ATV

Category: Lajme

  • Rama: Hashimi, Kadriu, Jakupi e Rexhepi po mbahen peng, po gjykohet historia që lindi Republikën

    Rama: Hashimi, Kadriu, Jakupi e Rexhepi po mbahen peng, po gjykohet historia që lindi Republikën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve që po mbahet në Prishtinë, as këtë herë, nuk e la pa i përmendur ish krerët e UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Rama tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi po vazhdojnë të mbahen peng, në një proces siç tha ai, të parregullt gjyqësor.

    “Sot që ne të gjithë jemi këtu, ku u firmos pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati pesë vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare. e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.

    Nuk e diskutoj të drejtën e asaj gjykate për të bërë punët që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vet Hashimi ka ngritur dorën për t’u formuar ajo gjykatë.

    Por, ajo që nuk vi do deri në Prishtinë, të marr fjalën dhe pastaj ta gëlltis në heshtje, në këtë foltore para jush, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm që ai proces është i parregullt gjyqësor.

    Nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë vëllazërisht, që në këtë sallë nuk është ndërmarr asnjë nisëm, për të kërkuar të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate, shqetësimin e madh mbi standardet e asaj gjykate, raporton Gazeta Sinjali.

    Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit.” – tha Edi Rama në Kuvendin e Kosovës.

    LEXONI EDHE:

    Rama: Objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE dhe NATO

  • Rama: Objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE dhe NATO

    Rama: Objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE dhe NATO

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar fjalët e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, për objektivat e anëtarësimit në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në Kuvendin e Kosovës ia tha se këto fjalë të thjeshta të Rugovës janë gjithçka, që të mos humbet objektivi historik për bashkimin në familjen evropiane dhe për të mos hequr nga mendja shansin historik, shans që shqiptarët mund ta shfrytëzojnë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.

    “Plotë 20 vjet më parë në vitin 2004, presidenti gjithnjë më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATo dhe miqësi permanente me SHBA-në. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë  të Evropës dhe botës, dhe kanë shansin historik të hyrjes me vlerat e tyre në familjen e  madhe BE. Këto fjalë të thjeshta janë gjithçka, për të mos humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit në familjen e madhe evropiane të të dy shteteve tona, dhe për të mos hequr nga mendja se këtë shans historik, shqiptarët mund ta shfrytëzojnë më sukses, vetëm si trimi i mirë me shokë shumë”, ka thënë Rama.

    Ai tha se në rrugën drejt integrimit dhe sikur Kosova të shkëlqente njëlloj sikur Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

    “ Ndërkohë që Shqipëria ecë me hapa të shpejt, përfundimisht të pandalshëm për t’u bashkuar me Evropën, paramendoni se sa më krenar, do t’i bënim gjithë shqiptarët anë e mbanë, se çfarë vlere do t’i jepnim emrit të Shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur dhe Kosova të shkëlqente njëlloj ndërkombëtarisht, duke hedhur vallen e kësaj kohe drejt shqiptarëve në një ritëm, me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj. Sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku, në krye të vendit, si një mishërim i vlerave evropiane, ku në këtë rajon, mos e harroni kurrë, jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit”, ka thënë Rama.

  • Spiropali thirrje shqiptarëve: Bota ta mësojë se çka mund të bëjmë kur jemi bashkë

    Spiropali thirrje shqiptarëve: Bota ta mësojë se çka mund të bëjmë kur jemi bashkë

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se bashkimin e shqiptarëve nuk e zë vetëm një sallë sepse janë shumë.

    Ajo në seancën e përbashkët të dy kuvende Kosovë-Shqipëri, në Kuvendin e Kosovës, bëri thirrje që shqiptarët të takohen aq sa ka bota, me miliona.

    “Është kënaqësi e madhe, por ka një problem, ne që po takohemi jemi pak, do duhej të ishim më shumë, do duhej të ishim me mijëra dhe prapë pak janë. Duhet të takohemi të gjithë, aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota me miliona, aq sa ka bota se nuk na zë kjo sallë. Ka salla tjera që na zë, janë fushat, luginat ku mundemi me të takohemi dhe me u çmall e me u mirëkuptua mes vete. Derisa toka të dridhet, derisa Zoti të habitet, derisa Adem Jashari të habitet në varr, derisa bota ta mësojë se çka mund të bëjmë kur jemi bashkë”, tha ajo.

    “Realizimi i objektivit tonë strategjik është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtar e saj si një realitet i pakthyeshëm gjeopolitik. Rritja e rolit dhe peshës të çdo shqiptari në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm i stabilitetit për paqe dhe siguri, janë detyra tona, janë themelet e të ardhmes sonë. Orientimi i gabuar për shkak të zigzage të historisë, nuk është opsion për ne, andaj duhet kuptuar mirë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë dhe botën që po ndryshon me shpejtësi”, u shpreh Spiropali.

  • Konjufca: Falënderojmë Shqipërinë që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e Kosovës kudo në botë

    Konjufca: Falënderojmë Shqipërinë që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e Kosovës kudo në botë

    Deputetë të Kosovës e të Shqipërisë janë bërë bashkë sot në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të përbashkët.

    I pari që foli ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili falënderoi Republikën e Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës.

    “Kjo seancë duhet me u pa që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën, në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç interesit kombëtar të kombit, i cili për ne është i përbashkët.

    Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan. E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë shqiptare, që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare në çdo forum të botës.”, tha Konjufca.

    Sot seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë

  • Mbyten 8 imigrantë në një ishull grek

    Mbyten 8 imigrantë në një ishull grek

    Tetë imigrantë janë mbytur të premten në mëngjes pranë ishullit Rodos në Greqi, pasi anija e shpejtë me të cilën po lundronin u përmbys, thanë autoritetet greke.

    Roja bregdetare tha se incidenti ndodhi pasi anija e shpejtë bëri “lëvizje të rrezikshme” në përpjekje për t’i ikur një anijeje patrulluese, duke i hedhur imigrantët në ujë.

    Autoritetet greke thanë se 18 imigrantë të tjerë u shpëtuan dhe se kërkimet për shpëtimin e imigrantëve të tjerë janë duke vazhduar. Nuk është e qartë se sa imigrantë po barte anija kur u përmbys, sipas tyre.

    Rodosi, njëri nga disa ishujt e mëdhenj grekë, që shtrihet pranë bregdetit të Turqisë, është rrugë e dendur për trafikim me imigrantë në lindje të Detit Mesdhe.

    Ky është incidenti i dytë vdekjeprurës me imigrantë në këtë ishull këtë javë.

    Shtatë imigrantë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë besohet se janë zhdukur kur anija e tyre u fundos pjesërisht në jug të ishullit të Kretës gjatë fundjavës së kaluar.

    Numri i imigrantëve që shkojnë në Greqi jashtëligjshëm pritet të rritet në 60.000 këtë vit.

    Sirianët përbëjnë numrin më të madh të tyre, të ndjekur nga afganët, egjiptianët, eritrianët dhe palestinezët, sipas të dhënave qeveritare./REL

  • Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një person

    Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një person

    Një incident ka ndodhur sot në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

    Si pasojë e kësaj një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç mësohet rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30, ndërsa me të marrë lajmin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet e emergjencës.

    Sipas informacioneve të para personi i plagosur po trajtohet në spitalin rajonal të Gjakovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, hetimet në lidhje me zbardhjen e këtij rasti tashmë kanë filluar.

     

  • Rama e Spiropali priten nga Kurti e Konjufca pak para mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve

    Rama e Spiropali priten nga Kurti e Konjufca pak para mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve

    Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë sot do të mbajnë seancë të përbashkët.

    Por, para kësaj mbledhje një takim pritës është zhvilluar në zyrën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali. Nikoqir i takimit ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

    Kjo mbledhje do të nisë me fjalën e dy kryeparlamentareve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, si dhe më pas pritet që edhe dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, të marrin fjalën.

  • Në Shqipëri asgjësohen mandarinat me pesticide, ato u kthyen pas nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura

    Në Shqipëri asgjësohen mandarinat me pesticide, ato u kthyen pas nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura

    Mandarinat shqiptare, të kthyera nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura, janë asgjësuar dhe nuk janë hedhur në tregun vendas për konsum.

    Në Divjakë do të groposet ngarkesa me 21 ton, ndërsa do të kontrollohen 6 pika grumbullimi në Fier dhe Berat, së bashku me farmacitë bujqësore për të verifikuar nëse ka raste të tjera me rrezik.

    Dy pesticidet e përdorura nga fermerët në mandarina nuk janë pjesë e listës që Shqipëria ka miratuar në tetor të këtij viti për inputet që mund të aplikohen në produkte.

    Këto pesticide kanë qenë pjesë e listës në Shqipëri deri në vitin 2022, kohë kur lejohej përdorimi i tyre. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se kontrollet për përdorimin e pesticideve në të zezë do të shtrihen në të gjithë territorin.

  • Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë

    Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë

    Sot është bërë përurimi i rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc – hyrja e Vushtrrisë.

    Në përurim ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përurimin e quajti si të arritur të përbashkët, transmeton Telegrafi.

    “Rruga Prishtinë -Mitrovicë po bëhet. Ka nisur në vitin 2009, e ka moshën pothuajse të pavarësisë së Kosovës. Është dashtë që të ndërrohet operatori ekonomik, në mënyre që të ecim përpara. Unë falënderoj ministrin Liburn Aliu, zv.ministrin Hysen Durmishi, dhe gjithë stafin për punën që kanë bërë”, tha ai.

    Kurti theksoi se “Për 10 muaj po e përurojmë në një gjatësi prej 5 km, ka ngelur edhe një pjesë shumë e rëndësishme, dhe cila do të kushtojë rreth 15 milionë euro”.

    Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se rruga ka një rëndësi të veçantë.

    “Në vitin 2023, ka filluar prokurorimi i kësaj rruge, në fund të shkurtit 2024 është nënshkruar kontrata, dhe tani po e përurojmë këtë segment. Pas një auditimi që kemi bërë, jemi detyruar me shkëput kontratën me operatorin e kaluar. Rruga ka një rëndësi të veçantë”, deklaroi Aliu.

  • ShBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

    ShBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

    Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Ministri, si përgjigje ndaj rolit të tyre të dyshuar në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare dhe protestuesve antiqeveritarë.

    Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu sanksione ndaj Mirza Kezevadze, zëvendësshefit të departamentit të forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë më 19 dhjetor.

    Departamenti i Thesarit deklaroi se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, e cila më 19 dhjetor vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.

    Një zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit tha se arsyet e cituara nga të dyja qeveritë për vendosjen e sanksioneve janë të ngjashme.

    “Pas zgjedhjeve në Gjeorgji, zyrtarë kyçë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përfshinë në shtypjen e popullit të vet në mënyrë të egër, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve dhe përdorimin e dhunës”, tha Bradley T. Smith, nënsekretari i përkohshëm i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

    Çdo aset i zotëruar nga Gomelauri dhe Kezevadze në juridiksionin amerikan është bllokuar, tha Departamenti i Thesarit.

    Përveç Gomelaurit, Britania vendosi sanksione edhe ndaj zëvendësministrit të Brendshëm Aleksandre Darakhvelidze, Sulkhan Tamazashvili, Zviad Kharazishvili dhe Mileri Lagazauri, sipas një komunikate të Qeverisë britanike.

    Mijëra njerëz demonstruan përsëri në Tbilisi në natën e 19 dhjetorit. Kjo ishte dita e 22-të radhazi e protestave kundër vendimit të Qeverisë për t’i ndërprerë praktikisht bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE.

    Protestuesit e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së partisë Ëndrra Gjeorgjiane në zgjedhjet që u mbajtën në fund të tetorit.

    Protestat u rritën pasi kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, njoftoi se Tbilisi i pezulloi deri në vitin 2028 bisedimet me Brukselin për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

    Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka thënë se zgjedhjet e 26 tetorit u manipuluan me ndihmën e Moskës dhe është zotuar se nuk do të largohet nga detyra edhe kur pasardhësi i saj – i përzgjedhur nga ai që protestuesit e quajnë Parlament të paligjshëm – të betohet më 29 dhjetor, raporton REL.

    Zurabishvili i ka dënuar “sulmet brutale ndaj popullit dhe mediave gjeorgjiane”, duke e krahasuar shtypjen e tyre nga autoritetet me “represionin në stilin rus”.

    Protestat janë shpërndarë vazhdimisht në mënyrë të dhunshme, aktivistët janë arrestuar dhe politikanët e opozitës dhe përfaqësuesit e medias janë sulmuar.

    Gjeorgjia e mori statusin e vendit kandidatit për BE në dhjetor 2023 dhe, sipas sondazheve, shumica e gjeorgjianëve e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE.