ATV

Category: Lajme

  • Ministri Peci njofton edhe për 14 milionë euro shtesë për bujqësinë

    Ministri Peci njofton edhe për 14 milionë euro shtesë për bujqësinë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se në kohën kur e ka marrë drejtimin e kësaj ministrie e kishte gjetur të zhytur në borxh prej 41 milionë euro.

    Ndërsa, pasardhësit në Ministrinë e Bujqësisë, ai ka bërë të ditur se do t’ia dorëzoj ministrinë me 110 milionë euro në dispozicion, raporton Ekonomia Online.

    “Me marrjen e mandatit si Ministër i Bujqësisë, jam përballur me vështirësinë nr. 1 e që ka qenë buxheti i disponueshëm në vlerën 0 euro, ndërsa borxhet e obligimet e lëna nga parardhësit tejkalonin vlerën e 40 milionë eurove. Viti 2022, ka qenë viti i parë ku është shpaguar për së pari herë në tërësi djersa dhe mundi i fermerit”, ka thënë ministri Peci.

    Ai ka shkruar se kjo ka pasuar edhe gjatë vitit 2023 me 0 borxhe ndaj fermerëve, si dhe sipas tij do të përmbyllet suksesshëm edhe për vitin 2024, po ashtu me 0 borxhe ndaj fermerëve në kategorinë e pagesave direkte-subvencioneve.

    “Unë kam patur fat sfidues që në vitin 2021 t’i trashëgoj mbi 40 milionë euro borxhe, obligime e detyrime mirëpo ndihem krenar që si rezultat i përkushtimit dhe menaxhimi të përgjegjshëm të financave publike, Ministri i Ardhshëm i Bujqësisë në vitin 2025, nuk do të trashëgojë obligime mirëpo do t’i ketë në dispozicion 110 milionë euro buxhet. Nga këto, 90 milionë euro janë buxhet nacional, ndërsa 20 milionë euro të siguruar nga donatorët e organizatat ndërkombëtare”, ka theksuar Peci.

    Ai ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave Hekuran Murati për mbështetjen e vazhdueshme karshi sektorit të bujqësisë.

    “Nga borxhet, korrupsioni dhe zhvatja tek mundësitë, transparenca dhe mundësitë e barabarta!”, ka përfunduar mesazhin e tij ministri Peci.

  • ​Kurti: Sulmi në Iber-Lepenc na bëri me dije të forcohemi në aspektin energjetik

    ​Kurti: Sulmi në Iber-Lepenc na bëri me dije të forcohemi në aspektin energjetik

    Për herë të parë në Kosovë sot është hapur ankandi i parë i erës me një kapacitet prej 100 MW. Ky ankand është hapur nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare si dhe USAID.

    Gjatë ceremonisë hapëse të këtij ankandi u tha se Kosova po tregon se është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se këtë vit të suksesshëm në sektorin energjetik po e përmbyllin me hapjen e ankandit të parë të erës. Sipas tij, rritja ekonomike në vend duhet të shoqërohet me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike.

    “Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejt në rajon me rritje të Bruto Produktit Vendor prej 6.36 për qind mesatarisht tri vitet e fundit 2021-2023. Sot në krahasim me fillimin e mandatit tonë qeverisës kemi dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte… Kjo rritje ekonomike duhet të shoqërohet edhe me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike, në politikat e energjisë si në çdo vendim të qeverisë tonë jemi përkushtuar për një Kosovë e cila teksa rritet e zhvillohet nga parimi i drejtësisë, drejtësisë ekonomike, drejtësisë shoqërore dhe mjedisore”, deklaroi kryeministri Kurti.

    Kryeministri, Kurti u shpreh se sulmi ndaj infrastrukturës në kanalin e Iber-Lepencit dëshmoi se Kosova duhet të forcohet në aspektin energjetik.

    Kurti tha se Kosova është me fat se ka kapacitete të mëdha për energji të ripërtritshme e veçanërisht për atë të erës.

    “Edhe tash para këtij ankandi që po e lansojmë u përballëm me një rikujtim të ngjashëm, sulmi kinetik ndaj infrastrukturën kritike në kanalin Iber-Lepenc për furnizim me ujë dhe energji na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes dhe jetës sonë. Andaj diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtritshme nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit energjetik dhe ekonomik, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës. Këtu jemi me fat Kosova ka kapacitet të madh për energji të ripërtritshme me rrezatim të bollshëm për energji të diellit dhe erërat të forta në malet tona për energji të erës”, theksoi Kurti.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se Kosova ka kapacitete që mundësojnë prodhimin e energjisë me erë. Ajo garantoi një garë transparente, ku siç tha ajo përfituesi kryesor do të jetë qytetari i Kosovës.

    “Kërkesa jonë për energji që është veçanërisht në orët e mbrëmjes dhe veçanërisht gjatë muajve të ftohtë përkojnë shumë mirë me profilin e prodhimit të energjisë nga era. Andaj, ky lloj projekti është veçanërisht i rëndësishëm për gjenerimin dhe ekonominë tonë… Sot po e lansojmë fazën e parakualifikimit të ankandit të erës e cila do të pasoj nga faza e ofertave financiare. Që nga sot e deri në përzgjedhjen e ofertuesit me çmim më të ulët kemi përpara një garë mes kompanive të kualifikuara e të motivuara për investime domethënëse në Kosovë. Këtë garë zotohemi ta udhëheqim në mënyrë të drejtë e transparente siç kemi bërë edhe në ankandin e parë në mënyrë që të sigurohemi që pavarësisht se cili do të jetë konzorciumi që përzgjedhjet përfundimisht për ndërtimin e parkut të erës, fituesi më i madh përfundimisht të jetë qytetari i Kosovës me çmim të përballueshëm, energji të pastër, energji të sigurt dhe përballueshmëri”, tha ministrja Rizvanolli.

    Zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Martthias Conrad u shpreh se Kosova po tregon që është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

    Ai tha po ashtu se shteti gjerman e ka mbështetur këtë projekt me 800 mijë dollarë.

    “Ky është një hap i madh për të krijuar një të ardhme miqësore për dy arsye, e para 100 MË është një sasi domethënë e prodhimit dhe energjisë së pastër dhe kjo e ndryshon këtë përzierjen e prodhimit të energjisë në Kosovë dhe kjo tregon se Kosova e gatshme të kaloj nga prodhimi i energjisë të ndotur në energji të pastër. Dhe me këtë Kosova tregon se beson që do të jetë partneri kryesor për të punuar në energji të pastër. Ky është një drejtim i duhur dhe përgëzoj qeverinë e Kosovës për këto vendime”, theksoi Conrad.

    Drejtori Regjional për Ballkanin Perëndimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Nicolas Marquier u shpreh se hapja e ankandit të erës është hap i rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme.

    Marquier theksoi se me këto kapacitete shtesë të energjisë së erës do të mbulohet rreth 4 deri në 6% e kërkesës për energji.

    “Ky momentum përfaqëson jo vetëm përparimin në sektorin e energjisë, por edhe një hap të rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër për vendin tuaj dhe Evropën. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Kosovën për të sfiduar problemet socio-ekonomike…ky projekt i veçantë synon të rris ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së erës duke 137 në 237 MW që do të mbuloj rreth 4-6 për qind të kërkesës së përgjithshme të Kosovës për energji”, thotë ai. /kp

  • Arrestohet një person në Pejë, dyshohet për rrëmbim

    Arrestohet një person në Pejë, dyshohet për rrëmbim

    Një person është arrestuar në Pejë nën dyshimin për rrëmbim.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 10:00.

    “Lidhur me rastin njësitë relevante policore në bashkëveprim kanë arritur të lokalizojnë të dyshuarin dhe viktimën mashkull dhe të njëjtit janë intervistuar ku me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Kryetarja e OIK-ut mirëpret homologët nga Shqipëria

    Kryetarja e OIK-ut mirëpret homologët nga Shqipëria

    Kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, Nexhmije Gori ka pritur në një takim, Blerina Duka, presidente e Urdhërit të Infermierëve të Shqipërisë së bashku me zëvendës presidentin, Sabri Skënderi.

    Takimi është zhvilluar në vazhdën e bashkëpunimit mes OIK dhe Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, e që konsiston edhe në organizimet që po bën OIK me rastin e dhjetë vjetorit të themelimit.

    Në takim, Gori dhe Duka kanë folur për bashkëpunimin e ngushtë mes organizatave simotra, duke potencuar ndihmën reciproke që ato i japin njëra tjetrës, kryesisht në fuqizimin e anëtarësisë në nivelet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

  • Gjykatësja Veldt-Foglia: Sot diskutohen marrëveshjet e pranimit të fajësisë të Shalës dhe Januzit

    Gjykatësja Veldt-Foglia: Sot diskutohen marrëveshjet e pranimit të fajësisë të Shalës dhe Januzit

    Gjykatësja e Speciales, Mappie Veldt- Foglia, në rastin e akuzuarve Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, ka folur se çfarë do të ndodh në seancën e sotme të diskutimit për marrëveshjet e pranimit të fajësisë.

    Ajo ka thënë se sot do të trajtohen vetëm marrëveshjet e pranimit të fajësisë për Shalën dhe Januzin, pasi sipas saj, i janë përgjigjur kërkesave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Kurse, sipas saj, mbrojtja e Bahtijarit është vonuar dhe nuk kishte pasë përgjigje.

    “Gjatë pjesës së parë të seancës trupi gjykues do të trajtojë çështje të gjitha në interes për të akuzuarit dhe pastaj të nxjerrë një numër të caktuar urdhërash mbrojtës. Pas kësaj do të mbahen dy seanca të ndara për të diskutuar marrëveshjet e fajësisë Z.Shala dhe Z.Januzit”, ka thënë Veldt- Foglia.

    “Përkatësisht me ZPS-në për të ecur sa më shumë që është e mundur me këtë procedurë. Gjatë dy seanca do t’i pyes do t’iu kërkojë të konfirmojnë nëse mbrojtësit  tyre kanë diskutuar me Z.Shala dhe Z.Januzi, kushtet e marrëveshjes së pranimit të fajësimit”, ka thënë Veldt- Foglia.

  • Papa thotë se inteligjenca britanike e parandaloi vrasjen e tij në Irak

    Papa thotë se inteligjenca britanike e parandaloi vrasjen e tij në Irak

    Papa Françesku ka thënë se i kishte shpëtuar një sulmi të dyfishtë vetëvrasës gjatë një vizite në Irak tre vjet më parë, pasi tentativat për ekzekutimin e tij u penguan nga inteligjenca britanike dhe policia irakiane.

    Françesku e bëri të ditur këtë në autobiografinë e tij të ardhshme, Spera (Shpreso), fragmente të së cilës u botuan në “Corriere della Sera” të martën, në ditëlindjen e 88-të të Papës.

    Ati i Shenjtë ka thënë se ai ishte këshilluar fuqimisht të mos bënte udhëtimin në Irak në mars të vitit 2021, i pari nga një papë atje, sepse pandemia me Covid ishte ende e përhapur teksa rreziqet e sigurisë ishin të larta, veçanërisht në Mosul, qytetin verior të shkatërruar nga militantët e Shtetit Islamik.

    Në rrëfimin e tij të ngjarjeve thuhet se inteligjenca britanike informoi policinë irakiane për bombat e planifikuara sapo Françesku mbërriti në Bagdad. Nga ana tjetër, policia irakiane informoi organin e sigurisë të Vatikanit.

    Papa ka përshkruar se si një nga sulmuesit vetëvrasës ishte një grua që po shkonte drejt Mosulit për të hedhur veten në erë gjatë vizitës së tij. Një kamion gjithashtu “ishte nisur me shpejtësi atje me të njëjtin qëllim”, ka bërë të ditur ai.

    Mijëra të krishterë në veri të vendit u vranë nën sundimin e Shtetit Islamik midis viteve 2014 dhe 2017, dhe qindra mijëra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre përballë dhunës dhe persekutimit.

    Gjatë vizitës, rreth 10,000 policë irakianë ishin vendosur për të mbrojtur Papën.

  • MPB-ja lëshon fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin

    MPB-ja lëshon fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin

    Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar fletarrestimin ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.

    Kjo vjen pasi Gjykata me kërkesë të Prokurorisë vendosi 30 ditë paraburgim për personat në fjalë, që për momentin nuk janë të kapshëm për organet e rendit.

    Grubi dhe Bajrami dyshohen për keqpërdorime në “Lotarinë Shtetërore”, rast për të cilin Prokuroria ka hapur lëndë kundër gjashtë personave dhe kërkoi që dy të dyshuarit e parë të paraburgosen. Për katër të dyshuarit tjerë, janë vendosur masa kujdesi, gjegjësisht marrje e pasaportës.

    Ndryshe, Grubi ditë më parë u vendos në “listën e zezë” nga SHBA-të, pasi dyshohet për korrupsion të lartë, në një lëndë gjyqësore që ka të bëjë me ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov./Telegrafi/

  • Këngëtarët më të pasur në botë për vitin 2024

    Këngëtarët më të pasur në botë për vitin 2024

    Në krye të listës së këngëtarëve më të pasur në botë është Jay-Z, me një pasuri të jashtëzakonshme prej 2.5 miliardë dollarësh. Ky artist ka disa aksione në marka dhe kompani të ndryshme, përfshirë Armand de Brignac, LVMH, Block dhe madje edhe Uber.

    Me një pasuri mbresëlënëse prej 1.6 miliardë dollarësh, Taylor Sëift është shpallur këngëtarja më e pasur grua në botë. Falë “Eras Tour”, Sëift ka fituar rreth 500 milionë dollarë, duke e vënë atë në statusin e miliarderes dhe duke larguar Rihannan nga pozita e këngëtares më të pasur grua.

    Rihanna është pjesë e aksionarëve të markave me vlerë miliarda dollarë: Fenty Beauty dhe Savage X Fenty. Pasuria e Rihanna tejkalon 1 miliard dollarë në vitin 2024.

    Gjatë karrierës së saj muzikore, Selena Gomez ka lansuar një seri Hitesh. Por marka e saj Rare Beauty, e lancuar në vitin 2020, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, duke e futur atë në klubin e miliarderëve. Sipas Business Insider, Gomez ka një pasuri të madhe nga marka e saj kozmetike, çka kontribuon në pasurinë e saj aktuale prej 1.3 miliardë dollarësh, duke e bërë atë një nga këngëtarët më të pasur në botë.

    Përveç markës së saj të suksesshme dhe muzikës, Selena Gomez ka pasur disa role në filma./ NO FILT

  • Miratohet projektligji për themelimin e Agjencisë për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë

    Miratohet projektligji për themelimin e Agjencisë për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë

    Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për themelimin e Agjencisë për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se përmes këtij projektligji synohet që të krijohen standarde rreth përkujdeset shëndetësor.

    “Me këtë projektligj do të themelohet Agjencia për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë e cila paraqet zgjidhje të qartë gjithëpërfshirëse dhe afatgjate të problemeve, duke adresuar shqetësimin e të gjitha inspektorateve shëndetësore në mënyrë të standardizuar dhe duke vendosur të drejtat e politik bërësve dhe zbatimin e akteve nënligjore. Përmes këtij projektligji synojmë që të krijojmë standarde rreth përkujdesit shëndetësor, respektohet çdo institucion shëndetësor në Kosovë”, tha Vitia.

  • ​Qeveria i hap rrugë themelimit të Muzeut të gjenocidit

    ​Qeveria i hap rrugë themelimit të Muzeut të gjenocidit

    Qeveria e Kosovës ka miratuar konceptin për themelimin e institucionit të Muzeut të gjenocidit dhe përpjekjet për liri.

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se qëllimi është dokumentimi i krimeve të Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve.

    Sipas tij, i njëjti synon edukimin e brezave të rinj si dhe prezantimin e të mbijetuarve në mënyrë që historitë e tyre të mos harrohen.

    Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për inspektoratin qendror të shëndetësisë.

    Përmes kësaj u tha se do të themelohet një agjenci që do të ofrojë zgjidhje të qartë dhe afatgjatë për të adresuar shqetësimet e të gjithë inspektorateve shëndetësore.

    Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin, kontrollin e duhanit dhe produktet e ndërlidhura.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi emëroi Luan Sylajn drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë./KP