ATV

Category: Lajme

  • As shitje e as përdorim të mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor

    As shitje e as përdorim të mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Krismat nga mjetet piroteknike para festave të funditvitit, mund të mos dëgjohen. Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të ndalojë përdorimin e tyre, para datës 26 dhjetor.

    Për ata që nuk e respektojnë vendimin parashihen edhe gjoba.

    Kushdo që përdor mjetet piroteknike para datës së caktuar nga Ministria mund të gjobitet nga 200 deri në 500. Ndërkaq për ata që i shesin fishekzjarret para kësaj date parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

    Pas vendimit të ministrisë, komunat kanë filluar të planifikojnë vendin se ku do t’i shesin.

    “Puna e lokacionit do të vendoset dhe së bashku me inspektoratin gjithmonë është caktu lokacioni i përshtatshëm, ndërsa në vende të tjera është ndalu. Inspektorati ka qenë në plotëni respektimit të vendimit edhe pavarësisht numrit të vogël, do tí dalin në krye këtij vendimi”, tha Selim Marevci, zyrtar për media në Komunën e Ferizajt.

    “Qytetarët nuk e mirëpresin veç ligji duhet me u respektua edhe udhëzimi gjithashtu”, tha Naim Miftari, drejtor i Shërbimeve Publike në Obiliq.

    Komunat madje kanë edhe rregullore të veta lidhur me përdorimin e mjeteve pirroteknike.

    “Ndalohet ndezja në vende publike rrugë trotuare sheshe, kjo urdhërese vlenë nga data 20 deri në 3 janar”, tha Mirjeta Duraku, zyrtare për informim në Vushtrri.

    Shtijen e tyre në hapësira publike nuk do ta lejojë as komuna e Gjilanit.
    Madje për të gjithë shkelsit gjoba pritet të jetë 100 euro.

    Deri më 6 dhjetor të këtij viti Kosova importoi mbi 476 mijë kilogramë mjete piroteknike vlera e të cilave llogaritet të jetë rreth mbi 870 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Blloku B1 në “Termocentralin Kosova B“ serish jashtë funksionit

    Blloku B1 në “Termocentralin Kosova B“ serish jashtë funksionit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Blloku B1 në termocentralin “Kosova B”, nuk prodhoi energji as këtë të martë.

    I njëjti doli nga funksioni një ditë më parë për shkak të rrjedhës së ujit në kaldajë.

    Nga KEK-u konfirmuan për ATV-në se ndalesa ishte e domosdoshme për të mbrojtur pajisjet.

    “KEK aktualisht po operon me dy njësi të TC Kosova A dhe një njësi të TC Kosova B. Në lidhje me ndalimin e njësisë B1, dëshirojmë t’ju informojmë se ndalesa ka ndodhur dje, rreth orës 12:15, për shkak të eliminimit të defekteve të paraqitura në kaldajë (rrjedhjeve të ujit). Ky proces ka qenë i domosdoshëm për mbrojtjen e pajisjeve dhe për të siguruar kushte optimale për operimin e njësisë”, i tha ATV-së, Skender Bucolli, zëdhënës në KEK.

    Dhe kjo nuk është hera e parë që kjo njësi del nga prodhimi.

    Megjithatë nga KEK-u njoftuan se njësia do të kthehet në prodhim të mërkurën.
    Veçse për aq sa zgjatë, rryma duhet të blihet.

    Sipas Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, vetëm në këtë gjysmë muaji, janë importuar gati sa është blerë gjatë tërë muaji të kaluar, apo mesatarisht 1.5 milionë euro në ditë.

    “Importi i realizuar nga KESCO gjatë muajit nëntor është afro 30 milionë euro, ndërkaq importi i realizuar për periudhën 1 – 17 dhjetor, është mbi 26 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.

    Kësisoj vetëm për një muaj e gjysmë shteti bleu rrymë në vlerë prej 56 milionë euro.

    Andaj marrë parasysh koston e lartë të importit, njohës të energjisë thonë se investimet në termocentrale janë të domosdoshme.

    Investimet në fakt do të duheshin të ishin kryer, nëse do t’iu përmbaheshin afateve të caktuara në strategjinë e energjisë që parashihen investime afro 200 milionë euro.

    E si shkak i vjetërsisë dhe mosinvestimeve, të dyja termocentralet, ajo KOSOVA A dhe KOSOVA B patën ndërprerje të prodhimit disa herë muajve të fundit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë shënon një vjetorin

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë shënon një vjetorin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga 67 burime të ndryshme, brenda një viti Instituti i Kosovës për Krime lufte arriti të grumbullojë video, audio e fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Rreth 15 terabit material digjital është siguruar, ani pse sipas Drejtorit të këtij instituti grumbullimi i tyre qe i vështirë. Sfidë paraqiti edhe verifikimi i materialit dhe identifikimi i dëshmitarëve.

    Duke folur për rëndësinë e këtyre materialeve dhe drejtësinë e mohuar deri më tani për viktimat, kryeministri, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për glorifikim të dhunës dhe mohim të gjenocidit.

    Pasi Kurti e Hetemi përfunduan fjalimet e tyre, mediat u desh të largoheshin nga salla.

    Më 13 korrik të vitit të kaluar Kuvendi për herë të dytë miratoi Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

    Për herë të parë ishte themeluar në vitin 2011, por jetëgjatësia e tij në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës ishte vetëm shtatë vjet, pasi në vitin 2018 u mbyll.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • ASK-ja me raport të veçantë rreth të dhënave të dëmeve të luftës

    ASK-ja me raport të veçantë rreth të dhënave të dëmeve të luftës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me një raport të veçantë, Agjencia e Statistikave të Kosovës, do t’i paraqesë të dhënat për dëmet e luftës, të cilat janë grumbulluar në kuadër të regjistrimit të popullsisë.

    Pak detaje për këtë çështje do të bëhen publike të enjten së bashku me të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

    “Është një raport i veçantë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt sepse ka një impakt të madh, aty ka pyetje dhe nënë pyetje, raport do të publikohet në pranverë të viti të ardhshëm”, tha kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati.

    Sipas kryeshefit të Agjencisë së Statistikave para se të publikohen të dhënat zyrtare për “dëmet e luftës” ato duhet të verifikohen.

    “Na duhet pak më shumë kohë për më kuptuar të dhënat e sakta, sepse ne e dimë që jo gjithë qytetarët e kanë thënë të vërtetën në për sa i përket dëmeve të luftës”, tha Kastrati.
    Mirëpo, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e vlerëson të dështuar, përpjekën e ASK-së për t’i llogaritur dëmet e luftës 25 vjet pas përfundimit të saj.

    Megjithatë dëmet materiale që iu shkaktuan Kosovës në luftën gjatë viteve 1998-99, llogariten se kapin vlerën e mbi 20 miliardë eurove.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

    Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se sot në Bruksel në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky Komision ka thekson se është një hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “Pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tone”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.

    “Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Në fund thuhet se: “Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën”.

    Nga lufta në Kosovë janë më shumë se 1 mijë e 600 persona të zhdukur.

  • Shala e Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari

    Shala e Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, dy ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengim, sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Tani seanca ku do të shqyrtohen marrëveshjet për pranimin e fajësisë do të mbahet të mërkurën më 18 dhjetor.

    Ata do të pyeten nëse i kanë diskutuar pranimin e fajësisë me mbrojtësit, nëse e kanë lidhur marrëveshjen me vullnet të lirë dhe se a e kuptojnë që me aprovimin e marrëveshjes gjykimi nuk vazhdon si gjykim i rregullt.

    “Trupi gjykues do t’ia japë mundësinë z. Shala dhe z. Januzi, nëse dëshirojnë, që të japin deklarata lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, përfshirë këtu çështjen e fajësisë dhe dënimit”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

    Në vendim gjithashtu thuhet se edhe Ismet Bahtijari do ta pranojë fajësinë.

    Aktakuza e ngritur në tetor 2023, i ngarkon Shalën dhe Januzin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi. Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023.

    Sipas dispozitave ligjore, dënimi për veprën frikësim gjatë procedurës penale mund të jetë nga 2 vjet deri në 10 vjet burgim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Thaçi përsërit se nuk ka ambicie politike, akuzën e re e ndërlidh me zgjedhjet në Kosovë

    Thaçi përsërit se nuk ka ambicie politike, akuzën e re e ndërlidh me zgjedhjet në Kosovë

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-presidenti, Hashim Thaçi as në seancën e 17 dhjetorit nuk është deklaruar për akuzat e reja që rëndojnë mbi të dhe të tjerët, për pengim të drejtësisë.
    Mirëpo, ai theksoi se nuk ka asnjë ambicie politike, për asnjë pozitë publike, duke e ndërlidhur aktakuzën me kohën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

    Pasi kërkoi nga gjykata që të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, shtoi se aktakuza para katër vitesh iu ngrit pikërisht dy muaj para se të rizgjidhej president.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar planifikon t’i thërras tre dëshmitarë të paktën, përfshirë atë në dëshminë e së cilit e ka mbështetur aktakuzën.

    Ndërkohë mbrojtja ka kërkuar qasje në prova nga ZPS-ja, të cilën e urdhëroi gjykata që t’ju ofrojë çdo provë shfajësuese.

    “Do të nxjerrim informacione vetëm ato që janë të nevojshme dhe parashihen me rregulla, do të kontaktojmë më avokatë sa I përket edhe telefonave, ne kur të vijë momenti I përshtatshëm do të japim shpjegimet e nevojshme avokatëve”, tha Joshua Hafetz, prokuror.

    Megjithatë avokatët kanë kundërshtuar planin e ZPS-së për fshirjen e materialeve që ky institucion i konsideron të panevojshme për procesin.

    “Dokumenti 69 sa i takon provave, për Smakajn është i redaktuar, në veçanti ato që janë sekuestruar në shtëpinë e tij, mbrojtja s’mund të bëjë asgjë që të vazhdoj me përgatitjet e veta”, tha Bes Martenes, avokat i Bashkim Smakajt.

    Thaçi po akuzohet së bashku me, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.

    Thaçi e Smakaj nuk janë deklaruar ende lidhur me fajësinë, dhe sipas gjykatës kanë kohë deri më 7 janar të vitit të ardhshëm.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Shqipëria hap grupkapitullin e gjashtë të negociatave me BE-në

    Shqipëria hap grupkapitullin e gjashtë të negociatave me BE-në

    Përgatiti: Bleta Gashi

    Shqipëria hapi të martën grupkapitullin e gjashtë të negociatave me BE-në, i cili përfshin Kapitullin 30 për marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitullin 31 për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.

    Duke folur pas konferencës së tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kryeministri Edi Rama, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE duhet të mbyllet brenda kësaj dekade.

    “Nuk ka dyshim në mendjen tonë se një Evropë me Ballkanin Perëndimor, do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë më e sigurt. Ndaj ambicia jonë nuk është sekret dhe duam të sigurohemi se i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027, dhe me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade”, tha Rama.

    Ai tha se Shqipëria ka shumë punë para, por nënvizoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor do e bënte Bashkimin Evropian më të fortë.

    “Është një dhuratë për ne që jetojmë në mes të Evropës, që ne ta shohim të ardhmen në Bashkimin Evropian, prandaj ne duam të bëjmë sa më mirë që të jetë e mundur dhe besoj të gjithë ne shpresojmë ta bëjmë Shqipërinë Evropën e Ballkanit Perëndimor, sepse jemi mirë të pozicionuar për ta bërë këtë”, tha Rama.

    Peter Szijjarto, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian tha se Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer në 6 muajt e fundit krahasuar me 15 vitet e kaluara.

    “Dy grup kapituj janë hapur dhe kjo shpejtësi është e paprecedentë. Pra më shumë ka ndodhur nw 2 muajt e fundit se në 15 vjet. Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer për të 6 kapitujt që do jenë grupkapituj dhe sot po e hapim këtë grup kapitull në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara”, tha Szijjarto.

    Edhe Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi rëndësinë e hapjes së grupkapitullit të gjashtë për marrëdhëniet me jashtë, duke e cilësuar si një moment kyç në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

    Pas shumë vjetwsh pritjeje, më 15 tetor Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

    Tirana ishte ndarë nga pakoja me Maqedoninë e Veriut, ku për një periudhë disa vjeçare vendimet ishin marrë për të dy vendet njëkohësisht.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • BE-ja s’lëviz për masat, “heqja graduale, paralel me hapa të mëtejmë nga Kosova”

    BE-ja s’lëviz për masat, “heqja graduale, paralel me hapa të mëtejmë nga Kosova”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova duhet të bëjë ende punë për të bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

    Në mbledhjen e parë me përbërjen e re institucionale, Këshilli për Çështje të Përgjithshme qartësoi pozicionin në konkluzionet për zgjerim.

    “Në përputhje me deklaratën e 3 Qershorit 2023 të Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja ka zbatuar masa të kthyeshme ndaj Kosovës. BE-ja do t’i heqë gradualisht këto masa, paralelisht me hapat e mëtejmë nga Kosova për të ulur tensionet në veri. Këshilli do të mbetet në shqyrtim të këtyre çështjeve”, thuhet në konkluzionet e Këshillit Evropian.

    Këshilli doli me këtë qëndrim përkundër raportit të ish-Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell, nga muaji Qershor, për heqje graduale të masave si rezultat i shtensionimit të situatës dhe përmbushjes së kërkesave nga Kosova.

    Krahas thirrjes për zbatim të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtojcës, Këshilli kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare në pajtim me ligjin ndërkombëtar.
    Mes tjerash nga Kosova kërkohen veprime për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa nga Serbia njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës.

    Këshilli shprehet “thellësisht i shqetësuar për situatën në veri”, teksa kërkon nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese, duke theksuar se dialogu është platforma për zgjidhjen e çështjeve.

    Krahas dënimit të sulmeve në Banjskë vitin e kaluar dhe atij në kanalin e Ibër Lepencit këtë vit, Këshilli theksoi nevojën që autorët të mbahen përgjegjës.

    Po ashtu, shtetet anëtare kërkuan mundësimin e ri-integrimit të gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe personelit tjetër nga komuniteti serb në institucionet e Kosovës, bazuar në marrëveshjet e Brukselit dhe kornizën ligjore të Kosovës.

    Mes tjerash, Këshilli njeh si të arritura të Kosovës çështjen e targave, energjisë në veri, zhbllokimin e CEFTA-s dhe rreshtimin me BE-në në qëndrimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Dialogu, ka pajtim për komisionin e përbashkët për të zhdukurit

    Dialogu, ka pajtim për komisionin e përbashkët për të zhdukurit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur, e arritur më 2 Maj të vitit të kaluar, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, mund të nis zbatimin në fillim të 2025-tës.

    Në atë që u tha se ishte takimi i fundit trepalësh nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm, Miroslav Lajcak, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, u pajtuan për tejkalimin ngërçit lidhur me komisionin e përbashkët.

    Por, ky ishte rezultati i vetëm konkret nga ky takim – ne të cilin sipas Bislimit, emisari Lajcak dënoi sulmin në Ibër Lepenc.

    Në diskutimet dypalëshe me Përfaqësuesin e BE-së, Bislimi tha se shprehu një varg pakënaqësish sikur për mos-aktizimin e linjave të interkonjeksionit apo pengesat institucionale për bujqit shqiptarë në Serbi.

    Ndërsa, temë tha se ishte edhe çështja e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, përkatësisht hapja e disa pikave kufitare me Serbinë, mes tjerash në Zveçan dhe në Kamenicë.

    Rundi i kaluar i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh ishte mbajtur më 23 Tetor.

    Mandati i zgjatur i Miroslav Lajcak, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, përfundon më 31 Janar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: