ATV

Category: Lajme

  • Ministria e Financave fut në funksion një shërbim të ri në “E-Kosova” për punëtorët dhe punëdhënësit

    Ministria e Financave fut në funksion një shërbim të ri në “E-Kosova” për punëtorët dhe punëdhënësit

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lansuar platformën elektronike “E-Kosova” përmes së cilës punëtorët dhe punëdhënësit mund të trajnohen në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Sipas njoftimit, deri tani, shumë punëdhënës kanë hasur vështirësi duke paguar kosto të larta për hartimin e dokumenteve të vlerësimit të rrezikut në vendin e punës.

    “Ndërsa, tash e tutje, përmes këtyre trajnimeve, punëdhënësit do të mësojnë të identifikojnë, të vlerësojnë rreziqet në kompanitë me rrezik të ulët si dhe të hartojnë dokumentin për vlerësimin e rrezikut. Për më tepër, ata do të trajnohen për të reaguar në situata emergjente si zjarri, puna në lartësi, dhe rreziqe të tjera që mund të kërcënojnë sigurinë e punëtorëve”, thuhet në komunikatë.

    Në anën tjetër, sipas MFTP-së punëtorët do të trajnohen si të reagojnë në situata të ndryshme rreziku për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre dhe të personave tjerë që kanë përreth.

    “Këto trajnime janë mundësuar me mbështetje teknike nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës dhe aktualisht janë në fazën e pilotimit”, thuhet në komunikatë.

    Në fund thuhet po ashtu se punëdhënësit dhe punëtorët në kompani me rrezik të ulët mund të trajnohen përmes vjegëzave të mëposhtme në pesë module të veçanta.

    “Pas përfundimit me sukses të trajnimit, të trajnuarit pajisen me certifikatë e cila mund të ruhet në dosjen e punëdhënësit”, thuhet në njoftim.

  • Sfidat e rrezikshme për fëmijë, Policia apel për kujdes në përdorimin e TikTok-ut

    Sfidat e rrezikshme për fëmijë, Policia apel për kujdes në përdorimin e TikTok-ut

    Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes në përdorimin e platformës TikTok ku kohëve të fundit po realizohen sfida të rrezikshme për të rinjtë dhe fëmijët.

    Nëpërmjet një postimi në Facebook, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim që të raportojnë në rast se hasin në sfida të tilla, në mënyrë që të parandalohen pasojat të cilat mund të shkaktohen nga realizimi i tyre.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, në veçanti ndaj platformës TikTok, në të cilën kohe pas kohe publikohen sfida të ndryshme për të rinjtë/fëmijë, e të cilat nëse provohen mund të shkaktojnë pasoja në shëndetin dhe jetën e tyre. Policia e Kosovës po ashtu u bënë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që të raportojnë në Policinë e Kosovës në rast se hasin në sfida të tilla, në mënyrë që të parandalohen pasojat të cilat mund të shkaktohen nga realizimi i tyre”.

    “Të dashur fëmijë dhe prindër, kujdesi në botën virtuale është po aq i rëndësishëm sa ai në jetën reale. Mos u mashtroni nga ajo që shihni në rrjetet sociale dhe mos bëni pjesë në lojëra që rrezikojnë jetën. Bisedoni hapur me prindërit dhe mësuesit tuaj – vetëm së bashku mund të mbrojmë veten dhe të tjerët”, thotë policia.

  • Sot pritet të zhvillohet takimi trepalësh mes Bislimit dhe Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së

    Sot pritet të zhvillohet takimi trepalësh mes Bislimit dhe Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së

    Bashkimi Evropian ka caktuar ditën e sotme si datë takimi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Sot pritet të ketë edhe një takim trepalësh.

    Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në ora 15:00 pritet të nisë takimi mes kryenegociatorëve nga Kosova e Serbia, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së.

    Takimi i fundit në Bruksel ishte ai i 24 tetorit, mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryenegociatori Besnik Bislimi kishte thënë se rezultoi pa sukses për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Bislimi në takim kishte përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.

    Sipas Qeverisë, në takimin bilateral ishin trajtuar një mori temash, ndërsa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

    Për takimin e 24 tetorit, emisari sllovak, Miroslav Lajçak kishte thënë se “nuk pati hapa përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes”, por që ishte “optimist për disa çështje të tjera”.

  • Tre të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Wisconsin

    Tre të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Wisconsin

    Tre persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat në një shkollë private në Medison, të shtetit Wisconsin. Ngjarja u regjistrua para se nxënësit të marrin pushimet me rastin e festave të fundvitit. Policia tha se nxënësi që hapi zjarr ishte në mesin e të vdekurve. Të shtënat ndodhën në shkollën e krishterë “Abundant Life” në kryeqytet, njoftoi policia.

    Emrat dhe mosha e viktimave nuk u bënë me dije, por shefi i policisë së Madisonit, Shon Barnes tha se mes të vrarëve ishte një “person i mitur”.

    Zoti Barnes tha se oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje nuk qëlluan me armë. Autori ka të ngjarë të jetë vetëvrarë, shtoi ai.

    Autoritetet thanë se nuk dihen ende shkaqet që mund të kenë çuar autorin në kryerjen e aktit, por njoftuan se po bëhen hetime të hollësishme.

    Shefi i policisë Shon Barnes theksoi se nuk do të jepej informacion mbi autorin, përfshirë emrin dhe gjininë.

    Sipas tij, të vrarë mbetën një mësues dhe një nxënës. 6 nxënës të tjerë, sipas autoriteteve po marrin trajtim spitalor, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

    Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se Presidenti Joe Biden është informuar për të shtënat dhe zyrtarët ishin në kontakt me autoritetet lokale për të ofruar mbështetje.

    “Po lutemi për fëmijët, mësuesit dhe të gjithë komunitetin e shkollës ‘Abundant Life’, ndërsa presim më shumë informacion dhe u jemi mirënjohës ekipeve të emergjencave që reaguan me shpejtësi”, tha në një deklaratë guvernatori i shtetit Wisconsin, Tony Evers.

    Shkolla e krishterë “Bundant Life Life” ka rreth 390 nxënës, duke filluar që nga niveli parashkollor dhe deri në vitet e shkollës së mesme, sipas faqes së saj të internetit. VOA

  • Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj tjerë

    Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj tjerë

    Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët akuzohen së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.

    Në dy vendimet e 13 dhjetorit 2024, thuhet se paneli ka arritur në përfundim se nuk ka informacione të mjaftueshme që e justifikojnë dyshimet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen. Megjithatë, sipas tyre, ekziston rreziku se ata mund të pengojnë procedurat si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së ose edhe ndaj dëshmitarëve.

    Sipas vendimit, ZPS-ja kishte argumentuar se asnjë nga rreziqet nuk mund të menaxhohen më mirë sesa në objektin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ata kanë parashtruar se sjellja e Veselit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato. Njëjtë thuhet edhe në vendimin për Thaçin.

    “Me referencë në gjetjen e mëparshme të Panelit, ZPS argumenton se ndalimi i Z. Veseli mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, veçanërisht në dritën e përparimit të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin, e njësoj përshkruhet edhe në atë për Thaçin.

    Si rrjedhojë, edhe paneli ka arritur në përfundim se vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Thaçit dhe Veselit është i arsyeshëm.

    “Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ende ekzistojnë rreziqe për pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera, të cilat nuk mund të menaxhohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme, Paneli arrin në përfundimin se ndalimi i Z. Veseli për një periudhë të mëtejshme dy mujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të rastit”, thuhet në vendimin për Veselin, ashtu sikurse edhe për Thaçin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kurti: Gjatë këtij viti u grumbulluan rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në prezantimin e raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ai ka thënë se Serbia është duke vazhduar që të mos kërkoj falje për krimet që ka bërë.

    “Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet, të zhdukurit. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit  arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, tha Kurti.

    Kurti tha se këto materiale po grumbullohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe gjeneratave të ardhshme, siç tha ai “për një periudhë të errët që kaluam”.

    Kryeministri Kuti tha Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të grumbulluar dhe sistemuar materialet që dëshmojnë krimet ndaj popullatës civile.

    Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit tha se raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.

    “Që nga themelimi i Institutit kemi ndjekur një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.

  • Brenda dhjetë muajve, një mijë e 408 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Brenda dhjetë muajve, një mijë e 408 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Gjatë dhjetë muajve nga janari deri në tetor, 1 mijë e 408 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në muajin janar të këtij viti. Gjatë këtij muaji 155 çifte i kanë dhënë fund martesës ës tyre. Pasuar nga shkurti me 151 shkurorëzime. Në mars janë regjistruar 149 raste të shkurorëzimeve.

    Në muajin prill numri i shkurorëzimeve ka pësuar një rënie të lehtë, pasi që gjatë këtij muaji 114 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre. Ndërsa në maj ka pasur sërish rritje të numrit të shkurorëzimeve dhe se numri i tyre ka shkuar në 138 raste. Në qershor janë regjistruar 118 raste të shkurorëzimeve, në korrik 142 raste, në gusht 136 raste, në shtator 152 dhe tetori me 153 raste të shkurorëzimeve.

    Sa u përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin tetor sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar gjithsej 153 raste.

  • Maqedonci: Kosova do të prodhojë armë edhe për eksport

    Maqedonci: Kosova do të prodhojë armë edhe për eksport

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka dhënë disa detaje rreth marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë, ku qeveria nënshkroi të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.

    Maqedonci tha se fokusi i marrëveshjes ka qenë fabrika e municionit, sipas tij kjo do të bëhet me financim nga qeveria e Kosovës, ndërsa pajisjet do të sigurohen nga shteti turk.

    “Ne kemi nënshkruar kontratën dhe pas nënshkrimit fillon edhe puna për funksionalizimin e kësaj fabrike. Do të jetë një ndërmarrje publike që do të menaxhojë komplet fabrikën dhe qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municione 5.56 dhe 7.62, municione këto që përdoren nga njësitë e hetuesërisë dhe njësitë ushtarake dhe që janë municionet që më së shumti shpenzohen edhe gjatë operacioneve por edhe gjatë trajnimeve”, tha Maqedonci për Euronews.

    Ai theksoi se prodhimi nuk do të bëhet vetëm për furnizimin e institucioneve vendore por edhe për eksport.

  • Orav: Synojmë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së

    Orav: Synojmë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se për synim kanë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së. Këtë zotim e ka bërë pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori Orav, ka shtuar se janë takuar me kryetarin Rama për të diskutuar për problemet dhe sfidat e Kryeqytetit.

    “Ishte e mirëpritur të bisedoja me Kryetarin e Komunës dhe gjithashtu me ekipin e tij, për të mësuar më shumë rreth Prishtinës, rreth problemeve, rreth sfidave dhe për të mësuar gjithashtu se si BE-ja dhe komuna mund të punojnë më ngushtë së bashku. Sepse synimi është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe nuk është vetëm qeveria me të cilën po punojmë, por po punojmë edhe me të gjitha komunat. BE-ja është donatori më i madh këtu në Kosovë. Ka shumë projekte të BE-së që janë duke u zhvilluar. Ka shumë projekte edhe në plan dhe shpresoj shumë që të mund të vazhdojmë punën tonë në fusha si arsimi, shëndetësia, menaxhimi i mbeturinave, bashkëpunimi me të rinjtë, me ndihmën e BE-së”, ka thënë ai.

    Kryetari Rama ka thënë se komuna ka bërë hapa në përmirësimin e infrastrukturës, arsimit shëndetësi e sektorë e tjerë në kryeqytet.

    Ai ka shtuar se kanë bërë hapa për ti përmbushur të gjitha detyrat të cilat na janë dhenë nga komuniteti Evropian.

    “Diskutuam mbi sfidat që i kemi si kryeqytet dhe mundësit për bashkëpunim dhe investime tash ne muzeun, sallën koncentrale, pra mënyra se si mund ti tejkalojmë problemet e tanishme. Në mënyrë që të krijojmë hapësira të mirëfillta edhe të komunitete të artit, kulturës, për arsim, shëndetësi edhe për sfera të ndryshme në kryeqytet. I tregova se kemi bërë hapa të mëdhenj në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e po ashtu edhe në investime në qytetin e mençur. Ne kemi bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat të cilat na janë dhënë nga komuniteti evropian”, ka thënë ai.

  • Prokuroria në Hagë: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë se e frikësuan një dëshmitar

    Prokuroria në Hagë: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë se e frikësuan një dëshmitar

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar të martën se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, në marrëveshje për pranimin e fajësisë me këtë zyrë.

    “Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

    Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se “arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.

    Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024.

    Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Prokuroria në Hagë e ka ngarkuar Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

    Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

    Prokuroria, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte propozuar që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohej me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.

    Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë./REL