ATV

Category: Lajme

  • Sulmet në veri, 30 ditë kohë Prokurorisë dhe Dalibor Spasiqit për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë

    Sulmet në veri, 30 ditë kohë Prokurorisë dhe Dalibor Spasiqit për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë

    PËRGATITI: NORA LUTA

    I akuzuar për sulm ndaj gazetarëve, dhe pjesëmarrje në protestat në Zveçan Dalibor Spasiq, ka kërkuar marrëveshje për pranim të fajësisë.

    Spasiqit, i cili gjendet nën masën e dorëzanisë, Gjykata e Mitrovicës i ka dhënë kohë 30 ditë për arritjen e saj.

    Deri më tani, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim për arritjen e marrëveshjes apo për dështim të negociatave, ndonëse palëve iu është dhënë afati prej tridhjetë (30) ditësh.

    Kërkesën për negocim të marrëveshjes, e ka paraqitur avokati i Spasiq, Sërxhan Mitrovic, i cili gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm për televizionin.

    Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, ai ishte kontaktuar para 17 dhjetorit kur ishte planifikuar nisja e shqyrtimit gjyqësor, por nuk ishte paraqitur për të filluar negociatatat.

    Dalibor Spasiq ishte arrestuar më 17 qershor të vitit të kaluar, në Jarinjë, por ishte liruar një muaj më vonë./atvlive.tv

  • Pushtetarët përuruan 5.5 kilometrat e para të segmentit të kontraktuar në gjatësi 9.78 kilometra

    Pushtetarët përuruan 5.5 kilometrat e para të segmentit të kontraktuar në gjatësi 9.78 kilometra

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    “Për projektin për të cilin sot nënshkruam kontratën, dua t’ju njoftoj se gjatësia është 9.78km dhe bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë”.

    Edhe pse kontrata e nënshkruar më 8 Shkurt, parasheh zgjerimin dhe ndërtimin e një segmenti 9.78 kilometërsh të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, qeveritarët prenë shiritin pas kompletimit të punës në 56% të gjatësisë së tij.

    Përkundër kësaj, kryeministri Albin Kurti tha se projekti “që ka pothuajse moshën e pavarësisë po bëhet”.

    Por, përfundimi i pjesës tjetër të segmentit të kontraktuar, nga hyrja e Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, do ende kohë.

    Jo larg vendit ku u bë inagurimi, në hyrje të Vushtrrisë, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e pjesës tjetër të segmentit deri në fshatin Gojbulë, që ka një gjatësi rreth 4 kilometra.

    Në kohën kur kanë mbetur më pak se dy muaj afat për finalizimin e punës, në pjesën që shmangë kalimin nëpër qytet nuk u panë ekskavatorë e as punëtorë.

    Kontrata e nënshkruar Shkurt, parasheh ndërtimin e rrugës nga fshati Lum i Madh deri këtu në Gojbulë, për të vazhduar lidhjen me segmentin e përfundua r deri në fshatin Smrekonicë.

    Tutje për segmentin nga Smrekonica e Vushtrrisë deri në hyrje të Mitrovicës, në gjatësi prej rreth 5 kilometrash, nuk është shpallur ende tenderi.

    Punët për zgjerimi dhe ndërtimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, në një gjatësi rreth 35 kilometra, kanë nisur para 15 vjetësh./atvlive.tv/

  • Njohësit, nëse Artan Grubi ndodhet në Kosovë autoritetet duhet ta dorëzojnë

    Njohësit, nëse Artan Grubi ndodhet në Kosovë autoritetet duhet ta dorëzojnë

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Nga 18 dhjetori ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, është në kërkim. Ndaj Grubit, është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, e një tillë raportohet se është pranuar edhe në Policinë e Kosovës.

    Fletëarresti u lëshua, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimet për përvetësimin e mbi 8 milionë eurove nga Lotaria Shtetërore.

    Policia e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigjeje ATV-së për të konfirmuar ose mohuar, pohimet e zyrtarëve maqedonas se Grubi hyri në territorin e Kosovës me veturë diplomatike.

    Megjithatë nëse ish-zyrtari maqedonas ndodhet në shtetin kosovar, ky i fundit në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit juridik obligohet t’ia dorëzojë Maqedonisë së Veriut.

    Ish-zv.kryeministri Artan Grubi, i cili së fundi u përfshi edhe në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje duke thënë se ndodhet jashtë vendit për vizitë personale./atvlive.tv/

     

  • Gati 6 mijë fëmijë nuk jetojnë në Kosovë por marrin shtesa të fëmijëve

    Gati 6 mijë fëmijë nuk jetojnë në Kosovë por marrin shtesa të fëmijëve

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Në Kosovë nuk jetojnë por shtesa nga shteti marrin.

    Rreth 6000 fëmijë të cilët nuk janë banorë rezidentë në Kosovë llogaritet se janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.

    Vetë ministri i financave pati treguar për numrin e përgjithshëm të fëmijëve përfitues, në ditën kur edhe i prezantoi këto shtesa.

    “Bëhet fjalë për mbi 403 mijë fëmijë që tashmë aktualisht janë përfitues të skemës universale të shtesave të fëmijëve”, tha ministri i financave, Hekuran Murati.

    Por në baze të statistikave nga regjistrimi i popullsisë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç, del se janë plot 397.140 fëmijë rezident. Krahasuar me numrin e fëmijëve përfitues, gati 6000 fëmijë që marrin këto shtesa, nuk jetojnë në Kosovë.

    Andaj ekonomistët vlerësojnë se listat duhet të rishikohen, në mënyrë që ndihmat të shkojnë për ata që realisht kanë nevojë brenda vendit.

    “Kjo është barrë për buxhetin e Kosovës, megjithatë që buxheti karshi vendeve tjera është shumë më i varfër andaj kishte me qenë mirë që të pastroheshin listat që të mos marrin shtesa edhe këtu edhe në vendet e bashkimit evropian sepse më mirë kishte me qenë që ata që jetojnë këtu të marrin më shumë shtesa e mos të ketë shtesa të dyfishta edhe këtu edhe në vende tjera”, deklaroi Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike.

    Megjithatë Ministria e Financave muaj më parë filloi verifikim shtesë për disa llogari të prindërve, që përfitojnë shtesa për të kuptuar nëse ata vërtete jetojnë në Kosovë.

    Por nga ky dikaster nuk treguan nëse nga ky verifikim është larguar ndonjë familje.
    Kjo masë mbështetëse qeveritare për fëmijët, buxhetit të shtetit në total i kushton 120 milionë euro në vit./atvlive.tv

  • Më shumë ndërtesa janë ndërtuar në Kosovë edhe pse numri i banorëve ka rënë

    Më shumë ndërtesa janë ndërtuar në Kosovë edhe pse numri i banorëve ka rënë

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Pavarësisht se në 13 vjetët e fundit Kosovës iu ul numri i banorëve e kundërta ndodhi me ndërtime, numri i të cilave është rritur vazhdimisht.

    Për më shumë se 41 për qind u rrit numri i banesave nga viti 2011 deri më tani.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se në Kosovë ekzistojnë 414 mijë e 273 ndërtesa për banim, e veç saj një rritje prej afro 70 për qind pati edhe numri i ekonomive familjare. Madhësia mesatare ekonomike tani është 4 persona.

    Sipas ekonomistit, Fidan Qerimi këto ndryshime janë shqetësuese për vendin dhe kërkohet reflektim.

    Por krahas rritjes së numrit të banesave është rritur edhe numri i banesave të zbrazëta. Gati 200 mijë llogaritet se janë të pabanuara. Por veprimtaria vlerësohet fitimprurëse.

    Sipas të dhënave të ASK-së, komunat që prinë me numrin e banesave janë Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj.

    Ndërkaq probleme me objekte të pabanuara, kanë pothuajse të gjitha komunat, përfshirë Gjilanin, Lipjanin, Dragashin e Istogu./atvlive.tv

  • Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur sot ka njoftuar se janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës së fundit, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.

    “Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu”, tha Komisioni në njoftim.

    Ky Komision tha se më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut.

    Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës.

    “Të tre viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”.

  • Armenia nga sot njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës

    Armenia nga sot njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës

    Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se nga sot pasaporta e Republikës së Kosovës do të njihet zyrtarisht edhe nga shteti i Armenisë.

    Ahmeti ka thënë se Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike e zyrtare.

    “Pasaporta e Republikës së Kosovës vazhdon të fuqizohet. Nga sot, Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare. Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të të dyja vendeve”, ka shkruar Ahmeti.

  • Bombardimet ruse godasin edhe ambasadën e Shqipërisë në Kiev

    Bombardimet ruse godasin edhe ambasadën e Shqipërisë në Kiev

    Rusia ka bombarduar mbrëmjen e djeshme kryeqytetin e Ukrainës. Sipas informacioneve nga këto bombardime është goditur edhe godina ku ndodhet ambasada shqiptare në Kiev.

    “Gjashtë ambasada u dëmtuan si rezultat i sulmeve me raketa ruse në Kiev, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tykhy.

    Nga sulmi kanë mbetur të dëmtuara dhe ambsadat e Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi, të cilat janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka dënuar këto sulme të Rusisë të cilat i ka quajtur brutale.

    “Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

    Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

    LEXONI EDHE:

    Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

  • Apelohet për vaksinim kundër gripit, IKShPK: Rastet me grip janë rritur dukshëm krahasuar me javën e kaluar

    Apelohet për vaksinim kundër gripit, IKShPK: Rastet me grip janë rritur dukshëm krahasuar me javën e kaluar

    Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se është rritur numri i rasteve të raportuara të gripit, krahasuar me javët paraprake.

    Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve të rënda shëndetësore që mund të vijnë nga Gripi, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Gripit në njësitë e vaksinimit në komunën ku jetojnë.

    Efekti i vaksinës, sipas IKSHP-së fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

    IKShPK-ja rikujton se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKShPK-në, në fillim të sezonës së gripit 2024/2025, ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale.

  • Macroni falënderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive

    Macroni falënderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka nderuar figurën e Gisele Pelicotit për forcën që ka shfaqur në gjyqin e dhunimeve masive, të inciuara nga burri i saj dhe të kryera nga 50 burra tjerë.

    Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

    Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat.

    Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.

    Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.

    Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.

    Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.

    Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.

    Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.

    Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë, raporton REL.

    Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën.