ATV

Category: Lajme

  • Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e Mortajave në Kroaci

    Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e Mortajave në Kroaci

    Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin e specializuar për përdorimin e mortajave 60mm dhe 120mm.

    Gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e FSK-së u aftësuan në mirëmbajtjen dhe përdorimin efikas të mortajave, fituan njohuri për detyrat brenda ekipit të mortajave, duke ngritur kështu aftësitë e tyre në fushën e mbrojtjes, për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.

    Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e trajnimit ka qenë edhe puna me Qendrën e Drejtimit të Zjarrit, me ç‘rast pjesëmarrësit u trajnuan për të llogaritur me saktësi faktorët e ndryshëm që ndikojnë në trajektoren e predhës, duke përmirësuar në këtë mënyrë efektivitetin operacional.

    Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar në ngritjen dhe avancimin e pjesëtarëve, në mënyrë që të jemi të përgatitur për t’u përballuar me çdo sfidë që paraqitet.

  • ​Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

    ​Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

    Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    Me këtë marrëveshje mundësohet organizimi i sportit të lundrimit në Durrës të Shqipërisë dhe njëherësh zyrtarizon Durrësin si një nga qytetet mikpritëse.

    Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë direkt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, ndërsa përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.

  • Kryeministri Albin Kurti ftohet përsëri për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Kryeministri Albin Kurti ftohet përsëri për intervistim nga Prokuroria Speciale

    Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Kreyziu ka thënë për televizionin publik se Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim.

    “Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Kryeziu.

    Kryeministri Kurti ishte ftuar të hënën nga Prokuroria Speciale për tu intervistuar si dëshmitarë, por nuk ishte paraqitur, pasi që ndodhej për vizitë zyrtare jashtë vendit.

  • Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

    Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

    Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së premtes, kanë dëmtuar edhe ndërtesën ku ndodhet ambasada e Maqedonisë së Veriut.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e këtij vendi njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar.

    Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.

    “Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.

    Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.

    Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit.

    Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

    Të paktën dy të vrarë nga një valë e madhe bombardimesh ruse në Ukrainë

     

  • Fushë-Kosova bëhet me nënstacion të ri energjetik

    Fushë-Kosova bëhet me nënstacion të ri energjetik

    Në Fushë-Kosovë është inauguruar sot nënstacioni i ri i KOSTT-it, që pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për 15,000 banorë dhe biznese të kësaj komune.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ceremonisë së inaugurimit, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të furnizimit me energji në Kosovë, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit.

    Ky projekt, sipas ME-së, ka vlerën totale prej 6.44 milionë euro, dhe përfshin investime në linjat e transmetimit dhe shërben për rritjen e kapaciteteve të rrjetit energjetik në Kosovë.

  • Rama i dërgon një “letër sekrete” Kurtit, teksa Haradinaj fliste në mbledhjen e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

    Rama i dërgon një “letër sekrete” Kurtit, teksa Haradinaj fliste në mbledhjen e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

    Sot në vendin tonë janë mbledhur dy kuvendet Kosovë – Shqipëri, e ku gjatë fjalimit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj kamerat kapën një moment interesant aty.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia dorëzoi një letër kryeministrit Kurti për të cilën nuk dihet përmbajtja e saj.

    Vlen të theksohet se Rama pati një fjalim të fuqishëm sot në Kuvendin e Kosovës e ku ndër të tjera nuk la pa përmendur edhe ish-Presidentin Thaçi i cili po mbahet në Hagë.
    Rama nuk hezitoi të shprehej gjithashtu se Kuvendi i Kosovës nuk bërë asgjë për “padrejtësitë në Hagë”.

    Teksa në anën tjetër Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij më shumë foli rreth “shtrirjes së sovranitetit në veri”.

    Kujtojmë se raportet mes Qeverisë Kurti me Edi Ramën janë të ftohta, me faktin se këtë as mbledhja mes dy qeverive nuk është mbajtur.

  • Kurti: Çështje urgjente, anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Kurti: Çështje urgjente, anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Kryeministri Albin Kurti e theksoi çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO, gjatë fjalimit të tij në seancën e përbashkët të dy kuvendeve.

    Ai vlerësoi se FSK-ja tani është në lartësinë e detyrës sipas standardeve të aleancës euroatlantike.

    “NATO është në Kosovë, por Kosova nuk është në NATO. Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin por të shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 mln euro investim në armatim në vitin 2022 -2023 kemi mbi 239 mln euro investim në armatim e municion. Ne do të anëtarësohemi që të bëhemi më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë si edhe do të kontribuojmë. Agresioni rus në Ukrainë, rindezja e konfliktit në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste në Kosovë Banjskë e Ibër Lepence që vijnë nga Serbia dhe Rusia bashkë e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. FSK është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e aleancës dhe ne besojmë”, tha Kurti duke shtuar se si një vend i NATO-s, Shqipëria është në krahun e Kosovës për anëtarësimin e saj dhe përmendi tejkalimin e kriterit të vendosur për pranim.

    Ai tha se të dyja vendet tona kanë nevojë si për BE si për NATO-n.

    “Ne na gëzon fakti që Shqipëria është vend i NATO-s dhe kandidate e BE. Kosova ka dorëzuar aplikimin për në NATO. Shqipërinë e kemi në krahun tonë për të tejkaluar pengesat politike për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Tejkalojmë kriterin prej 2% të produktit bruto vendor që kur është përcaktuar si kriter në samitin e Uellsit”, tha ai.

  • Izedin Bytyqi emërohet sërish Sekretar i Përgjithshëm i MMPHI-së

    Izedin Bytyqi emërohet sërish Sekretar i Përgjithshëm i MMPHI-së

    Dy javë pas lirimit nga arresti shtëpiak, Izedin Bytyqi, është rikthyer në vendin e tij të punës në Ministrinë e Infrastrukturës, me vendim të Ministrit Librun Aliu.

    Bytyqi, të enjten është emëruar sërish Sekretar i Përgjithshëm i MMPHI-së.

    Në vendimin të cilin e ka siguruar ATV-ja thuhet se Izedin Bytyqi caktohet Ushtrues i detyrës i i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga data 19 dhjetor deri më 19 qershor të vitit të ardhshëm.

    Ai ishte arrestuar me 8 tetor, në zyrën e tij, për aferën me ambalazhuesit e ujit.

    Arrestimi i tij u kryer nën dyshimin se ka kryer veprat veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe atë të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

    Pak ditë pas arrestimit, Bytyqi u la në arrest shtëpia nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Derisa më 5 dhjetor 2024 u njoftua se i është hequr edhe kjo masë e sigurisë ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

  • Sulm me thikë në një shkollë fillore në Kroaci: Vritet një fëmijë, plagosen tetë persona

    Sulm me thikë në një shkollë fillore në Kroaci: Vritet një fëmijë, plagosen tetë persona

    Një fëmijë ka humbur jetën dhe tetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi me thikë në një shkollë fillore në Precko të Zagrebit të Kroacisë. Në mesin e të plagosuerve është një mësues dhe vetë sulmuesi.

    Një helikopter i urgjencës mjekësore ka aterruar në oborrin e shkollës, ndërsa të lënduarit, shumica nxënës, u trajtuan në disa spitale të Zagrebit.

    Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrstiq, konfirmoi se njëri nga fëmijët e lënduar gjatë sulmit ka vdekur, raporton medium kroat “Dnevnik”.

    Sulmi në shkollë thuhet se ka shkaktuar shumë reagime nga banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit kroat.

    Sipas pamjeve të publikuara nga mediat kroate, disa autoambulanca e vetura të policisë shihen në oborrin e shkollës, ndërsa nxënësit janë evakuuar.

  • BE-ja dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    BE-ja dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Bashkimi Evropian do ta dërgojë një mision për t’i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë me 9 shkurt të vitit 2025, me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi blloku evropian të premten.

    “Duke iu përgjigjur ftesës nga ana e presidentes së Kosovës, përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas ka vendosur ta vendosë një mision vëzhgues zgjedhorë (EOM) për t’i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në caktuara për 9 shkurt 2025”, thuhet në njoftim

    Nathalie Loiseau, deputete e Parlamentit Evropian, është emëruar shefe e misionit vëzhgues, thuhet në njoftim, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    BE-ja tha se misioni i saj vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë do ta dëshmojë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen demokratike.

    “Prania e këtij misioni në terren ka për qëllim të kontribuojë për një proces zgjedhorë gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, i cili do t’u mundësojë votuesve në Kosovë që të shprehin qartë zgjedhjen e tyre”, thuhet në njoftim.

    Bashkimi Evropian i ka vëzhguar të gjitha zgjedhjet në Kosovë që nga viti 2013.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

    KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor./REL