrata e re në Komisionin Evropian, po afrohen edhe zgjedhjet në Kosovë në shkurt. Ekziston një nevojë e madhe për t’i parë mirë të gjitha këto çështje. Në kontekstin e të gjitha problemeve ndërkombëtare dhe në kuadrin e problemeve që ekzistojnë, kjo çështje duhet të jetë e zgjidhshme. Ne duhet të përpiqemi më shumë”, tha Hill.

  • Bylbyl Sokoli sqaron bashkëpunimin me Hashim Thaçin si këshilltar për sportin

    Bylbyl Sokoli sqaron bashkëpunimin me Hashim Thaçin si këshilltar për sportin

    Trajneri i njohur dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Bylbyl Sokoli, në emisionin COMPASS në ATV, ka folur për kohën kur ka shërbyer si këshilltar për sportin pranë ish-kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2007.

    Sokoli tha se në atë kohë ishte pjesë e një ekipi profesionistësh që përgatitën programin e qeverisjes në fusha të ndryshme.

    “Kam qenë këshilltar për sportin në vitin 2007, si pjesë e një ekipi profesionistësh, ku përfshiheshin Tom Gashi për jurisprudencë, Dukagjin Gorani për ekonomi dhe Ylber Hysa për kulturë. Ne kontribuuam për përpilimin e programit të zgjedhjeve” tha Sokoli.

    Ai shtoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, nuk ishte më pjesë e qeverisë dhe vazhdoi angazhimet e tij si trajner trajner dhe pedagog.

    Intervistën e plotë të Bylbyl Sokolit në emisionin COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Tash kandidat nga VV-ja, Bylbyl Sokoli tregon çka shërbeu dikur në ekipin e Thaçit

    Tash kandidat nga VV-ja, Bylbyl Sokoli tregon çka shërbeu dikur në ekipin e Thaçit

    Ish-futbollisti dhe trajneri, Bylbyl Sokolit, i cili aderoi këtë javë në Lëvizjen Vetëvendosje, ka qenë dikur këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Sokoli ka sqaruar se ka qenë këshilltar i Thaçit për sport në vitin 2007. Ai sqaroi se ka punuar në hartimin e programit zgjedhore dhe se pas zgjedhjeve më pas ka vazhduar në profesionin e tij.

    “Po, ajo ka qenë atëherë në vitin 2007. Kemi qenë një ekip që është përpilu. Për sport kam qenë unë si këshilltar…Ne kemi qenë profesionistë aty dhe kemi dhënë kontributin. Programi ka qenë korrekt…Vetëm kemi hartu programin për zgjedhje dhe kemi vazhdu në profesionet tona. Unë kam vazhdu me ushtru detyrën e pedagogut në universitet dhe kam qenë trajner”, ka deklaruar Sokoli në Compas të ATV.

    Për aderimin e tij ka njoftuar Kryeministri Albin Kurti, ku ka bërë me dije se Sokoli do të jetë kandidat për zgjedhje.

    “Profesor Bylbyl Sokoli ka një kontribut tejet të çmueshëm në zhvillimin e sportit. Përvoja dhe dija profesionale është vlerë e shtuar për qeverisjen tonë të ardhshme që edhe më tej do ta ketë sportin prioritet shtetëror. Nga sot jemi edhe më të fortë në betejën tonë të 9 shkurtit”, ka shkruar Kurti.

  • ​PDK i dërgoi 16 projektligje në kushtetuese, VV “tregon” arsyet

    ​PDK i dërgoi 16 projektligje në kushtetuese, VV “tregon” arsyet

    Pas dorëzimit nga PDK-ja të 16 ligjeve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se kjo po bëhet me qëllim për mbrojtjen e interesave të tyre.

    Ajo në një konferencë për media tha se Kuvendi nuk ka bërë shkelje ligjore me miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar.

    Kusari-Lila ka “treguar” edhe arsyet e dërgimit të ligjeve në Kushtetuese nga partia më e madhe opozitare.

    “Pamë se kjo parti është pozicionuar qartë kundër qytetarëve të Kosovës. Ata çfarë kanë përvetësuar kundërligjshëm duan ta mbrojnë. Prapa çdo ligji, ruhet një interes. Dy herë e kanë kontestuar Këshillin Prokurorial, sepse donin të mbronin njerëzit brenda këshillit. Gjithashtu tashmë e kontestuar Ligjin për Byronë, sepse janë të vetëdijshëm qe kjo pasuri nuk mund të justifikohet”, deklaroi ajo.

    Ajo shtoi se LVV ka bërë dërgimin e ligjeve në Gjykatën e Kushtetuese për të parandaluar një të keqe për vendi.

    Ndryshe, PDK ka proceduar në Kushtetuese ligjet e miratuara në seancën maratonike të Kuvendit të Kosovës më 5 dhjetor.

    Në një konferencë për media shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kishin paralajmëruar t’i dërgojnë 20 projektligje në Kushtetuese, por në konsultim me ekspertët kanë proceduar 16 prej tyre.

    Ai ka thënë se ligji i cili është i kontestuar në këtë rast edhe Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme.

    Ndërsa ka thënë se projektligjet tjera që i kanë dorëzuar sot për procedurë në Gjykatën Kushtetuese janë: Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, ligji për bankat, ligji për inspektoratin qendror për mbikëqyrjen e tregut, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizimit, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për prokurori speciale, ligji për shërbimet e pagesave, ligji për provimin e maturës shtetërore, ligji për lojërat mesdhetare Prishtina 2030. /kp

  • Plenkoviq: Kosova shtet i njohur ndërkombëtarisht është realitet, s’shoh skenar që kjo do të rrënohej

    Plenkoviq: Kosova shtet i njohur ndërkombëtarisht është realitet, s’shoh skenar që kjo do të rrënohej

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kanë dalë në konferencë të përbashkët, ku ka folur për pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e deritanishme.

    Plenkoviq ka thënë se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe një gjë e tillë është realitet, duke shtuar që s’sheh ndonjë skenar që një gjë e tillë të rrënohej.

    “Kosova si shtet është i njohur ndërkombëtarësht është tashmë realitet, nuk shoh ndonjë skenar që kjo do të rrënohej. Tani ajo që është e rëndësishme, është që raportet mes shteteve që kanë lindur nga rrënimi I Ish Jugosllavisë, të rregullohen në mënyrë përmbajtjesore pa konflikte, me respekt të ndërsjellë. Pa këtë, kthehemi në një kohë dhe kontekst tjetër, që jam i bindur që askush s’ka apetit për gjëra të tilla. Mu për këtë, kjo marrëveshje e Brukselit që e përmendi Kurti është kualifikuar në një numër aktorësh dhe kanë thënë se kjo çon në një njohje de-facto.

    Kemi mandatin e ri në BE, kryetarin e ri të Këshillit Evropian dhe kemi marrëdhënie të reja. Këto procese kanë fituar më shumë intensitet dhe besoj që do të ketë përparim, por që s’kemi iluzione që kjo të rregullohet brenda natës, e di dhe kryeministri Kurti. Është me rëndësi që procesi të jetë paqësor dhe që të ketë qasje pragmatike, për këtë qëndrojmë fuqimisht”, ka thënë Plenkoviq.

  • Kurti beson se sulmi në Ibër-Lepenc u orkestrua nga Serbia, kryeministri kroat pret që dialogu të përfundojë me njohje

    Kurti beson se sulmi në Ibër-Lepenc u orkestrua nga Serbia, kryeministri kroat pret që dialogu të përfundojë me njohje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Kroaci, është takuar me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka zhvilluar takim dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku është folur për disa tema, raporton Gazeta Sinjali.

    Ndër të tjera, temë ka qenë edhe siguria dhe konkretisht sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në fund të muajit të kaluar.

    Kurti në fjalën e tij tha se ky sulm ishte i orkestruar nga Serbia, duke shtuar se ndonëse po pritet përfundimi i hetimit, sipas tij përgjegjësit s’janë qytetarë të zakonshëm.

    “Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve. Ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë që një sulm i këtillë vjen i mbështetur dhe orkestuar nga Serbia siç ishte edhe rasti me sulmin në Banjskë apo atë me sulmin e KFOR’it në maj 2023 apo rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq në qershor 2023”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe sulmet e mëhershme ndaj Policisë së Kosovës në veri.

    Kurse kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq, theksoi se të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen me dialogun mes dy shteteve, që siç tha ai, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

    “E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke. Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë i shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.

  • Kriteret diskriminuese e planifikimi i dobët i kontratave cenojnë prokurimin publik

    Kriteret diskriminuese e planifikimi i dobët i kontratave cenojnë prokurimin publik

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Aktivitetet e prokurimit në nivel vendi janë përcjellë me kritere diskriminuese në dosjet e tenderëve, planifikim të dobët të vlerave të kontratave, procedura të negociuara në kundërshtim me kushtet ligjore dhe aneks-kontrata pa u plotësuar kriteret.

    Këto problematika, në fakt, sipas Iniciativës për Progres, ndikojnë negativisht në integritetin e prokurimit publik.
    VOX: ARBËR KABASHI, INPO
    Edhe nëse janë ndjekur të gjitha procedurat gjatë një aktiviteti të prokurimit, problematik po del të jetë menaxhimi i dobët i kontratave të nënshkruara.

    “Ne kemi parë shumë storje në rrjete sociale, por edhe në televizione, e kemi pasur edhe përvoja tona që në një vend të caktuar është shtruar një rrugë teksa pas një jave ajo ka filluar të prishet. Pra këtu kemi të bëjmë me dështim të menaxhimi të asaj kontrate.”, tha Hykmete Bajrami, kryetare e komisionit për mbikëqyrje të financave.

    Për të gjitha këto praktika, Zyra Kombëtare e Audimit ka qenë e njoftuar vazhdimisht.

    “Kemi raporte të veçanta të performancës të cilat trajtojnë fushën e Prokurimit Publik. Shumica e gjetjeve janë gjetje të njohura edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, po ashtu shohim dhe shkaqet e ndodhura në mënyrë që të japim rekomandime dhe të eliminohen ato fusha. Si mekanizëm është mjaft e mirë për të përmirësuar fushën e prokurimit. Edhe Ligji i Prokurimit Publik nuk po arrin të finalizohet dhe të konkretizohet. Janë njerëzit që udhëheqin këtë procedurë, nëse ai ligj nuk zbatohet, do të ketë probleme.”, deklaroi Arben Selimi, specialist i Auditimit.

    Sidoqoftë, në tryezën e organizuar nga INPO, ku u bë publikimi i raportit “Katalizatorët e Korrupsionit” u theksua nevoja për Ligjin e ri të Prokurimit Publik. Raporti që përmend praktikat që cenojnë integritetin e prokurimit, u publikua në kuadër të javës kundër korrupsionit.

  • E mitura që u ther me thikë në një shkollë në Pejë, kjo është gjendja e saj shëndetësore

    E mitura që u ther me thikë në një shkollë në Pejë, kjo është gjendja e saj shëndetësore

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Dy ulëse kanë mbetur të zbrazëta të mërkurën, në klasën 9/1 të shkollës fillore “8 Marsi” në Pejë.

    Njëra nxënëse është e plagosur, pasi një ditë më parë u ther me thikë nga shoku i klasës tjetër, 14 vjeç. Ai ndodhet në mbajtje, i dyshuar për dy vepra penale, “lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    E mitura është jashtë rrezikut për jetë, prandaj qëndroi vetëm një natë në Spitalin e Pejës.

    E gjithë ngjarja ndodhi në orën e Edukatës Fizike, kur shumica e nxënësve ishin në sallën sportive. Ndërsa, motivet nuk dihen ende.

    “Arsimtarja i ka dërgu në sallë, nxënësja me shoqet kanë kërku leje të mësuesi, pasi që shkon këta dy nxënës hynë në klasë, dhe sipas informatave të nxënësve nuk ka pasur konflikt verbal vetëm është ulë. Shkolla ka sigurim në hyrje, veç nëse ka ndonjë rast të dyshimtë, po nuk ka mundësi me u kontrollu të gjithë brenda 20 minutave”, deklaroi drejtoresha e shkollës.

    Ndërsa drejtori i Arsimit, Naser Gega, tregon se do ta suspendojnë nxënësin e dyshuar, i njohur edhe më herë si problematik.

    “Nxënësi ka pasë sjellje jo të hijshme, por jo të kësaj natyre, nxënësi u ndalua, në të njëjtën kohë janë. Tre vajza kanë shku në polici janë intervistu. Kontrollet janë shumë mirë, po ligjërisht nuk kemi të drejtë me i kontrollu nxënësit”, tha Gega.

    Therja me thikë brenda institucionit arsimor i ka shqetësuar prindërit.

    Policia tashmë e ka sekuestruar thikën me të cilën dyshohet se është kryer therja, të martën.

  • “Shembet” një shtëpi në Prishtinë, shtatë të tjera në rrezik

    “Shembet” një shtëpi në Prishtinë, shtatë të tjera në rrezik

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Nga shembja e dheut pësoi vetëm kjo shtëpi, por pa banorë mbetën edhe disa të tjera, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë.

    “Sipas banorëve përreth, të cilët nuk pranuan që të prononcohen para kamerës, familja që jetonte në këtë shtëpi së bashku me familjarët e 7 shtëpive të tjera përreth që rrezikohen të shemben për shkak të rrëshqitjes së dheut, janë larguar prej këtu”.

    Dheu rrëshqiti gjatë gërmimeve që po bëheshin për shtrimin e rrugës A, punimet për të cilën filluan në prill të vitit të kaluar.

    Familjeve të shpërngulura, Komuna e Prishtinës u ka garantuar mbulim financiar për banimin me qira, por vetëm për tre muajt e ardhshëm.

    “Drejtoritë kompetente kanë qenë në vendin e ngjarjes, kanë marrë shënimet e përgatitura, procesverbalin zyrtar dhe mbi bazën e gjetjeve dhe analizës profesionale nga zyrtarët përkatës do të intervenojnë për sanim të gjendjes dhe vazhdim të punimeve pa ndonjë pengesë”, thanw nga Komuna e Prishtinws.

    Pavarësisht se gjetjet e drejtorive nuk janë shqyrtuar ende, puna vazhdonte si zakonisht. Të mërkurën u panë makineri që vazhdonin gërmimet për shtrimin e rrugës A.
    Mospezullimi i punimeve dhe gërmimi i tokës deri në afërsi të shtëpive, sipas ekspertëve të ndërtimit Driton Tafallari, nuk është korrekte.

    Andaj, që të evitohet ndonjë rrezik tjetër eventual, po kërkohet ndërhyrje urgjente.

    Realizimi i projektit për rrugën A kap shifrën prej rreth 22 milionë euro – 45 për qind financohet nga komuna e Prishtinës, kurse 55 për qind nga Ministria e Infrastrukturës.